Pikëpamje | Zgjedhjet 2019

Sigurimi i angazhimit demokratik do të ishte hap i madh drejt sigurimit të të drejtave të diasporës

Nga - 12.11.2019

Mësime që duhen nxënë nga zgjedhjet e vitit 2019.

Javën e kaluar, një muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme të Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) më në fund i shpalli rezultatet. Vonesa i detyrohet pjesërisht rishikimeve të disa kutive specifike të votimit ku kishte parregullsi administrative, por procesi u zgjat edhe nga polemikat mbi votat e marra nga anëtarët e diasporës së Kosovës.

Votimi nga jashtë ka qenë temë kryesore në zgjedhjet kombëtare 2019 për shkak të interesimit të shtuar nga pjesëtarët e diasporës. Përveç procesit burokratik të vendosur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), diku rreth 40.313 persona prapë arritën të regjistroheshin brenda  11-ditëve të regjistrimit – një rritje prej 100% kjo që nga zgjedhjet vendore të vitit 2017 kur 20.354 persona u regjistruan për të votuar. Për më tej, shumë nga pjesëtarët e diasporës udhëtuan me aeroplan ose autobus për të qenë në Kosovë gjatë ditës së zgjedhjeve, gjë që gjithashtu rezultoi në rritje të pjesëmarrjes së votuesve.

Megjithatë, pavarësisht rritjes së madhe, ka ende numër të madh njerëzish që nuk e ushtrojnë këtë të drejtë. Pjesëmarrja e fundit paraqet vetëm një përqindje të vogël të votave të mundshme të diasporës, pasi janë mes 300,000 dhe 400,000 persona me të drejtë vote që jetojnë jashtë Kosovës. Dhe për ata që aplikojnë të regjistrohen për votim jashtë vendit, dorëzimi i aplikacionit është vetëm hapi i parë. Hapat e ardhshëm janë miratimi dhe hedhja e votës me kohë.

Sipas statistikave të KQZ-së, nga zgjedhjet e vitit 2017 janë aprovuar vetëm 15.111 aplikime të votuesve, ndërsa vetëm 5,246 vota të vlefshme arritën me kohë – kjo do të thotë se vetëm 30% e votuesve të regjistruar të aprovuar kanë arritur të dërgojnë votën e tyre me kohë. Në vitin 2019, rreth 35.087 u miratuan, por vetëm 22.893 (65%) u llogaritën përfundimisht si fletëvotime të vlefshme.

E drejta kushtetuese kundër dilemës së ligjit zgjedhor

Fakti fatkeq është se githsej 6.445 zarfe të pranuara (secila prej të cilave mund të përmbante një ose më shumë vota) fillimisht u vlerësuan të pavlefshme nga KQZ-ja, sepse mbërritën pas 5 tetorit.

Sipas kryesuesit të KQZ-së këto fletëvotime ishin të papranueshme sepse nuk arritën të përmbushnin afatin ligjor të caktuar nga KQZ-ja sipas nenit 96.2 të  Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili thotë: “Votat jashtë Kosovës duhet të pranohen nga KQZ-ja para ditës së zgjedhjeve, siç përcaktohet me rregullën e KQZ-së”.

Sidoqoftë, për shumë prej këtyre paketave, vonesa është shkaktuar nga faktorë jashtë kontrollit të dërguesve, dhe kufizimet ligjore në këtë drejtim janë të paarsyeshme, duke marrë parasysh se ardhja me vonesë e zarfeve të votimit nuk ishte përgjegjësi e votuesve, por kushtëzohej nga shkaqe teknike të dorëzimit postar. Prandaj nuk duhet t’i penalizojmë votuesit për diçka që nuk është përgjegjësia e tyre.

KQZ-ja ka bërë një përjashtim në vitin 2017 kur i ka pranuar votat nga jashtë që mbërritën pas afatit ligjor.

Me rëndësi, të gjitha paketat që u dërguan me postë mes 19 shtatorit dhe 5 tetorit, si dhe procesi i verifikimit të vlefshmërisë së votuesit ishin ende në proces, që nënkuptoi se funksionalisht nuk ishte problematike të pranoheshin këto pako. Në mënyrë të rëndësishme, KQZ-ja bëri përjashtim edhe në vitin 2017, duke pranuar votat nga jashtë që mbërritën pas afatit ligjor.

OJQ-ja e përqendruar në diasporë për të cilën punoj, Germin, paraqiti një ankesë tek Avokati i popullit, e Germin dhe partia politike Vetëvendosje paraqitën dy ankesa në Panelin e Zgjedhjeve për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) në lidhje me votat që mbërritën pas 5 tetorit. Ankesat e para kishin të bënin me 4,639 zarfe, dhe e dyta kishte të bënte me 1.806 zarfe. Mirëpo, PZAP i refuzoi të dyja.

Vetëvendosje më pas i çoi dy çështjet e saj në Gjykatën Supreme, e cila përfundimisht urdhëroi që votat duhet të llogariten.

E gjithë saga tregon se ndonëse e drejta e votës garantohet me Kushtetutë, ka vend për shqetësim kur bëhet fjalë për zbatimin e saj dhe faktin nëse mund të ushtrohet si duhet kjo e drejtë e garantuar me kushtetutë.

Rivlerësimi i angazhimit të diasporës

Qëndrimi aktual sugjeron mungesë vlerësimi për vullnetin e diasporës për të votuar.

Për një vend si Kosova, përfshirja e diasporës në proceset politike është mjet i rëndësishëm për të mbajtur besnikërinë e saj dhe për t’i mbajtur gjallë ndjenjat patriotike. Siç deklaron Raporti për votimin jashtë vendit i Komisionit të Venedikut për vitin 2011, është edhe mekanizëm i trajtimit të barabartë midis qytetarëve që banojnë në vend dhe anëtarëve të diasporës.

Votimi i diasporës është edhe mjet shtesë për ruajtjen e përkatësisë kombëtare dhe forcimin e identitetit etnik. Ndër aspektet e ndryshme të vendit të origjinës në të cilin diaspora duhet të përfshihet ngushtë, pjesëmarrja politike është mbase njëra nga më të rëndësishmet. Në këtë drejtim, votimi nuk është vetëm forma më e rëndësishme e pjesëmarrjes politike, por edhe mënyra më e mirë për t’i bërë zërat e diasporës të dëgjohen.

Diaspora ka qenë historikisht afër vendlindjes. Gjatë luftërave të viteve ’80 dhe ’90, diaspora ishte shumë e përfshirë në çështjet e Kosovës dhe lehtësoi shumë nga vështirësitë. Për më shumë, diaspora ka qenë dhe vazhdon të jetë kontribuese e madhe në ekonominë e Kosovës përmes dërgesave (15% të PBB-së) dhe në një masë më të vogël përmes investimeve. Por, ndërsa Kosova ka bërë njëfarë përparimi në njohjen e rëndësisë së diasporës, shumë pak është bërë nëpër institucione për ta përfshirë atë me të vërtetë.

Është një proces i ngadalshëm për avancimin e të drejtave politike dhe shoqërore të diasporës së Kosovës.

Mekanizmat ndihmues që do ta përfshinin diasporën në kornizën legjislative dhe institucionale kanë ngelur mbrapa, përkundër viteve të avokimit nga organizatat e shoqërisë civile si Germin. Përveç dërgesave, institucionet kosovare nuk kanë qenë në gjendje ta angazhojnë diasporën në proceset e politikëbërjes ose në ndonjë diskutim kuptimplotë rreth çështjeve të Kosovës.

Për shkak të kësaj, diaspora është bërë pak mosbesuese ndaj institucioneve qeveritare të Kosovës dhe kryesisht skeptike ndaj aftësive të institucioneve publike. Me gjithë evoluimin në strukturimin dhe organizimin e institucioneve shtetërore në Kosovë gjatë dekadës së kaluar, ka një përparim të ngadalshëm në avancimin e të drejtave politike dhe sociale të diasporës së Kosovës. Përfaqësimi i tyre në çështjet kryesore të vendit mungon, dhe diaspora gjithnjë e më shumë ndihet e anashkaluar nga institucionet shtetërore.

Për ta mbajtur këtë bashkësi heterogjene të gjerë të ndërlidhur me atdheun, institucionet e Kosovës duhet të tregojnë se janë serioze në dëshirën për të siguruar dhe promovuar të drejtat politike dhe shoqërore të diasporës brenda Kosovës.

Një fillim i mirë do të ishte respektimi i një të drejte kushtetuese, siç është e drejta e votës.

Diaspora dhe partitë politike

Për shumicën e partive politike, me përjashtim të Vetëvendosjes në vitet e fundit, diaspora nuk ka qenë temë madhore e as synim elektoral. Megjithatë, kjo ka ndryshuar së fundmi duke e marrë parasysh ndikimin e madh të diasporës në ekonominë e vendit, edhe një potencial më të madh në të ardhmen për transferimin e njohurive dhe aftësive.

Duke e ditur këtë, shumica e partive kanë folur për rëndësinë e angazhimit të diasporës. Për më shumë, votimi i diasporës kishte rëndësi edhe gjatë zgjedhjeve lokale, kur fletëvotimet e pjesëtarëve të diasporës më 2017 në njëfarë mënyre e vendosën fituesin e dy qyteteve më të mëdha: Prishtinës dhe Prizrenit.

Edhe pse shumica e partive tani kanë filluar të shprehin së paku njohjen e tyre për rolin e diasporës si një grup i rëndësishëm shoqëror, ne ende nuk do të shohim hapa konkretë për përfshirjen e diasporës në vendimmarrje ose rritjen e qasjes në votim përmes ambasadave dhe konsullatave. Kjo qasje, megjithëse shumë e shkurtër, mund të shpjegohet me dy arsye.

Së pari, në të gjitha zgjedhjet e mëparshme, tendencat tregojnë se votat e diasporës mbështesin kryesisht partitë opozitare e jo qeverisjen e institucioneve politike. Është një trend që vazhdoi edhe në këto zgjedhje, ku Vetëvendosje fitoi 10,271 vota të diasporës (44.9%), dukshëm më shumë sesa partitë e tjera së bashku (LDK 3,606; PDK 2,970; AAK-PSD 915; NISMA-AKR 1,129).

Së dyti, është e vështirë ose e pamundshme për partitë politike të bazuara në klientelizëm që të tërheqin votuesit e diasporës pasi që ata janë shumë më të pavarur sesa votuesit në Kosovë sa i përket varësisë ekonomike dhe politike nga individët në fuqi.

Për më tej, pjesëtarët e diasporës mendojnë se kanë nevojë për ndryshime pasi qasja nga vitet 2000 është drejtuar për të mbledhur mbështetje të bazuar në investime me shumë pak angazhim të diasporës në hartimin e përparësive kryesore kombëtare.

Sidoqoftë, kur angazhohet si duhet, diaspora mund të jetë e dobishme edhe për mbështetjen elektorale. Nëse ata mbështesin një parti të caktuar “sot”, nuk do të thotë që nuk do ta mbështesin një tjetër “nesër”. Mbështetja për diasporën, dhe votat e tyre nuk mund të merren si të mirëqena.

Partitë politike duhet të kuptojnë se duke i rritur mundësitë e votimit, dhe rrjedhimisht duke rritur numrin e votave nga diaspora, ata e rrisin legjitimitetin demokratik të zyrtarëve të zgjedhur.

Kjo është gjithashtu njëra nga arsyet se pse zgjedhjet parlamentare të vitit 2019 vlerësohen ndër më të mirat, pjesërisht sepse pjesëmarrja ishte relativisht e lartë, me më shumë votues se kurrë më parë. Diaspora gjithashtu kontribuoi këtu, duke marrë parasysh që përveç votuesve që votojnë jashtë vendit, një numër i madh i qytetarëve me banim jashtë kanë udhëtuar në Kosovë për të qenë këtu personalisht më 6 tetor për të votuar.

Por me gjithë këto pengesa ekzistuese, pjesëtarët e diasporës janë shkurajuar vazhdimisht nga votimi dhe e drejta e tyre kushtetuese nuk merret parasysh. Fatkeqësisht, pa një ndryshim serioz në qasje, diaspora do të vazhdojë të ndjehet e papërfshirë dhe efektet pozitive të votave të tyre nuk do të vërehen.

Parimi i barazisë për të votuar për anëtarët e diasporës dhe barazia për të ndikuar në ndryshime e vendimmarrje brenda Republikës së Kosovës mbetet në pikëpyetje.

Ilustrimi kryesor: Arrita Katona / K2.0.