Blogbox | Diaspora

“Ti nuk je shqiptar”

Nga - 16.12.2022

Standardizimi i kulturës shqiptare dhe fshirja e llojllojshmërisë.

Isha vetëm shtatë vjeç kur u përballa për herë të parë me refuzim nga shqiptarët tjerë për mënyrën se si e shprehja kulturën time — një moshë e re për dikë që lundronte në identitetin e tij, në një familje refugjate të diasporës. Në kërkim të pranimit dhe përfshirjes, atëherë u përballa — dhe që atëherë jam ballafaquar shumë herë — me njerëz që përjetësojnë ide të ngushta dhe ekskluzive për atë se çka do të thotë të jesh shqiptar.

Unë jam lindur në Londër nga prindër kosovarë, të lindur e rritur në Prishtinë. Babai është shqiptar, familja e të cilit vjen nga Dobërdoli, një fshat i vogël në rajonin e Llapit. Nëna ime rrjedh nga një familje “qytetare”, siç njihen, familje me rrënjë të thella urbane, që historikisht flisnin turqisht dhe kishin identitete shumë-shtresore.

Fakti që u linda në Londër i shtoi një shtresë tjetër identitetit tim, por në thelb, unë dhe vëllezërit e motrat e mia u rritëm me një lidhje të thellë me Kosovën dhe identitetin tonë shqiptar. Gjithmonë jam përpjekur të jem i zëshëm për trashëgiminë time dhe ta kthej vëmendjen kah një vend dhe kulturë që dukej se shpërfillej plotësisht në Londër.

Ndonëse u jam mirënjohës prindërve të mi për marrjen e vendimit të vështirë për t’u larguar nga Kosova për një jetë më të sigurt dhe më të qëndrueshme në Mbretërinë e Bashkuar, të pasurit e një identiteti shqiptar kosovar s’ka qenë gjithnjë e lehtë. Siç e bënë të qartë deklaratat e fundit ksenofobike nga politikanët e politikanet dhe analistët e analistet britanikë/e, shqiptarët s’janë gjithmonë të mirëpritur në Mbretërinë e Bashkuar. Kështu që ka qenë gjithmonë veçanërisht shqetësuese kur identiteti im është sfiduar nga shqiptarët tjerë.

Isha në klasë të dytë kur diçka e tillë më ndodhi për herë të parë. Mësuesja na caktoi një detyrë: secili duhej ta vizatonte flamurin e vendit të origjinës dhe t’i prezentonte disa fakte interesante për vendin.

Të nesërmen dola përballë shokëve e shoqeve plot krenari me një vizatim që shfaqte që shfaqte shqiponjën dy krenare me mbishkrimin “Kosova” poshtë (ishte fillimi i viteve 2000 dhe Kosova ishte protektorat i Kombeve të Bashkuara).

“Kryeqyteti i Kosovës është Prishtina dhe ne e bëjmë një ushqim të shijshëm që njihet me emrin flija”, ia nisa unë, para se mësuesja të më ndërpriste. Me zë të ashpër më tha: “Arbër, ky është flamuri i Shqipërisë, jo i Kosovës”. M’u lëndua zemra dhe klasa filloi të qeshte me mua. Dy nga shokët e mi të klasës ishin me prejardhjenga Shqipëria dhe e shfrytëzuan rastin të ndërhynin: “Po, ky NUK është flamuri i Kosovës, është i Shqipërisë”, teksa talleshin.

E di që ishin vetëm fëmijë që silleshin si fëmijë, por kjo lloj sjelljeje përçmuese nga të tjerët në komunitetin shqiptar nuk ka qenë përvojë e izoluar dhe ka vazhduar deri në moshën madhore. Këtë e kam parë në mënyrën se si shqiptarët nganjëherë e nënvlerësojnë mënyrën se si të tjerët e manifestojnë kulturën, qoftë në ushqimin që bëjnë, dialektin që flasin, rajonin nga vijnë, emrat që u vënë fëmijëve apo fenë në të cilën besojnë.

Duket se disa njerëz duan ta standardizojnë kulturën shqiptare dhe ta fshijnë mënyrën e shumëllojshme se si njerëzit kanë shprehur identitetet e tyre në kontekste të ndryshme. Shqiptarët janë vendas të nga Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë. Të gjitha këto komunitete kanë specifika rajonale në mënyrën se si shprehin identitetin e tyre, shpesh të lidhura me mënyrat se si ata janë përballur me presionin lokal politik apo kulturor.

Më kanë thënë se kjo do të thotë se gjaku im është "i ndotur", se nuk jam një shqiptar "i vërtetë".

Më kujtohet që herë pas here u tregoja shqiptarëve të tjerë se nëna ime vjen nga një familje turqishtfolëse dhe pranoja shikime që shpërfaqnin neveri. Vetë ideja i ofendonte ata. Më pas njerëzit më kërkonin të heshtja rreth historisë së familjes sime, t’i varrosja përvojat e gjyshërve të mi.

Pse? Sepse për ta isha tepër i zëshëm për historinë e nënës time, një përvojë që nuk u përshtatej ideve të tyre për pastërtinë kulturore. Më kanë thënë se kjo do të thotë se gjaku im është “i ndotur”, se nuk jam shqiptar “i vërtetë” dhe se paraardhësit kanë qenë  “të dobët” sepse kanë folur gjuhën e “kolonizatorit”.

Këto ishin vetëm disa prej narrativave që kam dëgjuar nga njerëz që nuk u interesonte ta kuptonin kontekstin në Kosovë dhe atë se si u krijuan këto aspekte të ndryshme të kulturës në familjen time. Për shembull, familja e nënës sime ishin muhaxherë, refugjatë shqiptarë nga ajo që sot është Serbia jugore, të cilët u vendosën në Prishtinë në fund të shekullit XIX, pasi u dëbuan nga shteti serb që zgjerohej. Duke mos pasur qasje në arsimim në gjuhën shqipe gjatë periudhave të vona osmane ose në mes të luftërave, familja ime zgjodhi shkollimin në gjuhën turke, përmes së cilës ata iu bashkuan kulturës urbane të turko-folësve.

Por, sado që përpiqesha ta ndaja historinë e familjes sime me shqiptarët tjerë në Mbretërinë e Bashkuar —  shumica e të cilëve ishin nga Shqipëria — prejardhja ime kosovare përdorej si justifikim për ta përjashtuar dhe përulur shqiptarizmin tim.

Qëndrime të ngjashme kam përjetuar edhe ndaj prejardhjes sime fetare.

Islami për mua ka qenë gjithmonë aspekt i rëndësishëm i marrëdhënies sime me Kosovën dhe kulturën time. Ende ndiej nostalgji të thellë sa herë që kujtoj gjyshen time teksa lexonte Kuran, festën e përvitshme të Bajramit dhe tingujt e ezanit të bukur që buronin nga minaret e Prishtinës.

Pluralizmi fetar dhe llojllojshmëria e mendimeve është diçka për të cilën duhet të krenohemi në kulturën tonë.

Termat si “Mashallah” dhe “Ishallah/Inshallah” janë pjesë e zakonshme e leksikut tim, siç janë për shumë kosovarë. Por kur i përdorja këto fjalë në prani të disa komuniteteve shqiptare, më shihnin me përbuzje. Më thoshin gjëra të tilla si: “S’je arab as turk, ne jemi shqiptarë, jemi evropianë, nuk jemi si ata“.

Shqiptarët janë të ndryshëm në praktikën fetare. Myslimanë, katolikë apo ortodoksë, shqiptarët mund t’i takojnë besimeve të ndryshme — ose asnjë besimi. Krejt kjo është në rregull. Pluralizmi fetar dhe llojlloshmëria e mendimeve është diçka për të cilën duhet të krenohemi në kulturën tonë. Por ekziston një tendencë në rritje e islamofobisë në komunitetet tona dhe disa po përpiqen që çdo gjë që lidhet me islamin si ta definojnë si diçka që s’ka të bëjë me shqiptarizmin “autentik”. Por Islami nuk mund të shkëputetnga të shprehurit tim më të gjerë kulturor shqiptar dhe e njëjta besoj vlen për shqiptarët katolikë dhe ortodoksë. Pavarësisht identitetit fetar, mbesimshqiptarë, diçka që është e bukur në kulturën tonë.

Por islamofobia gjithnjë e më shumë po përjetohet si e normalizuar dhe kam kuptuar se disa shqiptarë mendojnë se e kanë për detyrë për ta bërë policin e identitetit fetar dhe termat e folur, që familja ime ka pasur ndër breza. Krejt kjo është përpjekje për t’i dalluar shqiptarët nga myslimanët anembanë globit, të cilët këta “policë” shpesh i portretizojnë si të prapambetur ose inferiorë, jo mjaftueshëm evropianë apo perëndimorë. Kjo është islamofobi e veshur keq si “de-kolonializëm”. Angazhimi në mënyrë kritike me historinë shqiptare dhe mënyrën se si janë krijuar identitetet tona është i domosdoshëm, por t’ua kërkosh individëve t’i përmbahen një kriteri të rreptë të shqiptarizmit për t’u konsideruar autentik ose të pastër, jo vetëm është thjesht e parealizueshme, por është gabim.

Kjo është islamofobi e veshur keq si "de-kolonializëm".

Këto luftëra të brendshme kulturore krijojnë kufij të panevojshëm. Jam rritur me vetëdijen për llojllojshmërinë e komunitetit tonë, duke e dashur këtë llojllojshmëri dhe duke dashur ta njoh atë më shumë. Në vend që ta forcojnë solidaritetin dhe pasurinë kulturore shqiptare, narrativat përjashtuese për autenticitetin dhe identitetin vetëm sa na dobësojnë. Duhet ta zhvillojmë një diskutim të brendshëm që bazohet në mirëkuptim, ndjeshmëri, respekt dhe njohje të ndërsjellë.

Të gjithë ne mund të ekzistojmë si shqiptarë duke kultivuar ngjashmëritë tona, duke e çmuar llojllojshmërinë tonë dhe duke qenë të ndërgjegjshëm për kontekstet tona të ndryshme. Mjaft me shprehjet si “Unë jam shqiptar më shumë se ti për shkak të xyz-it”. Nocioni i solidaritetit i pranishëm në frazën e dëgjuar shpesh “jemi një” ka për qëllim ta bashkojë komunitetin tonë. Dhe është e vërtetë, ne jemi një degë etno-gjuhësore, por kemi shumë kthesa të ndryshme.

Uniteti shqiptar nuk do të thotë që duhet ta vendosim një monolit të përvojave të jetuara dhe të shprehjes kulturore. Përpjekja për ta pastruar ose standardizuar kulturën shqiptare mund ta ketë pasojën e paqëllimshme të largimit të njerëzve nga kultura e tyre. Për t’u bërë më të fortë si komunitet, nuk kemi nevojë të krijojmë rregulla të rrepta dhe ekskluzive, por një mjedis gjithëpërfshirës për të gjithë.

Unë më nuk e lejoj që këto debate të brendshme kulturore të ndikojnë në marrëdhënien time me përkatësinë time etnike. Marrëdhënia ime me kulturën time është e imja dhe askush dhe asgjë nuk mund ta marrë atë nga unë. Disa shqiptarë mund të mos e shohin veten të pasqyruar në aspekte të shprehjes sime kulturore, por ka të tillë që e shohin. Dhe kjo është krejt në rregull, por le të diskutojmë në vend se të nënvlerësojmë njëri-tjetrin.

Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0.