Të thuash se ajo që ka ndodhur në Ballkan gjatë të ‘90-ave janë thjesht krime të luftës – është thjeshtëzim i theksuar i situatës. Përveç krimeve të luftës, kemi të bëjmë edhe me krime kundër njerëzimit, krime të agresionit dhe shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës.
Teorikisht dhe praktikisht – shkencat shoqërore si drejtësia dhe kriminologjia janë zhvilluar mjaftueshëm viteve të fundit sa për t’na lejuar t’u referohemi këtyre krimeve si krime të shtetit, term ky që edhe sot e kësaj dite nxit diskutime në mes të studiuesve të drejtësisë dhe kriminologëve – në lidhje me atë se çka ai nënkupton saktësisht.
William Chambliss, një prej kriminologëve më të shquar të kohës sonë, fillimisht i ka definuar krimet e shtetit si ‘veprime të përcaktuara nga ligji si kriminale dhe të kryera nga zyrtarët shtetërorë gjatë detyrës së tyre si përfaqësues të shtetit’. Më vonë ai e ka zgjeruar këtë definicion duke thënë se edhe kjo fjali: ‘sjellja që shkel marrëveshjet ndërkombëtare dhe bie ndesh me parimet e krijuara nga gjykatat dhe traktatet e trupave ndërkobëtare’ duhet t’i shtohet definicionit fillestar.
Edhe sot e kësaj dite, më shumë se 1.600 persona mbesin të pagjetur.
Pavarësisht se cilindefinicion të krimeve të shtetit vendosim ta pranojmë, nuk ka dyshim se krime serioze dhe të vazhdueshme shtetërore kanë ndodhur gjatë luftërave në Ballkan, pas shpërbërjes së Jugosllavisë.
Bosnja e Hercegovina përjetoi luftën më shkatërrimtare (1992-1995), ndërsa më shumë se 13.000 njerëz u vranë dhe më shumë se 590.000 njerëz u zhvendosën gjatë luftës së fundit në Kosovë. Shumica e viktimave të luftës në Kosovë kanë qenë civilë sipas databazës së vetme që ekiston në lidhje me këto krime. 8.661 shqiptarë të Kosovës, 1.797 serbë dhe 447 romë, boshnjakë e të tjerë u vranë dhe u zhdukën gjatë kësaj lufte. Edhe sot e kësaj dite, më shumë se 1.650 persona mbesin të pagjetur.
Bashkësia ndërkombëtare ka tentuar të bëjë më të mirën për identifikimin dhe gjykimin e përgjegjësve për krimet shtetërore në rajon, para së gjithash përmes krijimit të Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (Tribunali i Hagës). Tribunali i Hagës deri më tash ka zhvilluar 10.800 ditë gjykimi, ka dëgjuar më shumë se 4.650 dëshmitarë dhe ka ngritur aktakuza për 161 persona e i ka dënuar 80 prej tyre. Autorë të ndryshëm e kanë konsideruar këtë tribunal si parakusht për riintegrimin e shteteve të ish-Jugosllavisë në mesin e shteteve demokratike.
Përveç Tribunalit të Hagës, tashmë jemi dëshmitarë edhe të krijimit të gjykatës së re të njohur si “Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar” apo thënë më thjeshtë – Gjykata Speciale. Me seli në Hagë dhe e përbërë ekskluzivisht nga stafi ndërkombëtar – këto Dhoma kanë mandate të hetojnë dhe të gjykojnë krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe krime të tjera sipas legjislacionit të Kosovës që pretendohet të kenë ndodhur gjatë përiudhës 1998-2000.
Deri sot, vetëm sa për sy e faqe
Fatkeqësisht, shumë më pak është bërë deri sot në nivelin lokal, rajonal e ndërkombëtar për vlerësmin e dëmeve të shkaktuara nga krimet shtetërore dhe për kuptimin e perceptimit të viktimave për këto dëme si dhe nevojave të tyre. Disa vjet më parë, edhe Gjyqtari Patrick Lipton Robinson – Presidenti i Tribunalit të Hagës, pati thënë shprehimisht: “Tribunali nuk mundet që vetëm përmes vendimeve të marra të sjellë paqe dhe rehabilitim në rajon. Metoda të tjera riparuese duhet përcjellë gjykimet nëse dëshirohet të arrihet paqe stabile”.
Robinson më tej pati bërë thirrje për krijimin e një komisioni të së vërtetës dhe për vlerësimin dhe riparimin e dëmeve që dalin nga krimet e luftës dhe shkeljet e tjera të të drejtave të njeriut. Përkundër krejt kësaj, Kosova si shtet akoma nuk ka bërë asgjë substanciale për adresimin e krimeve të të ‘90-ave – e aq më pak për vlerësimin e dëmeve apo nevojës për reparacion.
Përderisa Presidenti Hashim Thaçi në mënyrë të njëanshme në shkurt të këtij viti prezantoi idenë e formimit të një Komisioni i të Vërtetës dhe Pajtimit për Kosovën, pa asnjë plan strategjik për të cilin jemi në dijeni, asnjë hap konkret nuk duket se është marrë deri tash për të çuar këtë ide përpara. Për më tepër, disa e kanë kritikuar këtë ide, duke e cilësuar atë si një përpjekje të pasinqertë për t’u hedhur hi syve qytetarëve.
Dhjetëra iniciativa të organizuara dobët janë krijuar dhe kanë dështuar përgjatë viteve.
Përveç mungesës së planifikimit strategjik dhe organizimit rreth këtij Komisioni, idesë së promovuar nga Presidenti duket se i mungojnë kriteret bazike të një komisioni të së vërtetës. Ai pretendon të konsolidojë një të vërtetë kolektive e cila në mënyrë magjike do të dërgojë tek pajtimi, duke injoruar kështu të gjitha hapat e ndërmjetëm si p.sh. matja e dëmeve, nevojat e viktimave dhe reparacionet. Vetëm pasi të kemi kaluar nëpër këtë proces mund të shpresojmë të nisim të flasim për pajtimin.
Dhjetëra iniciativa të organizuara dobët janë krijuar dhe kanë dështuar përgjatë viteve – kryesisht si pasojë e mungesës së një plani strategjik për mënyrën se si shteti duhet të merret me të kaluarën.
Drejtësia tranzicionale në përgjithësi dhe krimet e luftës në veçantipër Kosovën mbesin territor i eksploruar shumë pak. Në anën tjetër, reparacionet për viktimat janë thjesht mjete të paqena tash pë tash. E diskutimi për zgjerimin e terminologjisë dhe përfshirjen e më shumë aspekteve, përveç krimeve të luftës, në lidhje me atë se çka ka ndodhur në Kosovë – është i paparashikuar tash për tash. Të gjitha këto probleme e shtyjnë qytetarin të besojë se diçka nuk shkon siç duhet me sistemin, dhe bëjnë që ai ta humbë besimin në të.
Problemi kryesor me mungesën e adresimit të së kaluarës mbeten viktimat e luftës. Ata/o mund ta humbin besimin (nëse tashmë s’e kanë humbur) dhe kështu dhimbja dhe vuajtjet e tyre të dyfishohen ndër vite. Kategori të caktuara të viktimave mund ta kenë më të vështirë, dhe ato duhen trajtuar në mënyrë adekuate.
Shembull ideal për këtë janë personat e përdhunuar gjatë luftës. Këto viktima dëshirojnë të pajtohen me të kaluarën dhe të mos flasin pambarimisht për eksperiencën e tyre. Mungesa e një organizimi strategjik shtetëror dhe krijimi i programeve dhe projekteve në stilin “shkel e shko” – përfshin kontaktimin e këtyre viktimave kohë pas kohe dhe vënien e tyre në pozita të tilla në të cilatu duhej ta rijetonin vazhdimisht traumën e përjetuar i. A ka menduar dikush për këtë dhe se sa të rrezikshme mund të jenë këto veprime përgjithësisht?
Këto viktima mund të mbyllen në vete dhe të mos pranojnë të flasin më fare. E di se unë s’do të doja të flisja vazhdimisht po të isha në vendin e tyre. Dhe kjo është e keqja më e paktë që mund të ndodhë. Kryesorja ka të bëjë me vetë viktimat dhe pamundësinë e tyre për t’u rehabilituar në shoqëri. Kjo është edhe më e rrezikshme.
Çka duhet bërë?
Është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe gjithashtu momenti i fundit që krimet e kryera në Kosovë gjatë të ‘90-ave të adresohen bashkë me nevojat që dalin prej tyre. Përndryshe rrezikojmë seriozisht të jemi dëshmitarë të shuarjes së gjeneratës së parë të luftës dhe të mbetjes me gjeneratën e dytë, e cila mban mend shumë pak.
Misioni i ballafaqimit me të kaluarën është shumë i komplikuar dhe, si i tillë, ai do të jetë i dhimbshëm dhe i gjatë. Nga këndvështrimi im – ky mision duhet të jetë dypalësh: juridik dhe social.
Juridikisht, shteti duhet t’u ofrojë viktimave mundësinë e mbylljes së të kaluarës duke i adresuar krimet, dëmin e shkaktuar, nevojat e viktimave dhe duke i gjykuar kriminelët si dhe duke përshtatur legjislacionin në raport me nevojat e viktimave, që do të prodhonte krijimin e strukturës së reparacioneve.
Socialisht, hapat fillestarë janë të thjeshtë. Së pari, qeveria në bisedime me shoqërinë civile dhe ekspertë të tjerë duhet të krijojë një trup të vetëm të përbërë nga persona kompetentë dhe ekspertë të fushës, i cili do të merrej me konsolidimin e së vërtetës. Çka ka ndodhur? Ku ka ndodhur? Si ka ndodhur?
Një fillim shumë i mirë do të ishte bashkëpunimi i ngushtë me komisionin rajonal për vërtetimin e fakteve për krimet e luftës, të njohur si Nisma për KOMRA dhe Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë, dhe shfrytëzimi i eksperiencës së tyre, natyrisht duke shtuar të dhëna edhe më të detajuara – përfshirë këtu nevojat e viktimave dhe reparacionet.
Gjithçka mund të bëhet sa për sy e faqe – përveç ballafaqimit me të kaluarën.
Pasi të jenë marrë përgjigjet kryesore, ky trup do të fokusohej në nevojat e viktimave. Vetëm pasi ta dimë saktë se cilat janë nevojat e viktimave mund të mendojmë potencialisht për strukturën e reparacioneve, që është njëkohësisht hapi i tretë i misionit social.
Viktimat janë pjesa më e ndjeshme e shoqërisë, e megjithatë duhet pasur parasysh që jo secili prej tyre dëshiron të rrëfejë tregimin e vet apo të jetë pjesë e komisioneve të së vërtetës. Disa viktima dëshirojnë thjesht t’i shohin kriminelët duke dhënë përgjegjësi para ligjit.
Për këtë arsye, duke pasur parasysh se ka qasje të ndryshme dhe nevoja të ndryshme – është jashtëzakonisht e rrezikshme të krijohet çfarëdo organi pa pasur të dhënat e sakta. Në të kundërtën do të fitohet përshtypja se çkado që po bëhet, thjesht po bëhet sa për “sy e faqe”.
Gjithçka mund të bëhet sa për sy e faqe – përveç ballafaqimit me të kaluarën. Kjo është temë shumë e ndjeshme dhe, si e tillë, ajo do të na përndjekë gjithmonë nëse nuk e adresojmë si duhet.
Ndër të tjera, ballafaqimi me të kaluarën është një çështje jashtëzakonisht e rëndësishme që nuk bën të harrohet. Serbia është faktor kyq në adresimin e krimeve shtetërore të kryera në Kosovë gjatë viteve të ‘90-a. Duke u nisur nga kjo, reparacionet duhet të bëhen pjesë e negociatave Kosovë-Serbi në Bruksel. Në fund të fundit, reparacionet kanë të bëjnë me rimëkëmbje, kompenzim, satisfaksion, rehabilitim dhe garanci për mospërsëritje.
Ndër sfida të tjera, ato paralajmërojnë implikime financiare. Kosova akoma nuk ka ndarë as edhe 1 euro për reparacionet e shtetit. Në anën tjetër Serbia duhet të paguajë për dëmet e shkaktuara. Por natyrisht se asgjë nuk do të bëhet në këtë drejtim nëse Kosova nuk merr iniciativën të kërkojë një gjë të tillë nga Serbia.
Do të jetë shumë e vështirë që Serbia ta pranojë përgjegjësinë e saj për krimet shtetërore , e lëre më të paguajë për reparacione, por ky është process i pashmangshëm i cili duhet të fillojë dikur. E tash – është momenti i fundit. Mjaft e kemi zvarriturt.
Viktimat meritojnë paqe. Asgjë që do t’u ofrojë shteti nuk do të mund t’i rikthejë në gjendjen në të cilën kanë qenë para përjetimit të krimeve e të dëmeve që kanë sjellur këto krime, por ajo çka shteti mund të bëjë për ta është t’ua pranojë dhimbjen, ta konsolidojë të vërtetën, t’i vlerësojë nevojat e tyre dhe t’i adresojë ato.
Shteti ua ka borxh. Ne ua kemi borxh. Ia kemi borxh vetvetes.
Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.