Protestuesit thirrën për ndaljen e gjenocidit dhe mizorive në Gaza.
Disa qindra qytetarë u mblodhën mbrëmë në sheshin “Skënderbej” në Tiranë për të shprehur solidaritet me popullin palestinez dhe për të kërkuar ndaljen e gjenocidit në Gaza, ndërsa zemërimi global ndaj shtetit të Izraelit po rritet për shkak të krizës së përshkallëzuar humanitare dhe mizorive ndaj palestinezëve.
Nën togfjalëshin “Stop Starvation, Allow Food, Allow Life” (në shqip: “Ndalo urinë, lejo ushqimin, lejo jetën”), protestuesit/et marshuan përgjatë sheshit kryesor të kryeqytetit, duke kërkuar t’i jepet fund asaj që shumë organizata për të drejtat e njeriut e përshkruajnë si ndëshkim kolektiv ndaj popullsisë civile të Gazës. Protesta u organizua nga kolektivi “Palestina e lirë”, Antifa Tirana dhe Kolektivi Feminist në Shqipëri, me pjesëmarrjen e organizatave të tjera të shoqërisë civile që avokojnë për të drejtat e njeriut dhe për paqen ndërkombëtare.
Një nga zërat më të fuqishëm që i bëri jehonë protestës në Tiranë, ishte aktivistja e njohur ndërkombëtare ndaj ndryshimeve klimatike, Greta Thunberg, e cila është shndërruar në një mbrojtëse të zëshme të kauzës palestineze. Në fillim të qershorit 2025, Thunberg iu bashkua një delegacioni në bordin e anijes humanitare “Madleen”, e cila po transportonte ndihma simbolike, përfshirë oriz dhe formulë për foshnje, drejt Gazës. Në orët e para të mëngjesit të 9 qershorit, forcat detare izraelite e ndaluan anijen në ujëra ndërkombëtare, rreth 185 kilometra larg brigjeve të Gazës, hipën në bord dhe arrestuan 12 personat që ndodheshin në të, përfshirë edhe Thunberg. Një ditë më vonë, më 10 qershor, ajo u dëbua nga Izraeli, fillimisht drejt Francës dhe pastaj u rikthye në Suedi.
“Shterrimi i burimeve natyrore, shkatërrimi i mjedisit dhe çrregullimet klimatike ecin paralelisht me sistemet e shtypjes, diçka për të cilën palestinezët janë dëshmitarë të drejtpërdrejtë. Po jetojmë në një kohë që përkufizohet nga kriza ekzistenciale të globalizuara dhe të ndërlidhura: përshkallëzim i dhunës, luftëra, gjenocid. Dhe duhet t’i bashkojmë këto kauza nëse duam të kemi një shans [përballjeje]”, tha Thunberg në protestë.
Një ditë para protestës në Tiranë, ajo bëri thirrje publike për pjesëmarrje, e cila u transmetua në faqet zyrtare të organizatave që morën pjesë në organizimin e protestës: “Gaza ka hyrë në fazën përfundimtare të urisë. Palestinezët po përdorin forcën e fundit që u ka mbetur për t’i kërkuar botës të veprojë. Nesër do të ngrihemi bashkë për të kërkuar fundin e okupimit ilegal, aparteidit dhe gjenocidit të Izraelit”.
Të mbështjellë me Keffiyeh – shallin tradicional palestinez – protestuesit u panë duke valëvitur flamuj e mbajtur pankarta me togfjalësha si “Ndalo gjenocidin në Gaza”, “Palestina e lirë”, “Ushqim, jo bomba” dhe “Fëmijt palestinezë janë fëmijetë tanë”.
“Unë e di çfarë është padrejtësia. E di çfarë do të thotë të jetosh në një sistem që përpiqet të të bindë se jeta jote vlen më pak. Dhe kur e ke provuar këtë ndjesi nuk mund të qëndrosh indiferent ndaj një populli që përjeton të njëjtin përjashtim në përmasa katastrofike”, tha Xheni Karaj, aktiviste feministe dhe për të drejtat LGBTQ+. “Ne jemi mësuar të besojmë se identitetet tona janë të ndara, se secili popull ka betejën e vetë. Por unë besoj se identitetet tona janë të ndërthurura dhe dhimbja e tjetrit nuk është kurrë e largët”.
Protesta në Tiranë pason një valë mobilizimesh masive në qytete anembanë botës, në një kohë kur raportimet nga Gaza vazhdojnë ta dëshmojnë gjendjen e rëndë humanitare. Protestuesit globalisht po kërkojnë ndaljen e luftës së Izrealit në Gaza dhe qasje të pakufizuar në ndihma humanitare në Gazë. Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC), e mbështetur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), lëshoi urdhërarreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes, Yoav Gallant, së bashku me një ish-komandant të Hamasit, nën akuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Në muajt e fundit, kriza e urisë në Gaza është përshkallëzuar dukshëm, krahas mizorive të tjera që po kryhen në këtë territor të rrethuar nga forcat izrealite. Deri më 22 korrik 2025, autoritetet lokale të shëndetësisë raportuan se të paktën 101 persona kanë humbur jetën nga kequshqyerja, përfshirë 80 fëmijë, me 15 vdekje vetëm brenda një dite.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh), prej marsit deri në maj, për afro 80 ditë nuk është arritur të shpërndahet asnjë ndihmë ushqimore, dhe edhe pas rifillimit, furnizimet janë ende shumë larg përmbushjes së nevojave urgjente. Situata në pikat e shpërndarjes së ndihmave është bërë jashtëzakonisht e rrezikshme. Deri më 13 korrik, OKB konfirmoi se 875 palestinezë janë vrarë gjatë përpjekjeve për të siguruar ushqim; shumica janë vrarë pranë qendrave të shpërndarjes, të cilat tashmë banorët po i quajnë “kurthe vdekjeje”.
Përballë kësaj situate alarmante, mbi 100 organizata ndërkombëtare humanitare, përfshirë Mjekët Pa Kufij, Save the Children dhe Oxfam, publikuan një deklaratë të përbashkët ku kërkuan qasje të pakushtëzuar për ndihmat humanitare në Gaza. Në deklaratë theksohet se Izraeli duhet të ndalojë përdorimin e urisë si armë lufte.
Kriza humanitare në Gaza është përkeqësuar ndjeshëm që nga fillimi i ofensivës ushtarake të Izraelit, që nisi si përgjigje ndaj sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, ku u vranë mbi 1.600 izraelitë dhe u rrëmbyen më shumë se 200 persona. Që nga ajo kohë, Gaza është bombarduar pothuajse pa ndërprerje.
Pas një periudhe të gjatë heshtjeje përballë gjenocidit në Gaza, duket se në ditët e fundit po rritet presioni i shteteve te ndryshme për të vepruar. Këtë javë, 28 shtete, përfshirë shumicën e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE), bënë një thirrje të përbashkët për një armëpushim të menjëhershëm dhe për një rrugë të qartë politike drejt paqes.
Edhe në Shqipëri e Kosovë, aktivistë dhe organizata vendore e kanë dënuar heshtjen e institucioneve shtetërore përballë gjenocidit në Gaza, duke u bërë thirrje autoriteteve që të mbajnë një qëndrim më të fortë dhe të qartë në skenën ndërkombëtare.
Uarda Begaj
Unë jam shumë e prekur nga situata në Palestinë dhe abuzimet që po bëhen me të drejtat e njeriut, dhe mendoj që dalja ime sot është vetëm për solidaritet dhe për të kundërshtuar dhunën dhe luftën që po bëhet. Unë mendoj që ne në Shqipëri jetojmë një jetë apatike dhe jemi shumë të shkëputur nga problemet e të tjerëve dhe problemet e njerëzve që jetojnë shumë afër nesh. Jetojmë shumë të izoluar dhe ditë si kjo e sotmja janë një kujtesë shumë e mirë që solidariteti nuk ka të bëjë me distancën fizike, por është njerëzorja ajo që ka më shumë rëndësi. Është një kauzë që, duke qenë njeri, më përket edhe mua.
Sokol Hazizi
Ajo që më ka nxitur të dalë në disa prej protestave [për kauzën palestineze] është fakti se një gjenocid po ndodh para syve tanë, ndërkohë që ne vazhdojmë jetën tonë normale, vazhdojmë përditshmërinë tonë. Nuk mund të mos dalë në protestë, sepse është diçka që na përket të gjithëve. Unë jam prind dhe besoj thellësisht në atë që shkrova sot: “Fëmijët e Palestinës janë fëmijët tanë”. Kauza e Palestinës është një kauzë që i përfshin të gjitha. Për ne shqiptarët, që kemi ndierë kauzën e Kosovës, do të ishte hipokrizi të mos e ndiejmë kauzën e palestinezëve, aq më tepër kur sheh të gjitha paralelet që janë mes këtyre dy kauzave.
Rozeta Koni
[Më ka shtyrë] të dal në protestë ajo që duhet të shtyjë secilin prej nesh – solidariteti me njerëzit që po vuajnë – siç është populli i Gazës. Edhe pse larg nga Shqipëria, kjo kauzë është shumë afër zemrës sonë, si popull, si besim, dhe mbi të gjitha si qenie njerëzore. [Në një moment si ky], nuk është distanca fizike ajo që ka rëndësi, por përgjegjësia njerëzore.
Imazhi i ballinës dhe fotografitë: Atdhe Mulla / K2.0
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë?
Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.
Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion.