Blogbox | Hapësira Publike

Përnime po ma nin’!

Nga - 03.02.2015

Të drejtat e uzurpatorëve dhe sugjerimet për mungesën e banesave…

Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut e Organizatës së Kombeve të Bashkuara thotë se të gjithë kanë të drejtë për strehim, por rreth një bilion njerëz duhet të thejnë ligjin në baza ditore për të ushtruar këtë të drejtë. Lagjet e varfëra, qytezat me baraka dhe situata e njerëzve të pastrehë, në përgjithësi të gjitha ia tregojnë botës historinë e dështimit të shoqërisë në përdorimin efektiv të burimeve dhe hapësirës publike për t’u kujdesur për qytetarët.

Strehimi është një ndër problemet më të mëdha të botës së sotme të urbanizuar. Ky përshkrim modest mundohet të shpjegojë reagimin e zakonshëm për këtë problem – uzurpimin e paligjshëm të pronave të pabanuara.

Kur isha shtatë vjeçar, e gjeta vetën duke menduar se si duhet ta fortifikojë më së miri një depo të braktisur. Shoqëria jonë guximtare e kishte gjetur rastësisht, derisa po luanim në një pyll. Kur e shpallëm si kalaja jonë, ende nuk i kisha kuptuar mirë pronësinë dhe pronën, por e mbaj në mend se si u ndjeva si pushtues.

Diku 20 vite më vonë, unë dhe një shok i ri i imi po udhëtonim nëpër Europëm me biçikleta. Gjatë netëve dhe ditëve me shi, shkëmbenim histori dhe pije në tendën tonë. Një natë ai më tregoi për vitet e tij si uzurpues në Londër. Edhe pse ai po fliste me bindje për elementet politike të jetës uzurpuese, padrejtësia e tregut kapitalist të banimit dhe idealeve autonomiste të bashkë-uzurpuesve të tij, më ngjasoi dhe kujtoi shumë atë verë kur isha mbreti i depos.

Për shumicën, uzurpimi nuk është aq shumë zgjedhje, sa është strategji e mbijetimit.

E njejta shprehje e krenarisë rebeluese u pa në fytyrën e tij, derisa më tregonte për mundimet e përhershme kundër autoriteteve dhe pronarëve. Ai ma përshkroi se si, një nga një, sistemi i ngrohjes, energjia elektrike dhe uji ishin ndalur dhe se si ai mbeti i fundit. Së shpejti u bë e mërzitshme dhe ai i mbledhi gjërat dhe iku.

Pra pse uzurponte? Normalisht se është e përshtatshme të mos paguhet qira. Ekzistonte gjithashtu një qasje e qartë politike te veprat e tij. Edhe pse pikat praktike dhe politike krijuan reagim emocional për shokun tim, dukej se ishin aspektet romantike të uzurpimit që e bënë më të rëndësishme për të.

Kjo më bëri të dyshoj se, si tregues i padrejtësisë sociale, një djalë apo burrë i arsyeshëm me origjinë nga klasa e mesme duke uzurpuar në Londrën qendrore është po aq i pavend sa disa 7-vjeçar duke okupuar depo. Pa marrë parasysh, shërben për të treguar disa nga arsyet se pse njerëzit vendosin të uzurpojnë. Për shumicën, megjithatë, nuk është se kanë aq shumë zgjedhje, sa është strategji e mbijetimit.

Pjesa 1: Bota e shumëllojshme e uzurpimit

Uzurpues është një person që okupon tokë ose ndërtesë të cilat nuk janë  pronë e tij. Pronë të cilën nuk e përdorë duke paguar qera ose thjeshtë nuk ka leje të ligjshme për ta përdorur. Vlerësohet se një nga shtatë njerëz bien nën këtë definicion të gjërë. Me fjalë tjera, më shumë se një bilion njerëz. Edhe pse shumica e uzurpuesve banojnë në qyteza me baraka, favela apo lagje të varfëra, shumë njerëzve iu shkon mendja te rinia rebeluese kur dëgjojnë termin uzurpues.

Këto dyja mund të konsiderohen si të ngjashme – për shkak se të dyja janë rezultate të politikës dhe tregut të dështuar – por marrin forma shumë të ndryshme përreth botës. Në një anë të kësaj shkalle, ka njerëz që kërkojnë strehim dhe një vend për ta quajtur shtëpi, qofshin njerëz të pastrehë apo grupe të tjera margjinalizuara.

Siç tregon numri i uzurpuesve në tërë botën, nuk është problem i thjeshtë me një zgjidhje të thjeshtë dhe të vetme.

Në anën tjetër, ka një përzierje të anarkistëve, autonomistëve, artistëve dhe aktivistëve social që duan t’i shprehin opinionet e tyre, të ndjekin një shprehje artistike ose të ndajnë vetën prej shoqërisë për shkak se nuk ndihen pjesë e saj. Pastaj ka individë aventurier që janë në përgjithësi kurioz për uzurpim.

Linjat ndarëse në mes të kategorive të ndryshme të uzurpuesve duken të pakuptueshme, siç duket çfarëdo tentimi për të nën-kategorizuar një listë të bollshme. Kultura e uzurpimit është gati po aq e shumëllojshme sa numri i madh i kulturave në të cilat ekziston, jo vetëm për shkak të konteksteve socio-ekonomike por edhe për shkak të strukturës ligjore që rregullon të drejtat përkatëse të banorëve dhe qiradhënësve/pronarëve.

Siç tregon numri i uzurpuesve në tërë botën, nuk është problem i thjeshtë me një zgjidhje të thjeshtë dhe të vetme, por është fenomen shumë sensitiv dhe që varet nga konteksti, ku e njejta dukuri mund të shihet si dobësi nga disa, dhe si shprehje e shëndetshme e ndërgjegjësimit social nga të tjerë.

Derisa eksplorimi i të gjitha këndvështrimeve të uzurpimit është përtej mundësive të këtij ekskursioni modest, është bërë një tentim për të kapur përfitimet e uzurpimit duke rrethuar lëvizjen progresive të tij – kryesisht i koncentruar në qytetet e mëdha të botës përendimore. Me progresiv, e kam fjalën për llojin jo të dhunshëm, ata që përpiqen të ekzistojnë brenda kufijve të ligjit dhe të kontribuojnë për shoqërinë duke gjetur përdorime alternative të ndërtesave që përndryshe do të ishin të braktisura.

Përfaqësuesit e lëvizjes progresive të uzurpimit mund të mos jenë më të lëndueshmit, më të dobëtit apo njerëzit që kanë më së shumti nevoja, por ky komunitet duket se ka përqëndrim më të madh të ideve të shprehura dhe konstruktive. Kam hulumtuar në disa shkrime, kam nxjerrë informata prej mini-dokumentarëve të ofruar prej internetit të plotfuqishëm, dhe i kam pyetur disa shokë për përvojat e tyre me uzurpim në mënyrë që të kuptojë veçoritë e jetës së një uzurpuesi.

Pjesa 2: Lëvizjet progresive të uzurpimit

Shumica e burimeve që i kam gjetur thonë se lëvizja moderne e uzurpimit ka filluar në 1960-at. Në shumë vende lëvizja nuk është e kufizuar vetëm me strehim, por është përhapur edhe në qendra sociale dhe forma tjera të përdorimit shoqëror të hapësirave të braktisura. Shembuj të tillë mund të shihen në Angli, Gjermani, Danimarkë dhë në Holandë, në mes tjerash.

Por edhe kur analizova uzurpimin që bëhet në qytetet e mëdha të botës përendimore, do të ishte dezinformuese të flitej për të si një lëvizje koherente. Nuk është lëvizje, aq sa është reagime paralele ndaj problemeve të ngjashme, ku çdo shtet ka arsyet dhe kushtet e veta për uzurpim.

Në disa shtete, legjislacioni i banimit lejon që uzurpimi të bëhet në mënyrë ligjore nën kushte të caktuara.

Kriza e fundit ekonomike e ka sjellë uzurpimin përsëri në debat publik, derisa njerëzit po detyrohen të braktisin shtëpitë e tyre për shkak të marrjes së pronave me hipotekë nga shteti, dhe në të njejtën kohë çmimet e pronave po vazhdojnë të rriten në shumë shtete madhore.

Në librin “Squatting Europe: Radical Spaces, Urban Struggles”, (Uzurpimi në Europë: Hapësirat Radikale, Mundimet Urbane), Margit Mayer përshkruan se si lëvizja okupuese, që filloi së bashku me krizën ekonomike në SHBA dhe Europë, ka ringjallur idealet e uzurpimit, duke lidhur lëvizjen okupuese me komunitetet ekzistuese të uzurpimit. Ajo e ilustron me shembull këtë duke theksuar faktin se në SHBA lëvizja okupuese i ka ndihmuar njerëzit e zakonshmëm për t’u zhvendosur në prona të braktisura apo të marra nga shteti për shkak të hipotekës. Në Spanjë po veprohet ngjashëm nga lëvizja 15M.

Në disa shtete, legjislacioni i banimit lejon që uzurpimi të bëhet në mënyrë ligjore nën kushte të caktuara. Kjo ndodhi me uzurpuesin luksoz në Florida, që doli në lajme në shumë vende përreth botës. Duke ndërruar bravat dhe duke paguar faturat, ai u fut dhe e pronësoi një shtëpi të madhe për shkak të një dykuptimësie/papërshtatshmërie në legjislacionin federal. Në Angli, qeveria iu ofron qytetarëve edhe informata të hollësishme për mënyrën se si duhet të uzurpojnë brenda kornizave të ligjit.

Edhe pse legjislacioni që uli të drejtat e uzurpuesve u miratua në 2012, legjislacioni anglez është me gjasë më liberali dhe ka shumë shembuj se si uzurpimi është përdorur për t’i sjellë dobi shoqërisë  duke themeluar qendra sociale që veprojnë si bibloteka, dyqane të këmbimit, kafene dhe salla të koncerteve. Historia e mbrojtjes ligjore për uzurpues në Angli është me gjasë arsyeja pse kanë dalur kaq shumë shembuj të zgjidhjeve progresive. Pra cilët janë argumentet kryesore për uzurpim, mbi të cilat bazohet lëvizja progresive?

Pjesa 3: Argumentet bazike për uzurpim

Edhe pse motive dhe arsye për uzurpim ka shumë, idetë ideologjike të lëvizjeve progresive duket se reduktohen në dy argumente kryesore, një e të drejtave themelore dhe një e pronave të keqpërdorura publike dhe private.

Derisa idea egalitare se strehimi është e drejtë themelore njerëzore është mjaft e përbotshme, argumentet e lidhura me përdorimin e paefektshëm të pronës duhet të konsiderojnë kontekstin lokal kur kërkohen mënyra alternative për përdorim të burimeve dhe hapësirës sociale të shoqërisë. Marrëdhënia në mes të ndërtesave të papërdorura/braktisura dhe mungesës së strehimit është e rëndësishme në këtë linjë të argumentimit.

Mesatarisht gati 60 përqind të popullsisë së vendit jetojnë në zona urbane. Këto janë zonat ku mungesa e strehimit është më ngutëse. Një studim nga McKinsey Global Institute (2014), vlerëson se 330 milion familje urbane përreth botës jetojnë në banesa nën standard ose janë të tendosur financiarisht prej çmimeve të banimit. Në të njejtën kohë, shumë prej qyteteve të mëdha të botës kanë një numër të madh të ndërtesave të braktisura/papërdorura. Vetëm në Mbretërinë e Bashkuar ekzistojnë 870 000 shtëpi të zbrazëta, duke mos përfshirë ndërtesat komerciale.

Këtu shtrihet paradoksi rrënjësor mbi të cilin argumentojnë lëvizjet progresive të uzurpimit. Por një argument i fortë nuk qëndron domosdoshmërisht në gjykatë.

Pjesa 4: Uzurpimi dhe Ligji

Mbrojtja për uzurpuesit nuk është e njëtrajtshme përgjatë botës. Në raste ku mbrojtja e tillë ekziston, shpeshherë rregullohet nga të drejtat e banorëve, duke konturuar të drejtat e njerëzve që jetojnë në një vend, por nuk e kanë pronë atë.

Duke mbështetur standarde të caktuara të jetesës dhe duke qëndruar për një periudhë të gjatë kohore, uzurpuesve mund t’u ipen të drejta të banorëve që i mbrojnë nga dëbimi pa paralajmërim nga qiradhënësi dhe/ose urdhër të gjykatës. Disa shtete, duke përfshirë SHBA, kanë ligje edhe për prona të cilat njerëzit i uzurpojnë me qëllim për t’i pronësuar më vonë, që potencialisht i japin banorit/uzurpuesit pronë pas disa viteve të banimit pa leje në atë vend, por gjithmonë duke paguar taksa të pronës dhe duke mos fshehur faktin se ai ose ajo po jeton aty.

Siç u përmend më lartë, të drejtat e uzurpuesve anglez janë me gjasë më të zhvilluarat, më të logjikshmet dhe më liberalet. Rregullimet për uzurpim në ndërtesa të banimit u bënë më strikte në 2012, por ende përfshijnë mbrojtje për dikë që uzurpon në ndërtesa që nuk janë për banim. Këto të drejta të uzurpuesve ndalojnë Policinë nga veprimi përderisa uzurpuesit:

  • Nuk shkaktojnë dëm kur futen në pronë;
  • Nuk shkaktojnë dëm derisa janë në pronë;
  • Pranojnë urdhërin e gjykatës për të lëshuar pronën;
  • Nuk vjedhin prej pronës;
  • Nuk përdorin gjëra pa leje;
  • Nuk hedhin mbeturina;
  • I përmbahen rregullave të pakësimit të zhurmës.

Pjesa 5: Uzurpimi në Kosovë

Kushtet për komunitetet romë, ashkali dhe egjiptian në Kosovë janë të ashpra dhe shumë prej tyre detyrohen të jetojnë në strehime që janë nën standard. Ligji i pronave është çështje sensitive megjithatë.

Në kaosin kadastror që u shfaq pas çlirimit të Kosovës në 1999, ata që u fuqizuan nga situata panë mundësi për të përfituar nga uzurpimi i pronave që nuk iu përksinin. Marrja e pronave i goditi të gjitha grupet etnike në Kosovë, edhe pse serbët e Kosovës dhe pronarët/qiradhënësit e komuniteteve RAE u goditën më së shumti.

Sigurimi i të drejtave të banorëve për njerëzit që jetojnë në ndërtesa të braktisura ku pronësia mund të jetë edhe e paqartë do t'i mbronte me gjasë nga ngacmimi dhe shqetësimi prej pronarëve të vetë-shpallur. Gjithashtu do t'i ipte një ndjenjë të përhershmërisë dhe qëndrueshmërisë, që është e domosdoshme për përmirësimin e jetës së tyre.

Punët e pabëra të rasteve të pronësisë vazhdojnë t’i ngarkojnë gjykatat sot, duke i lënë në ndalesë shumë ndërtime e zhvillime të pronave. Në Prishtinë, dallimet në çmime dhe të ardhura për banim janë të larta, gjë që i pamundëson të rinjtë të blejnë prona për vete dhe të ndjekin synimet e tyre. Shkurtimisht, strehimi është problem serioz edhe për qytetarët individual, edhe për zhvillimin e mëtejmë të shoqërisë.

Duke hulumtuar në bazat e të dhënave ligjore, nuk arrita të gjej legjislacion që i ngjanë të drejtave të banorëve për uzurpues potencial në Kosovë, e as nuk jam i vetëdijshëm se bëhet uzurpim konstruktiv ligjor aktualisht. Por të spekulojmë haptas mbi disa arsye se pse legjislacionet dhe lëvizjet e tilla do të ishin të dobishme në disa mënyra.

Së pari, mund t’i sjellë grupet e njerëzve më të pambrojtur nën ombrellën e mbrojtjes themelore ligjore. Sigurimi i të drejtave të banorëve për njerëzit që jetojnë në ndërtesa të braktisura ku pronësia mund të jetë edhe e paqartë do t’i mbronte me gjasë nga ngacmimi dhe shqetësimi prej pronarëve të vet-shpallur. Gjithashtu do t’i ipte një ndjenjë të përhershmërisë dhe qëndrueshmërisë, që është e domosdoshme për përmirësimin e jetës së tyre.

Së dyti, Kosova ka një popullatë shumë të re dhe një skenë të gjallë të artistëve dhe aktivistëve social. Hapja e mundësisë së përdorimit të ndërtesave të braktisura në mënyrë ligjore për strehim dhe qendra sociale, me gjasë do të drejtonte kreativitetin dhe do të shtynte përpara imazhin e Kosovës si shtet i ri progresiv me lëvizje rinore që favorizon zhvillimin.

Kjo përmbledhje e shkurtër nuk duhet të shihet si tentim për zgjidhje gjithëpërfshirëse për problemin e strehimit, e as si analizë e plotë e uzurpimit. Por mos na zëntë 40-katëshi të gjithëve, mund të jetë material për mendim për të gjitha mendjet e mprehta ligjore.

Foto kryesore: Creative Commons License. 

  • PËR AUTORIN/EN Styrbjӧrn Holmberg
  • Shënim Pikëpamjet e shkrimtarit/es nuk pasqyrojnë domosdo ato të Kosovo 2.0.
  • Ky artikull fillimisht është shkruar në anglisht.

KOMENTO