Vetëm disa orë pas betimit për mandatin e tij të dytë, më 20 janar këtë vit, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump nënshkroi dhjetëra urdhëra ekzekutivë. Mirëpo, këta urdhra nuk patën ndikim vetëm për vendin që e udhëheq Trump.
Disa prej tyre patën ndikim të menjëhershëm në mbarë botën.
Ndër ta ishte Urdhri Ekzekutiv për Rivlerësimin dhe Riorganizimin e Ndihmës së Jashtme të SHBA. Më këtë urdhër u pezullua menjëherë e gjithë mbështetja amerikane për ndihmë të jashtme, duke kërkuar rishikim të plotë të programeve të asistencës brenda 90 ditësh, për të vlerësuar nëse përshtaten me politikën e jashtme të re të SHBA.
Ky pezullim përfshin programet e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), që në vitet e fundit ka ndarë miliarda dollarë për zhvillim ndërkombëtar. Sa për ilustrim, në vitin 2022 ndihma e jashtme amerikane ka qenë mbi 70 miliardë dollarë amerikanë, vetëm nga USAID rreth 40 miliardë. Në vitin 2023, ndihma e jashtme arriti vlerën prej 68 miliardësh, kurse në vitin 2024 gati 40 miliardë dollarë amerikanë.
Një tjetër urdhër ekzekutiv u nënshkrua, ai për Ndalimin e Diskriminimit dhe Rikthimin e Mundësisë së Bazuar në Meritë, përmes së cilit u revokuan dhe ndaluan programet, aktivitetet, politikat, që kishin të bënin me diversitet, barazi dhe përfshirje.
Më 24 janar, mijëra organizata, kompani dhe institucione gjithandej botës, që zbatojnë programe të financuara nga SHBA morën njoftim për pezullim të menjëhershëm të punës. Njoftime të tilla janë pranuar nga organizata, kompani e institucione nga Rripi i Gazës, India, Bangladeshi, Ukraina, Sudani Jugor e deri në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë rreth 180 vende të botës. Përjashtim u bë vetëm për ndihmat emergjente ushqimore dhe ndihmën ushtarake për Egjiptin dhe Izraelin.
Duke qenë donatori më i madh në nivel global si për ndihmën zhvillimore, ashtu edhe për atë humanitare, ky pezullim i aktiviteteve të përkrahura nga SHBA ka pauzuar në mënyrë të atypëratyshme mijëra programe, që kanë ofruar shërbime shumë të nevojshme për miliona përfitues, nga shërbimet mjekësore për refugjatë e operacionet e pastrimit të minave e deri te programet e arsimimit e infrastrukturës.
Zhurma më e madhe ishte rreth USAID. Që nga fundi i javës së kaluar edhe faqja zyrtare e internetit e USAID është jashtë funksionit. Komunikimet zyrtare janë centralizuar nga kryeqendra amerikane, Washington DC. Zhvillimet rreth kësaj agjencie janë ditore dhe teksa e ardhmja e saj nuk duket e sigurt, është e paqartë se çka saktësisht do të ndodhë.
Duke qenë një vend përfitues i ndihmës amerikane, këto zhvillime e kanë prekur edhe Kosovën.
Ndikimi në Kosovë
Që nga viti 1999, ndihma e jashtme amerikane në Kosovë – kryesisht nëpërmjet USAID – ka tejkaluar shumën prej 1 miliard dollarë amerikanë, ndërsa vetëm gjatë viteve 2020-2024 llogaritet të ketë qenë mbi 500 milionë dollarë amerikanë. Nga programet e ndihmës amerikane kanë përfituar institucione e organizata të shumta, nëpër shumë sektorë të rëndësishëm të zhvillimit shoqëror e ekonomik.
Aktualisht, programet e përkrahura nga USAID në Kosovë përfshijnë çështje që lidhen, ndër tjera, me përkrahjen e sektorit privat, të drejtat pronësore, rritjen e pjesëmarrjes qytetare, zhvillimin e shoqërisë civile, sigurinë e energjisë, përfshirjen ekonomike e grave, të drejtat e njeriut dhe bashkëjetesën ndëretnike.
Për nga aspekti administrativ e organizativ, deri vonë, zbatimi i programeve të ndihmës amerikane në Kosovë ka qenë kryesisht përgjegjësi e kompanive e organizatave amerikane e ndërkombëtare, me organizatat vendore më shumë në rol përkrahës. Edhe pse ende mjaft i ulët, viteve të fundit ka filluar të rritet numri i organizatave vendore që bartin përgjegjësi udhëheqëse në zbatim të programeve të ndryshme.
Ndërkohë, ka dhjetëra organizata kosovare të shoqërisë civile që marrin përkrahje — tashmë të pezulluar — nga fondet amerikane, si grantistë ose nënkontraktorë të organizatave e kompanive të huaja ose të mëdha vendore. Këto organizata e kompani punësojnë qindra qytetarë të Kosovës.
Në këto pak ditë, nga 24 janari e këndej, këto entitete, vendimet, por edhe paqartësitë që erdhën me këto vendime, i kanë trajtuar në mënyra të ndryshme. Disa kanë vendosur që menjëherë t’i ndërpresin kontratat me personelin e tyre, pa e pritur fare përfundimin e rishikimit. Disa të tjera e kanë siguruar personelin që kontratat e tyre nuk do të preken, të paktën deri në përfundim të procesit të rishikimit.
Teksa organizatat dhe kompanitë më të mëdha nëpër botë mund të kenë sadopak hapësirë manovrimi, rreziku më i madh bie mbi organizatat jo-qeveritare në Kosovë.
Disa, me gjasë, më të shumta në numër, ende janë duke i analizuar mundësitë e tyre, për shkak të një dileme serioze. Në njërën anë, mbajtja e personelit, kombinuar me një refuzim të mundshëm nga SHBA për t’i pranuar kostot e pagave të tyre gjatë kësaj periudhe, do t’i ekspozonte ndaj një rreziku financiar potencialisht fatal për organizatat e tyre. Në anën tjetër, largimi i personelit, jo vetëm që do të ishte joparimor, por do ta vështirësonte skajshmërisht vazhdimin e programeve të tyre në rast të një rezultati pozitiv pas procesit të rishikimit. Vazhdimi duket edhe më i vështirë pas një serie të vendimeve të udhëheqësve të rinj të USAID që të suspendojnë, të dërgojnë në pushim administrativ ose edhe të kthejnë në shtëpi vetë të punësuarit në USAID, si në selinë në Washington D.C. apo nëpër misionet e ndryshme të USAID nëpër botë.
Përderisa organizatat dhe kompanitë më të mëdha nëpër botë mund të kenë sadopak hapësirë manovrimi në këtë situatë të paqartë, rreziku më i madh në këtë aspekt bie mbi organizatat jo-qeveritare në Kosovë, një shumicë dërmuese e së cilave nuk kanë rezerva financiare nga burimet e veta për të përballuar shpenzime të tilla.
Është e paqartë nëse, gjatë kësaj periudhe sa do të zgjasë rishikimi, do të lejohen ose jo disa shpenzime themelore administrative — paga, qera e të ngjashme — të cilat, në rrethana normale, është e pamundur të ndalohen aty për aty. Një komunikim i ditëve të fundit nga USAID, drejtuar partnerëve zbatues, lë hapësirë për lejim të disa shpenzimeve të pashmangshme, por ende nuk është e qartë se çka do të konsiderohet me të vërtetë e pashmangshme dhe se kur dhe si do të vendoset për to.
Shqetësimet nuk janë individuale. Vendimet e Trump kanë implikime shumë më të gjera kolektive.
Në shikim të parë, brenga për pagat dhe shpenzimet administrative të të punësuarëve në programet e përkrahura nga qeveria amerikane mund të duken si brenga të papërfillshme të një grupi të kufizuar të profesionistëve që mendojnë vetëm për veten e tyre.
Por shqetësimet nuk janë individuale. Vendimet e Trump kanë implikime shumë më të gjera kolektive. Mbi të gjitha, pamundësia për të paguar për muaj të tërë personelin, për shumicën e organizatave dhe kompanive nënkupton pamundësi për të vazhduar shërbimet e tyre ndaj grupeve në nevojë apo institucioneve e proceseve jetike për vendin. Kjo pastaj prodhon ndikim shumë të rëndë te grupet më të cenueshme, të cilët janë shpesh përfitues përfundimtarë të këtyre programeve. Ky ndikim ndihet qoftë përgjatë pezullimit sa do të zgjasë rishikimi, qoftë në rast të vazhdimit të pjesshëm e sidomos në rast të ndërprerjes së plotë.
Po ashtu, ndikim tjetër është pengimi apo ndërprerja e ndikimit pozitiv që këto programe e kanë pasur në sektorët përkatës. Përderisa Kosova ka kohë që e ka kaluar fazën emergjente, pra nuk ka programe të ndihmës emergjente ose humanitare, ndikimi kryesor është në potencialin zhvillimor në ekonomi, qeverisje e zhvillim demokratik.
Pra, lejimi ose jo i pagave përgjatë këtyre javëve ose muajve sa do të zgjasë rishikimi, sado që është problem i madh në vetvete, realisht mund të jetë problemi më i vogël në fushëpamjen e gjerë të këtyre zhvillimeve.
Befasia e pritur dhe rrethanat e reja globale
Të dy urdhrat ekzekutivë kanë prodhuar befasi dhe huti për shumë prej njerëzve të përfshirë ose e përcjellin botën e ndihmës zhvillimore.
Edhe pse ka pasur diskutime rreth riorientimit të ndihmës së jashtme edhe para zgjedhjeve në SHBA, urdhrat prodhuan befasi për shkak të shpejtësisë së marrjes së vendimit nga Trump, qysh në orët e para si president dhe për shkak të qasjes radikale, pra pezullimin e menjëhershëm dhe arbitrar të programeve. Mbi të gjitha, shkaktuan huti për shkak të mungesës së informatave se si pritet të rrjedhin gjërat dhe çka mund të pritet nga të gjithë të përfshirët.
Sidoqoftë, në një pamje më të gjerë, këto veprime të administratës së re amerikane nuk janë krejt të papritura.
Urdhrat ekzekutivë, janë në përputhje me retorikën afatgjatë dhe qasjen e presidentit Trump ndaj fuqisë që ia jep pozita si njeriu më i pushtetshëm në planet. Për dallim nga mandati i parë, të gjitha këto tashmë të ushqyera edhe më shumë nga një rreth këshilltarësh zyrtarë e jo-zyrtarë me impulse po aq, nëse jo edhe më të ashpra.
Kjo nuk kufizohet vetëm te SHBA, por është pjesë e një ndryshimi ideologjik më të gjerë nëpër botë i karakterizuar nga ringjallja e forcave nacionaliste, izolacioniste dhe reaksionare.
Vendimet e shpejta, shpesh të njëanshme dhe të arsyetuara dobët, në vazhdimësi ushqejnë një narrativë populiste, që më me rëndësi e ka mbajtjen e inercionit elektoral nga votuesi amerikan, sesa çfarëdo strategjie ndërkombëtare më afatgjatë. Përtej kësaj, ndalimi i përkohshëm i ndihmës së jashtme duhet të shihet vetëm si një hallkë e zingjirit të veprimeve të këtyre ditëve të presidentit Trump, përfshirë ato ndaj vendeve aleate si Kanadaja, Meksika — tashmë të pauzuara — e Kolumbia, por edhe Danimarka e Panamaja, e që së bashku pasqyrojnë një agjendë më të gjerë për të rikonfiguruar rolin global të SHBA.
Kjo nuk kufizohet vetëm te SHBA, por është pjesë e një ndryshimi ideologjik më të gjerë që ka kohë që po përhapet nëpër botë i karakterizuar nga ringjallja e forcave nacionaliste, izolacioniste dhe reaksionare. Këto lëvizje janë duke e kërcënuar seriozisht dhe në mënyrë të paparashikueshme rendin liberal të pas Luftës së Dytë Botërore, i cili është përpjekur në vazhdimësi të promovojë të drejtat e njeriut, liritë themelore dhe solidaritetin ndërkombëtar.
Këto forca i kuptojnë marrëdhëniet ndërkombëtare si angazhime transaksionale e jo si të bazuara në vlera, ndërsa e shohin me dyshim multilateralizmin dhe bashkëpunimin global. Të paktën, bashkëpunimin global në promovimin e vlerave demokratike, të drejtave të njeriut e barazisë shoqërore, si dhe solidaritetit ndërkombëtar, që këto grupe i konsiderojnë si të panevojshme, madje edhe kërcënuese për interesat e tyre nacionale e keqshfrytëzim të parave të taksapaguesëve të tyre.
Për më tepër, pjesa më e madhe e vendeve që hyjnë në atë që quhet Veriu Global — term që përdoret për t’iu referuar një grupi shtetesh më të zhvilluara ekonomikisht në botë — janë ose duke diskutuar ose veç kanë marrë vendime për të ulur shumat e ndihmave të tyre të jashtme.
Të gjitha këto si përgjigje ndaj presionit të brendshëm nga grupet nacionaliste, që rezultojnë me ngushtim të të kuptuarit të interesave kombëtare kryesisht brenda kufijve shtetërorë e rrjedhimisht ulje ose ndërprerje të ndihmave zhvillimore për vendet tjera.
Rrezikimi i demokracisë
Reduktimi i tillë i ndihmës zhvillimore ndërkombëtare natyrisht që do të dobësojë institucionet dhe platformat që kanë punuar historikisht për të zbutur pabarazitë në botë. Përderisa paraqitet nën pretekstin e kursimeve financiare dhe përmirësimit të efiçiencës së ndihmave të jashtme, si në rastin e SHBA, ky “kursim” eventual afatshkurtër po e rrezikon seriozisht demokracinë globale edhe ashtu në regres.
Regjimet autoritare globale e rajonale do ta kenë shumë më të lehtë ta shfrytëzojnë këtë vakuum për ta shtrirë ndikimin e tyre politik dhe ekonomik. Nëse SHBA heq dorë njëanshëm nga të qenit promovuesi kryesor i demokracisë në botë, demokracitë që varen nga mbështetja e SHBA do të detyrohen të kërkojnë partneritete alternative, duke rrezikuar parimet e tyre demokratike në favor të marrëveshjeve ekonomike ose të sigurisë me aktorë më pak demokratikë.
Regjimet autoritare në rajon veç do të fuqizohen e me këtë do të rritet presioni ndaj Kosovës, qoftë në aspekt të shtetësisë, ashtu edhe të zhvillimit demokratik.
Kjo do ta ndikojë patjetër edhe Kosovën. Nëse jo menjëherë dhe brenda, nuk ka dyshim që do ta ndikojë rajonin tonë dhe gjeopolitikën evropiane e botërore, e të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në Kosovë. Regjimet autoritare në rajon veç do të fuqizohen e me këtë do të rritet presioni ndaj Kosovës, qoftë në aspekt të shtetësisë, ashtu edhe të zhvillimit demokratik. Ndërkohë, përkrahja amerikane ka qenë jetike për Kosovën, sidomos për nga aspekti politik dhe i sigurisë. Mbetet të shihet se deri në çfarë mase do ta ndikojë Kosovën ky rikonfigurim i pozicionit ndërkombëtar amerikan.
Për më tepër, hapësira për kundërshtim gati se nuk ekziston. Për dallim nga vendimet tjera të kësaj administrate që mund të kenë hasur në rezistencë, në çështjen e ndihmës së jashtme nuk ekzistojnë mundësitë e njëjta për të kundërshtuar drejtpërdrejt këto masa. Kompanitë, OJQ-të apo qeveritë e vendeve përfituese janë të varura tërësisht nga vullneti i administratës amerikane, pa ndonjë mekanizëm të qartë për të negociuar apo kundërshtuar efektet e një ndërprerjeje të papritur të fondeve, të përkohshme ose të përhershme.
Ndërkohë, pavarësisht shokut dhe mpirjes fillestare të vendeve, institucioneve e organizatave që ende besojnë në solidaritetin ndërkombëtar dhe vlerat demokratike, nuk mund të pritet që gjithë këto zhvillime të kalojnë pa një kundërreagim. Pjesa e ndihmës zhvillimore është vetëm një element, por kundër-reagimi do të duhej të kishte për kryefjalë mbrojtjen e vlerave demokratike dhe të solidaritetit ndërkombëtar në përgjithësi. Të gjitha këto do ta ndikojnë edhe Kosovën.
Rruga përpara
Kosova ka ambicie për ndërtim të një shoqërie demokratike. Zhvillimi demokratik mbetet shumë kompleks dhe i trajtuar midis një kulture demokratike autentike dhe një demokracie të sponsoruar nga ajo që njihet si bashkësia ndërkombëtare. Rezistenca mbarë shoqërore dhe sistemi paralel i viteve të ‘90-a kanë hedhur themele të forta të angazhimit qytetar dhe kanë mbjellur rrënjët e një kulture demokratike jo-tipike për vendet e këtij rajoni, të gjitha me të kaluar komuniste.
Kjo kulturë u shfrytëzua si themel për ringjalljen shoqërore, politike e ekonomike pas luftës së viteve 1998-1999, por megjithatë me rolin udhëheqës në krijimin, zhvillim të institucioneve dhe qeverisjes demokratike që kaloi te bashkësia ndërkombëtare.
Kjo nëpërmjet përkrahjes masive për ndërtim të institucioneve, zhvillim të shoqërisë civile dhe forcim të medieve. Ky dualizëm midis traditës së brendshme dhe ndikimit ndërkombëtar ka krijuar një model unik të ndërtimit të demokracisë, që ka rezultuar me Kosovën si një ndër vendet e pakta në rajon e më gjerë që nuk ka rrëshqitur drejt regjimeve autoritare, por vazhdon t’i ketë funksionale boshtet kryesore të një shoqërie demokratike.
Demokracia është përparësia konkurruese e Kosovës në një rajon dhe botë gjithmonë e më autoritare. Këtë duhet ta kuptojë cilido që është i përfshirë në qeverisje, shoqëri civile, medie apo sektor privat.
Megjithatë, largimi eventual nga skena i një partneri kaq të rëndësishëm për ndërtim të shtetit dhe demokracisë do të krijojë një boshllëk serioz, që mund të mbulohet vetëm duke e rritur pronësisë e zhvillimit të demokracisë nga vetë qytetarët dhe institucionet e Kosovës. Koha për këtë ka qenë dje, ndërsa ngrirja aktuale e përkrahjes amerikane dhe trendi global i uljes së ndihmës zhvillimore janë vetëm sinjale të urgjencës për ta rritur pronësinë dhe pavarësinë vendore, nevojë kjo që shkon edhe përtej aspektit financiar.
Përkundër faktit që është vend i vogël, me ekonomi të pakonsoliduar plotësisht, e me një shtetësi ende të kontestuar, demokracia është përparësia konkurruese e Kosovës në një rajon dhe botë gjithmonë e më autoritare. Këtë duhet ta kuptojë cilido që është i përfshirë në qeverisje, shoqëri civile, medie apo sektor privat, pavarësisht agjendave politike apo ekonomike ditore që ndonjëherë mund të mos jenë në përputhje me nevojën për praktika demokratike.
Pikërisht për këtë, e para dhe më urgjentja është mosshfrytëzimi i zhvillimeve dramatike të ditëve të fundit për ta goditur edhe më tej demokracinë e brishtë të Kosovës për qëllime të rritjes së përfitimeve afatshkurtra politike a ekonomike. Rrjedhimisht nga secili nevojitet pjekuri e shtuar shtetformuese për ta tejkaluar këtë sfidë serioze të përbashkët.
Po ashtu urgjente, edhe pse më afatgjatë në shtrirje kohore, është prioritizimi i identifikimit dhe shfrytëzimit të të gjitha kapaciteteve të brendshme për zhvillim demokratik, duke u mbështetur te aktorët lokalë dhe institucionet vendore. Nuk duhet të fillojë gjithçka prej zeros, sepse ka vite që po zhvillohen nisma që kontribuojnë në këtë nga organizata të shoqërisë civile, mediet, bizneset, shërbyes civilë e politikanë. Gjithashtu, ende ka donatorë të huaj që i qëndrojnë prapa përkushtimit për zhvillim të një bote demokratike, të cilët janë të gatshëm ta vazhdojnë përkrahjen për këtë tranzicion.
Përderisa agjenda e zhvillimit demokratik vendor kërkon trajtim më të gjatë, disa prej qëllimeve kryesore, që janë nën kontrollin tonë e që mund të bëhen relativisht shpejt, përfshijnë përmirësim urgjent të ekosistemit të filantropisë lokale dhe të diasporës, mbrojtje dhe zgjerim i hapësirës për angazhim qytetar, financim publik sistematik dhe i pavarur për shoqëri civile, medie dhe zhvillim demokratik në përgjithësi, si dhe fuqizim të dukshëm i praktikave të lidhjes me qytetarë nga vetë sektorët e shoqërisë civile e medieve.
Fatkeqësisht, nismat ekzistuese janë të pamjaftueshme në numër dhe në shtrirje, e sidomos të papërkrahura nga pjesa më e madhe e institucioneve e aktorëve të tjerë vendorë. Momenti aktual është dramatik për nga pasojat potenciale, por po ashtu edhe mundësi unike për ta rikthyer në vend rolin udhëheqës për zhvillimin demokratik të Kosovës.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.