Pikëpamje | Maqedonia e Veriut

Vazhdon kaosi parazgjedhor në Maqedoninë e Veriut

Nga - 26.05.2020

Asnjë mundësi politike nuk mbetet e pashfrytëzuar ndersa po pritet data për zgjedhje të parakohshme.

Maqedonia e Veriut nuk është kursyer nga COVID-19. Pasi ka zbatuar masa të ngjashme të izolimit me ato të BE-së dhe të rajonit, qeveria nuk e humbi mundësinë për ta treguar fuqinë e saj para popullit.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare ishin caktuar për 12 prill, 2020, në përputhje me premtimin e ish-kryeministrit Zoran Zaev që do të shpallte zgjedhje në rast se Maqedonisë së Veriut nuk do t’i caktohej një datë e fillimit të negociatave për anëtarësim në BE. Megjithatë, koronavirusi i pengoi këto plane, duke i lënë anash grindjet zgjedhore dhe parazgjedhore, ani se vetëm për një çast.

Tani që situata me virusin po qetësohet dhe rajoni po hapet dalëngadalë, kaosi parazgjedhor është kthyer. 

Para se të vazhdojmë t’i shpjegojmë rrethanat tashmë të ndërlikuara në skenën politike të Maqedonisë së Veriut, duhet ta përmendim se tani në pushtet është një qeveri e përkohshme. U formua në përputhje me parimin e përcaktuar në Marrëveshjen Përzhinos e cila kishte për qëllim zbutjen e krizës politike të vitit 2015 dhe nisjen e zgjedhjeve parlamentare. 

Meqë kjo zgjidhje ad hoc parasheh që qeveria e përkohshme duhet të përfshijë ministra nga opozita, ministri aktual i punëve të brendshme është Naqe Çulev nga VMRO-DPMNE. Kjo do të thotë që partia opozitare është e pranishme në një ministri shumë të ndjeshme, gjë që shton mundësitë për sabotim dhe konflikte ndërmjet partive të ndryshme politike. 

Ndonëse ekspertët kanë paralajmëruar se kjo zgjidhje ishte me të vërtetë ad hoc dhe nuk duhet të zbatohet, është e qartë se ajo është në favor të partive qeverisëse dhe opozitare.

Konflikte brenda dhe ndërmjet partive

Me të filluar kriza e koronavirusit, kur i gjithë vendi u mobilizua për t’i mbrojtur njerëzit e rrezikuar dhe shoqërinë e Maqedonisë së Veriut në përgjithësi, Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe bëri thirrje që edhe mjekët e pensionuar të jenë të gatshëm për të ndihmuar, qoftë nevoja. Hristijan Mickoski, lideri i partisë opozitare VMRO-DPMNE, e përdori këtë vendim për të fituar pikë të lira politike duke i ofruar shërbimet e ekipit mjekësor të partisë së tij për qeverinë dhe spitalet. 

Oferta e Mickoskit shkaktoi bujë të madhe në rrjete sociale, ku pati thirrje që ai të zbulojë nëse i ka kategorizuar mjekët dhe stafin mjekësor në bazë të mbështetjes partiake.

Në muajt e parë të reagimit ndaj COVID-19, konferencat e përditshme për shtyp të Presidentit Stevo Pendarovski dhe Ministrit të Shëndetësisë Filipče dhanë shpresë dhe një lloj sigurie, duke na thënë që shteti është pak a shumë duke funksionuar dhe se më në fund mund t’i kemi njerëzit e duhur në vendet e duhura.

Një mesazh po mbizotëronte: Rrini në shtëpi sepse nuk kemi shtretër, staf mjekësor e as barna për t'ju shpëtuar.

Prapëseprapë, qytetarët ishin të vetëdijshëm që masat e skajshme si ora e gjatë policore dhe gjobat e majme për thyerje të rregullave justifikoheshin plotësisht, meqë sistemi shëndetësor lokal ishte shkatërruar krejtësisht gjatë tranzicionit të dekadave të fundit, dhe nuk kishte kapacitet e as pajisje të domosdoshme për t’u kujdesur për një numër të madh të pacientëve të infektuar me COVID-19. 

Një mesazh po mbizotëronte: Rrini në shtëpi sepse nuk kemi shtretër, staf mjekësor e as barna për t’ju shpëtuar.

Fatkeqësisht, armiqësitë brenda partive së shpejti dolën në sipërfaqe.

Maksim Dimitrievski, kryetar i Kumanovës dhe anëtar i Lidhjes Socialdemokrate, i bëri thirrje të vazhdueshme autoriteteve ta mbyllin qytetin, ashtu siç vepruan në perëndim të vendit në qytetin e Dibrës, që ishte karantinuar për dy javë për shkak të numrit të lartë të rasteve me COVID-19. Kërkesat e tij nuk u zbatuan dhe Kumanova mbeti e hapur. 

Brenda disa ditëve, një ekip i qeverisë i përbërë nga pesë ministra dhe kryeministrin në detyrë Oliver Spasovski e vizituan Kumanovën për ta parë situatën pasi numri i infektimeve vazhdoi të rritej, para se Kryetari Dimitrievski të lajmëronte në faqen e tij në Facebook se ai ishte testuar për koronavirus dhe se tani po e priste rezultatin. Ai doli negativ, por sidoqoftë konfliktet brenda partisë kishin dalë në pah.

Për shkak të faktit se ai i raportoi rezultatet pas vizitës së tyre, u desh që ministrat të karantinoheshin, dhe kjo u interpretua nga publiku si një goditje e kryetarit kundër partisë së tij dhe qeverisë, pasi ata nuk i kishin plotësuar kërkesat e tij për ta karantinuar Kumanovën. 

Cila është më e rëndësishme: zgjedhjet apo shëndeti?

Ndërsa vazhdonte kriza e COVID-19, partitë politike gjithnjë më shumë kërkonin që zgjedhjet të mbaheshin sa më parë.

Fillimisht, VMRO-DPMNE i sulmoi Socialdemokratët duke thënë se ata janë të paaftë për ta shpëtuar vendin dhe se sa më parë të mbaheshin zgjedhjet, aq më mirë do të ishte. Pas disa ditësh, këta të parët e ndryshuan tonin e kthyen vëmendjen nga shëndeti i njerëzve dhe i quajtën zgjedhjet si çështje më pak e rëndësishme.

Në anën tjetër, Socialdemokratët duan që zgjedhjet të mbahen menjëherë pasi të shfuqizohet gjendja e jashtëzakonshme, e cila është shtyrë deri në fund të majit nga Presidenti Pendarovski, pasi ajo kishte hyrë në fuqi në mars. 

Takimi i liderëve të partive u duk si një takim i prijësve fisnorë që vendosin për fatin e fiseve të tyre pa kurrëfarë konsultimi me vetë njerëzit.

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi i ka refuzuar thirrjet e vazhdueshme publike për ta bashkuar parlamentin e shpërndarë në mënyrë që të kontrollohet qeveria në kohët e krizës. Ai tha se nuk e ka më mandatin për t’i ftuar deputetët, të cilët nuk janë më deputetë, pas shpërndarjes që ndodhi në shkurt.

Por sipas Kushtetutës, deputetët vazhdojnë të jenë në detyrë derisa të formohet një qeveri e re.

Ndërkohë, partitë tashmë janë takuar për të diskutuar për një datë të re për zgjedhje. Takimi i liderëve të partive u duk si një takim i prijësve fisnorë që vendosin për fatin e fiseve të tyre pa kurrëfarë konsultimi me vetë njerëzit.

Oliver Derkovski, presidenti i Komisionit Shtetëror për Zgjedhje, ka thënë se nuk do ta nënshkruajë urdhrin për organizimin e zgjedhjeve në dy muajt e parë pas shfuqizimit të gjendjes së jashtëzakonshme, ndërsa Presidenti Pendarovski pretendon se mbarimi i gjendjes së jashtëzakonshme e nis një afat kohor prej 22 ditësh për organizimin e zgjedhjeve pra më pak se dy muaj. 

Për t’i ndërlikuar më tej gjërat, Komisioni e publikoi një protokoll të procesit zgjedhor që i lejon aktivistët e partive të shkojnë në shtëpitë e njerëzve si pjesë e fushatave të tyre. Reagimi publik ishte kështu: Mos gaboni të na shkelni pragun. 

Në mesin e gjithë kësaj, një tjetër incident i turpshëm ndodhi në sistemin e drejtësisë javën e kaluar, kur u shfuqizua i gjithë Ligji për Ndalimin e Diskriminimit; kjo ndodhi dy ditë pas 17 majit, Ditës Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Transfobisë (IDAHOBIT) dhe fobive tjera të bazuara në gjini dhe orientim seksual.

Ligjin e kishte vënë në fuqi qeveria e drejtuar nga Zaevi. Ai përfshinte një seksion që e përcaktonte qartë orientimin seksual si bazë për diskriminim. Në versionin e mëparshëm të ligjit, orientimi seksual u listua nën kategorinë e përgjithshme të quajtur “forma tjera të diskriminimit”, e kjo e kishte bërë këtë formë të diskriminimit të vështirë për t’u dëshmuar.

Kriza e përhershme politike në Maqedoninë e Veriut po mat durimin e qytetarëve.

Shfuqizimi u bazua në një lajthitje ligjore, por shumë ironike Sobranje, kuvendi i Maqedonisë, e kishte miratuar ligjin me vetëm 55 vota, në vend të shumicës së thjeshtë prej 61 votash që kërkohet për të shfuqizuar ligje. Kjo nuk u vu re nga komisionet e ndryshme të parlamentit. Këshilltarët e presidentit e paralajmëruan për gabimin, por ai prapë e nënshkroi ligjin.

Fatkeqësisht, pastaj Komisioni për Mbrojtje nga Diskriminimi e shfrytëzoi mundësinë për ta përcjellë vendimin te Gjykata Kushtetuese, kështu që Gjykata u detyrua ta shfuqizoi ligjin në fjalë.

Kjo ishte një goditje e madhe jo vetëm për komunitetin LGBT në Maqedoninë e Veriut, por edhe për aspiratat evropiane të vendit, meqë ky ligj ishte një prej akteve fundamentale për fillimin e negociatave me BE-në. 

Kriza e përhershme politike në Maqedoninë e Veriut po mat durimin e qytetarëve. Nëse më parë një numër i madh i tyre ishin të varur nga qetësuesit, ka shumë mundësi që tani do të varen nga barnat kundër ankthit pas situatës me COVID-19.

Jeta në Maqedoninë e Veriut mund të përshkruhet shkurt nëpërmjet proverbës kineze, që i ngjan më shumë një mallkimi: Jetofsh në kohë interesante.

Megjithatë, këto kohë interesante po e dëmtojnë shëndetin tonë.

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.

  • PËR AUTORIN/EN Sonja Stojadinović
  • Shënim Pikëpamjet e shkrimtarit/es nuk pasqyrojnë domosdo ato të Kosovo 2.0.
  • Ky artikull fillimisht është shkruar në serbisht/kroatisht/boshnjakisht.

KOMENTO