Filmi i zhanrit live-aksion “Barbie” shkaktoi zhurmë në internet qe një vit, prej kur u publikua fotografia e parë promovuese, në pranverën e vitit 2022. Nën regjinë e regjisores dhe skenaristes, të nominuar për Oscar, Greta Gerwig dhe me një grup aktorësh e aktoresh, të udhëhequr nga aktorja dhe producentja Margot Robbie, filmi e kishte suksesin të garantuar.
Pas publikimit të tij, u vërtetua se qëndrimi se filmi thjesht do të ishte i suksesshëm ishte, në fakt nënvlerësim; në javën e parë të publikimit, jo vetëm që pati sukses rekord, por javët e para pas publikimit, u bë filmi me fitimet më të larta të vitit dhe filmi i zhanrit komedi live-aksion me fitimet më të larta të të gjitha kohërave, duke arkuar fitime në një total prej 1,407 miliardë dollarësh, në mbarë botën, që më 17 shtator 2023.
Gjatë muajit përpara premierës më 21 korrik, rrjetet e mia sociale ishin vendosmërisht rozë dhe të vërshuara me postime rreth Barbie. Ndoshta ishte nostalgjia, apo ndoshta marketingu, por filmi u kthye në ngjarje, shumë kohë para publikimit. Ashtu si miliona të tjerë në internet, shoqëria ime dhe unë mezi prisnim ta shihnim.
Që nga prezantimi i saj në vitin 1959, Barbie u bë lodra më e shitur e në historinë e kompanisë “Mattel”. Vlerësohet se kukulla Barbie sjell mbi një miliard dollarë fitime çdo vit. Megjithatë, në dekadat e fundit, ndaj saj dhe kompanisë ka pasur shumë kritika. Feministët/et e kanë akuzuar Barbien dhe ngjyrën rozë të saj për promovim të roleve tradicionale gjinore.
Me punët e saj të shumta dhe stilin e pavarur të pavarur të jetës, kukulla është parë gjithashtu si pionere për vajzat e reja, të cilat mund ta projektojnë veten përmes saj dhe ta shohin veten si diçka më shumë. Me kukullën Barbie, ato s’kishin nevojë të shihnin më veten vetëm sinëna dhe kujdestare, siç e shpjegon edhe filmi në fillim, ato mund ta kishin shtëpinë e tyre, të ishin presidente ose astronaute. Ta kishe një Ken (i dashuri i kahershëm i Barbie) ishte opsionale.
Kjo ishte përvoja ime me kukullën. Si fëmijë, familja s’kishte mjaftueshëm para që të më blinte shumë kukulla Barbie, e as shtëpinë e saj të ëndrrave, por ato që kisha, i kisha për zemër. Barbiet e mia ishin ninxha, princesha, eksploruese të hapësirës — gjithçka që më pëlqente atë kohë.
Megjithatë, është e kuptueshme kur kritikët/et e saj e sulmojnë kukullën Barbie për format joreale të trupit dhe standardet e paarritshme të bukurisë, të cilat janë parë si potencialisht të dëmshme për imazhin që vajzat e reja mund të kenë për veten. Ngjashëm, edhe ngjyra rozë u godit ashpër nga lëvizja feministe. Të veshurit me ngjyrë rozë, si vajzë, u pa nga disa si sinonim i nënshtrimit dhe mbështetjes ndaj normave gjinore patriarkale.
Kohët e fundit, ndoshta pjesërisht për shkak të filmit, pikëpamja, si për ngjyrën ashtu edhe për Barbie, po ndryshon. Gjatë promovimit të filmit me pamjet e “tepihut rozë” në të gjithë botën, ekipi i aktorëve/eve përqafoi plotësisht ngjyrën dhe temën e filmit, me Margot Robbie duke i nderuar veçanërisht pamjet ikonike të Barbie. Edhe vetë Barbie po u kthehet rrënjëve të saj dhe po e vendos primatin prej një heroine femërore të shumanshme, e gatshme për t’u bërë pjesë e epokës së re feministe.
Ky është ndryshim i mirëpritur, sidomos kur e mendoj llojin e feminizmit që ishte i famshëm 10 vjet më parë, kur unë isha 15 vjeç. Më kujtohet ngritja e epokës #girlboss, kur sugjerohej që gratë thjesht të imitonin burrat. Ji e fortë, garuese, e vrazhdë, tregoji dhëmbët. Gratë duhej të vishnin kostume dhe ngjyra “serioze”. Rrobat apo ngjyrat, që konsideroheshin femërore, bashkë me grimin apo bizhuteritë nuk preferoheshin për një lloj të caktuar gruaje, e cila përpiqej ta çante rrugën e saj në sferën profesionale. Kur shkoi në ekstrem, ishte njëfarë përshtypje që një feministe #girlboss nuk mund të ishte feminine.
Si një vajzë e re, ky është mesazhi që disi e pata nxjerr nga e gjithë. Refuzoja gjithçka “vajzërore” duke menduar se do të ishte tradhti ndaj feminizmit. Edhe më keq, fillova t’i shikoja me nënçmim gratë që u pëlqente të grimoseshin apo që i kushtonin vëmendje pamjes. Nuk është se nuk më interesonte të vishem mirë, thjesht doja që të tjerët të më merrnin seriozisht.
Barbie rozë ishte shumë feminine për të qenë feministe.
Megjithatë, është interesante se si të të kuptuarit e shoqërisë për ngjyrën rozë është zhvilluar kohëve të fundi, si rezultat i reklamave. Para Luftës së Dytë Botërore, ngjyra e kaltër ishte ngjyra që lidhej me vajzat. Ndërrimi ndodhi së bashku me përpjekjet e pasluftës për t’i bërë gratë të heqin dorë nga pozitat e tyre në fuqinë punëtore gjatë kohës së luftës dhe për t’i shtyrë ato që t’iu kthehen roleve të tyre tradicionale si amvise. Ngjyra rozë u lidh me atë lëvizje. Shumë shpejt, gjithçka që ishte rozë u bë vajzërore.
Barbie nuk ishte e lidhur kurrë me këto rregulla. Kukullës Barbie i rrinte bukur secila ngjyrë dhe nuk u kufizua kurrë në një rol apo profesion. Dhe kjo nuk është befasi marrë parasysh se krijuesja e saj, Ruth Handler, ishte një grua që refuzoi rolet tradicionale në kohën e saj dhe ishte vetë feministe.
Handler një herë tha se ajo krijoi kukullën në mënyrë që vajzat të mund ta projektonin veten përmes saj. Nëse kukulla Barbie mund të bëhej gjithçka (veshur rozë), edhe ato munden. Në fund të fundit, ngjyra rozë është thjesht një ngjyrë.
Në dy vitet e fundit, ka pasur rritje të vetëdijësimit mes brezave të rinj dhe grave të reja, veçanërisht për atë se çka do të thotë të jesh grua në një shoqëri patriarkale.
Gratë janë gjithnjë e më të vetëdijshme se deklaratat si “gratë mund të bëjnë gjithçka që burrat mund ta bëjnë” janë të rreme, jo për shkak të grave, por për shkak të kushteve shoqërore në të cilat gjenden. Feminiteti nuk i pengon gratë. Ngjyra rozë nuk është problemi, është patriarkia. Brezi i ri e di këtë dhe po krijon ide të re se si duken feministët/et, që lejon që feminiteti të jetë diçka që gratë (ose burrat) mund ta përqafojnë plotësisht, nëse dëshirojnë.
Tani, për t’u kthyer plotësisht e bukur me ngjyrën rozë, Greta dhe Margot marrin pamjen dhe modën e kukullës dhe na sjellin një komedi të përzemërt me një pamje feministe që nuk ka frikë të jetë rozë.
Kur shkova për ta parë filmin isha ulur jashtë kinemasë, duke pritur shoqet e shokët dhe më ranë në sy një grup njerëzish veshur ngjyrë rozë. Dhe pastaj pashë shumë më shumë.
Kur erdhën shoqet, veshur me nuanca të ndryshme ngjyrë rozë, dukeshim si kukulla të ndryshme Barbie që mund t’i merrje nga rafti. Dy nga shokët e mi erdhën të veshur me kostume, duke iu referuar tog-fjalëshit të filmit “Ajo është gjithçka, ai është thjesht Ken”. Teksa prisnim në radhë dhe pasi u futëm në kinema, kishte vajza të reja, çifte dhe njerëz të moshave dhe gjinive të ndryshme, të veshur me ngjyrë rozë.
Unë nuk jam më ajo vajza e vogël që luan me kukulla Barbie në dhomën e saj, por gjithsesi u emocionova para se ta shikoja filmin. Isha aty, me shoqet e shokëte më të mira/ë, duke shikuar aktoret/ët tanë të preferuar/a teksa sillnin në jetë kukullat tona të fëmijërisë.
Kinemaja atë natë ishte e mbushur me gjithfarë emocionesh. Unë dhe shoqëria ime qeshëm me lot. Rreth meje dëgjoja burra nga publiku që ankoheshin. Fëmijët u përlotën në fund.
Kur dritat u ndezën përsëri, shumë prej audiencë ende qeshnin gjersa dilnin nga salla dhe të panjohurit e përshëndesnin njëri-tjetrin me një “Hej Barbie” ose “Hej Ken”.
Besoj se atë natë të gjithë dolëm nga kinemaja me zemër plot, duke u ndierë pak më të lumtur/a, pak të trishtuar/a dhe me shumë më shumë vendosmëri — rozë.
Imazhi i ballinës: K2.0 përmes MidJourney.