Në thelb | Vitet ’90

Vitet ’90: Potenciali i humbur

Nga - 10.12.2020

Shkarkimi masiv nga puna u shkaktoi dëme të pandreqshme, ndërsa tani nëpërkëmben si pensionistë.

Qëkur masat e dhunshme të regjimit të Slobodan Milošević-it e larguan nga puna para tri dekadash, për Sabit Islamin puna me karrocë nuk ka qenë veç mbijetesë. Ka qenë edhe rezistencë kombëtare. 

Në Mitrovicë e njohin të gjithë si “inxhinieri me karrocë”. Ka qenë punonjës në Byronë Projektuese të Ndërtimtarisë të Institutit për Plumb dhe Zink në kuadër të Kombinatit të Trepçës. Kur mbeti pa punë ai ishte bashkëshort e baba i dy fëmijëve, ndërsa i duhej të kujdesej edhe për nënën e vëllanë e tij. 

E kishte si lloj amaneti nga i ati të mos e lëshojë vendlindjen në asnjë mënyrë, prandaj thotë se me shembullin e tij deshi të jepte mesazhin se në Kosovë si hamall punohet, por nga vendi nuk iket. 

Si Islamin, edhe Meleqe Mehmeti-Buzhalën — e cila punonte në drejtorinë e Shtëpisë së Mallrave “Gërmia” në Prishtinë — më 1990 udhëheqësit serbë të ndërmarrjes e larguan nga puna, atë me pretendimin se ishte “tepricë teknologjike”. 

Që atëherë e deri pas përfundimit të luftës në 1999, këmba e saj nuk ka shkelur më në godinën tash monumentale në qendër të qytetit. Thotë se për shumë kohë i vinte të qante sa herë i afrohej ndërtesës. “Nuk është puna me urrejtë, por unë kurrë nuk kam me ua falë. Na kanë plakë para kohe”, thotë pensionistja, duke iu referuar regjimit serb të asaj kohe.

Rrëfime si këto, me më pak a më shumë dramatizëm brenda vetes, janë të gati 150,000 personave që u larguan nga puna se nuk pranuan t’i nënshtroheshin sistemit të instaluar dhunshëm nga Milošević-i në fillim të viteve ’90. Potenciali i tyre ekonomik shkoi huq, në dëm të tyre personal e të ekonomisë së Kosovës në përgjithësi. 

Ekspertët e ekonomisë e llogarisin në miliarda dëmin material, por për të Kosova as që ka arritur të diskutojë me Serbinë. Përtej humbjes ekonomike, të pallogaritshme mbesin traumat sociale e psikologjike që u janë shkaktuar gjeneratave të tëra. 

Për të mos mbetur me kaq, shteti i Kosovës e ka vazhduar aktin e dytë të nëpërkëmbjes së këtyre qytetarëve. Sot, për ta marrë nga shteti pensionin e plotë kontributdhënës me vlerë prej mbi 200 eurosh, një punëtor duhet të ketë paguar kontributet asnjë ditë më pak sesa 15 vjet para luftës. Në të kundërtën, 14 vjet e 364 ditë barazohen me 0, dhe kthehen në pension bazë me vlerë nën 100 euro.  

Puna për arnim të jetesës

Islami është një nga qytetarët që nuk e gëzojnë pensionin e plotë kontributdhënës, pavarësisht që punoi edhe para luftës. 

Puna e tij e parë kishte qenë në hidroinxhinieri në qytetin e Vojvodinës në Serbi, ndërsa në Kombinatin “Trepça” u punësua në vitin 1981. “Kam marrë pjesë në më shumë se 150 projekte të ndryshme, laboratoriume, punime shkencore, skica të ndryshme vetëm për ndërtimtari”, tregon ai, ndërsa ngreh një gllënjkë nga filxhani i kafesë në njërin prej restoraneve buzë lumit Ibër, në fshatin Gushac të Mitrovicës. 

“Në atë kohë kemi qenë si gjysmë-gjysmë të punësuar shqiptarë e serbë në Institut”, shpjegon ai tutje, duke shtuar se ka qenë ndër shqiptarët e parë që është punësuar në këtë byro. 

Përgjatë gati një dekade sa ka punuar aty, thotë të ketë pasur raporte të mira me kolegët, deri në vitin 1990 kur e larguan nga puna e më nuk u duk andej. 

"I kam thanë vetes se do të dal të punoj hamall, e nuk do t’u dorëzohem as këtyre [regjimit serb], as atyre [migrimit]. Nuk do t’i marr fëmijët e me shku nëpër Rumani e Bullgari."

Sabit Islami, inxhinier

“Më 11 mars të vitit 1990 jam suspendu”, kujton ai. “Më thanë me shku me punu në Kishnicë në Novobërdë — me shku me zanë vendin e tjetërkujt. Unë natyrisht se nuk kam pranu, se ashtu i binte me pranu programin e Serbisë”.

Atëherë as që e kishte menduar dy herë një gjë të tillë. Ishte i prerë, sikurse sot që nuk është penduar për vendimin e marrë para tri dekadash. “Ka qenë ajo ndjenja kombëtare — si mund ta pranoja një program që shumica e shqiptarëve nuk e pranonte?”, e shpjegon sot atë vendim.

Islami kishte vendosur t’i drejtohej gjykatës, por thotë se procesi ishte zvarritur për dy vjet dhe vendimi përfundimtar nuk kishte dalë në të mirë të tij — i ishte shkëputur kontrata. “Në gjykatën e shkallës së parë drejtori i masave të dhunshme nuk erdhi fare, por në seancën e shkallës së dytë, ishte i detyruar. Ai as që më njohu. Gjykatësi i tha: ‘Qysh ia ke nënshkru vendimin me largu prej punës, e as që po e njeh?’”, kujton me një të qeshur ironike.

Mbetet i bindur për një gjë: se sistemi e ka pasur për qëllim t’i largojë shqiptarët jo vetëm nga puna, por edhe nga Kosova. Sipas tij, shqiptarët në atë kohë nuk kanë ditur rrugë tjetër përveç emigrimit. 

“Në atë moment unë i kam thanë vetes se do të dal të punoj hamall, e nuk do t’u dorëzohem as këtyre [regjimit serb], as atyre [migrimit]. Nuk do t’i marr fëmijët e me shku nëpër Rumani e Bullgari”, kujton fillin e mendimeve.

Do t’i binte ndërmend një bisedë e kahershme me disa qytetarë që punonin duke mbledhur hekurishte të riciklueshme për t’i shitur në Zveçan, të cilët i kishte pyetur se sa fitonin me punën me karroca që bënin. 

“Më patën thanë: sa një rrogë e juaja në Institut. Thashë [me vete]: ‘Pse s’punoj unë?’ E mora karrocën dhe nisa punën”, kujton ai. “Dola edhe për me i bindë këta [kolegët shqiptarë], me iu thanë që nuk është marre, po shkurt e shqip kjo është rezistencë kombëtare”. 

Islami ishte mësuar ta donte punën që bënte, prandaj qysh në pikënisje të punës së re ia caktoi vetes orarin: “Kur të lindë dielli unë shtrirë nuk rri, e kur të praron unë nuk punoj”.

Sabit Islami nis ditën e punës buzë lumit Ibër, ku rri ulur për pak kohë në një gur që e ka ngjyrosur vetë. Foto: Artan Krasniqi.

Rutina e tij është e njëjtë edhe sot. Në orën 5 të mëngjesit ulet te njëri prej gurëve të mëdhenj buzë lumit në Gushac, të cilin e ka ngjyrosur me të bardhë; thotë se të gjithë e dinë që në atë vend ulet vetëm ai. Deri në orën 7 rri aty në ajër të pastër. Pastaj e pi kafenë e mëngjesit dhe niset për në pazar, teksa thotë se ka një mesatare prej 20 kilometrash ecje në ditë.  

Ashtu si Islami njëherë e një kohë, edhe Mehmeti-Buzhala kishte nisur të ndihej e plotësuar që po merrte pagë të veten. Ishte e martuar, e bashkë me burrin e saj tashmë të ndjerë punonin në ish-“Gërmi”.

Ajo ishte daktilografe në drejtorinë e kësaj ndërmarrjeje. U punësua në vitin 1976, dy vjet pasi Kosova kishte fituar autonominë brenda Republikës Federale Socialiste të Jugosllavisë (RFSJ), e kur ca ndryshime pozitive, veçmas në mundësitë e shkollimit e të punësimit, kishin nisur të ndiheshin.

Sipas saj, në atë kohë jetohej mirë edhe me vetëm një rrogë në shtëpi, e lëre më me dy. “Kanë qenë vite të mira për punëtorë, kushtet kanë qenë të mira. Deri në vitin 1981 raportet kolegiale kanë qenë shumë të mira”, kujton ajo. 

Ndërsa atë vit, demonstratat që nisën si mllef i studentëve shqiptarë për kushte më të mira në mensë të universitetit në Prishtinë dhe vazhduan me protesta popullore, sinjalizuan një diferencim ideo-politik që po ndodhte jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë RFSJ-në. 

Në Kosovë, që atëbotë ishte krahinë autonome e Serbisë brenda Federatës, shumica shqiptare kërkonte status të barabartë si republikë. Ndërkohë, kriza do të shpërfaqej edhe në mbarë Federatën, ku ndërrimet në rendin politik bazoheshin në agjenda nacionaliste që do të çonin deri te shkatërrimi i sistemit të deriatëhershëm socialist. 

Tensionet reflektoheshin edhe në raportet kolegiale mes shqiptarëve e serbëve në Kosovë. Kur i kujton vitet e 80-ta, Mehmet-Buzhala tregon për acarim të marrëdhënieve me kolegët e saj serbë deri në atë masë sa zënkat ndonjëherë përfundonin me përleshje fizike. 

Sociologu Anton Berishaj kujton si trysnia e përhapur gjerësisht nëpër vende të punës dhe gjetiu gjatë atyre viteve “u kurorëzua” me suspendim të autonomisë së Kosovës në vitin 1989, dhe me “deinstitucionalizimin e popullatës shqiptare”. “Kjo ishte një situatë që duket e pabesueshme, mirëpo ajo ndodhi”, thotë Berishaj, që shton se për shumë njerëz ka qenë e papritur.

Ndërsa Palokë Berishaj, që në atë kohë ishte në udhëheqësi të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), kujton aspekte të kontekstit socio-politik që u parapriu vendimeve për largim masiv nga puna.

“Kur u suprimua Autonomia e Kosovёs, njëri ndër vendimet mё tё rёndёsishme ishte marrja e pozitave udhëheqëse nё tё gjitha institucionet shtetёrore, nё ndërmarrjet publike dhe ndërmarrjet shoqërore”, thotë ai. “Tё gjitha kёto pozita do t’i udhëhiqnin serbët, ndërsa shqiptarët duhet tё pajtoheshin me kёtё fakt”.

“Shumica e kolegëve serbë u solidarizuan me vendimet e Serbisё: ‘Moraju se poštovati odluke države Srbije (Duhet të respektohen vendimet e shtetit serb)’”, kujton ai.

Ai kujton se shqiptarët e Kosovës atëherë kishin një qëllim: “tё dëshmojmë sё nё asnjё nivel Milošević-i nuk do tё gjente shqiptarë qё do tё zbatonin politikat e tij diskriminuese”, dhe shton se për këtë qëllim, “solidarizimi dhe bashkëveprimi i tё gjithë punëtorëve u shndërrua nё çështje ekzistenciale”.

Kujton edhe organizimin partiak në Kosovë që kishte nisur hovshëm në fillim të vitit 1990. “Rezultati ishte shpallja e Deklaratës [Kushtetuese] më 2 korrik, aprovimi i Kushtetutës më 2 shtator, pastaj edhe referendumi pёr pavarësi”, i përmbledh ai zhvillimet që i prinë rezistencës paqësore të shqiptarëve të Kosovës përgjatë asaj dekade, ndërsa ballafaqoheshin me diskriminim sistematik dhe dhunë policore nga shteti serb. 

Fiks në vitin 1990 Mehmeti-Buzhala ishte në pushim të lindjes për vajzën e vogël. Kishte nisur largimi masiv i kolegëve të saj shqiptarë nga puna, prandaj ajo e dinte mirë se çfarë e pret. 

“Kur u kry pushimi i lehonisë, shkova me marrë pushimin vjetor. Më thanë jo që s’ka pushim, por edhe më kategorizuan si tepricë teknologjike”, kujton ajo. “Na çuan në Entin për Inkuadrim [me rol të ngjashëm si Agjencia e sotme e Punësimit], gjoja derisa të gjendet një vend pune tjetër. Deri në vitin 1993 kështu, kur përfundimisht ma kanë lëshu vendimin për largim nga puna”.

“Për një moment, të dy pa punë. Katër fëmijë."

Meleqe Mehmeti-Buzhala, daktilografe

Një kopje të vendimit ajo e ruan në dosjen e saj — një libër i kuq që ia përthekon karrierën e lënë në gjysmë. Aktvendimi vërehet që është shabllon ku është lënë vend vetëm për të shtuar emrin e punëtorit/es dhe datën e ndërprerjes së marrëdhënies së punës. Arsyetimi se “ka pushuar nevoja” për punën e saj, që ka qenë i njëjtë për shumë punëtorë, është gjetur prapa termit “përparim teknologjik”.

“Edhe me më kthy në punë më nuk kisha shku, sepse u prish gjithçka”, thotë Mehmeti-Buzhala.  

Sikur ajo kishte pësuar edhe bashkëshorti i saj, që ishte shef në sektorin e teknikës së bardhë në të njëjtën ndërmarrje. “Për një moment, të dy pa punë. Katër fëmijë. Ai nuk mujti me u kapë askund, kryesisht ka ndejt në shtëpi”, thotë Mehmeti-Buzhala, ndërsa toni i zërit i zbret natyrshëm kur i duhet ta kujtojë luftën për mbijetesë. 

“Unë babën e kam pasë rrobaqepës edhe ja nisa me qepë — qashtu e kam mbajtë familjen”, thotë ajo, ndërsa sjell ndër mend se kthimi në zanatin e mësuar nga i ati nuk ishte gjithaq i lehtë. “Fitojsha sa me mbetë gjallë, mos me i kërku dikujt. Deri në vitet 1996-97 mirë kam pasë punë, por si nisi lufta më s’kishte interesim me qepë — edhe s’kishin pare njerëzit, kursenin se s’dihej e ardhmja”.

Ka kohë që Meleqe Mehmeti-Buzhala më nuk qep, por ende e ruan një makinë të qepjes si artefakt të vlefshëm. Foto: Artan Krasniqi.

Fëmijë të pjekur para kohe

Natyrshëm, kriza nuk ka mundur të mos kishte pasoja edhe për fëmijët e viteve ’90. Të panumërta janë rastet kur fëmijët e asaj kohe janë detyruar të punojnë në mënyrë që t’i ndihmojnë familjet në kapërcimin e krizës ekonomike. Në fund të fundit, halli ishte thuajse i njëjtë për të gjithë kosovarët: ekzistenca. 

Rilind Gërvalla është njëri prej tinejxherëve të asaj kohe. Si një i ri i pasionuar pas rock-ut, kohën që do të mund t’ia kushtonte pasionit atij ia merrte nevoja për punë. Përvoja e tij, atëbotë i sapo regjistruar në shkollë të mesme, është sa e trishtë po aq motivuese.

“Ishte muaji korrik i vitit 1990 — isha i gëzuar që isha regjistruar në shkollën prestigjioze ‘Xhevdet Doda'”, e kujton ai atë verë. 

“Babai im tash i ndjerë punonte në financat e Radiotelevizionit të Prishtinës; u kthye [nga puna] rreth orës 18, i djersitur dhe shumë rëndë emocionalisht”, thotë Gërvalla, tani mesoburrë, ndërsa sjell ndër mend ditën kur kuptoi që babai i tij kishte mbetur pa punë. “Më përqafoi shtrëngueshëm, më tha ‘gjithçka e keqe sjell një të mirë’ dhe qau”.

Shton se nuk shkoi gjatë e edhe nënën e tij, arsimtare e gjuhës angleze, e larguan nga shkolla. Goditja e regjimit ndaj sistemit të arsimit ishte histori në vete. Objektet e shkollave të mesme e fakultetet u mbyllën për shqiptarët në fillim të asaj dekade, ndërsa pas disa muajsh mobilizimi, mësimi vazhdoi në sistemin paralel të arsimit shqip, i cili mbahej nëpër shtëpitë private të qytetarëve vullnetarë. 

“Ajo dhe arsimtarët e tjerë vazhduan të punonin për dy vite pa pagë. Ngelëm katër fëmijë, unë dhe tri motrat më të vogla me të dy prindërit të papunë”, thotë ai. “Populli filloi aksionet solidare, sidomos mërgata, dhe na ndihmonin sa për të ngrënë”.

Edhe sociologu Anton Berishaj flet për rritje të solidaritetit përballë një regjimi të dhunshëm.

“U krijua një realitet shoqëror i ri shqiptar — përveç aktivizimit të mekanizmave shoqërorë të traditës për tejkalimin e konflikteve si Aksioni i Pajtimit të Gjaqeve, u rrit ndjesia e afërsisë ndërmjet pjesëtarëve të një etnie, që shkonte përtej lidhjes së zakonshme farefisnore”, thotë ai.  “Rritej sfida e rezistencës, e solidarizimit në baza kombëtare dhe e aktivizimit të potencialit të fjetur historikisht, por sidomos në periudhën komuniste që synonte margjinalizimin e instrumenteve kombëtare në favor të krijimit të vlerave ideologjike të vëllazërim-bashkimit”.

Në këtë sfond, fillimi i shkollës së mesme për Gërvallën ishte i zymtë.

“Në gjysmëvjetorin e parë të vitit të parë na larguan nga shkolla; për afër tre muaj klasa ime mësuam në shtëpinë time se ishte më e sigurt”, kujton ai. “Babai im filloi të angazhohej fillimisht në Sindikatën e Radiotelevizionit të Prishtinës, e kur ajo u shua pas themelimit të qeverisë në ekzil, vazhdoi në Këshillin Financiar të Kosovës, ndërsa nëna në arsimin paralel”.

Në atë kohë ishte formuar qeveria në ekzil e Kosovës, e cila funksiononte në bazë të Fondit të Tre-përqindëshit, ku derdheshin fonde nga qytetarët e Kosovës dhe të diasporës. Sipas sindikalistit Palokë Berishaj, punëtorët e larguar nga puna u bënë boshti kurrizor i lëvizjes politike. 

Sindikalisti Palokë Berishaj kujton organizimin sindikal të asaj kohe, i cili sipas tij u bë i pathyeshëm. Foto: Artan Krasniqi.

“Përkrah Fondit të Tre-përqindëshit u krijuan edhe fonde tё solidaritetit nё nivel organizatash qё ndihmonin punëtorët e larguar nga puna”, kujton Berishaj. “[Të larguarit nga puna] merrnin pjesë nё demonstrata, mbështetnin arsimin, ishin aktivistë dhe udhëheqës politikë”.

Pёr tё kundërshtuar masat e dhunshme tё Serbisё, largimin e dhunshëm tё punëtorëve, zëvёndёsimin e kuadrove shqiptarë me serbë dhe dhunën qё ushtrohej anembanë Kosovёs, BSPK-ja vendosi tё shpallte grevё tё pёrgjithshme më 3 shtator 1990.

Teksa e kujton ditën e 3 shtatorit, Berishaj thotë se e tёrё Kosova ishte e qetë: asnjë aktivitet, asnjё zё i lartё – qetёsi dhe solidaritet i paparё. 

“Ishte, nё esencë, njё referendum i përgjithshëm dhe absolut i shqiptarëve tё Kosovёs: njё ‘jo’ e madhe ndaj Milošević-it dhe politikës sё tij”, thotë ai. “Natyrisht, kuptonim edhe rreziqet e kёtij veprimi: Serbia shfrytëzoi solidarizimin e punëtorëve me grevën e përgjithshme dhe filloi largimin masiv me dhunё nga puna, duke thyer çfarëdo konvente ndërkombëtare mbi organizimin sindikal”. 

Qё prej vitit 1953 Republika Popullore Federale e Jugosllavisë e kishte ratifikuar Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ndёrsa Konventën Evropiane për Parandalimin e Torturës dhe Dënimeve ose Trajtimeve Çnjerëzore ose Poshtëruese e ratifikoi mё 1987. 

"Nuk ka qenë fare lehtë të qëndrosh në Kosovë kur shumica iknin.”

Rilind Gërvalla

Gjimnazisti Gërvalla kujton se në fillim të viteve ’90 në shkollë shkonte paradite, ndёrsa pasdite punonte herë pas here te një shok i tij në një sallon mobiliesh, duke montuar kuzhina dhe orendi shtëpiake.

“Pagat që merrnin babai dhe nëna së bashku ishin veç sa për të siguruar bukën dhe fletoret për ne fëmijët”, thotë ai. “Librat i huazonim. Rrobat dhe këpucët e palltot i blija të vjetra në tregun e plaçkave, deri në vitin e katёrt të shkollës së mesme”.

Kur e kreu shkollёn mё 1994, ai kujton se përmes shoqërisë e gjeti një vend pune si shitës i akulloreve. Nё ditёn kur u organizua mbrёmja e maturёs, ai tashmё veç kishte filluar punёn e re.  

“Huazova rrobat nga një shok i një shkolle tjetër, mbylla me zinxhirë frigoriferin e akulloreve dhe u vesha në një lokal rrobash aty në qendër të qytetit”, kujton ai. “Flokët i lava me ujë të ftohtë me një sapun duarsh, pak gell sa për t’i rënë në sy ndonjë çike, dhe u nisёm këmbë për në mbrëmjen e maturës…” 

Rilind Gёrvalla, qё ishte gjimnazist nё fillim tё viteve ’90, thotё: “Terrori i madh nganjëherë ishte edhe stimulim për të krijuar këngë e poezi”. Foto nga arkivi personal i Rilind Gёrvallёs.

Kur i kthehet asaj kohe nga perspektiva e sotme, ai thotё se gjenerata e tij ishte e pjekur politikisht dhe e kuptonte se ishte “pjesë e rezistencës për çlirim dhe pavarësim nga shtypja serbe”. 

“Edhe pse ishin vite traumatike, me krenari kujtoj rezistencën e shokëve, angazhimin, veprimtarinë ilegale të familjes sime. Nuk ka qenë fare lehtë të qëndrosh në Kosovë kur shumica iknin”, thotë Gërvalla. 

Diskriminimi i ndihmuar me ligj

Për t’i shkaktuar gjithë këto trauma, shtetit serb pёrveç tjerash i është dashur të bëjë një mori ndryshimesh në legjislacion. 

Pas revokimit të autonomisë së Kosovës në vitin 1989, Kuvendi Popullor i Serbisë nxori edhe dy ligje të veçanta: Ligjin mbi Veprimin e Organeve Republikane në Kushte të Posaçme dhe Ligjin mbi Marrëdhëniet e Punës në Kushte të Posaçme. 

Një studim i Institutit Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit i tetorit të 2019-tës thotё se Ligji i parë është përdorur për t’i dhënë fund rendit kushtetues të ish-Jugosllavisë dhe për heqjen e autonomisë së Kosovës, ndёrsa ligji i dytë, i cili ka qenë i aplikueshëm vetëm në Kosovë, shërbeu si bazë për futjen e masave të përkohshme të dhunshme. 

Avokatja e njohur Nekibe Kelmendi, tashmë e ndjerë, qysh në vitin 1994 kishte përmbledhur në rreth 200 faqe të gjitha ndryshimet diskriminuese në legjislacion, të shtyra nga regjimi i Slobodan Milošević-it qysh në vitin 1994. Për secilin ndryshim në sistemin legjislativ, Kelmendi kishte bërë komentin e saj profesional. Një prej dokumenteve të cituara aty është “Programi për vendosjen e paqes, lirisë, barazisë, demokracisë dhe prosperitetit në Krahinën Autonome të Kosovës”, i publikuar në Gazetën Zyrtare të Serbisë të datës 30 mars 1990. Në fakt, ky program pos paqe e demokraci nuk solli. 

Siç citonte Kelmendi, njё paragraf i këtij programi parashihte “dinamikën e vendosjes së qytetarëve në Kosovë”, e cila siç thuhet aty: “do të harmonizohet me dinamikën e plotësimit të vendeve të reja të punës në fabrikat dhe ndërmarrjet e sapohapura dhe dinamikën e ndërtimit të apartamenteve”.

“Të gjitha kushtet e nevojshme do të sigurohen në mënyrë që nga mesi i qershorit 1990, të organizohet ardhja në Kosovë e grupit të parë të qytetarëve të interesuar”, citonte ajo këtë program.

Fjala ishte për një fazë të re të kolonizimit të Kosovës nga ana e Serbisë. Kelmendi analizonte se “u formuan komisione të posaçme në të gjitha komunat e Kosovës, të cilat fillimisht merreshin me punësimin e serbëve dhe malazezëve në organizata, institucione dhe organe administruese në të gjithë Kosovën, si dhe me sigurimin e kushteve të jetesës për serbët dhe malazezët që vijnë për të jetuar dhe punuar në Kosovë”. 

Kjo periudhë, kur shumica e punëtorëve shqiptarë po shkarkoheshin nga puna dhe po zëvendësoheshin me të tjerë, shoqërohej me efekte të rënda psikologjike. 

Përtej pagave të papaguara si pasojë e largimit nga puna, çështja është nëse mund të kuantifikohet humbja e potencialit shoqëror.

Njomza Llullaku, psikologe dhe profesore në Departamentin e Punës Sociale në Universitetin e Prishtinës, thotë se studimet longitudinare, që përfshijnë observime të çështjes së studiuar për periudha të caktuara kohore, tregojnë se papunësia ka efekt të theksuar në shëndetin mendor. “Ata që janë të papunë raportojnë nivele më të mëdha depresioni, ankthi dhe vetëvlerësim më të ulët”, thotë Llullaku.

Sipas saj, vendimi për të shkarkuar nga puna shumicën e shqiptarëve në fillim të viteve 1990 ishte shpërfaqje e një refuzimi të mirëfilltë ndaj shqiptarëve si qytetarë të Jugosllavisë, si dhe idesë së supozuar të Jugosllavisë. 

“Duke pasur parasysh që efektet negative të papunësisë ishin të njohura tashmë në fillim të viteve 1990, shkarkimi nga puna i shumicës së shqiptarëve është një tregues i qartë dhe i zëshëm i një regjimi që ka vetëm qëllim e vullnet të keq për sa i përket popullsisë lokale”, thotë Llullaku.

Prandaj ajo e kategorizon si “vendim idiotesk nga pikëpamja e të drejtave të njeriut, por që përshpejtoi shkatërrimin e shtetit jugosllav duke u treguar anëtarëve të tjerë të federatës se pavarësia e tyre ishte e prekshme nga tekat e Serbisë”. 

“Më në fund nga pikëpamja psikologjike, kjo vështirësi e zgjatur i detyroi njerëzit të merrnin një qëndrim dhe të luftojnë për drejtat e tyre pasi jeta e tyre varej prej saj”, thotë Llullaku.

Sipas psikologes Njomza Llullaku, kushtet e rënda të jetesës si pasojë e politikave diskriminuese të shtetit serb i detyruan shqiptarët “të krijojnë rrjete më të forta të rezistencës si brenda ashtu edhe jashtë vendit”. Foto: Artan Krasniqi.

Miliardat e humbura 

Përtej diskriminimit mbi baza etnike e të mbështetur me ndryshime ligjore, Kosova ka bërë një përllogaritje të dëmit që i është shkaktuar nga Serbia përgjatë viteve të 90-ta në aspektin ekonomik. 

Një dokument që përmbledh në shifra dëmin ishte hartuar nё vitin 2005, nga Ekipi i Unitetit të cilit i printe presidenti Ibrahim Rugova, e ku ishin të përfaqësuar të gjithë krerët politikë të vendit. Qёllimi i kёtij ekipi ishte pёrfaqёsimi i Kosovёs nё “Negociatat e Vjenёs pёr Statusin Final tё Kosovёs” ndёrmjet Kosovёs dhe Serbisё me ndёrmjetёsimin ndёrkombёtar tё Marti Ahtisaarit, i cili po përgatiste “pakon” që do t’i hapte rrugë shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. 

Profesori i ekonomisë Muhamet Mustafa qe zgjedhur për t’i prirë grupit të ekspertëve të kësaj fushe. Në librin e tij “Kapërcimi i vetmisë”, Mustafa përshkruan në detaje punën e këtij grupi, ku ndёrmjet tjerash tregon se për të llogaritur dëmin ekonomik ata kanë përdorur të dhënat statistikore mbi mesataren e pagës në Kosovë dhe numrin e të përjashtuarve nga puna, që sipas Mustafës jep një vlerësim të saktë në nivelin nacional. 

Në dokumentet e Vjenës të hartuara nga ekspertët nën drejtimin e Mustafës, siç citon ai, thuhet se “trupat administrative dhe të dhunshme në ndërmarrjet shoqërore dhe institucionet e tjera të Kosovës duke filluar nga viti 1990 e pastaj, në mënyrë diskriminuese dhe jashtëligjore kanë përjashtuar nga puna rreth 146,000 punëtorë”. 

E Mustafa tregon se “llogaritur në bazë të mesatares së pagës, pagat e humbura të këtyre punëtorëve arrijnë rreth 4.9 miliardë dollarë, përkatësisht rreth 5.4 miliardë dollarë me një kapitalizim prej rreth 2% në vit”.

Sidoqoftë, përtej pagave të papaguara si pasojë e largimit nga puna, çështja është nëse mund të kuantifikohet humbja e potencialit shoqëror, si dhe dobia që do të kishte shoqëria nga rendimenti i punës së këtyre rreth 146,000 personave, nëse ata do të liheshin të punonin në vendet e tyre të punës. 

Profesori i ekonomisë thotë se një gjë e tillë mund të llogaritet nëpërmjet modeleve të caktuara statistikore, ose në mënyrë të tërthortë edhe me efektet që ka pasur kjo në rënien e prodhimit të brendshëm bruto (GDP) në Kosovë gjatë atyre viteve. “Sipas disa vlerësimeve statistikore kjo arrin diku në rreth 11 miliardë dollarë”, thotë ai. 

Largimi nga puna ka ndikuar në humbjen e kontributeve për sigurimin pensional dhe të përfitimeve tjera, si shtesat për fëmijë.

Ndërsa eksperti i ekonomisë Sokol Havolli, aktualisht zëvendësguvernator në Bankën Qendrore të Kosovës, thotë se nuk është e lehtë të bëhet një vlerësim adekuat për zhvillimet ekonomike të viteve të 90-ta. 

Sipas tij, në vitet ’80 niveli më i lartë i GDP-së për kokë banori ishte i krahasueshëm me rreth 1,700 euro në vit. “Ky nivel gjatë viteve ’90 pësoi rënie drastike në nivel të krahasueshëm me 500 euro në vit. Ndërsa në vitin 1998-1999, GDP për kokë banori ka shënuar rënie në rreth 250 euro në vit. Pra, ekonomi plotësisht e shkatërruar”, thotë Havolli. 

Në rrafshin individual, Mustafa thekson se natyrshëm që njerëzit do të kishin pasur ambicie për avancim në punë, që rëndom përkthehet me rritje të pagës.“Pra një dëmtim i rëndë i strukturës dhe cilësisë së kapitalit human dhe atij intelektual, që është qenësor për zhvillimin e një vendi”, thotë ai.

Për më tepër, ai shpjegon se largimi nga puna ka ndikuar në humbjen e kontributeve për sigurimin pensional dhe të përfitimeve tjera, siç kanë qenë, për shembull, shtesat për fëmijë. 

E ish-sindikalisti Palokë Berishaj thotë se në atë kohë, gjenerata e tij ishte nё kulmin e kapaciteteve tё veta fizike dhe psikike; tё etshëm pёr punë dhe plot entuziazëm. “Natyrisht, 10 vjet jashtë vendeve tё punës, jashtë profesionit, ёshtё dëm i pariparueshëm”, thotë ai. 

Dialogu pa efekt 

Në aspektin politik, pala kosovare është treguar neglizhente sipas Mustafës, i cili ka qenë edhe deputet në Kuvendin e Kosovës në vitet 2014-2017. Ai thotë se është lënë hapësirë e pambuluar në ballafaqimin politik me Serbinë.

“Sado që këto aspekte janë studiuar dhe prezentuar edhe para bashkësisë ndërkombëtare në kontekstin e bisedimeve në Vjenë (2006-2007) për statusin e Kosovës, mendoj se nuk kemi qenë sistematikë dhe të përgjegjshëm që këto dhe përgjithësisht aspektet tjera të apartheidit të instaluar nga regjimi i Milošević-it t’i mbajmë përherë të hapura dhe t’i prezantojmë në vazhdimësi”, thotë Mustafa.

Në këto tema, në raport me Serbinë ai sheh një defansivë nga ana e shtetit të Kosovës, të cilën e kategorizon si të pafalshme. 

Në fakt, në marsin e vitit 2011, Qeveria e Kosovës kishte hartuar një Platformë për dialogun teknik ndërshtetëror midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Edita Tahiri — udhëheqëse e Alternativës Demokratike të Kosovës që ishte pjesë e qeverisë së drejtuar nga Partia Demokratike e Kosovës — në atë kohë ishte udhëheqëse në dialogun teknik të ndërmjetësuar nga BE-ja. Ndërsa më vonë, kur dialogu kishte kohë që kishte kaluar edhe në nivel politik e jo vetëm teknik, në negociatat në Bruksel ajo mori pjesë si ministre për dialog dhe zëvendëskryeministres. 

Në kapitullin e tretë të Platformës, ku flitet për agjendën e dialogut, është përpiluar një listë me “çështjet dhe problemet e krijuara në periudhat e luftës dhe të pasluftës”. Aty thuhet se lista nuk është shteruese, derisa pika e tetë ka të bëjë me “dëmshpërblimin për dëmet e luftës nga ana e Serbisë”.

E në marsin e vitit 2014, gati një vit pas nënshkrimit të “Marrëveshjes së Brukselit” për parimet  që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë (19 prill 2013), zyra e zëvendëskryeministres Edita Tahiri kishte hartuar një tjetër dokument që përthekonte temat që Kosova ka interes t’i hapë në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. E katërta në renditje ishte ajo e “reparacioneve të luftës”. 

“Në rastin e dëmeve të luftës në Kosovë të shkaktuara nga ana e Serbisë, në emër të reparacionit si e drejtë ndërkombëtare, shteti i Kosovës si palë e dëmtuar duhet të kërkojë reparacion të bazuar në kompensimin, garancitë dhe satisfakcionin për drejtësinë”, thuhet në këtë dokument.  

Kosova, bazuar në këtë dokument pret që ndër të tjera, kompensimi të përfshijë “dëmtimet fizike dhe morale ndaj shtetit dhe individëve; dhembjet, vuajtjet dhe vuajtjet emocionale; dëmet për mundësitë e humbura përfshirë shkollimin; dëmet materiale dhe dëmet për fitimet potenciale të humbura; dëmet për dinjitetin dhe reputacionin”.

Një ndër pikat që përfshin dokumenti është ajo e “dëmshpërblimit për humbjet e pagave të personave të përjashtuar nga puna për shkak të përkatësisë kombëtare”. Po kështu, aty thuhet se në dialogun e Brukselit synohet të vihet edhe tema e “dëmshpërblimit për shkatërrimin e sistemit pensional”. 

Para kësaj, në Platformë ishte edhe çështja tjetër e lidhur me këtë, ajo “e kthimit të fondit pensional për qytetarët e Kosovës”.

Shteti i Kosovës u ka hedhur "kripë në varrë" pensionistëve të sotëm, po atyre që regjimi serb i shkarkoi masivisht nga puna njëherë e një kohë.

Në lidhje me fondin pensional, argumente të bollshme ka ofruar Adil Fetahu — kur u themelua Ekipi i Unitetit më 2005, ai i printe grupit që merrej me çështjen e përjashtimeve nga puna dhe pagat e papaguara — me artikullin e tij “Në mbrojtje të të drejtave të pensionistëve” (2015), si dhe studimi Çështja e Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor të Kosovës në kontekstin e ‘Finales së Madhe’ eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë (2019).

“Përveç vlerësimit të dëmeve në para që rrjedhin nga shuarja dhe përvetësimi [i fondit pensional], si dhe suspendimi i pagesave të pensioneve për pensionistët kontributdhënës nga ana e Serbisë, nevojitet edhe vlerësimi i dëmeve jo-monetare dhe kostove tjera që ndërlidhen me to”, thuhet në studim. 

Si kundërpërgjigje ndaj kritikave për mospërfshirje këmbëngulëse të këtyre çështjeve në ballafaqimet politike me Serbinë, pala kosovare vazhdimisht ka përdorur arsyetimin se në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian nuk mund të imponojë tema të saj. 

Akti i dytë i diskriminimit

Janë mbushur 12 vjet si shtet i mëvetësuar, e Kosova po e vazhdon në një tjetër mënyrë diskriminimin ndaj gjeneratave. Pra, përveç dështimit në raport me Serbinë, në rrafshin e brendshëm shteti i Kosovës u ka hedhur “kripë në varrë” pensionistëve të sotëm, po atyre që regjimi serb i shkarkoi masivisht nga puna njëherë e një kohë.

Në Kosovë nuk ka pasur sistem pensional nga fundi i vitit 1998 deri në vitin 2001. Tek në dhjetorin e vitit 2001, Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) pati nxjerrë Rregulloren 2001/35 për pensionet, mbi bazën e së cilës rregulloheshin pensioni bazë dhe pensionet e bazuara në kursimet individuale. E aty nuk njiheshin kontributet e paraluftës. 

Pas disa vitesh, më 2007, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në qeverinë e asaj kohe nxori Udhëzimin Administrativ numër 11/2007 për zbatimin e Vendimit numër 13/277 të Qeverisë së Kosovës, i cili kishte për qëllim rritjen e shumës së pensioneve. Deri atëherë shuma mujore e pensionit ishte vetëm 40 euro, për t’u bërë 75 euro në vitin 2008. Por, këtë shumë të rritur do ta përfitonin vetëm ata që arrinin të dëshmonin 15 vjet përvojë pune para luftës, duke bërë kështu ndarjen fillestare në mes të pensionit kontributdhënës dhe atij bazë. 

Një tjetër Udhëzim Administrativ i nxjerrë një vit pas shpalljes së pavarësisë, më 2009, kishte për qëllim të zbatonte një vendim të Qeverisë të marrë po atë vit, që pensionin bazë dhe atë të kontributdhënësve e rriste nga 5 euro, përkatësisht në 45 dhe 80 euro.  

Këto udhëzime u hodhën poshtë në vitin 2014, kur Kuvendi i Kosovës nxori Ligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti, ku kategorizoheshin përfituesit e pensioneve. Pos të tjerave, aty është edhe “pensioni bazik i moshës”, si pension minimal i rregullt mujor i paguar për të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë mbushur moshën 65-vjeçare, pa marrë parasysh a kanë qenë të punësuar apo jo, si dhe “pensioni kontributpagues i moshës” për qytetarët e punësuar të cilët i kanë paguar kontributet në ish-Fondin Pensional të Kosovës para datës 1 janar 1999, sipas dispozitave të Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës.

Udhëzimi Administrativ që mbështet Ligjin për skemat pensionale, kur përcakton kushtet që duhet plotësuar për të fituar statusin e pensionistit kontributpagues, thotë se duhet “të ketë stazh pensional kontributdhënës së paku pesëmbëdhjetë vjet para datës 01.01.1999”. Kjo duhet të dëshmohet me rreth 20 dokumente, sigurimi i të cilave kërkon një shëtitje nëpër plot zyra e institucione.

Jo vetëm kaq, por dikush që sot mbush 65 vjet, nëse është larguar nga puna në vitin 1990, i bie të ketë qenë 30 vjeç. Pra, duhet të ketë nisur të punojë si 15 vjeçar për të arritur 15 vjet përvojë pune.

Aktualisht në Kosovë janë 23 skema pensionale të rregulluara me tetë ligje të ndryshme, të cilat shpesh bien ndesh njëra me tjetrën.

Ndërsa vitet 1989-1999 u njihen si stazh i punës punëtorëve të arsimit, të shëndetësisë dhe të tjerëve që kanë punuar në sistemin paralel të Kosovës nën okupim, pensionistëve të tjerë sot u duhet të mjaftohen me pensionin bazë që nuk e arrin shumën prej 100 eurosh. 

Në një debat parlamentar për të drejtat e pensionistëve kontributdhënës që u mbajt në gusht të këtij viti, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, premtoi se do të bëhet një zgjidhje, teksa e përshkruajti sistemin aktual pensional të Kosovës si një lloj “kaosi ligjor”, ku ka “dikrepancë të madhe”. 

Ai premtoi se me një projektligj të ri “do t’u njihet stazhi i punës të gjithë punonjësve të larguar nga puna me dhunë në vitet 1990-1999 dhe me këtë rast do t’u njihet e drejta në pension kontributiv këtyre punëtorëve të viteve të 90-ta”. Po ashtu tha se do të ndryshojnë edhe aktet nënligjore për njohjen e diplomave të të gjithë pensionistëve, të cilët kanë diplomuar nga viti 1991 deri në vitin 1998. 

Aktualisht në Kosovë janë 23 skema pensionale të rregulluara me tetë ligje të ndryshme, të cilat, siç e pranoi edhe vetë Ministri para deputetëve, shpesh bien ndesh njëra me tjetrën.

E “inxhinieri me karrocë” Sabit Islami, sot përveç rreth 150 eurove që i nxjerr me mund me karrocën e tij, merr edhe një pension të parakohshëm. “Me pas qenë në vendin e punës sot, përveç që i kisha marrë diku rreth 800 euro rrogë, unë i kisha pas 35 vjet përvojë punë”, thotë ai, që llogarit se hipotetikisht pensioni i tij do të duhej të ishte më së paku 400 euro. 

Përherë i disiplinuar në punë, Sabit Islami tregon se ka pasur raste kur ka punuar për 365 ditë rresht, “pa u ndalë hiç”. Foto: Artan Krasniqi.

Në 21 vitet pas luftës ai nuk shkon në Mitrovicë të Veriut me karrocë. “Më vjen inati me m’pa kolegët e me thanë qe qysh e kanë lanë shqiptarët, nuk ia kanë gjetë një vend pune”, thotë plot mllef ai.

Punëtorja tjetër e larguar nga puna më 1990, daktilografja Meleqe Mehmeti-Buzhala, ende e ka para syve rrëmujën që thotë se e kishin shkaktuar punonjësit e UNMIK-ut në një ditë të vitit 1999, kur pas luftës kishin vendosur ta merrnin në shfrytëzim objektin e ish-Gërmisë në zemër të Prishtinës. Para kësaj thotë se të gjithë punonjësit shqiptarë ishin kthyer aty, e me investime vetanake po synonin t’ia kthenin namin ndërmarrjes ku kishin punuar me vite.

“E zgjodhëm një drejtor, shkoi numri i punëtorëve të regjistruar deri në 480, por s’kishin çka me punu”, thotë ajo. “Kur kemi shku një mëngjes, e kemi pa [rrëmujën]; nuk e kuptoj dyert pse i kanë thy. Ja nisëm kishe me protesta kundër UNMIK-ut, na doli policia na qorroi sytë. Shkuam në depo te Dogana, i bëmë si zyra dhe nisëm aty me punu deri në 2007, qaty dikun”, kujton ajo. 

“Diskriminimi po vazhdon edhe më”, vazhdon punëtorja që tani është pensionuar, ndërsa tregon se i është dashur mund i madh për të dëshmuar se i ka 15 vjet pune para luftës së vitit 1999 në Kosovë. 

E Muhamet Mustafa thotë se për gjendjen e këtyre pensionistëve politikanët janë kujtuar vetëm gjatë kohës së votimeve. “Është e vërtetë se zhdëmtimet direkte duhen kërkuar te fajtori, qeveria e Serbisë, e që sigurisht do të vihet në tavolinë në Bruksel, por një pjesë e madhe e [punëtorëve] kanë mbetur keq me pensionet, e pas çlirimit po të mos ishte solidariteti familjar do vihej në pyetje edhe niveli ekzistencial i tyre”, thotë ai.

Ndërsa tinejxheri i viteve ’90 Rilind Gërvalla shtron një pyetje: “A nuk është për turp?”

Përgjigjen e jep vetë. 

“Baba im ta zëmë, vdiq pa punuar asnjë ditë në punë shteti pas luftës, përkundër që konkurroi e në pension për ironi doli mu në ditët kur shteti u pavarësua në 2008. Ç’pleqëri jetuan pas luftës këta kontributdhënës, këta atdhetarë që ndihmuan në çlirim, rezistencë e pavarësim? Me spitale në gjendje të rëndë, pa kujdes, pa e ndier dorën e shtetit. Përmbledhshëm, nuk e kanë merituar këtë të sotme”. K

Imazhi i ballinës nga arkivi personal i Sabit Islamit. 

Ky publikim është pjesë e ciklit të tretë të Programit të bursave për gazetari në fushën e të drejtave të njeriut, mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. Programi bashkëfinancohet nga National Endowment for Democracy. Ky program realizohet nga Kosovo 2.0, në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ) dhe Qendrën për Liri dhe Barazi (CEL). Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e donatorëve.

 

 

 

 

 

  • 16 Dec 2020 - 23:33 | Halil:

    Kam nis punën në arsim, më 1974. Kam vazhduar si gazetar në Radio Mitrovicë deri më 5 korrik 1990, kur na dëbuan nga puna. Pas disa ditësh na dërguan letra që të nënshkruajmë se i perkrahim masat e dhunshme. Nuk pranova. Provova pak punë si argat, në Split, por nuk pati punë. Nisa të punoj mjeshtër kah ana e Pejës. Pesë fëmijët donin bukë. Sot shteti im me ligjin diskriminues më logarit si të pashkollë e sikur mos të kisha punuar kurrë. Çka janë 90 euro? Tash nuk varem nga ai pension, por e kam hallin e atyre që trajtohen (keq) sikur unë. Premtimet e deritashme për ta ndërruar kete ligj, na dolën boshe, sikur premtimet e fushatave.

KOMENTO