Ani pse zgjedhjet janë bërë ndodhi e shpeshtë në Kosovë, diskutimi për atë që njëmend ka rëndësi për jetën e zgjedhësve është i rrallë.
Në tubimet e partive politike, debatet televizive e në atë që shkruhet e thuhet nga dhe për partitë politike flitet shumë për llogaritje e manovrime partiake, sondazhe, slogane e njerëz, e më pak për çështje praktike që në thelb do t’i njoftonin votuesit se çfarë mund të presin pas fushatave zgjedhore. Në parim, vetë fushatat zgjedhore do duhej të ishin në funksion të këtij qëllimi — që votuesit të dinë për çfarë po votojnë.
Midis gjithë kësaj e mbi të gjitha, për ta sfiduar këtë kontekst, në K2.0 kemi folur me ekspertë të fushave të ndryshme dhe përmes përgjigjeve të tyre jemi përpjekur të radhisim disa prej çështjeve që nuk diskutohen e që janë të rëndësishme për votuesit në këtë 14 shkurt.
Përmes serisë “Zgjedhjet 2021, një perspektivë tjetërqysh”, në tetë artikuj të fokusuar në nga një lëmi shtjellojmë se çka konkretisht nuk po merr vëmendjen e duhur, cila është situata e tanishme dhe çka duhet bërë që gjërat të ndërrojnë në favor të qytetarëve. Po ashtu, provojmë që përmes ofrimit të zgjidhjeve largpamëse të informojmë votuesit e ta kthejmë mirëqenien e tyre në qendër të diskutimit.
Perspektivë tjetërqysh për të drejtën tonë për të bërë e përjetuar art
Ndonëse një pandemi mund të tingëllojë si çerdhe e mirë për kreativitet dhe eksplorim artistik, e vërteta është që kultura dhe arti në Kosovë janë goditur rëndë nga pandemia e COVID-19. Sot, pas një viti të vështirë kur shumicës së artistëve e profesionistëve të prapaskenës iu pamundësuan puna e performimi, ky sektor ndodhet në gjendje kritike. Sipas një analize nga Instituti GAP, sektori i kulturës dhe artit ka pësuar rënie prej 82% në deklarimin e qarkullimit vetëm në pjesën e parë të vitit 2020.
Krahas pandemisë, ky sektor shpesh është karakterizuar nga politika publike të atypëratyshme, skema të herëpashershme dhe të kufizuara të granteve dhe vizion të mangët kur vjen puna te krijimi i një themeli të qëndrueshëm për artistët dhe projektet kulturore – qofshin publike a të pavarura – për të ecur përpara.
Institucioneve publike të artit zakonisht u është ndarë buxhet i pamjaftueshëm, gjë që kohë pas kohe ka shpënë në greva për shkak të pagave dhe të burimeve të mangëta. E përkundër mospërkrahjes, skena kulturore e pavarur që mbahet kryesisht në mënyrë të vetvetishme, vazhdon të sjellë vërshime çmimesh e shpërblimesh.
Të shohim se çfarë propozojnë partitë politike për artin e kulturën në katër vitet e ardhshme nëse zgjidhen për të qeverisur.
Diçka e përbashkët janë “ethet muzeore” – pra, premtimet e thuajse të gjitha partive të mëdha për të ndërtuar një varg institucionesh të reja, përfshirë muze të historisë natyrore, të artit bashkëkohor, të arkeologjisë, të etnologjisë, shtuar këtu muzeun e paqes, përmendur nga LDK-ja dhe muzeun e burgut të Prishtinës, përmendur nga VV-ja.
Në programin zyrtar, LDK-ja premton ta ngrisë buxhetin për kulturën, i cili tash përbën rreth 1% të buxhetit të përgjithshëm – pa thënë se si e për sa. Ajo po ashtu premton ofrim të buxhetit “të përshtatshëm” për Qendrën Kinematografike të Kosovës, punime për një inspektorat funksional të trashëgimisë kulturore, për financim të teatrove shtetërorë dhe lokalë dhe për sigurimin e buxhetit që të përtërihet infrastruktura kulturore anembanë Kosovës. Programi nuk përmend në veçanti mbështetjen për sektorin e pavarur të kulturës.
Vetëvendosja ruan disa nga premtimet që pati zgjedhjet e kaluara. Ajo premton financim për të gjitha institucionet kulturore publike, si dhe thotë se do të shtojë financimin për projekte kulturore, përfshirë për teatrot e qyteteve, baletet, ansamblet dhe ndërtimin e një teatri për operan e baletin dhe të një Teatri të ri Kombëtar. VV-ja përmend mbështetjen e skenës së pavarur duke e shumëfishuar numrin e granteve dhe financimin për kulturën e pavarur. VV-ja po ashtu përkushtohet për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore përmes rritjes së numrit të inspektorëve ose monitorimit, ndër të tjera.
Edhe programi i PDK-së ka propozime që pa dyshim janë dëgjuar më parë: rritja e pagave në këtë sektor dhe më shumë fonde për vizitat ndërkombëtare e projektet e reja; përtërirja e infrastrukturës kulturore; dhe anëtarësimi në UNESCO. PDK-ja po ashtu premton t’i përmirësojë kushtet e infrastrukturës së Muzeut Kombëtar të Kosovës, të kompleksit Emin Gjiku, të muzeut në Kalanë e Prizrenit dhe “shumë të tjera”. Ndryshe nga të tjerët, një seksion i tërë i kushtohet funksionalizimit të të drejtave për pronësi intelektuale, fushatave të mëdha për ngritjen e vetëdijes dhe, trajnimeve.
Meqë shumica e partive ende nuk kanë publikuar programet e tyre, ky rund përfundon me AAK-në. Pa ndonjë veçanti të theksuar, AAK-ja premton pavarësi financiare për institucionet kulturore (publike); investime më të mëdha dhe menaxhment më të mirë për fondet në kulturë; mbështetjen e artistëve të rinjë dhe të nismave kulturore; ndërtimin e bashkëpunimit ndërkombëtar kulturor; trajtimin e barabartë për trashëgiminë kulturore; si dhe themelimin e muzeve për asetet unike, çfarëdo kuptimi që mund ta ketë kjo.
Për të kuptuar se a përputhen këto propozime me nevojat e këtij sektori, ne kemi folur me njerëz që punojnë në sektorin e pavarur të kulturës dhe artit: Bashkëpunëtoren për Politika dhe Zhvillim në Fondacionin Lumbardhi Rudina Hasimja; dramaturgun dhe Drejtorin e Qendrës Multimedia Jeton Neziraj; dhe Bashkëpunëtoren e Programit dhe Hulumtimit në Fondacionin Lumbardhi dhe bashkëthemeluesen e PART (punëtorët e artit) Donjeta Murati. Në pyetjet tona për atë se çfarë na mungon, çfarë aspiratash do duhej të kemi dhe si do të mund të vijë ndryshimi, kështu u përgjigjën ekspertët:
Çka po na mungon?
Rudina Hasimja, Fondacioni Lumbardhi:
Për një kohë të gjatë, arti dhe kultura në Kosovë janë zhvilluar brenda një kornize politikash të papërshtashme dhe mungesës së vizionit politik. Mbështetja publike për kulturë aktualisht përfshin vetëm subvencionet dhe investimet kapitale, bashkë me nismat e projekteve, të cilat varen nga vullneti politik i ministrave të kulturës. Kjo qasje ndaj artit dhe kulturës nuk ka arritur të sigurojë një ambient mbështetës për krijuesit dhe nismat, që përkundër gjithë pengesave, kanë arritur të prodhojnë vepra të cilat kanë sjellur suksese vendore dhe ndërkombëtare.
"Kemi harruar të mendojmë për qasjen e qytetarëve të Kosovës në prodhimin dhe përjetimin e artit dhe kulturës."
Individët dhe entitetet prej kohësh janë ballafaquar me një ekosistem kulturor të fragmentuar që dështon t’u oftojë punëtorëve kushte socio-ekonomike për të ndërtuar karrierën ose një praktikë afatgjatë. Ata kanë mungesë të hapësirave për kërkim dhe prodhim, të mundësive për zhvillim, qoftë përmes bashkëpunimeve, mësimit të shkathtësive dhe më e rëndësishmja përmes burimeve financiare.
Në momentin e tanishëm, mungon një diskutim për rëndësinë e artit dhe kulturës, veçanërisht në një mjedis të shkurtimeve post-pandemike. Kjo temë mungon nga debatet e tanishme, të cilat kryesisht përqendrohen në teknikalitete politikash ose në mekanizmat jo të duhur të financimit. Kemi harruar të mendojmë për qasjen e qytetarëve të Kosovës në prodhimin dhe përjetimin e artit dhe kulturës.
Jeton Neziraj, Qendra Multimedia:
Mungon mbështetja financiare për skenën e pavarur kulturore. E, ajo pak mbështetje që i bëhet, është e paorganizuar, e pa-koordinuar dhe nuk shkon aty ku do të duhej të shkonte, pra tek organizatat kulturore të pavarura, të cilat, tani për tani, ekzistojnë e funksionojnë falë mbështetjes së donatorëve ndërkombëtarë. Megjithatë, edhe mbështetja e donatorëve ndërkombëtarë ka ardhur duke u reduktuar me kalimin e viteve, e kështu, ka ardhur duke u tkurrur edhe skena e pavarur kulturore. E kam frikë, nesër do të jetë edhe më e pakët, më e vockël, inekzistente.
E ndërkohë, as mbështetja që u bëhet institucioneve publike të kulturës nuk është e organizuar. Fakti që institucionet publike të kulturës janë tërësisht të varura nga Ministria e Kulturës, respektivisht nga departamentet e kulturës të qyteteve respektive, i bënë këto institucione të paqëndrueshme, por edhe të paafta në krijimin e politikave të tyre menaxhuese e artistike, dhe rrjedhimisht i bënë ato edhe politikisht të kontrolluara.
Në tërësi, do të thoja se shteti nuk ia ka dalë asnjëherë deri më tani të prodhojë politika kulturore, as afatshkurtëra e as afatgjata. Gjithçka është e organizuar sipas një logjike që ky shtet e njeh mirë – madje, shumë mirë do të thoja – e ajo është logjika “tuj pá, tuj bâ”.
Donjeta: [Na mungon] një kornizë që karakterizohet nga një praktikë në politikëbërje që merr paraysh specifikat e mënyrave se si arti dhe kultura materializohen dhe përjetohen, si dhe historinë specifike këtu dhe globalisht. Gjegjësisht, duhet ripërkufizim i paradigmave që e formësojnë punën, iniciativat qytetare dhe politikëbërjen publike feministe, si dhe qasje më e gjerë në pjesëmarrjen dhe përmbajtjen artistike e kulturore në të gjithë Kosovën.
Duhet të theksohet se është e jashtëzakonshme që arti, filmi dhe muzika kanë pasur sukses dhe prodhime kaq domethënëse deri tani. Kjo ka ndodhur falë iniciativave të pavarura, praktikave individuale dhe organizimit në mjedise jo-mbështetëse. Puna në art, si në shumë sektorë të tjerë, shpesh është e padukshme. Në njërën anë, procesi i prodhimit të një vepre arti rrallë kompenzohet. Varet nga marrëdhëniet personale, burimet dhe bazohet në rrethana. Kur kompenzohet, kjo ndodh përmes ngjarjeve dhe kontratave afatshkurta.
Për shkak të këtij niveli të pasigurisë, shpesh praktikuesit e pavarur – veçanërisht artistët – duhet të angazhohen në profesione të tjera dhe nuk kanë shumë qasje në fonde për prodhim e në hapësira pune. Kjo situatë krijon një ambient që lë pak vend për zhvillimin e praktikave të tyre. Me gjasë, po humbasim shumë vepra dhe materiale kulturore që [në rrethana të tjera] do të mund të ishin bërë.
Cilat qëllime duhet të na prijnë?
Rudina: Qëllimi ynë duhet të jetë krijimi i një ambienti kultivues për artin dhe kulturën në Kosovë. Kjo kërkon ndryshimin e qasjes si dhe ndryshime strukturore rrënjësore në nivelin qendror dhe atë lokal. Strukturat shtetërore dhe ato komunale janë ekosisteme komplekse dhe dinamike që fuqizojnë, por edhe kufizojnë format e jetës dhe horizontet e mundësive për qeniet njerëzore që jetojnë në to. Në kuadër të kësaj kornize, ne duhet ta shohim skenën e artit dhe kulturës si hapësirë të mundësive për eksperimentim, imagjinatë dhe emancipim në një mjedis tjetërsues me tendenca për margjinalizim, përjashtim dhe shtypje.
Më e rëndësishmja, duhet të mendojmë se për kë bëhet e gjithë kjo punë. Lehtësimi i qasjes në art dhe kulturë për të gjithë qytetarët është domosdoshmëri që duhet ta drejtojë çdo politikëbërje. Duke pasur këtë parasysh, të gjitha ndasitë ndërmjet institucioneve kulturore shtetërore dhe atyre jo qeveritare duhet të zhduken. Shuma e kufizuar e fondeve për kulturë nuk duhet t’iu bëjë presion akterëve kulturorë të garojnë ndërmjet vete për fondet e pakta nga ministria ose komunat. Kjo duhet të na inspirojë të gjejmë zgjidhje kreative për bashkëpunim, për mësim nga kolegët dhe për iniciativa për zhvillimin e audiencës, në mënyrë që ta ndryshojmë këtë paradigmë të vjetëruar.
Jeton: Duhet të synohet rritje e ndjeshme e buxhetit për kulturën, e bashkë me këtë, edhe ndarje meritore të atij buxheti ndërmjet institucioneve publike të kulturës dhe atyre të pavarura. Por, ndarje sipas një modeli që stimulon ata të suksesshmit e që ndëshkon parazitët dhe zhvatësit. Pra, krijimi i një mekanizmi kredibil dhe fer i ndarjes së buxhetit do të duhej të ishte synimi fillestar.
Në staza më të gjata, duhet medeomos të krijohet një ambient që stimulon zhvillimin e skenës së pavarur kulturore, sepse, përgjatë krejt këtyre viteve të pasluftës, e kemi parë se ajo, në fakt, ka qenë pjesa më vibrante, më e gjallë e më e frytshme e skenës kulturore te ne. Prishtina e ka një teatër të vogël për fëmijë dhe të rinj, por akoma nuk ka teatër të qytetit, aso çfarë kanë qytetet normale kudo në Evropë. Unë ëndërroj për një Prishtinë ku, ta zëmë, do t’ishin së paku pesë hapësira teatrore të pavaruara. Potencial ka, publik do të kishte, jam i sigurt.
Donjeta: Për shkak se arti e synon sublimen, kritikën politike, ngritjen e vetëdijes për çështjet gjinore, për kolonializmin, për racizmin, ai krijon bindjen se nuk mund të riprodhojë pabarazitë jashtë tij. Sipas [kritikut të artit Boris] Groys-it, “në botën tonë bashkëkohore, arti është e vetmja fushë e pranuar e përgjegjësisë personale”. Për më tepër, [sipas tij] për arsye se është kritik dhe i njeh zërat margjinalë, shpesh nuk arrin të depërtojnë në trendet konvencionale.
Kjo pikëpamje ka pasur shumë pasoja komplekse, interesante dhe materiale. Në njërën anë, konsiderohet si praktikë që bëhet vullnetarisht, një hobi, diçka që vetëm pak talente mund ta praktikojnë. Në anën tjetër, përgjithësisht, arti mund të shkaktojë një ndjesi parehatie për publikun.
"Është thelbësore t’i kemi parasysh narrativat konkuruese në artin si kritikë kundër një forme që riprodhon pabarazitë ekzistuese."
Për shkak se strukturat e pabarabarta shoqërore e pengojnë apo e mundësojnë punën me art, atëherë ky është një kontekst që duhet të merret parasysh kur ngriten pyetje për synimin dhe imagjinimin e politikave të reja publike. Ne duhet të synojmë të organizohemi kolektivisht për të kërkuar një realitet që prodhon kuptime të reja ndaj këtyre kornizave. Arti e ka fuqinë të nxjerrë në pah çështje të rënda, të prodhojë dije dhe diskurse, dhe është absolutisht e nevojshme të bëhet i disponueshëm në të gjitha frontet, jo vetëm si publik, po edhe si pjesëmarrës.
Proceset e rimendimit të paradigmave mund të bëhen vetëm kolektivisht përmes sferës publike. Është thelbësore t’i kemi parasysh narrativat konkuruese në artin si kritikë kundër një forme që riprodhon pabarazitë ekzistuese.
Si të arrijmë te ndryshimi?
Rudina: Hapi i parë drejt këtij ndryshimi duhet të jetë hartimi i Strategjisë së Kosovës për Kulturë. Është e pakuptueshme sa kohë është shpenzuar duke vepruar pa vizion dhe pa prioritete të qarta për artin dhe kulturën.
Duke mësuar nga përpjekjet e kaluara të institucioneve shtetërore dhe politikanëve në pushtet për të hartuar një draft-strategji me kontribut të kufizuar nga akterët kulturor, ne duhet të sigurojmë gjithëpërfshirje dhe shqyrtim të mundësive për të krijuar një ekosistem kulturor përkrahës. Këtij hapi duhet t’i paraprijë një rishikim funksional i Ministrisë së Kulturës dhe ekosistemeve kulturore. Legjitimiteti i diagnostikimit duhet të sigurohet nga një vlerësim profesional dhe miratim nga të gjitha partitë në grupet parlamentare dhe nga MKRS-ja, si mbështetëse e procesit.
Paradigma e tanishme që e koncepton aktivitetin kulturor si të ndarë në mes praktikave të insitucioneve kulturore shtetërore dhe atyre të “operatorëve të tjerë kulturorë” nuk na lejon të mendojmë në terma më të gjerë. Vetëm kur i qasemi kësaj çështjeje në terma të potencialit të kulturës për të prodhuar individë reflektues dhe të vetëdijshëm jemi në gjendje të gjejmë zgjidhjet e duhura për problemet e tanishme.
Kjo qasje holistike hap mundësitë për t’u përqendruar në avancimin e kulturën në arsimin formal dhe atë joformal, për të rritur bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar, për të përmirësuar menaxhimin e infrastrukturës kulturore dhe për të siguruar qëndrueshmëri të hapërsirave kulturore.
Jeton: Ndoshta, një fushatë nacionale e tipit “më shumë buxhet për kulturën” do t’mund të ndikonte tek ligjvënësist që buxheti për kulturën të rritet, nga nën 1% e buxhetit total shtetëtor sa është tani, në ndoshta deri në 3%. Dhe kur të ketë një këso rritje të ndjeshme të buxhetit, Ministria e Kulturës duhet pastaj ta krijojë një fond ekskluziv për skenën e pavarur kulturore. Por që ai fond duhet të shpërndahet në mënyrë të mençur dhe transparente. Në fakt, një fond specifik për skenën e pavarur kuluturore, Ministria e Kulturës duhet ta bëjë me apo pa rritjen e përgjithshme të buxhetit për kulturën.
"Institucionet e kulturës duhet të çlirohen nga kthetrat e Ministrisë së Kulturës, e cila tani për tani, i kontrollon, i shantazhon e manipulon si dhe kur të dëshirojë."
Duhet të krijohet një mekanizëm që si synim do t’kishte largimin nga institucionet e kulturës të militantëve partiakë, të parazitëve dhe të zyrtarëve të padijshëm. Kjo natyrisht do të jetë një betejë e gjatë, sepse këto profile, fatkeqësisht përbëjnë shumicën e zyrtarëve në institucionet e kulturës. Megjithatë, sado e dhimbshme, kjo gjë duhet të bëhet, nëse duam të shohim progress në fushën e kulturës.
Shteti duhet t’i rehabilitojë hapësirat e vjetra, objektet e ndryshme të pashfrytëzuara — por edhe disa që tani shfrytëzohen nga bizneset — dhe ato t’i shëndërroj në hapësira kulturore për skenën e pavarur.
Institucionet e kulturës duhet të çlirohen nga kthetrat e Ministrisë së Kulturës, e cila, e thashë, tani për tani, i kontrollon, i shantazhon e manipulon si dhe kur të dëshirojë. Roli, mënyra dhe funksioni i Ministrisë së Kulturës duhet të rimendohet. Nëse jo të shuhet, ajo së paku mund të transformohet në një strukturë më të vogël e më pak burokratike. Dhe e cila, para se burokraci, do të duhej të prodhonte politika kulturore, dhe e cila, në vend se “lakun në fyt” institucioneve publike të kulturës, do t’duhej t’u shërbente dhe t’ua plotësonte nevojat që ato kanë.
Donjeta: Dokumentet e politikave shpesh përjetohen si teknike dhe jo interesante dhe në fakt shpesh janë të tilla. Procesi i zbulimit të pasojave të tyre shoqërore është pikërisht mënyra se si bëhen interesante. Fusha e artit dhe kulturës nuk është vetëm e ndërlidhur me pjesën tjetër të botës më të cilën e ndan të njëjtën hapësirë, por në të vërtetë është thellësisht e rrënjosur në proceset historike rreth saj dhe ballafaqohet me të njëjtat pasoja të qeverisjes së përgjithshme.
Politikat publike duhet të përpilohen me qasje feministe, përderisa vetëm atëherë mund të reflektojnë realitetin që vjen nga arti. Këtu shumë praktika të artit materializohen dhe angazhohen me subversion, feminizëm, queerness dhe pytje për ndërtimin e identitetit.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.