Në thelb | Zgjedhjet2021

Zgjedhjet 2021, një perspektivë tjetërqysh për mjedisin tonë

Nga - 10.02.2021

Me zgjedhje gati çdo dy vjet, midis premtimeve të largëta, K2.0 dëgjon ide për zgjidhje.

Ani pse zgjedhjet janë bërë ndodhi e shpeshtë në Kosovë, diskutimi për atë që njëmend ka rëndësi për jetën e zgjedhësve është i rrallë.

Në tubimet e partive politike, debatet televizive e në atë që shkruhet e thuhet nga dhe për partitë politike flitet shumë për llogaritje e manovrime partiake, sondazhe, slogane e njerëz, e më pak për çështje praktike që në thelb do t’i njoftonin votuesit se çfarë mund të presin pas fushatave zgjedhore. Në parim, vetë fushatat zgjedhore do duhej të ishin në funksion të këtij qëllimi — që votuesit të dinë për çfarë po votojnë.  

Midis gjithë kësaj e mbi të gjitha për ta sfiduar këtë kontekst, në K2.0 kemi folur me ekspertë të fushave të ndryshme dhe përmes përgjigjeve të tyre jemi përpjekur të radhisim disa prej çështjeve që nuk diskutohen e që janë të rëndësishme për votuesit në këtë 14 shkurt. 

Përmes serisë “Zgjedhjet 2021, një perspektivë tjetërqysh”, në tetë artikuj të fokusuar në nga një lëmi shtjellojmë se çka konkretisht nuk po merr vëmendjen e duhur, cila është situata e tanishme dhe çka duhet bërë që gjërat të ndërrojnë në favor të qytetarëve. Po ashtu, provojmë që përmes ofrimit të zgjidhjeve largpamëse të informojmë votuesit e ta kthejmë mirëqenien e tyre në qendër të diskutimit.

Perspektivë tjetërqysh për ekosistemin tonë të brishtë

Është viti 2021 dhe pandemia është vetëm një ndër krizat e shumta që kërcënojnë globin. Një tjetër e tillë që ka marrë hov gjatë gjithë viteve që kemi keqtrajtuar planetin tonë është urgjenca klimatike.

Vetëm në dekadat e fundit, njerëzit ia kanë dalë të emetojnë më shumë gazra të serrës sesa në krejt historinë e njerëzimit, ndërsa temperaturat e globit janë rritur në nivel marramendës. Nëse nuk arrijmë t’i zvogëlojmë emetimet e dioksidit të karbonit, është e gjasshme që deri në vitin 2100, Toka rrezikon të fiket.

Por, a ka ndonjë lajm të mirë? Siç thotë David Wallace-Wells në librin The Uninhabitable Earth (Toka e Pabanueshme), ka mjaftuar një brez për ta shpënë botën në një pikë pothuajse të pakthyeshme, pra mundet që një brez tjetër të veprojë për ta shpëtuar planetin. Ku gjendet Kosova në tërë këtë punë?

Pikësëpari, Kosova ka qenë tërësisht jashtë bisedës klimatike për një kohë të gjatë, sikur kjo pjesë e botës është e paprekur nga efektet e krizës. Problemet janë të thella sepse nuk kanë ekzistuar as politikat e veprimet më minimale mjedisore që mund të kishin shërbyer si themel për t’u zhvilluar më tej. Burimet natyrore janë trajtuar më fort si burime ekonomike e jo si pjesë e një ekosistemi me të cilin duhet të bashkëjetojmë sot dhe në të ardhmen.

Në vitet e fundit, çështjet e lidhura me mjedisin janë ngritur fuqimisht nga qytetarët e anëve të ndryshme të vendit, sidomos problemet sikur mbeturinat, ndotja e ajrit dhe shëndeti i lumenjve që kërcënohen nga ndërtimet e hidrocentraleve. Mungesa e veprimit dhe proaktivitetit për këtë punë nga ana e qeverisë është monumentale, por ka të ngjarë që tash nuk mund t’i ikin më kësaj bisede. Çfarë thonë partitë politike për këtë punë dhe cilat janë planet nëse marrin pushtetin?

Të nisemi nga një temë e nxehtë: saga e hidrocentraleve. Qytetarët në pjesë të ndryshme të vendit kanë kundërshtuar ndërtimin e hidrocentraleve në lumenj të ndryshëm, përfshirë Lumbardhin e Deçanit dhe Lepencin afër Maleve të Sharrit.

Veprimet e AAK-së, që drejton Ministrinë e Mjedisit në qeverinë aktuale në detyrë, flasin mjaft për programin e tyre: ata kanë dhënë lejet e nevojshme që operatori Kelkos të marrë dy licensa 40-vjeçare dhe një të tillë 15-vjeçare për ta shfrytëzuar lumin Lumbardh, pavarësisht nga problemet e shumta për të cilat ministria është dërguar në gjyq, si dhe i është nënshtruar një hetimi parlamentar që ende nuk është përmbyllur.

Tash premtojnë se do ta vendosin një bazë ligjore për të mundësuar rishikimin e licensave të dhëna. Në rregull.

LDK thotë se do t’i rishikojë licensat e tanishme të operatorëve të hidrocentraleve, ndërsa Hajrulla Çeku i Vetëvendosjes ka premtuar në një debat televiziv që do të rishikohen të gjitha licensat dhe lejet — siç përmendet edhe në programin e tyre zyrtar — dhe të shpallet moratorium i përkohshëm për licensimin e hidrocentraleve. Qeveria e kaluar e udhëhequr nga VV-ja ka ndërprerë të gjitha ndërtimet e lidhura me hidrocentralet gjatë qeverisjes së tyre të shkurtër në vitin 2020 dhe planifikon ta bëjë sërish.

"Hidrocentralet e vogla kanë shkaktuar dëme të rënda për ekosistemet lumore dhe për komunitetet që varen nga to."

Bleta Arifi, studiuese e politikave mjedisore

Por mjedisi është temë e madhe që shpeshherë lidhet me planet programatike të partive për prodhimin e energjisë dhe shfrytëzimin e burimeve. Kur flitet për çështjen e tarifave nxitëse — një politikë stimuluese për kompanitë private që të prodhojnë forma të ndryshme të energjisë gjoja të gjelbër — e cila paraqet rrezik të madh për keqpërdorime, partitë përgjithësisht pajtohen për heqjen shkallë-shkallë të tyre, ndërsa disa janë më të zëshëm se të tjerët për këtë çështje.

Të gjitha partitë e mëdha po ashtu pajtohen për ta bërë një rehabilitim të plotë të kompleksit të minierave të Trepçës dhe ka premtime të ndryshme për të sjellë ujë të pijshëm kudo në vend, si dhe për t’i pastruar lumenjtë nga ujërat e zeza. Nëse vazhdon kështu, mbase do ta kemi një transformim të plotë mjedisor. Mbetet të shihet se çfarë veprimesh do t’i ndërmarrin për ta mënjanuar kulturën e shfrytëzimit ekonomik të mjedisit, gjë që sjell më shumë dobi për investitorët sesa për qytetarët.

Teksa mund të doni t’u kushtoni vëmendje të hollësishme programeve të disponueshme partiake (këtu mund t’i gjeni ato të AAK-së, PDK-së, LDK-së dhe VV-së), ne përpiqemi ta japim një këndvështrim më të gjerë duke folur me tre ekspertë të fushës: aktivisti mjedisor Granit Gashi, eksperti i politikave mjedisore Besfort Kosova dhe studiuesja pasdoktorale Bleta Arifi, e cila aktualisht hulumton mënyrën se si tranzicionet e energjisë mund të shfrytëzohen për të vendosur barazi shoqërore anekënd botës. Në pyetjet tona për atë se çfarë na mungon, çfarë aspiratash do duhej të kemi dhe si do të mund të vijë ndryshimi, kështu u përgjigjën ekspertët: 

Çka po na mungon?

Bleta Arifi, studiuese e politikave mjedisore:

Njëra prej temave kyçe që mungon në politikëbërje dhe në debatin publik rreth problemeve mjedisore në Kosovë është çështja e drejtësisë dhe barazisë shoqërore.

Problemi i ndotjes së ajrit është shembull i mirë: shkaktari kyç i ndotjes së ajrit në Kosovë është përdorimi i lëndëve djegëse fosile (si dhe i drurit) në sektorët e energjisë elektrike, ngrohjes dhe transportit. Zgjidhja për të reduktuar emetimet e larta grimcore dhe ato të oksidit të azotit është e qartë: na duhet një tranzicioni i gjelbër në të gjithë këta sektorë.

Mirëpo, duke gjykuar nga debati aktual dhe konfliktet socio-ekologjike që po rezultojnë nga investimet në energjinë e ripërtëritshme në Kosovë, mendoj se ky tranzicion ka nisur keq: qasja në toka, në burime natyrore si dhe fitimet financiare nga eksploatimi i tyre po shpërndahen në mënyrë të pabarabartë. Sektori i energjisë diellore në Kosovë dominohet nga një numër i vogël investitorësh të pasur. E njëjta vlen edhe për hidrocentralet e vogla, një sektor që gjithashtu ka shkaktuar dëme të mëdha në ekosistemet lumore dhe për komunitetet që varen nga to.

Ndërsa përpiqemi të kalojmë nga një sistem energjetik i bazuar në burime fosile te një sistem i bazuar në burime të ripërtërishme të energjisë, duhet të sigurohemi që krahas objektivave ekologjike, politikëbërja të orientohet nga objektiva të drejtësisë dhe barazisë shoqërore.

Granit Gashi, aktivist mjedisor: 

[Na mungon] fuksionimi normal i sistemit qeverisës, i cili do të duhej ta mbronte mjedisin. Ka mungesë vullneti dhe profesionalizmi, gjë që zakonisht shpie te skandalet, sabotimet dhe korrupsioni. Përveç kësaj, ka mungesë monitorimi dhe të të dhënave reale, si dhe në fund, ka mungesë investimesh.

Besfort Kosova, ekspert i politikave mjedisore: 

Është befasi e këndshme të dëgjosh politikanët e ndryshëm, nga parti të ndryshme, që kanë filluar të reflektojnë dhe të mendojnë pozitivisht për mjedisin në vendin tonë. Befasia më e madhe është që vetë këto parti në zgjedhjet e kaluara avokonin për ndërtimin e kapaciteteve të reja me prodhim të bazuar në mentalitetin e vjetër, tashmë të tejkaluara në vendet më të zhvilluara. 

Ndonëse Kosova nuk është anëtare e OKB-së dhe Marrëveshja e Parisit nuk vlen për të, vendi ynë ka marrë obligime në kuadër të Traktatit të Komunitetit të Energjisë. Këto obligime në të ardhmen do të sjellin pa dyshim edhe taksat e karbonit që do të krijojnë një realitet të ri mjedisor në vend.

Ambienti është problem shumëdimensional dhe kërkon mjete të shumta financiare të cilat Kosova i ka shumë të mangëta. Ato pak mjete financiare në dispozicion politika i orienton drejt rezultateve më të dukshme ku edhe votat janë më të shumta. 

Kësisoj, për shembull Kosova ka mjete financiare të paguajë autostrada 700 milionëshe por nuk i bën ballë që t’i sigurojë 70 milionë euro për elektrofiltra, në mungesë të së cilëve banorët në Prishtinë jetojnë shumë më pak se në qytete tjera të Kosovës si pasojë [ndër të tjera] e hirit fluturues që lirohet nga këto centrale me djegie të thëngjillit.

Cilat qëllime duhet të na prijnë?

Bleta: Duhet të imagjinojmë një tranzicion që sjell më shumë barazi shoqërore. Kjo nuk vlen vetëm për tranzicionin e sistemit energjetik, por edhe për planifikimin urban, tranzicionin në mobilitet, në bujqësi, ujëra, e kështu me radhë.

Në kontekstin e tranzicionit energjetik, kjo do të thotë se duhet të shtrohen pyetje rreth asaj se kush do të përfitojë nga zhvillimet e reja, si parqet e erës dhe ato diellore, si dhe kush po margjinalizohet apo ndikohet negativisht.

"Ngurrimi i politikanëve për ta ndaluar degradimin mjedisor në Kosovë është i çuditshëm."

Granit Gashi, aktivist mjedisor

Sa për ilustrim, qeveria do të mund të dizajnonte skema mbështetëse, të cilat do t’ua mundësonin komuniteteve rurale themelimin e kooperativave energjetike, në mënyrë që këto të fundit të instalojnë panele solare në tokat e tyre, në vend se t’ua shesin tokat investitorëve të pasur nga qendrat urbane. Në përgjithësi, kur planifikohen projektet e energjisë së ripërtëritshme, duhet të merren parasysh nevojat e popullatave të ndikuara nga ndërhyrjet në mjedis dhe ndërtimi i infrastrukturave energjetike. Kjo e bën të domosdoshme përfshirjen e mirëfilltë të komuniteteve në proceset e rëndësishme planifikuese dhe vendimmarrëse.

Ngjashëm, do të duhej që qytetet të përqendrohen më pak rreth automjeteve dhe të shpërndajnë në mënyrë më të drejtë hapësirën publike. Duhet të synojmë të kemi qytete më të përshtatshme për këmbësorë dhe biçiklistë, me një sistem të mirë dhe të lirë të transportit publik, si dhe me më shumë hapësira publike të gjelbra.

Graniti: Ngurrimi i politikanëve për ta ndaluar degradimin mjedisor në Kosovë është i çuditshëm. Veprimi i tyre [në këtë drejtim] nuk do të ishte vetëm i drejtë, por edhe shumë i popullarizuar. Si sektor civil, ne duhet t’ua ngulisim këtë ide në kokat e politilkanëve.

Besforti: Aspiratat tona do të duhej të orientoheshin drejt edukimit mjedisor dhe politikave që janë miqësore me mjedisin; në rend të parë [duhet të sigurohet] rritja e buxhetit për mjedis sepse është jashtëzakonisht i ulët. [Po ashtu duhet] të ndiqen politika që kanë për qëllim jetesën tonë si shoqëri në harmoni me mjedisin, të ngritet numri i inspektorëve, të rritet ndërgjegjësimi.

Këto arrihen me politika të drejtuara nga mjedisi. Ngritja e politikave mjedisore nënkupton më shumë buxhet për mjedisin, më shumë projekte mjedisore, më shumë ndërgjegjësim mjedisor, më pak ndotje dhe shëndet më të mirë, mirëqenie më të lartë për njerëzit. 

Si të arrijmë te ndryshimet?

Graniti: Tash, organizatat joqeveritare — krahas raportimit dhe dokumentimit — po i dërgojnë çështjet në gjykatë.

Si aktivistë për mjedisin, ne kemi folur me shumë politikanë në debate të panumërta politike, si dhe me shërbyes civilë në ministritë përkatëse; po ashtu kemi dalë në rrugë për ta shfaqur mosbindjen tonë. Nga politikanët kemi marrë justifikimin e famshëm të mosveprimit: “Na shtyni të veprojmë”. Dhe në ministri na është thënë “jozyrtarisht” shumë e shumë herë: “Nuk do t’ia zëmë udhën zhvillimit tonë ekonomik”, që do të thotë se [ministritë nuk] zbatojnë ligjin [sepse kjo] do t’ua vështirësonte punën investitorëve.

"Kosova nuk ka nevojë të shpikë ndonjë gjë, thjesht të ndjekë shembujt më të mirë që vendet tjera kanë ndërmarrë në këtë stad të zhvillimit socio-ekonomik që është vendi."

Besfort Kosova, ekspert i politikave mjedisore

Për ta dërrmuar këtë mentalitet duhet ta dërgojmë qeverinë në gjyq sa më shumë që mundemi. Duhet të bashkohemi si sektor civil, duhet të bëjmë beteja ligjore derisa qeveria të humbë aq shumë para sa kjo të bëhet çështje prioritare dhe e ndryshimit urgjent të politikave.

Bleta: Në rrafshin strukturor, duhet të përpiqemi ta ndryshojmë mënyrën si mendojmë dhe si flasim për problemet mjedisore dhe zgjidhjen e tyre. Mund të fillojmë duke mbështetur aktivizmin lokal (grassroots), i cili zakonisht e vë theksin te drejtësia mjedisore, e drejta qytetare për hapësira të shëndetshme dhe të pakomercializuara, te një qytet i përshtatshëm për këmbësorë, si dhe e drejta për ajër dhe ujë të pastër. Një mobilizim i tillë do të ndihmonte për ta krijuar bazën ideore dhe mbështetjen publike për politika mjedisore që e rrisin barazinë sociale. 

Në kontekstin e politikave energjetike, duhet t’u bëjmë thirrje politikanëve që të heqin dorë nga logjika e eksploatimit dhe mihjes, e cila e karakterizon diskursin zhvillimor në Kosovë. Qeveria e ardhshme duhet ta vë në lëvizje tranzicionin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) nga modeli i centralizuar thëngjillor në një model të ripërtëritshëm dhe decentral.

Për më tepër, duhet ta rishikojmë regjimin e politikave për zhvillim të energjisë së ripërtëritshme nga perspektiva e barazisë sociale. Në këtë drejtim, planifikimi hapësinor është një prej sferave kyçe. Për shembull, komunat rurale dhe strukturalisht të dobëta në Gjermani kanë zgjedhur të lejojnë ndërtimin e fermave të erës vetëm në prona publike. Duke lëshuar me qira tokën për zhvilluesit e projekteve, komuna merr një pagesë vjetore për secilën turbinë të erës që ngritet në territorin e vet. Ky është një burim i rëndësishëm shtesë i të ardhurave, të cilin komunat e investojnë në shërbime publike, të cilat sjellin dobi për gjithë komunitetin, e jo vetëm për një pronar privat toke.

Modelet e tilla nuk mund të replikohen në tërësi në kontekstin kosovar. Megjithatë, mund të na shërbejnë si shembull për mënyrën se si politikat publike dhe planifikimi hapësinor mund të shfrytëzohen për t’i zbutur disa nga padrejtësitë hapësinore dhe shpërndarjen e pabarabartë të përfitimeve që rezultojnë në kontekstin e investimeve në projekte të energjisë së ripërtëritshme.

Besforti: Kosova nuk ka nevojë të shpikë ndonjë gjë, thjesht të ndjekë shembujt më të mirë që vendet tjera kanë ndërmarrë në këtë stad të zhvillimit socio-ekonomik që është vendi. Kështu, i rëndësisë primare është ndryshimi i mentalitetit dhe shikimi strategjik drejt së ardhmes. 

Politikat publike duhet të orientohen në mënyrë strategjike — në këtë mënyrë sigurohet që vendi do të jetë në hap me zhvillimet teknologjike dhe ekonomike të cilat janë duke u ndjekur nga bota e zhvilluar. 

Rëndësia primare është që politikat publike, diskursi politik dhe ana buxhetore të reflektojë që mjedisi të jetë prioritet për qeveritë e ardhme. Kjo arrihet me orientim dhe zotim të qartë të politikave të partive, të ingrazhuara edhe në programet e tyre politike. Dhe ndryshimi i madh duhet të fillojë që nga statutet e partive, ku mjedisi duhet të jetë prioritet me fjalë dhe me vepra, dhe besa edhe me mjetet e ndara buxhetore. Pa mjete financiare të gjitha këto mbesin vetëm dëshira të mira.K

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.