Pikëpamje | Maqedonia

Partitë shqiptare ka gjasa të jenë vendimtare për formimin e qeverisë së ardhshme në Maqedoni

Nga - 14.12.2016

Negociatat komplekse dhe mbase të kota priten pas rezultateve të zgjedhjeve pa fitues të bindshëm.

Nata e 11 dhjetorit ishte shumë e gjatë në mbarë Maqedoninë, ndërsa shpresat zgjedhore të shumë njerëzve mbaheshin për fije peri. Mediat sociale ishin përplot porosish shprese e fitoreje, dhe të tjera plot frustrim. Përgjatë gjithë numërimit të votave dallimet ishin të ngushta, ndërsa partia në pushtet, VMRO-DPMNE, udhëhiqte me një diferencë të vogël.

Uebfaqja e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KShZ) ishte e stërngarkuar dhe nuk funksiononte si duhet. E kur funksiononte, pamjet e kapura të cilat pastaj shkëmbeheshin ndërmjet njerëzve dukeshin të dyshimta për shkak të përqindjeve të pazakonshme dhe të pasakta – një gabim pë të cilin ky organ ende nuk ka dhënë shpjegim.

Për ta rritur edhe më shumë hutinë e kësaj nate, shumë parti politike shpallën fitore. Si VMRO-ja ashtu dhe Unioni Social Demokratik (SDSM) i ftuan mbështetësit e tyre të dalin të festonin, dhe simpatizantët e SDSM-së dolën para Parlamentit. BESA, partia e re në këto zgjedhje, gjithashtu shpalli fitore dhe nisi festimet në disa komuna. Në anën tjetër, lideri i partisë shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), dha një deklaratë të ngrysur, gjithashtu duke shpallur fitore por njëkohësisht duke shprehur trishtimin që partitë shqiptare kishin humbur shumë ulëse në parlament krahasuar me vitin 2014, me shtatë deputetë më pak.

Përkundër kësaj humbjeje, disa sosh i konsiderojnë partitë shqiptare si fitueset më të mëdha, dhe nëpët media sociale e kolumne të ndryshme ato quhen ‘vendimtare’. Këtë titull e morën si rezultat i margjinës së ngushtë të fitores së partisë udhëheqëse –  një dallim prej vetëm 17,696 votave, që është shumë larg nga shumica absolute të cilën e kishin fituar në pesë palë zgjedhje të kaluara.

Tani, VRMO-së për herë të parë do t'i duhen ulëset e një partneri koalicioni, dhe do të detyrohet të jetë më e vëmendshme karshi kërkesave të tyre.

Nga partitë që kanë fituar mjaft vota për të siguruar përfaqësim në kuvend, VMRO-ja fitoi 51 ulëse, 10 më pak se në zgjedhjet e kaluara, derisa SDSM-ja fitoi 49 ulëse, 15 ulëse më shumë në krahasim me zgjedhjet e kaluara. Barazpesha gjithashtu u lëkund në ‘kampin shqiptar’, ku BDI-ja ka fituar vetëm 10 ulëse; BESA doli me 5 ulëse; Aleanca për Shqiptarët me 3 ulëse, dhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSh) me dy ulëse. Mbase humbja më e madhe është ajo e PDSh-së sa i përket fuqisë dhe statusit, sepse ajo kaloi nga partia e dytë më e madhe shqiptare në Kuvend, në atë të fundit.

Tradicionalisht, Qeveria e Maqedonisë është formuar me koalicion ndërmjet partive maqedonase dhe atyre shqiptare të cilat e kanë fituar shumicën e votave të komuniteteve të tyre përkatëse. Sivjet, VMRO-ja dhe BDI-ja kanë fituar numrin më të madh të votave, por asnjëra prej tyre nuk ka siguruar numra të mjaftueshme në kuvend për të garantuar marrjen e pushtetit. VMRO-ja nuk ka arritur të fitojë shumicën e plotë dhe do t’i duhet një partner koalicioni për të qeverisur, derisa BDI-ja me numër të barabartë ulësesh me atë të partive të tjera shqiptare së bashku nënkupton që kjo parti mund edhe të mos jetë opsion i parë për partner koalicioni.

Për VMRO-në, çështja bëhet edhe më e koklavitur. Pas zgjedhjeve të vitit 2014, partia kishte 61 ulëse që nevojiten për të formuar qeverinë pa partner koalicioni, dhe ftesa që i bëri BDI-së ishte në fakt çështje procedurale. BDI-ja nuk mund ta shtynte përpara asnjë agjendë, për shkak se VMRO-ja shumë lehtë mund t’i kërcënonte me udhëheqje pa këtë parti. E tash, VRMO-së për herë të parë do t’i duhen ulëset e një partneri koalicioni, dhe do të detyrohet të jetë më e vëmendshme karshi kërkesave të tyre.

Gjasat që VMRO-ja të formojë koalicion me tri partitë tjera shqiptare, të cilat së bashku kanë numër të njëjtë ulësesh me ato të BDI-së, gati sa nuk ekzistojnë sepse ato nuk kanë kurrfarë simpatie si për liderin e VMRO-së, Nikola Gruevskin, ashtu edhe për njëra-tjetrën. Nëse VMRO-ja nuk arrin të formojë koalicion me BDI-në, topi do të jetë në fushën e SDSM-së, dhe për të arritur shumicën në parlament, atyre do t’u duhet të formojnë koalicion me BDI-në dhe së paku edhe me një parti të vogël shqiptare.

Vendimtarët

Teksa po numëroheshin votat e fundit, u bë e qartë se dallimi ndërmjet VMRO-së dhe SDSM-së ishte shumë i vogël, dhe se ose njërës ose tjetrës do t’i duhet një koalicion më i madh për të formuar qeverinë. Zgjidhja e vetme e mundshme, përveç një bashkimi ndërmjet tyre që ka gjasa shumë të vogla të ndodhë, do të mbetet zhvillimi i bisedimeve me partitë shqiptare.

Kurrë më parë nuk ka pasur interesim aq të madh për partitë shqiptare në Maqedoni sesa për këto zgjedhje. Ishte ky një ndryshim i mirëseardhur, megjithëse jo domosdoshmërisht jetëgjatë. Përkundër euforisë që partitë shqiptare tani mund të jenë lojtarë kyçë, dhe mund ta bëjnë të mundur humbjen e VMRO-së për herë të parë që nga viti 2006, gjërat mund të mos jenë edhe aq të thjeshta.

Pikësëpari, asnjëherë nuk ka ndodhur që një parti shqiptare të rreshtohet me një parti maqedonase e cila nuk e ka shumicën e votave. Deri në këto zgjedhje, gjithmonë ka qenë e qartë se cila ishte partia fituese maqedonase dhe ajo e zgjedhte një parti shqiptare për bashkëqeverisje. Megjithëse mungesa e një precedenti mund edhe të mos jetë problem në vetvete, çështja prapëseprapë bëhet e koklavitur.

Në vitin 2006, VMRO-ja e zgjodhi BDI-në si partnere koalicioni, edhe pse ajo nuk e kishte fituar shumicën e votave shqiptare, duke vënë në pah se kjo zgjedhje ishte e bazuar në koncepte ideologjike. BDI-ja e cila kishte fituar më së shumti vota në raport me partitë tjera shqiptare, konsideronte se ajo duhet të ishte partnere koalicioni sepse ishte partia më e votuar shqiptare, dhe se për ta respektuar vullnetin e komunitetit shqiptar partia në pushtet do të duhej ta zgjedhte atë. Ky diskutim i ashpër çoi në zgjedhje të hershme në vitin 2008 , pas së cilave VMRO-ja e zgjodhi BDI-në si partnere koalicioni, pasi përsëri fitoi shumicën e votave shqiptare.

Ky argumentim është i rëndësishëm, sepse VMRO-ja mund të thirret pikërisht në të, duke përdorur argument të gabuar. Për më tepër, po të mos kishte qenë VMRO-ja pjesë e qeverisë, përplasja do të mund të ishte përsëri e njëjtë, me argumentin se vota e maqedonsave etnikë nuk po respektohet. Një pjesë e votuesve të VMRO-së e përkrahin atë pikërisht për shkak të retorikës së tyre nacionaliste dhe kundërshtuese ndaj shqiptarëve. Ata mund të pohojnë, siç e bënë këtë në media sociale, se nuk mund të lejojnë që “shqiptarët të flasin për ta”, ku me “ta” i referohen ekskluzivisht maqedonasve.

Cilado parti që vendos të hyjë në koalicion me VMRO-në sigurisht do të humbë edhe më shumë përkrahës, dhe ka gjasa të bëhet parti e së kaluarës në zgjedhjet lokale të vitit 2017.

Ka disa rrugëdalje nga ky argumentim. Pikësëpari, VMRO-ja nuk e ka shumicën krahasuese të cilën BDI-ja e ka pasur në vitin 2006. Së dyti, mund të konsiderohet se argumenti i BDI-së bazohej në frymën e Marrëveshjes së Ohrit — marrëveshje e cila u nënshkrua në përfundim të konfliktit të vitit 2001 — derisa mospjesëmarrja në koalicion me VMRO-në nuk ka implikacione të tilla. BDI-ja gjithashtu mund të pohojë se koalicioni qeverisës me VMRO-në mund të mos jetë në interes të mirëqenies në vend, dhe integrimeve europiane, që është synim i vazhdueshëm prioritar i kësaj partie.

Megjithatë, me gjithë këto argumente, retorika mund të bëhet e poshtër. Shumë maqedonë i kanë lavdëruar shqiptarët të cilët nuk votuar për SDSM-në, jashtë vijave të tyre etnike. Do të ishte mirë që ata t’i përmbahen këtij vlerësimi nëse dhe kur shqiptarët bëhen qendër e mllefit nacionalist.

Problem shtesë është edhe mungesa e konsenzusit brenda partive shqiptare. Partitë e reja nuk kanë arritur të bëjnë koalicione parazgjedhore, edhe pas disa përpjekjeve (me gjysmëzemër). BESA në veçanti ka nxjerrë dobi (apo ka manipuluar) nga mungesa e një koalicioni, por njëkohësisht duke u joshur nga kjo ide. Protesta e 9 majit është shembull i qartë – një ngjarje në dukje jopartiake ku lideri i partisë BESA megjithatë mbajti fjalim, me gjithë zhgënjimin e liderëve të tjerë që ishin të pranishëm. Nga të gjitha partitë, BESA është më e paparashikueshmja dhe nuk është e sigurtë se si do t’i zhvillojë bisedimet. Duke qenë parti pro Erdoganit, a do të ishte më lehtë të ishte pro Gruevskit, përkundër pohimeve të tyre?

Të marten qarkulluan lajmet se Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i kishte ftuar të katër liderët e partive politike shqipare në një takim, por se deri më tani vetëm përfaqësuesit e Lëvizjes për Reforma të Partisë Demokratike Shqiptare (si pjesë e koalicionit Aleanca për Shqiptarët) u takuan me të. Një takim i partive shqiptare do të ishte hap i mençur, megjithëse ndoshta jashtë “patronazhit” të Edi Ramës, nëse e kanë me gjithë mend përmirësimin e pozitës së shqiptarëve të Maqedonisë dhe të vendit në përgjithësi. Por, ka kombinime koalicionesh qeverisëse të cilat vërtetë mund t’i dëmtojnë disa prej këtyre partive.

Nëse BDI-ja hyn në koalicion me PDSh-në, kjo do ta dëmtojë seriozisht reputacionin e kësaj partie, meqë do t’i shkojë për shtati teorive që kanë dalur nga përgjimet se BDI-ja dhe PDSh-ja, përkundër rivalitetit të tyre publik, kanë bashkëpunuar gjatë gjithë kohës.

Ngjajshëm, një koalicion ndërmjet PDSh-së dhe Alencaës për Shqiptarët duket i pamundur, meqë lideri i koalicionit, Ziadin Sela, është gjithashtu kryetar i Lëvizjes për Reforma – PDSh, fraksion i cili e braktisi PDSh-në për shkak të mospajtimeve të mëdha me liderin e kësaj partie, Menduh Thaqin, dhe me politikat e tij.

Ajo që është më e rëndësishme është se cilado parti që vendos të hyjë në koalicion me VMRO-në sigurisht do të humbë edhe më shumë përkrahës, dhe ka gjasa të bëhet parti e së kaluarës në zgjedhjet lokale të vitit 2017. Shumë shqiptarë që votuan për SDSM-në, siç e nxori në pah Besa Arifi në një artikull të botuar së fundmi, e bënë këtë për shkak se besuan se kjo do të ishte metoda më e besueshme për t’i dhënë fund politikës së Gruevskit. Nëse partitë shqiptare në fund hynë në koalicion me VMRO-në, sidomos me Gruevskin kryeministër (për ç’gjë të gjithë kanë deklaruar se nuk do të lejojnë diçka të tillë), ato do të humbin legjitimitetin në sytë e votuesve të tyre.

Gjithashtu duhet theksuar se SDSM-ja, e cila tani për herë të parë ka siguaruar elektorat shqiptar i cili pjesërisht i ndihmoi të fitojë më shumë vota, duhet t’u kushtojë vëmendje nëse ata ftohen për të formuar koalicion qeverisës. Nëse i kthehet premtimit të vizionit civil për Maqedoninë, SDSM-ja kurrë më nuk do t’i fitojë ato vota.

Shpresat dhe pritjet

Para zgjedhjeve e pata shtruar argumentin se beteja e vërtetë e Maqedonisë do të fillojë pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit, dhe përsëri thirrem në këtë argument. Rezultatet e zgjedhjeve dëshmojnë menjëhershmërinë e kësaj beteje, dhe nevojën që pala fituese ta sjellë një të ardhme që dallon nga e kaluara.

Maqedonia ballafaqohet me ndarje jo vetëm në vija etnike, por edhe në ato partiake, të cilat dalin të jenë po aq të thella, dhe me potencial të një retorike shkatërrimtare. Partitë dhe mbështetësit e tyre duhet të përmbahen nga armiqësia ndaj votuesve dhe t’i përqendrojnë kritikat e tyre te vetë partitë.

Tekefundit, të gjitha partitë duhet ta kenë parasysh se rezultati i përnjëmendtë i zgjedhjeve, dhe se cilat parti do ta qeverisin vendin, do të na tregojnë se cilat parti kanë gjasa të jenë pjesë e së kaluarës në zgjedhjet e ardhshme nacionale.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO