Biseda | Film

Blerta Zeqiri: Romeo dhe Xhulieta e kohës sonë është dashuria ndërmjet personave të të njëjtit seks

Nga - 23.12.2017

Regjisorja kosovare flet për dashurinë e ndaluar, procesin e regjisë dhe gratë në botën e filmit.

Filmi i parë i metrazhit të gjatë i Blerta Zeqirit ia solli dy çmime me premierën botërore. Por një moment pas shfaqjes së parë i dha regjisores më së shumti kënaqësi.

Një grua nga publiku iu afrua Zeqirit dhe ekipit të saj, dhe u tha me sy të përlotur: “Babi im e braktisi nënën, motrën dhe mua për këtë arsye. Gjithmonë kam qenë e hidhëruar me të.

Asnjëherë nuk kam dashur të bisedoj për këtë, e as të dëgjoj për të. Kjo është hera e parë që po e kuptoj çka ka ndodhur”.

“Martesa”, me regji të Zeqirit, u shkrua nga ajo dhe partneri i saj, Kreshnik “Keka” Berisha. Premiera u shfaq në Black Nights Film Festival në Talin të Estonisë. Filmi rrëmbeu dy çmime në ceremoninë e mbylljes, më 2 dhjetor. Filmi po garonte në kategorinë ‘First Feature Competition’ (Gara për Filmin e Parë të Metrazhit të Gjatë) mes 15 filmave të tjerë debutues. “Martesa” u shpërblye me Çmimin Fipresci. Gjithashtu fitoi edhe Çmimin Special të Jurisë për Ansamblin e Aktorëve. Menjëherë tërhoqi vëmendjen e kritikëve, të cilët e quajtën si një prej filmave më të mirë që debutuan sivjet në botën e filmave europianë.

“E bëra këtë film për dashurinë e pamundur ndërmjet dy personave të të njëjtit seks, sepse unë mendoj se ndalimi i dashurisë në emër të normave shoqërore është absurd. Dashuria nuk është krim. Ndalimi i saj është. Pra dua t’ia kushtoj këtë çmim ndjenjës më të bukur në botë: Dashurisë”, tha Zeqiri kur e mori çmimin.

Filmi eksploron një trekëndësh dashurie ndërmjet Bekimit (Alban Ukaj), Anitës (Adriana Matoshi) dhe Nolit (Genc Salihu): Anita dhe Bekimi po bëhen gati të martohen.

Anita është në pritje të lajmit për vendndodhjen e prindërve të saj, të cilët humbën gjatë luftës në Kosovë. Planet e tyre ndërlikohen kur i dashuri i dikurshëm i Bekimit, Noli, kthehet nga bota e jashtme.

Zeqiri mendon se dashuria ndërmjet personave të të njëjtit seks përfaqëson versionin bashkëkohor të tregimit të Romeos dhe Xhulietës. Ajo thotë se dashuria, dashuria e pamundur, ishte ideja kryesore e filmit.

“Dëgjonim komente të publikut që thonin se nuk e panë si film LGBTI, por si film për dashurinë”, thotë Zeqiri. “Kjo më bëri shumë të lumtur sepse ky ishte qëllimi”. Ajo shpjegon se në vend se t’i reduktonte njerëzit në seksualitetin e tyre, ajo deshi t’i paraqiste ata si persona.

Zeqiri kishte ëndërruar të bëhej tregimtare prej kur jetonte në Suharekë si vajzë e re. Ajo iu largua qëllimit të saj fillestar, studimit të letërsisë, pasi vendosi të tregonte histori nëpërmjet filmit. Por një bisedë në Fakultetin e Arteve në Prishtinë bëri që ajo ta ndalte këtë për një kohë të gjatë.

“Regjia nuk është profesion për gra, sepse kërkon përkushtim me orar të plotë. Mund të martohesh të nesërmen dhe ta lësh gjysmë të kryer”, kujton ajo t’i ketë thënë një profesor kur kishte shkuar për ta pyetur për procesin e aplikimit.

E dekurajuar, ajo nisi të studionte dramaturgjinë, dhe fillimisht shkroi skenare për kolegët e saj regjisorë. Por për shkak të dëshirës së saj për t’i parë tregimet e saj të kthyer në filma, dhe e nxitur nga motra e saj regjisore, Lendita Zeqiri, ajo shkoi në Paris për studime, duke u fokusuar në regji dhe shkrim të skenarit.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Në vitin 2004 ajo ishte njëra prej regjisorëve të filmit të shkurtër “Exit”. Kjo ia hapi rrugët për filma të tjerë të shkurtër, përfshirë këtu “OK”, “Darka” dhe “Kthimi”; me këtë të fundit Zeqiri fitoi çmimin për filmin më të mirë të shkurtër artistik në Sundance Film Festival, duke u bërë kështu njëra prej regjisoreve më të mira të Kosovës.

Ajo thotë se bota e filmit në Kosovë ka hyrë në një epokë të re, në të cilën regjisoret kanë më shumë mundësi sa i përket financimit nga Qendra Kinematografike e Kosovës, dhe po bëjnë art të bukur.

K2.0 bisedoi me Zeqirin pas kthimit të saj nga Talini, për të folur për frymëzimin për filmin e saj të parë të metrazhit të gjatë, për dashurinë dhe praninë e grave në botën e filmave kosovarë.

K2.0 “Martesa” debuton në festival për herë të parë dhe fiton dy çmime. A e keni pritur këtë?

Blerta Zeqiri: Aspak. Sepse filmin e kemi punuar për një kohë shumë të gjatë. Janë bërë pesë vjet prej kur ia kemi filluar punës. Dhe kah fundi e humbëm disi të gjithë ndjenjën dhe nuk e dinim më se çka kemi bërë. A kemi bërë diçka mirë, a do të pëlqehet apo jo? Thjesht, me padurim pritshim të shohim se a do ta kuptojë dhe si do ta presë publiku.

Në Talin audieca ishte e huaj, dhe nuk e dinim a do të kuptojë së pari gjendjen se çfarë është në Kosovë dhe atë çka paraqet fimi. Tani u prit mirë prej publikut dhe kjo na gëzoi shumë.

Ke deklaruar që “Martesa” është filmi yt më i mirë?

Unë ndihem kështu sepse mendoj që është më i realizuari. Jo ndoshta më i miri kështu si fjalë, por filmi më i realizuar që kam bërë deri tash. Me këtë film jam ndarë shumë e kënaqur me punën e aktorëve, jam ndarë shumë e kënaqur me ndriçimin, montazhën, dhe me krejt këto mendoj që teknikisht është filmi më i mirë i imi deri tani.

Është filmi yt i parë i metrazhit të gjatë, dhe mesiguri e ke gjetur veten në mes shumë temave kur ke menduar për një projekt të tillë. Pse pikërisht ideja e dashurisë në mes të personave të seksit të njëjtë?

Dashuria është ndjenja më e bukur që ne si qenie njerëzore e kemi në vete. Në kohën kur kam filluar të punoj në film, ishte njëfarë… thjesht, bota po hapej shumë, derisa në Kosovë nuk ndodhke asgjë. Në Kosovë, atë kohë ka qenë goxha një periudhë e zymtë sa i përket kësaj teme.

Unë këtë film e kam nisur prej dy rrëfimeve të vërteta të dy shokëve të mi. Storia në film është  trilluar pastaj, por pikënisja ka qenë aty. Përderisa një shoqe e imja, derisa i ka bërë dy fëmijë me burrin e vet e ka kuptuar që ai është gej dhe për të ka qenë shumë i rëndë krejt ai përjetim.

Në anën tjetër e kam pasur shokun tim gej, i cili përballej pikërisht me këto probleme. Ai është njeri shumë i hapur që nuk donte ta mashtrojë apo lëndojë dikë. Thjesht donte ta jetonte jetën e vet ashtu si e ndien, por shoqëria i bënte aq shumë presion. Në fakt, kjo shumë më ka shtyrë ta trajtoj një temë të tillë; ai thoshte që “menjëherë pas luftës shoqëria filloi të hapet dhe filloi të krijohet një shpresë për ne që gjërat do të ndryshojnë, por tash pas 10 viteve përsëri ka filluar një mbyllje. Dhe njërëzit po mbyllen edhe më shumë”. Dhe erdhi një moment që ai tha “ose duhet ta lëshoj Kosovën ose të martohem”. Natyrisht ai e lëshoi Kosovën, që është shumë mirë për të, ndërsa ne prej aty filluam të futemi në temë.

Mendoj që dashuria duke qenë ndjenja më e bukur, nuk bën të jetë e ndaluar. Duhet të jetë e ndaluar dhuna, duhet të jetë e ndaluar lufta, gjuha e urrejtjes … Kur don, edhe bota të duket më e mirë, dhe krejt ky bërllog kur del jashtë të duket më mirë. Bëhesh njeri më i mirë për vete, kështu që bota nuk do të dëmtohet nëse e lejon dashurinë. Kjo edhe më ka shtyrë më shumë ta bëj këtë film, edhe pse ka zgjatur pesë vite nuk jam mërzitur dhe nuk jam lodhur. Mos të kishte qenë diçka që besoj fuqishëm do të isha mërzitur.

Po thua që ashtu si në film, në Kosovë dashuria definohet nga normat sociale që imponohen.

Këtë kam dashur ta them, sepse te ne nuk është pranuar një dashuri tjetër. Thjesht ende edhe tash nuk e pranojnë një dashuri tjetër përveç nëse është dashuri që u konvenon të tjetëve: nënës, babait, familjes, atij e këtij. Pranohet vetëm dashuria mes një çifti heteroseksual, dhe kur vjen puna te martesa ende mbetet problem edhe nëse e do dikë që ka nacionalitet tjetër. Dhe prapë bëhet nami. Mendohet se “çfarë gjuhe do të flasin nipat e mbesat”.

Në një intervistë në Talin e ke përmend që procesi i të shkruarit të skenarit ka zgjatur rreth pesë vjet, dhe është shkruar së bashku me aktorët. Skenari për ty është punë në progres, që merr formë me pjesëmarrjen e aktorëve?

[Në fillim] ka qenë vetëm një rrëfim, sinopsis, situatë. E kemi pasë vetëm idenë e një burri të cilin shoqëria po e shtyn të martohet me një grua përderisa ai e do dikë tjetër. Domethënë, ai momenti i mbylljes kur ai vendos t’ia bëjë qefin shoqërisë dhe e mbyt veten, dhe e mbyt edhe personin tjetër, ku si dëm kolateral pëson edhe ai tjetri.

Veç këtë e kemi pasur. Fillimisht kam punuar me Adrianën [Matoshin]. E kam thirrë atë, sepse prej projekteve të kaluara ajo e di stilin e punës sime. Filmin “Kthimi” që e kemi bërë më herët, e kemi punuar në atë formë. Do të thotë e kemi pasur rrëfimin, dhe pastaj i kemi ndërtuar karakteret bashkë. Kemi xhiruar skena dhe aty kanë improvizuar aktorët. U kemi dhënë situata të ndryshme. U kemi thënë ‘mbërrij deri në atë pikë’ dhe pastaj disa pika për ku të kapen, dhe pastaj ata i kanë ndërtuar dhe i kanë bërë vet dialogjet. Kjo më ka pëlqyer shumë, si proces.

Mua më pëlqen shumë të përzi zhanret, ose kufijtë mes diçkahit me diçka tjetër; kur kufijtë mes një sendi dhe tjetrit janë pak të fshirë, dhe nuk e din kur fillon njëra e ku tjetra.

Por për film të metrazhit të gjatë nuk mund t’i sigurosh fondet nëse dëshiron ta bësh në atë mënyrë. Sepse duhet të kesh skenar, sepse janë fonde të mëdha. Për të arritur deri te kjo është dashur që të bëhet ai proces i improvizimit që e kemi bërë më herët në filmim, por tash gjatë shkrimit të skenarit.

Kështu që, me Kekën [Kreshnik Berishën] e këmi shkruar skenarin, e kemi bërë një draft të parë. Pastaj jemi mbledhë me aktorët dhe e kemi bërë si një retreat, njëfarë punëtorie, ku kemi shkuar diku veç për dy ditë dhe intensivisht kemi punuar në skenar. Pastaj kemi bërë situata të ndryshme, ku prej aktorëve kemi kërkuar të luajnë diçka dhe ata do të vinin me ndonjë ide. Ne i kemi xhiruar me telefonë, me çkado që kemi mundur. Më vonë jemi kthyer dhe kemi vazhduar shkrimin e skenarit dhe ky proces është përsëritur disa herë, derisa e kemi përfunduar skenarin.

Për mua ka qenë shumë e rëndësishme që kërkimi kryesor në këtë film të jetë realiteti. Të provojmë ta bëjmë sa më real që mundemi, që të jepet njëfarë ndjenje sa më afër dokumentarit. Diçka që nuk është e planifikuar, që duket që po ndodh aty për aty. Ky ka qenë kërkimi. Për të arritur deri aty më është dashur të shkoj nëpër këtë proces.

Ndërsa aktorët nuk janë kursyer asnjëherë gjatë këtyre viteve dhe unë shumë gëzohem që kanë qëndruar me ne. Sidomos Albani [Ukaj] me të cilin kam punuar për herë të parë dhe ai ka një karrierë goxha të bujshme. Albani ka sakrifikuar shumë sepse çdo herë kur ka udhëtuar nga Sarajeva, i ka rezervuar edhe dy ditë shtesë për të punuar në këtë projekt sepse nuk kishim mundësi t’ia paguajmë biletën për të ardhur enkas për këtë send. Në fillim nuk kemi pasur ende buxhet meqë ka qenë vetëm ide. Dhe draftet e para të skenarit nuk është që kanë qenë më të mirat e mundshme. Dhe pas çdo takimi unë frikësohesha që do të thonë “palidhje po bëjka kjo, si të dalim prej këtij projekti”, por kanë vazhduar dhe kanë qëndruar. Njëjtë edhe me Gencin [Salihu] që për herë të parë ka luajtur [në një film]. Jam tepër mirënjohëse që kanë vazhduar të besojnë edhe atëherë kur unë kam filluar të kem dilema.

Mandej ai proces nuk është se ka përfunduar aty sepse ne jemi mësuar të punojmë në atë mënyrë bashkë. Kërkimi ka vazhduar edhe gjatë xhirimeve. Edhe kur kemi pasur skenarin përsëri kam kërkuar prej aktorëve të improvizojnë, të gjejnë diçka tjetër. Do të thotë kontributi i tyre është shumë, shumë i madh. Dhe prandaj gëzohem shumë për faktin se e kanë marrë çmimin për ansamblin e aktorëve, se me të vërtetë nuk janë kursyer aspak.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Qasja dokumentare që reflekton mënyren e të xhiruarit vërehet te “Kthimi” dhe po ashtu te “Martesa”.

Mua më pëlqen shumë t’i përziej zhanret, ose kufijtë mes diçkaje me diçka tjetër; kur kufijtë mes një sendi dhe tjetrit janë pak të fshirë, dhe nuk e din kur fillon njëri e ku tjetri.

Filmat dokumentarë më pëlqejnë shumë, por edhe ato artistikë më pëlqejnë shumë, dhe kam provuar në njëfarë forme ta bëj njëfarë shkrirjeje në mes dokumentarit dhe filmit.

Edhe pse ky është flm artistik, [ideja ka qenë] që të pakten kamera të jetë në lëvizje, që filmimi dhe montazhi të ngjajnë më shumë me film dokumentar, derisa në anën tjetër kemi pasur qejf që ngjyrat dhe ngrohtësia e filmit të jenë të filmit artistik. Më pëlqen kur janë të përzier, kur nuk ka linjë të trashë në mes zhanreve.

A të shkonte mendja se do të kishe problem të gjeje aktorë të tjerë përvec Gencit dhe Albanit? Që secili do të pranonte të luante karakterin gej pa paragjykim.

Mendoj se gjithsesi po të mos i kisha pasur këta aktorë do të kishte qenë film tjetër dhe jo ky film që është sot. Sepse ata kanë dhënë shumë nga vetja.

Është shumë me rëndësi që të gjenden aktorët të cilët i ndajnë mendimet e njëjta për çështjet të cilat i trajtoj, që nuk kanë paragjykime për ato çështje të caktuara. Gjatë procesit të përzgjedhjes së aktorëve, mua ndonjëherë më shumë më lë përshtypje biseda, qysh e sheh aktori/ja atë problematikë që po e trajtojmë, se sa vetëm aftësia dhe talenti i aktorit/es për të luajtur.

Unë mendoj se aktorët janë shumë të talentuar te ne; aktorët janë pjesa më e mirë e industrisë, kështu që cilido që do të kishte ardhur do të kishte qenë i mirë domosdo, por këta mendoj që janë ata që e kanë bërë filmin.

Edhe te “Kthimi” kur i kam përzgjedhur aktorët pata kaluar shumë derisa e kam gjetur personin që mund ta luajë burrin e Adrianës në atë rast. Sepse kam pasur shumë takime me aktorë të ndryshëm, … dhe e kuptoja që nuk është personi me ndjeshmërinë për ta bërë atë film, derisa e kam gjetur Lulzim Bucollin, i cili e ka kuptuar plotësisht dhe kemi qenë në valë të njëjta. E njëjta ka ndodhur edhe me këta. Kemi qenë në valë të njëjta për temën që e kemi trajtuar. Kemi pasur shumë mendime të njëjta në thelb dhe pastaj idetë kanë qenë shumë të ndryshme, dhe mendoj që kjo e ka pasuruar shumë filmin dhe e ka bërë filmin kështu si është.

Jam takuar me njerëz të ndryshëm, kam dëgjuar rrëfime të ndryshme. Kam bërë biseda të shumta me njerëz të komunitetit [LGBTI], dhe jam munduar ta kuptojë derisa e kam kuptuar që po e ndjej më thellë.

Kam takuar aktorë të ndryshëm dhe në përgjithësi të gjithë thonin, “po e kishin ba”, sepse e shohin si rol, por në anën tjetër kishte aktorë me të cilët jam takuar që i intrigonte ideja, por kur fillonin të flisnin për këtë temë, shihej që edhe vet kanë paragjykime. Gjatë rrugës do t’i kishin ndryshuar, sepse do të fillonin të punonin në karakter dhe [kjo] do t’i kishte ndryshuar. Por mua më duhej që mos ta kem këtë barrierë, që njëherë të punoj në botëkuptimet e tyre dhe pastaj të shkoj më tutje në rol. Dhe këtë s’e kam pasur me këta të dy. Përveç kësaj të dytë janë shumë të guximshëm dhe i kanë qejf sfidat. Albani i ka qejf punët sfiduese, ndërsa Genci e ka ndërruar komplet edhe zhanrin e artit që ta sfidojë veten.

Ndër skenat e para në fillim Bekimi (Alban Ukaj) shihet duke luajtur me një qen. Në një intervistë ke thënë që gjatë ndërtimit të rrëfimit dhe personazheve je munduar edhe të përfshish probleme që mbesin të neglizhuara në shoqërinë tonë, siç është keqtrajtimi i kafshëve.   

Shumicën e gjërave që i kemi shkruar aty janë gjëra që i ndiejmë dhe i përjetojmë në jetë të përditëshme, unë dhe Keka. Viteve të fundit e kemi marrë një qen dhe na është rritur edhe më shumë ndjeshmëria ndaj kafshëve. Do të thotë edhe për atë arsye ka dalë ajo skenë aty.

Përveç tjerash, kur kemi punuar me karaktere, kemi dashur ta tregojmë Bekimin si një person të cilit po i bëhet një padrejtësi shumë e madhe prej shoqërisë, e në anën tjetër po gjen dikë që ka nevojë dhe po mundohet t’i ndihmojë një qenieje tjetër që nuk po e merr vëmendjen e duhur. Do të thotë edhe pse kështu gjatë kohës do të tregohet më i fortë, patriarkal e kështu, me ato mburojat që duhet t’i ketë në shoqërinë tonë për të qenë i respektuar, në anën tjetër aty ku mundet e tregon ndjeshmërinë dhe nuk i krijon shumë problem; në shoqëri e tregon ndjeshmërinë e vet.

Kur dy aktivistë shkojnë te Bekimi me kërkesën e organizimit të një ndeje të mbyllur për personat LGBTI, për Bekimin as që bëhet fjalë të pranojë. A ka Bekimi homofobi të internalizuar?

Bekimi është një autohomofob, i cili nuk don t’ia pranojë as vetes, sepse atë çka shoqëria dëshiron për të është e mbjellur shumë thellë brenda tij. Ai nuk mund t’i ikë asaj që shoqëria i ka thënë. Kështu që edhe në njëfarë forme e urren veten për atë çka është, dhe do të kishte pasur qejf të jetë ashtu si duan të tjerët. Nuk guxon ta dëgjojë veten deri në fund. Për atë arsye edhe e bën martesën dhe u nënshtrohet rregullave sepse frikësohet të dalë prej tyre. Sepse ka autohomofobi.

Ai në asnjë moment nuk dëshiron ta lëndojë Anitën. Në fakt ai lidhet pak a shumë me Anitën sepse ka qejf ta shohë veten si njëfarë shpëtimtari. Prandaj edhe merret dhe i shikon qentë në rrugë që janë të vetmuar. Edhe Anita në këtë rast është shumë e vetmuar. Edhe pse është grua shumë e fuqishme, është  e vetmuar sepse i ka ndodhur një tragjedi shumë e madhe dhe i mungon familja. Ai [Bekimi] mendon se po bën diçka mirë për lidhjen, që i ndihmon edhe kësaj, e kjo në anën tjetër për shkak të vetmisë të madhe që e ka, e për shkak të mungesës së familjes, nuk i vëren ato nuanca të vogla që tregojnë se ky nuk është njëqind për qind i dashuruar. Kështu neve na është dukur që janë mënyrat më të mira që kemi mundur t’i gjejmë që këto dy njerëz të tillë, të fuqishëm të dytë, që nuk varen prej askujt, të bien në grackë të tillë.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

“Martesa” prek edhe çështjen e personave të pagjetur. Edhe pse nuk është aspak film për luftën, lufta shihet në kontekst, si pasojë. Njëjtë edhe me “Kthimin”, edhe pse ky i dyti trajton në mënyrë më direkte pasojat e luftës. Duket se e ke të rëndësishme të hulumtosh se si efektet e luftës kanë formëesuar jetat e njerzëve.

Unë shpesh e marr atë që më rrethon dhe më preokupon sepse e di më së miri. Lufta te unë ka luajtur dhe ka lënë shumë ndikim në jetë, edhe pse fatmirësisht nuk kam pasur dikë prej familjes së afërt [që ka humbur jetën], por prapë krejt ajo çka ka ndodhur nuk mund të kalojë lehtë.

Unë e shoh që e kemi [luftën] në shoqërinë tonë, është shumë prezente dhe me një tavolinë nëse rrin pak më gjatë se një orë e diçka, nuk e lë pa dalë lufta diku. Të paktën do të thuash “para lufte ka qenë kjo”, si diçka që ta ndan kohën në dysh. Ne si njerëz të gjithë e kemi këtë, jemi të preokupuar. Dhe unë duke dashur që filmi të jetë sa më real dhe në kërkim të atij realizmi nuk po mundet që [filmi] të më dalë pa luftë. [Lufta] po del gjithmonë diku. Sepse po më duket se ajo na preokupon dhe është pjesa e jona. Është pjesë e imja definitivisht.

Unë jam e Suharekës dhe në Suharekë ka ndodhur një nga masakrat më të rënda. Dhe kam shumë njerëz që i kam njohur dhe nuk janë më ose janë të zhdukur, që nuk e dimë ku janë. Njerëz të shoqërisë dhe kojshisë. Kështu që është gjithsesi pjesë e imja.

Të kthehemi edhe njeherë te Anita dhe Bekimi. Mos t’i kishte pasur Anita prindërit e vrarë në luftë, a do të kishte pasur Bekimi justifikim aq të madh për të qëndruar me Anitën?

Mendoj që Bekimi do ta kishte pasur më të lehtë të mos qëndronte me të. Dhe nuk e di nëse Anita do të kishte rënë në dashuri me Bekimin, i cili nuk po e do 100 për qind. Ashtu e kam ndjenjën, që kjo fatkeqësi e saj në jetë e ka çuar në fatkeqësi të tjera.

E kemi pasë shumë vështirë të gjejmë balancin, që t’i bëjmë këta të tre persona të dashur, por edhe viktima. Në fakt të tretë janë viktima, dhe të tretë janë të dashur, janë njerëzorë dhe i kanë të mirat dhe të këqijat. Shumë ka qenë e vështirë sepse sa qëndroje pak më shumë me Anitën të dukej i keq Bekimi, rrije më shumë me Bekimin dhe Anita të dukej naive. Në anën tjeter Noli që vinte me gjithë atë dashuri që e kishte për Bekimin … kur rrije më shumë me të dukej si personi i keq që po ia prishë lidhjen këtyre.

Kemi punuar shumë gjatë derisa kemi vendosur për këtë mënyrë në të cilën e kemi trajtuar filmin. Ndoshta nuk është mënyra më e mirë, por ne nuk kemi mundur të gjejmë mënyren më të mirë që t’i shohim të tretë si viktima dhe të tretë shumë njerëzorë, pa e bërë që të duket dikush i keq dhe dikush i mirë, por të provohet të gjendet njerëzorja te secili.

Si e mban veten të fokusar kreativisht gjatë procesit të punës?

Kur i hyj një pune nuk mund ta ndali në gjysmë derisa të kryhet. Te filmi e shoh fascniuese krejt këtë punë, sidomos kjo pjesa e hulumtimit, e thellimit në një temë të caktuar, duke u munduar të hyjmë në këpucët dhe ndjenjat e dikujt tjetër. Sepse këtë e bëj vazhdimisht.

Mesiguri është edhe deformim profesional; e shoh një njeri duke ecur dhe e dëgjoj që është diçka duke thënë dhe mundohem ta paramendoj se si po ndihet tash. Do të thotë ai hulumtim që kam bërë ka qenë shumë interesant dhe ka pesë vjet që gjatë githë kohës e kam hulumtuar këtë situatë të personazheve brenda vetes. Po ashtu jam takuar me njerëz të ndryshëm, kam dëgjuar rrëfime të ndryshme. Kam zhvilluar biseda të shumta me njerëz të komunitetit [LGBTI], dhe jam munduar ta kuptoj derisa e kam kuptuar që po e ndiej më thellë.

Tash 50 përqind e projekteve që po fitohen po ju jepen grave dhe jo për shkak të ndonjë kuote, por sepse gratë po punojnë, po bëjnë filma të mirë.

Gjatë kësaj kohe kam kuptuar një send: që në dy vitet e para të punës e kam shikuar shumë keq dhe shumë sipërfaqësisht këtë temë. E kam shikuar si një dashuri në mes personave të seksit të njëjtë, dhe e kam parë që nuk po e kuptoj shumë mirë, që po më ikë, nuk e kisha në dorë e as në në zemër. Derisa në një moment e kam kuptuar se sa gabim jam duke e parë krejt këtë punë sepse nuk është ideja të bëj film për dashurinë në mes dy personave të seksit të njëjtë, por film për dashurinë, një dashuri të pamundur. Dhe ka rastisur që dashuria më e pamundur për momentin te na, Romeo e Zhuliueta e kohës tonë, është kjo [dashuria në mes personave të seksit të njëjtë].

Dhe në atë moment e kam kuptuar ku janë problemet me skenar dhe pastaj e kam pasur shumë më të lehtë. Kam pasur ku t’i marr referencat sepse shumë gjëra që ndodhin në film, janë gjëra që më kanë ndodhur mua në jetë. Janë gjëra që kemi marrë prej çiftit tim me Kekën, periudhat e ndarjes dhe të bashkimit, janë periudha që ne i kemi kaluar. Në disa raste Albani është unë, e në raste të tjera Genci. E ndonjëherë Keka është Albani dhe Genci.

Photo: Majlinda Hoxha / K2.0.

Çfarë rrëfimesh dhe karakteresh do të kishe dashur t’i shohësh më shumë në filmat kosovarë, që kanë munguar deri tani në kinematografi?

Ka aq shumë rrëfime. Për shembull, mendoj që duhen të shohim më shumë personazhe gra. Janë duke u bërë disa filma që po bëhen prej regjisoreve dhe i trajtojnë këto tema. Dhe për herët të parë do t’i shohim gratë në ekran ashtu si janë përnjëmend, dhe jo se si i paramendojnë burrat.

I kam pa disa projekte që janë duke u bërë dhe shumë po gëzohem kur po shoh situata që burrat nuk kanë pasë kurrë qasje në to. Mendoj që do të ndikojë që edhe burrat t’i njohin gratë më mirë.

Do të thotë regjisorët nuk arrinë t’i përfaqësojnë gratë ashtu si janë?

Nuk është që nuk dinë, por u duhet më shumë hulumtim. Dhe zakonisht nuk i kanë në fokus gratë, por më shumë në funksion të rrëfimit. E tash është filmi i Lenditës [Zeqiri], i Antonetës [Kastrati],  që e tregon një rrëfim tepër të mirë të një gruaje në një rrethanë rurale. Pastaj filmi i Kaltrinës [Krasniqi]. Do të jenë filma shumë të mirë.

Edhe në botë vërehet ajo ndjeshmëria në trajtim kur filmi bëhet nga një regjisore. Edhe nëpër libra nëse autori është burrë vërehet njëfar romantizimi, e jo grua reale në përditshmëri.

Duket që jemi në një kohë ku po u jepet shumë më shumë hapësirë regjisoreve.

Është një epokë e rë për filmin në Kosovë. Kjo ka filluar gradualisht dhe mendoj se bazat janë në dy sende: përkrahjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës sepse ka disa vite që i kanë ndryshuar politikat. Kanë filluar të rrisin buxhetin, të përkrahin më shumë filma dhe kanë filluar t’u japin fonde edhe regjisoreve.

Më herët, bile dikush ma ka kujtuar që filmi i parë i metrazhit të gjatë nga një regjisore që është financuar prej QKK-së është “Martesa”. Në ndërkohë, tash 50 për qind e projekteve që po fitohen po u jepen grave dhe jo për shkak të ndonjë kuote, por sepse gratë po punojnë, po bëjnë filma të mirë. Po bëjnë filma të shkurtër të mirë dhe atë ndjeshmëri tonën po dinë ta përkthejnë mirë në gjuhë filmike. Kanë pasur sukses dhe tani po i bëjnë edhe filmat e gjatë. Do të thotë pjesa e parë është kjo përkrahja insititucionale që ka ndihmuar shumë.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.