Blogbox | Siguria

Civilët e pafajshëm janë viktima direkte të evoluimit të rreziqeve ndaj paqes botërore

Nga - 10.02.2017

Evoulimi i rreziqeve globale të sigurisë ka afektuar edhe metodat e luftës.

Lufta tradicionalisht ka vënë në rrezik të drejtëpërdrejtë jetën e ushtarakëve. Luftohej ndërmjet dy forcave ushtarake të dy apo më shumë shteteve sovrane. Sulmi dhe rreziku nd aj popullsisë civile ishte kryesisht i përjashtuar dhe nuk bënte pjesë në rregullat e luftës apo “moralin” e saj (nëse lufta në vetëvete ka një të tillë).

Nëse kthehemi 158 vjet mbrapa, në betejën e ashpër të San Martinos dhe Solferinos [Itali më 24 qershor 1859] – apo “A Memory of Solferino” siç njihet bazuar në Librin e themeluesit të Kryqit të Kuq, Henry Dunant – e vetmja viktimë civile që humbi jetën ishte një grua e qëlluar aksidentalisht derisa po qëndronte në ballkonin e saj. 50 vite pas kësaj, lufta e parë botërore do të shënonte vdekjen e rreth 10 milionë civilëve, e pak vite më pas në luftën e dytë botërore numri i civilëve kishte arritur në një shifër e cila vlerësohet të jetë diku 27,372,900.

Strategjia e luftës ndryshoi, ashtu sikurse ndryshuan armët e luftës të cilat kanë evoluar bashkë me arsyet e konflikteve. Në ditët tona civilët janë të targetuar dhe goditur në mënyrë të qëllimshme. Dhuna seksuale ndaj grave ka hyrë tashmë në agjendën e grupeve të armatosura, sikurse rekrutimi i fëmijëve në ushtri – si strategji për të gjunjëzuar tërësisht kundërshtarin.

Duke u përpjekur të përshtatet me ndryshimet e globalizimit, zhvillimin e teknologjisë dhe rregullin e ri botëror në marrëdhëniet ndërkombëtare, rruga e botës drejt paqes është bërë më e vështirë. Konfliktet ndërkaq, janë “më komplekse” dhe elementet për identifikimin e tyre sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara, janë “fragmentarizuar”.

Rreziqet ndaj paqes botërore janë rritur dhe mënyrat e vjetra të luftës kanë evoluar bashkë me to.

Po jetojmë në epokën e globalizimit, kohën kur njërëzimi si kurrë më parë ka mundësinë të lëvizë dhe komunikojë shpejtë nga një anë e globit në tjetrën. Ekonomia po përballet me probleme serioze të reflektuara në shifrat e larta të papunësisë edhe në vendet e industrializuara. Ngrohja globale ka dhënë efektet e para në mungesën e ujit të pijshëm në disa vende edhe çrregullimeve klimatike; fondamentalizmi fetar dhe terrorizmi në rritje kanë krijuar incidente dhe kërcënuar paqen botërore në rrugë e mënyra të panjohura më parë.

Rreziqet ndaj paqes botërore janë rritur dhe mënyrat e vjetra të luftës kanë evoluar bashkë me to. Një pjesë e madhe e luftimeve të sotme janë konflikte të armatosura brenda kufijëve të një shteti (Siri, Sudan, Somali, Kolumbi…), më tepër se sa ndërmjet dy apo më shumë shteteve sovrane. Popullata civile sulmohet shpesh dhe qëllimshëm për të pasur përparësi mbi kundërshtarin. Këto konflikte brenda shtetit kanë tendencën të luftohen ndërmjet qeverisë dhe një grupi kundërshtar ose ndërmejt grupeve të ndryshme me njëri-tjetrin. Ndodh ajo çka studiuesi Nigel Dower në librin “The Ethics of War and Peace”, e quan “privatizimi i luftës” apo përfshirja e shumë grupeve joshtetërore/joqeveritare në konflikte të armatosura.

Me zhvillimin e teknologjisë dhe sofistikimin e armëve (biokimike) kercënime të reja i janë shtuar listës së metodave që rrezikojnë paqen. Sulmet kibernetike, ndryshimet klimatike, varfëria dhe përhapja epidemike e sëmundjeve si HIV/AIDS dhe Ebola konsiderohen sot si kërcenime të paqes dhe sigurisë për shumë shtete.

raportin e Panelit të Nivelit të Lartë të Kërcënimeve, Sfidave dhe Ndryshimeve drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe shteteve anëtare, saktësohet se kërcënimet për një botë në paqe sot nuk njohin kufijë, janë të ndërlidhura dhe duhen adresuar në nivel global, rajonal po aq sa edhe kombëtar. Asnjë shtet, pavarësisht fuqisë së tij, nuk mundet që me përpjekjet e tij të jetë i mbrojtur ndaj kërcënimeve të sotme. Në të njëjtën kohë nuk mund të supozohet më se çdo shtet është i aftë apo i gatshëm të përmbush përgjegjësinë për të mbrojtur popullsinë e tij apo të mos kërcënojë fqinjët.

Lista e kërcënimeve që i kanosen botës sot, sipas OKB-së, përfshinë: vështirësitë ekonomike e sociale (duke përfshirë këtu varfërinë dhe epidemitë infektive); degradimi mjedisor si pasojë e ngrohjes globale; konfliktet brenda-shtetërore; konflikte si luftërat civile, gjenocide dhe mizori të një shkalle të lartë; armët biokimike, radiologjike dhe nukleare; terrorizmi dhe krimi i organizuar ndërkombëtar.

Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së “çdo komb e shtet sot në botë është i cenueshëm; i pasur apo i varfër, i fuqishëm ose jo”. Terrorizmi ka shfaqur forma e përmasa të frikshme në lindje dhe perëndim, vendet e zhvilluara po e kanë të vështirë të marrin masa të përshtatshme mbrojtëse, po aq sa edhe ato të pazhvilluara. Lufta në Siri po hyn në vitin e saj të 6-të me një bilanc të lartë të numrit të refugjatëve, zhvendosjes së njerëzve brenda vendit, vdekjeve, trafikimit të qënieve njërëzore, trafikimit të armëve dhe krijimin e një mjedisi të përshtatshëm për lidhjet dhe forcimin e grupeve ndërkombëtare të krimit të organizuar.

Sulmet terroriste në Francë, Ankara, Bregun e Fildishtë, Belgjikë, Stamboll, apo gjetiu, tregon se asnjë vend nuk është mjaftueshëm i përgatitur të parandalojë këto rreziqe. Sulme si vrasja e abasadorit Rus në Turqi, apo 12 vrasjet dhe rreth 50 të lënduarëve në tregun e Krishtlindjes në Berlin (të cilin ISIS e morri përsipër), dëshmojnë për aftësinë në rritje të grupeve terroriste në veprim dhe pamundësinë e strukturave të sigurisë së çdo shteti për parandalim të tyre.

Por jo të gjithë studiesit bien dakord me OKB-në dhe shtetet më të zhvilluara, se terrorizmi ta zëmë është kërcënimi më i madh dhe më i tmershëm për paqen botërore.

E derisa kultura e paqes është gjithnjë e më tepër në veshtirësi, kultura e shfaqjeve të dhunës në formën e grupeve ekstremiste dhe rritjen e prodhimit të armëve nuk është tashmë fenomen i izoluar por mbarëbotëror. Dështimi i politikës për të parandaluar luftën në Sudanin Jugor, e Siri dominon sot mbi ndërgjegjen publike. Ndasitë dhe fryma e konkurrencës ndërmjet shteteve në nivele të ndryshme ka bllokuar përgjigjen e institucionve ndërkombëtare edhe aty ku është urgjente.

Një pasiguri dhe mosbesim i thellë, e në rritje, është shfaqur karshi institucioneve ndërkombetare (OKB -së), rajonale (Bashkimit Evropian), e kombëtare në çështjet e paqes dhe sigurisë; në një kohë kur nevoja dhe kërkesa për veprimin e tyre duket të jetë më e madhe se kurrë. Vetem në 2015, sipas raportit të OKB-së numri i njërëzve të zhvendosur për shkak të luftërave në nivel global ka arritur në 60 milionë dhe nevoja për ndihma humanitare shkoi në 20 bilionë dollarë.

Por jo të gjithë studiesit bien dakord me OKB-në dhe shtetet më të zhvilluara, se terrorizmi ta zëmë është  kërcënimi më i madh dhe më i tmershëm për paqen botërore.

Një grup hulumtuesisht në Universitetin e Oxford kanë identifikuar ndryshimet klimatike, rivalitetit për zotërim të burimeve tokësore, margjinalizimin e pjesës më të madhe të botës si dhe armatimin/militarizimin global në rritje si më shqetësuese dhe kërcënime më direkte të paqes botërore se sa terrorizmi.

Studiuesit e rendisin terrorizmin si një kërcënim më të vogël dhe si pasojë e trendit në rritje dhe serioz të arsyeve tjera; mungesa e adresimit të varfërisë ekstreme, rivalitetit për burime dhe armatimi i shteteve e grupeve ekstremiste ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e terrorizmit dhe veprimit të tij.

Problemet e sigurisë sot janë të ndërlidhura dhe nuk njohin kufijë shtetërorë dhe se terrorizmi dhe konfliktet e armatosura nuk mund të trajtohen në mënyrë të izoluar nga varfëria ekstreme në një pjesë të madhe të popullsisë botërore, si dheshfrytëzimi burimeve prej minorancës së pasur që janë shkak për krijimin dhe zhvillimin e terrorizmit.

Terrorizmi nuk do të kishte pëmasat që ka sot dhe nuk do të ketë nesër një formë edhe më të ashpër nëse rrenjët e problemit nuk kurohen. Ekziston një marrëdhënie shkak – pasojë ndërmjet terrorizmit dhe problemeve të tjera që kërcënojnë paqen botërore sot. E për një zgjidhje efikase duhet parë dhe trajtuar si i tillë.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.