Shkurt | Siguria

Kosova me hapa të ri drejt themelimit të ushtrisë së saj

Nga - 07.03.2017

Presidenti Thaçi shmangë Kushtetutën për të shtyrë para procesin.

Tash e tre vite, lidershipi i Kosovës ka dështuar që t’i bind deputetët serb të Kosovës që të votojnë pro ndryshimeve të nevojshme kushtetuese për ta transformuar Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK). Megjithatë, sot President Hashim Thaçi, njëherësh komandanti suprem i FSK-së, i dorëzoi Kuvendit një projektligj nëpërmjet të cilit ai synon që ta mundësojë formimin e ushtrisë së Kosovës, pa nevojën për ndryshim të Kushtetutës, apo të emrit të FSK-së.

Pasi ia dorëzoi këtë projektligj kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit, presidenti menjëherë e mbajti një konferencë për shtyp, në të cilën insistoi se Kosova nuk mund të mbetet peng e deputetëve serb të Kosovës “qëndrimi i të cilëve vjen nga Beogradi”. Kosova, tha ai, tani është shtet i pavarur dhe ka vullnet dhe të drejtën për të vendosur për vetën.

“Para tri viteve unë e lajmërova themelimin e FAK, por fatkeqësisht realiteti është i njejtë edhe sot”, nisi Thaçi, duke shpjeguar arsyet pse u dorëzua sa i përket përpjekjeve për ta ndryshuar Kushtetutën për të themeluar ushtrinë.

“Përfaqësuesit serb në Kuvend e kanë bërë të qartë se kurrë nuk do të votojnë për t’i bërë ndryshimet e nevojshme për t’i themeluar Forcat e Armatosura të Kosovës”, vazhdoi ai, duke shtuar se “Kosova nuk mund ta lë fatin e saj në mëshirë të askujt”.

Presidenti theksoi se më e rëndësishme se simbolika, duke iu referuar emrit të ushtrisë ështe ndryshimi i përmbajtja e ligjit dhe kompetencat e ushtrisë. Por, ai  shtoi se transformimi i FSK nuk do të ketë ndikim në rolin dhe misionin e KFOR-it në Kosovë – i cili sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara është e vetmja forcë e njohur e sigurisë me mandat të mbrojtjes në Kosovë.

Projektligji i propozuar tani do të debatohet nga kryesia e Kuvendit të Kosovës, që do të vendosë për procedurat e mëtejshme në lidhje me projektligjin. Diskutimi do të thirret nga Veseli, i cili u paraqit pranë Thaçit në konferencë për shtyp. Veseli deklaroi se projektligji “ do ta bëjë FSK-në ushtrinë e Kosovës”, duke shtuar se “nëpërmjet këtij transformimi, Kosova nuk do të jetë vetëm konsumuese e paqës në rajon, por edhe kontribuese e saj”.

Përpjekjet për të themeluar Ushtri

Hapat e parë të transformimit të FSK-ë u bënë në vitin 2014. Në atë kohë, ekspertët e liderët politik theksuan nevojën për ndryshime kushtetuese, respektivisht emrit dhe mandatit kushtetues të FSK-së.

Megjithatë, sipas legjislacionit të Kosovës, amendamentet kushtetuese mund të bëhen vetëm me miratim të deputetëve nga komuniteti serb, të cilët haptas e kundërshtuan themelimin e një ushtrie kosovare.

Për të bërë ndryshime në kushtetutën e Kosovës nevojiten 2/3 e të gjitha votave në Kuvend, përfshirë votat e ulëseve të garantuara për përfaqësuesit e minoriteteve etnike. Pa votat e përfaqësuesve serb të Kosovës, FAK nuk mund të themelohej.

Përpjekja e parë për të votuar amendamentet që do ta ndryshonin emrin dhe mandatin e FSK u bënë në seanca të Kuvendit gjatë vjeshtës së vitit 2014, gjatë krizës së vazhdueshme politikeAnëtarët e koalicionit të Listës Serbe e bojkotuan seancën, ndërsa disa deputetë nga LDK gjithashtu munguan në seancën e Kuvendit. Meqë nuk u arrit numri i deputetëve i nevojshëm në parlament për ta bërë votimin ligjërisht të detyrueshëm, votimi dështoi.

Thaçi iu referua këtij dështimi në konferencën për shtyp që u mbajt sot, duke deklaruar se FSK mund të ishte transformuar lehtësisht atë ditë. Ai tha se dështimi ndodhi për shkak të “zhvillimeve politike”, dhe shtoi se koha tani ka ardhur për t’i tejkaluar dallimet politike në mes të partive politike shqiptare në Kosovë, e për të qëndruar pranë njëri tjetrit, në mënyrë që të themelohet ushtria e Kosovës.

Nëse miratohet në Kuvend ky projektligj, FSK do të ketë më shumë kompetenca se më parë, duke përfshirë këtu edhe një mandat mbrojtës, si dhe më shumë armë.

Megjithatë, Lista Serbe publikisht i ka bërë katër kërkesa si kusht për mbështetje të çfarëdo projektligji që ka të bëjë me krijimin e një ushtrie kosovare, përfshirë përmbushjen e katër pozitave kyçe: zëvendësdrejtorin në Agjencinë e Intelegjencës nga radhët e serbëve, zëvendëskomandantin e FSK-së nga radhët e serbëve, ndaljen e privatizimit në komuna me shumicë serbe përfshirë ato në Brezovicë dhe Trepçë, si dhe krijimin e Asociacionit  të diskutueshëm të Komunave me shumicë Serbe në Kosovë.

Kur u pyet sot nga mediat se a do të pranohen apo jo kushtet e serbëve, Thaçi nuk u përgjigj.K

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO