Në thelb | Zgjedhjet lokale 2017 | Barazia gjinore

Kush po i përfaqëson gratë e zonave rurale?

Nga - 17.10.2017

Komunat dhe kandidatët po bëjnë shumë pak për t’i dhënë fund izolimit.

Ka ardhur sezona e specave, sezona më e gjallë e vitit. Fahrije Hoti lëviz me shpejtësi duke na udhëhequr drejt zyrës së saj në kooperativën “Krusha”, deri sa qeshë me humorin e punëtoreve të saj, të cilat e ngacmojnë për faktin se është shefe e tyre.

Hoti me sukses u ka ofruar punësim grave të fshatrave rurale, më shumë se çdo skemë komunale në Kosovë. Fshati i saj, Krusha e Madhe, është bërë i njohur deri në Gjermani e Zvicër për shkak të ajvarit dhe turshive të saj. Në këto dy shtete të largëta produktet e saj kërkohen shumë.

Por suksesi që po e përjeton ajo sot nuk është arritur fare lehtë. Në fund të luftës së vitit 1999 në Kosovë, Hoti mbeti me dy fëmijë të vegjël, derisa burri i saj ishte në listën e gjatë të personave të zhdukur, e shtëpia e tyre u dogj krejtësisht. Duke filluar nga zeroja, ajo ishte e vendosur ta ndërtojë përsëri jetën e saj – dhe e arriti këtë.

Historia e mrekullueshme e mbijetesës së saj ka zgjuar kurreshtjen e shumë gazetarëve dhe donatorëve ndërkombëtarë, të cilët i ndihmuan për ta themeluar biznesin e saj. Në fshatin më të madh të Kosovës – fshat ky i cili ka përjetuar masakra të tmerrshme në vitin 1999, kur u vranë pothuajse të gjithë burrat e fshatit – dhe në një shtet ku më pak se 10 për qind e grave sjellin të hyrat kryesore për familjet e tyre, Hoti filloi duke shitur turshi në panaire, e tash është bërë drejtoreshë e respektuar e kooperativës së saj bujqësore, ku krejt stafi dhe kryesia përbëhet prej grave.

Fahrije Hoti e themeloi kooperativen e saj “Krusha”, që punëson vetëm gra si mënyrë e rimëkëmbjes pas tragjedisë së luftës në Kosovë. Foto: Fikret Ahmeti / K2.0.

Kur K2.0 e viziton Hotin në vendin e saj kryesor, shumë prej punëtoreve të kooperativës – pjesa më e madhe janë gra të veja nga Krusha dhe fshatrat të tjera të zonës së Rahovecit dhe Prizrenit – janë të ulura pranë tenxhereve të mëdha të mbushura me speca të pjekur të cilët janë të gatshëm për të hyrë në makinerinë e bluarjes. Përveç 55 grave të cilat janë të punësuara këtu, gjashtë grupe të tjera të grave fermere i mbjellin perimet, i konservojnë ato dhe pastaj i dërgojnë te Hoti.

Bashkë me Hotin, gratë e Krushës i mësuan punët bujqësore dhe e ndërtuan përsëri fshatin e tyre të shkatërruar. Kështu fitojnë të ardhura për ta financuar arsimimin e fëmijëve të tyre. Por aspekti më i rëndësishëm i kohës që e kalojnë çdo ditë me njëra-tjetrën nën aromën e specave nuk është fakti që kanë krijuar një mënyrë për të grumbulluar të hyra, por është shërimi që e kanë gjetur për shpirtrat e tyre.

“Këto gra kanë humbur shumë. Ka gra të cilat i kanë humbur djemtë e tyre”, thotë Hoti, duke bërë me gisht drejt dritares përmes së cilës shihet kati i fabrikës. “Dhe nëse rri tërë ditën e mbyllur në shtëpi, çmendesh. Ato bëjnë muzikë, vallëzojnë, këndojnë, bëjnë hajgare dhe askush nuk bëhet nervoz. Mund të them se unë isha ajo e cila u mundova ta mbaja të bashkuar një komunitet të cilin e preku lufta – ndoshta më shumë se komuna dhe shteti. Por edhe ato [gratë] më mbajtën mua të gjallë”.

Pjesa më e madhe e grave të punësuara në biznesin e Fahrije Hotit, që prodhon ajvar dhe turshi, janë gra të cilat kanë mbetur të veja që nga masakra në Krushën e Madhe që ndodhi gjatë luftës në Kosovë. Foto: Fikret Ahmeti / K2.0.

Për çiftin e Hotit, zgjedhjet e ardhshme lokale do të jenë përsëri garë për pushtet ndërmjet burrave, e ajo i ka përjetuar personalisht efektet e një gare të tillë.

Tash e disa kohë ajo ka qenë e zëshme për nevojën e kahmotshme të saj për një pronë të vetme komunale ku mund ta zhvillonte biznesin e saj; ajo thotë se dëshira e saj nuk ka të bëjë vetëm me komoditetin biznesor, por është edhe çështje e sigurisë për punëtoret e saj.

Aktualisht, tre lokacionet e saj janë në mesin e shtëpive në të dy anët e rrugës kryesore që shkon skaj fshatit, e ajo dhe punëtoret e saj vazhdimisht pengohen derisa udhëtojnë për në punë, në shtëpi, dhe nga lokacioni në lokacion. Ka pasur raste kur disa burra kanë hyrë në lokalet e biznesit. “Po të isha burrë, kurrë nuk do të guxonin të hynin”, thotë Hoti. “Kafenetë punojnë gjithë natën dhe njerëzit nuk guxojnë të hynë e t’ua ndërprejnë punën – por te ne vijnë”.

Hoti beson se po të kishin një lokacion komunal që është i siguruar më mirë, larg rrugës kryesore, punëtoret e saj do të ishin të mbrojtura nga ngacmimet. Por kërkesa e saj për ndihmë nga Komuna e Rahovecit deri më tani është injoruar. Ajo nuk beson se kjo komunë do t’ia marrë parasysh ankesat.

“Po të ishin edhe pesë qendra tjera të udhëhequra prej grave në Rahovec - sepse këtu e gjithë zona është shumë bujqësore, dhe ka mundësi për të punësuar me qindra gra - do të thehej kjo tabu dhe do të ishte mësim i mirë për gratë çdokund. Kjo do t’u jepte atyre shpresë”.

Fahrije Hoti

Hoti ishte deputete e kuvendit komunal nga viti 2008 deri në 2012, por mendon se ajo është më e dobishme jashtë politikës. Gjatë fushatës së tanishme zgjedhore, ajo thotë të ketë refuzuar kërkesa nga kandidatët për kryetarë dhe anëtarë të kuvendit komunal të cilët kërkuan ta vizitonin.

“Nuk kanë nevojë të vijnë këtu e të na humbin kohën duke u munduar të blejnë vota. Çdo vit Kooperativa ua financon studimet dy vajzave të fshatrave – kështu mund të ndihmoj unë, jo si anëtare e kuvendit komunal”, thotë Hoti, duke shtuar se anëtaret e kuvendit komunal të Rahovecit asnjëherë nuk i kanë kontaktuar për t’i pyetur se si mund t’u ndihmojnë. “Asnjëherë nuk na kanë kontaktuar neve si grup për të parë çfarë po bëjnë nënat tona në Krushë!”

Me mbështetje të donacioneve të jashtme dhe të qeverisë qendrore të Kosovës, kooperativa e saj ka arritur ta dyfishojë prodhimin në vitet e fundit. Por këtë fat të mbështetjes nuk e kanë pasur shumë gra në Kosovë.

Niveli kombëtar i papunësisë te gratë është mbi 80 për qind – më i lartë se në çdo shtet tjetër në rajon – dhe ka ndikim të shpërpjestuar te gratë e zonave rurale. Për gratë të cilat jetojnë në zona bujqësore, shitja e perimeve sezonale në tregje mund t’u ofrojë mundësi për të prodhuar të hyra, por shumica përjashtohen nga tregjet e komuniteteve të tyre përkatëse, meqë përfshirja e tyre konsiderohet “e pavend”.

“Po të ishin edhe pesë qendra tjera të udhëhequra prej grave në Rahovec – sepse këtu e gjithë zona është shumë bujqësore, dhe ka mundësi për të punësuar me qindra gra – do të thehej kjo tabu dhe do të ishte mësim i mirë për gratë çdokund. Kjo do t’u jepte atyre shpresë”, thotë Hoti.

Shfaqja e interesimit

Iliriana Gashi shpeshherë ka qenë deshmitare e ndenjës së fuqizimit të grave si rrjedhojë e sigurimit të të hyrave. Si drejtoreshë e OJQ-së “Gratë për gratë” (Women for Women Kosovo), ajo e ka mbështetur fuqizimin e grave në fshatra që prej fundit të luftës. “Ai momenti kur një grua shkon në panair dhe i shet produktet e veta, dhe në fund të ditës kthehet me paratë e saj – nuk ka çka e ndal më atë grua”, thotë ajo.

Drejtoresha e organizatës “Gratë për gratë”, Iliriana Gashi, thotë se komunat duhet të marrin iniciativë sa i përket projekteve për fuqizimin e grave. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Ndonëse bizneset si ai i Hotit kanë nevojë për shumë më shumë mbështetje sesa që u ofrohet nga administratat lokale, komunat prapëseprapë luajnë rol të rëndësishëm duke u dhënë subvencione të vogla grave fermere. Gashi thotë se ndonëse ka vërejtur shenja që tregojnë se po lëvizet në drejtimin e duhur në disa vende, nismat e tilla rrallëherë kanë buruar nga komunat.

“Ka progres sa i përket mbështetjes komunale për gra, por zakonisht nuk është nismë e komunave, por e donatorëve”, thotë Gashi. “Ato duhet të ofrojnë vetëm rreth 10 për qind të mbështetjes. Por tani po shohim përmirësime. Për shembull, komuna e Kaçanikut dhe e Vitisë na tha: ‘Kurdo që keni ndonjë projekt, ne jemi të gatshëm ta financojmë’. Dua të them se ka progres, por nuk është në nivel të dëshirueshëm”.

Gashi thotë se komunat duhet ta mundësojnë fuqizimin e grave të zonave rurale dhe duhet të shkojnë në fshatra për të bërë vlerësime, në mënyrë që ta kuptojnë se ku ka nevojë për ndihmë. Por ajo thotë gjithashtu se ka parë shumë pak dëshmi që zyrtarët po përpiqen të krijojnë lidhje me njerëzit të cilët i përfaqësojnë.

“Ata mund të deklarojnë [se janë të interesuar], por ne jemi në fshatra të ndryshme çdo ditë dhe e dimë se si është realiteti”, thotë ajo. “Përndryshe nuk do të kishin thënë njerëzit ‘pse keni ardhur këtu, vetëm për zgjedhje?’”

“Kjo fushatë nuk është më ndryshe nga të kaluarat, sepse flasin hollësisht për infrastrukturë, për kanalizime, për projekte, por nuk flasin për atë se çfarë do të përfitojnë gratë dhe fëmijët sa i përket mirëqenies së tyre”.

Luljeta Demolli nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore

Prej fillimit të fushatave të zgjedhjeve lokale, me 22 shtator, termi “barazi gjinore” është përdorur shumë nga kandidatët për kryetarë të komunave, por sipas Luljeta Demollit të Qendrës Kosovare për Studime Gjiinore, këto janë kryesisht fjalë boshe. “Kjo fushatë nuk është më ndryshe nga të kaluarat, sepse flasin hollësisht për infrastrukturë, për kanalizime, për projekte, por nuk flasin për atë se çfarë do të përfitojnë gratë dhe fëmijët sa i përket mirëqenies së tyre”, thotë ajo. “Nuk e shoh që problemet e grave në zona rurale janë në objektivin e tyre… edhe kur janë, ata i qasen problemeve në mënyrë shumë sipërfaqësore, pa i përkthyer ato në zotime financiare”.

Në mungesë të diskutimit për tema të tilla nga ana e kandidatëve për kryetarë të komunave, gjatë dy javëve të fundit platforma Barazia ka organizuar një seri debatesh rreth vendit. Këto diskutime, të cilat janë mbajtur në qytete dhe qyteza të ndryshme, i kanë përfshirë gratë nga zonat urbane dhe rurale, si dhe kandidatet për deputete komunale, dhe kanë pasur për qëllim identifikimin e problemeve themelore që i vështirësojnë jetët e grave në zonat më të izoluara.

Rreze Abdullahu, një nga themelueset e “Barazisë” dhe një nga organizatoret e debateve, thotë se çështje të ngjashme janë ngritur në komunën e Kaçanikut, atë të Ferizajit dhe të Drenasit, siç është mungesa e transportit. Në shumë fshatra në këto komuna, autobusi është në dispozicion vetëm tri herë në ditë, dhe nuk udhëton fare në ditët kur fëmijët nuk kanë mësim.

“Si rrjedhojë e kësaj, u ngritën çështjet e braktisjes së shkollës dhe të punës, si dhe çështja e mungesës së interesimit për të gjetur punë”, thotë ajo.

Abdullahu përmend faktin se të drejtat e shëndetit riprodhues janë ngritur gjithashtu si një prej shqetësimeve kryesore gjatë këtyre diskutimeve; gjegjësisht mungesa e gjinekologëve dhe gjinekologeve, meqë disa gra refuzojnë të kontrollohen nga mjekët e gjinisë mashkullore. Ajo shtoi se janë ngritur edhe çështje tjera të ngjashme, përfshirë këtu mungesën e doktorëve fatë familjes nëpër fshatra dhe mungesën e spitaleve të lindjes dhe mamografive në qyteza më të vogla, probleme këto të cilat shkaktojnë vështirësi të mëtejme për gra të cilat jetojnë në zona më të izoluara, dhe të cilat duhet të udhëtojnë në qytete më të mëdha për të kryer kontrolla të rregullta.

Por sipas Abdullahut, përveç çështjeve serioze të cilat ndikojnë te shëndeti i grave, për ta përmirësuar nivelin e përfshirjes së grave në zona rurale diskutimet e mbajtura deri më sot kanë nxjerrë përfundimin se ka nevojë për më shumë ndriçim në rrugë, më shumë hapësira në të cilat gratë mund t’i zhvillojnë hobit e tyre, grante dhe mentorim për gra fermere, si dhe për të gjetur mënyra për zgjidhjen e problemit të analfabtizmit dhe për zvogëlimin e dhunës në familje, një fenomen mjaft i përhapur.

Ka nevojë për kandidatë të cilët interesohen

Luljeta Demolli thotë se një prej arsyeve për shpërfilljen e shqetësimeve të tilla është se politikanët rrallëherë i vizitojnë zonat të cilat janë më rurale. “Rutina për fëmijët dhe gratë në fshatra përfundon para se të errësohet”, thotë Demolli. “Nuk ka rekreacion, nuk ka jetë, dhe askush nuk sugjeron ndonjë zgjidhje për këtë. Të gjithë janë të fokusuar në qytet, sepse i hanë drekat e darkat në qytet. Në qytet i japin tenderet e i shpëlajnë paratë”.

Rastet e rralla kur ndonjë politikan i viziton zonat rurale ndodhin kryesisht gjatë kohës së zgjedhjeve, e edhe atëherë, gratë nuk dëgjohen domosdoshmërisht. Demolli thekson se kandidatët për kryetarë të komunave mbështeten në fenomenin e votimit familjar – ku burri më i moshuar i shtëpisë vendos se si do të votojnë të gjithë të tjerët – dhe nuk bëjnë përpjekje për ta krijuar një lidhje me gratë, për të parë se si mund t’i zgjidhin problemet e tyre.

Luljeta Demolli nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore thotë se politikanët dhe kandidatët rrallëherë bëjnë përpjekje për t’i dëgjuar zërat e grave në lokalitetet e tyre. Foto: Fikret Ahmeti / K2.0.

Përgjatë viteve, në fushata zgjedhore – lokale dhe nacionale – kandidatët kanë vizituar familje në fshatra dhe e kanë promovuar veten duke u ulur me burra nëpër oda. Demolli thotë se këto qëndrime duhet të dënohen gjithandej.

“Kjo është shumë patriarkale”, thotë ajo. “Mënyra se si hynë, si i afrohen shtëpisë, duke e bërë të qartë se shtëpia është e plakut, e burrit që i pret, ose se ai burrë është i partisë së tyre. Dhe ne e shohim se ka gra në këto hapësira të cilat nuk marrin pjesë as në tubime të mëdha, apo debate, sepse kandidatët nuk merren me probleme të grave”.

Iliriana Gashi kishte pritje shumë më të mëdha nga deputetet e kuvendeve komunale, por në përgjithësi ajo është zhgënjyer nga qasja e tyre. Gjatë një programi për fuqizim, të cilin ajo e udhëhoqi vitin e kaluar, ajo i kontaktoi deputetet e kuvendeve komunale për t’i çuar ato në disa fshatra të Kosovës, në mënyrë që ato t’i njohin më mirë problemet dhe sfidat me të cilat përballen gratë e këtyre zonave rurale. Përveç atyre të Prishtinës, dhe disa deputeteve komunale prej qyteteve tjera, ajo thotë se të tjerat i refuzuan ftesat e saj.

“Dua ta theksoj se në Kosovë nuk ka mbështetje për gratë nga gratë të cilat janë në pozita vendimmarrëse”, thotë ajo. “Kam thënë shumë herë se edhe ato [gratë të cilat janë në pozita vendimmarrëse] do të fuqizoheshin po t’i mbështetnin gratë tjera, por kjo nuk po ndodh”.

Të lodhura nga ky mospërfaqësim nga kuvendet e tyre përkatëse komunale, Albana Malsiu (27) nga fshati Nikaj në Kaçanik dhe Valdete Sahiti (39) nga fshati Skifteraj në Viti, kanë vendosur të garojnë për t’u bërë deputete komunale. Malsiu iu bashkua Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa Sahiti PDK-së, pasi të dyja u zgjodhën nga gratë e komuniteteve të tyre si lidere, si rrjedhojë e një programi që u organizua nga “Gratë për gratë”.

“Shumë kam dëshirë ta ngris zërin e grave në fshatra. Askush nuk po e bën këtë. Njoh gra të cilat janë të arsimuara por nuk kanë vend pune. Njoh gra analfabete, por ato mund të bëjnë diçka nëse i mbështetim”.

Valdete Sahiti, kandidate për Kuvend Komunal të Vitisë

“Vendosa të garoj si kandidate për ta ngritur zërin për pozitën e grave në fshatra dhe për t’i shfaqur problemet me të cilat përballemi ne gratë në zona rurale”, thotë Malsiu. “Për shembull, nuk ka gjinekologë në asnjërin prej 28 fshatrave në komunën tonë”.

“Shumë kam dëshirë ta ngris zërin e grave në fshatra”, thotë Sahiti. “Askush nuk po e bën këtë. Njoh gra të cilat janë të arsimuara por nuk kanë vend pune. Njoh gra analfabete, por ato mund të bëjnë diçka nëse i mbështetim”.

Sahiti i kaloi të 20-at dhe të 30-at si amvise, duke u kujdesur për katër fëmijët e saj. Tani ajo është duke e hapur një fabrikë të vogël për turshi, me mbështetje dhe financim ndërkombëtar.

“Mendoj se jam shembull i mirë që tregon se mund të bësh diçka kur të ofrohet ndihmë”, thotë ajo. “Është ndjenjë shumë më ndryshe. Më duket sikur kam qenë në komë për 15 vjet. Ndihem më krenare me veten dhe më e fuqishme, dhe disi më duket se njerëzit po më shohin me më shumë krenari”.K

Foto kryesore: Fikret Ahmeti / K2.0.

Kthehu prapa tek Monografia për Zgjedhjet Lokale 2017

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO