Nga - 15.05.2017

Politika e Maqedonisë në dimensionin e pestë.

Rrëfimin të cilin e keni përpara vetes e përshkruan të vërtetën rreth krizës politike në Maqedoni. Është ky rrëfim për lakminë, kotësinë, koprracinë, pangopshmërinë, dhunën dhe urrejtjen të skalitura në fytyrat e familjeve dhe ‘miqve’, të cilët e kanë drejtuar vendin për më shumë se një dekadë.

Rrëfimi është i frymëzuar nga një episod i serialit “The Twilight Zone”, i quajtur “Maskat”, dhe aty mund të parashikohet e ardhmja e diktatorit të vogël, por tmerrësisht të pasur, të konkubinave këmbëlëpirëse dhe të profiterëve pakurrizorë rreth tij.

Rëffimi nis kështu:

Një pasanik në moshë e pret arritjen e fëmijëve dhe nipërve të tij tashmë të rritur, të cilët po arrijnë t’i kalojnë orët e tij të fundit të jetës, bashkë me të, para se ta trashëgojnë pasurinë dhe pronat e tij.  Ballafaqimi me vdekjen nuk paraqet kurrfarë problemi për këtë njeri, por ideja se kush do ta marrë kontrollin mbi pasuritë e tij e vë në siklet largimin e tij; krejt familja e tij është e poshtër. Njeriu e kupton se ka edhe disa punë për të bërë; disa borxhe që duhet t’i shlyejë dhe disa gjëra që duhet t’i vëjë në terezi. Ai e bën një plan, një darkë të fundit, me krejt pjesëmarrësit me maska.

Katër persona të paduruar, të zemëruar, lakmitarë dhe egoistë mbërrijnë në shtëpi, duke i shpërfillur çastet e fundit të këtij plaku të sëmurë. I shqetësuar nga shpërfillja e tyre, plaku i quan pasardhësit e tij karikatura, të cilat shtrembërisht prezentohen si pjesëtarë të ndershëm dhe të zellshëm të shoqërisë. Duke e kundështuar, anëtarët e familjes i hedhin poshtë të gjitha insinuatat për karakterin e tyre të njëmendtë.

Përpara pasqyrës

Për t’ua dëshmuar se e kanë gabim, plaku kërkon nga anëtarët e familjes që ta argëtojnë, dhe të luajnë një lojë — si kompensim që janë përfitues të ri të pasurisë së tij. Për të luajtur, të katërtit duhet të bartin maska deri në mesnatë ose deri sa të vdesë ai. Nga padurimi për ta rrëmbyer pasurinë, të katërtit pajtohem pavullnetshëm.

Secilit tash i kërkohet ta bëjë një vetëvlerësim të sinqertë duke u bazuar në karakterin e vet, para se ta merrte maskën e cila përfaqësonte antitezën e personit të tij. Të katërtit thonë fjalë të mëdha për vetveten. Kur qëndrojnë përpara pasqyrës ata shohin pjesëtarë të ndershëm, të drejtë, të bukur, të butë e bujarë të shoqërisë.

Loja fillon ashtu që secili person i përshkruan cilësitë e karakterit të vet. Plaku ia jep maskën e parë dhëndërit të vet; biznesmen i pasur dhe i shquar, i cili beson se është një person i shoqërueshëm, që është një mik besnik, sharmant dhe një baba i dashur. Ai e merr maskën e lakmisë, koprracisë dhe mizorisë.

Vajza e plakut e sheh veten si viktimë. E shpërfillur nga pjesëtarët e familjes së saj, ajo e prezentoi veten si person plot dhembje, i cili tash e 25 vjet lufton me një sëmundje të panjohur. Duke u ankuar vazhdimisht për telashet e jetës së saj, ajo e merr maskën e egocentrizmit dhe qyqarllëkut.

Nipi dhe mbesa, adoleshentë, duken të shpërqëndruar. Njëra është vazhdimisht përpara pasqyrës me makiazh në duar, derisa tjetri është në karrigë me fytyrë të vrenjtur për shkak të rregullave të lojës. Plaku ia jep vajzës maskën e shëmtisë, arrogancës dhe kotësisë, si antitezë e bukurisë së reflektuar në pasqyrë, derisa “djalit të turpshëm, të sjellshëm e të butë” ia jep maskën e palaços së marrë, dhe të ngathët.

Vënia e maskave

Në fund, plaku e vë maskën e vet, një kafkë që përfaqëson vdekjen, si antitezë e jetës të cilën po e humb. Ai e adreson familjen e tij:

“Të gjithë keni ardhur me një qëllim, të më shihni se si largohem dhe të brohoritni ‘rruga e mbarë!’. Të mi mbyllni sytë me dy monedha dhe të filloni të m’i merrni gjërat nga raftet me duart tua të lira. Kjo është e vërteta. Keni ardhur të korrni gjithçka që mbolla, të mbledhni gjithçka që ndërtova. E po, nuk do t’ju dëshpëroj. Gjithçka është e juaja. Paratë, shtëpia, patundshmëritë, stoqet, aksionet, gjithçka… Por vetëm nëse nuk i heqni maskat deri në mesnatë, përndryshe do ta merrni biletën e kthimit për në shtëpi.

Të ballafaquar me mundësinë e humbjes së trashëgimisë, anëtarët e familjes ia bëjnë qejfin plakut dhe i vënë maskat. Pesë minuta para mesnate, ata bëhen të paduruar, ankohen për mizorinë e plakut që i ka bërë t’i mbajnë këto maska të pështira.

Duke mos u duruar t’i heqin, mendojnë se plaku i ka humbur ndjenjat, duke i shpërfillur minutat e fundit që i kanë mbetur në Tokë. “A nuk keni më çka të më thuani?” pyet ai. Pjesëtarët e familjes vazhdojnë të ankohen se maskat janë të padurueshme, duke pyetur se pse duhet të kalojnë nëpër këtë trajtim mizor. “Sepse ju jeni persona mizorë dhe të mjerë”, përgjigjet plaku. “Sepse askush prej jush nuk i përgjigjet dashurisë”.

Plaku vazhdon, duke e përshkruar karakterin e vërtetë të secilit individ si përpjekje e fundit për t’i bërë ata t’i pranojnë të pabëmat e tyre dhe t’i ndryshojnë sjelljet e tyre. Ndërsa ora po i afrohet dymbëdhjetëshit, vdekja mbërrin dhe dhoma mbushet me gëzim për shkak të ikjes së plakut. Të verbëruar me pasurinë dhe pushtetin e tyre, anëtarët e familjes i harrojnë rregullat e lojës. Maskat hiqen, dhe momenti i shkurtë i lumturisë kthehet në tmerr dhe mjerim. Maskat e shëmtuara u mbesin të skalitura në fytyrë dhe nuk mund të bëjnë asgjë në lidhje me këtë, me ose pa trashëgiminë e plakut.

Dimensioni i pestë

T’i shtjellojmë metaforat e politikës së pafundme të krizës. Plaku e përfaqëson popullin e Maqedonisë, i cili po vdes për çdo ditë për shkak të sëmundjes, pasigurisë sociale, varfërisë, dhunës, urrejtjes dhe njerëzve të cilët u ngritën kundër regjimit kriminal pavarësisht identitetit të tyre indivdual apo kolektiv.  Anëtarët e familjes e përfaqësojnë lidershipin e partisë; pa gatishmëri për të lëshuar pe, duke i rrëmbyer të gjitha pasuritë materiale dhe shpirtërore të popullit.

Duke mos dashur të ballafaqohen me drejtësinë dhe të pendohen për të pabëmat e dekadës së fundit, më 27 prill, 2017 ata krijuan edhe një skenë të dhunshme dhe potencialisht vdekjeprurëse. Të fshehur pas maskave të nacionalistëve, këta qyqarë do t’i shohin fytyrat e tyre të vërteta në reflektimin e pasqyrës e cila është e varur në murin e qelisë.

E ju, lexues të dashur, mos harroni: “Ekziston edhe dimensioni i pestë përtej atij të cilin e njeh njeriu. Është ky një dimension i gjerë si gjithësia dhe i pakohë si përjetësia. Është kjo pika e ndërmjetme në mes të dritës dhe hijes, shkencës dhe bestytnisë, dhe ajo qëndron ndërmjet humnerës së frikës së njeriut dhe majes së dijes së tij. Ky është dimensioni i imagjinatës. Kjo është një zonë të cilën e quajmë Twilight Zone”.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.