Pikëpamje | Media

Terri medial në ‘stabilokraci’

Nga - 18.10.2017

Krijimi i imazhit premtues të Serbisë nën mbikëqyrjen vigjilente të Aleksandar Vuqiçit.

“Nuk e njoh dikë që voton për Vuçiqin, por ai prapëseprapë i fiton bindshëm të gjitha zgjedhjet”. Ky është një koment i zakonshëm i intelektualëve liberalë në Serbi, por edhe i të rinjve të pangarkuar nga e kaluara, të cilët jaë rritur në pyjet joshëse dhe postmoderne të rrjeteve sociale. Ky vrojtim flet shumë për natyrën klienteliste të regjimit, efektin e rrjeteve sociale – burimet nuk analizohen e pikëpamjet që dallojnë nga narracioni i rrymës qendrore censurohen, nuk lejohen, ose nuk paraqiten mjaftueshëm – dhe më e rëndësishmja, ai flet për “realitetet” paralele në të cilat jetojnë qytetarët e Serbisë.

Viti i pestë i dominimit të Vuçiqit dhe Partisë Progresive Serbe (SNS) është bazuar kryesisht në okupimin e mediave, përveç okupimit të hapësirave politike dhe shoqërore. Mediat përdoren ekskluzivisht për ta krijuar një imazh premtues të Serbisë, dhe për ta paraqitur liderin e saj si të mençur, të guximshëm, dhe mbi të gjitha, krenar që po e udhëheq vendin drejt së ardhmës së mirë.

Faktori i stabilitetit

Aleksandar Vuçiq – dikur Ministri i Informimit i Slobodan Miloseviqit, ish-anëtar i lartë i partisë shoviniste Progresive Serbe të Sheshelit, dhe gjatë mandatit të së cilit u vra gazetari Slavko Curuvija – është i fiksuar pas mediave.

Niveli i fiksimit të tij u shpreh në ekspozitën e fundit “artistike” të cilën e organizoi Vuçiq, të titulluar “Gënjeshtra të Pacensuruara”, të ndërtuar me fragmente negative të mediave të shkruara, të kufizuara dhe me pak ndikim, për të “treguar” se nuk ka censurim në Serbi.

Vuçiq, të cilit zyrtarët europianë i referohen si “faktor i paqës dhe stabilitetit në Ballkan”, e ka krijuar një gjendje të fushatës së përhershme zgjedhore, ku hordhitë e gazetarëve që paguhen pak mbulojnë çdo ditë pseudongjarjet dhe konferencat e rregullta dhe të jashtëzakonshme për shtyp, gjatë së cilave spërkaten me një kovë të dhënash statistikore të manipuluara, dhe trajtohen me aventura retorike dhe keqpërdorim të tezës.

I njejti diskurs dominon në televizionin kombëtar, e për shkak kësaj, qytetarët më të moshuar, të cilët e përbëjnë pjesën më të madhe të popullsisë së Serbisë dhe e përfaqësojnë audiencën më besnike televizive, vazhdimisht detyrohen ta përcjellin një melodramë në të cilën superheroi Aleksandar Vuçiq zhvillon dialogë të brendshëm me vetën dhe kundër të gjithë të tjerëve.

Me një fjalë, Vuçiq dhe ekipi i tij e kanë mbushur hapësirën mediale aq shumë saqë qytetarët të cilët nuk e përdorin internetin jo vetëm që nuk janë të vetëdijshëm për ekzistimin e aferave të caktuara politike, por edhe janë të pavetëdijshëm për ekzistencën e opozitës dhe të pikëpamjeve të ndryshme politike.

Pa para, s’ka gazetari

Slobodan Georgiev është gaazetar dhe redaktor në BIRN (Balkan Investigative Reporting Network). Ai shpeshherë është sulmuar nga gazetat sensacionale proqeveritare dhe është kërcënuar me vdekje për shkak të artikujve të cilët i ka publikuar dhe komenteve kritike që i ka shkruar në rrjete sociale. Ai beson se presidenti aktual i sheh mediat si “telekomandë për menaxhimin e Serbisë në çdo nivel, me kuptimin e plotë të fjalës”. Sipas Georgievit, Vuçiq i ka “zotëruar” mediat duke e kontrollon fluksin e parave.

“Ai i kontrollon paratë e shtetit që u jepen mediave dhe, në mënyrë indirekte, edhe paratë që u shkojnë kompanive private që bëjnë reklama, sepse asnjë kompani nuk ka dëshirë të përfshihet në konflikt me autoritetet. Prandaj veprojnë në mënyrën e cila u rekomandohet – u japin mediave para ashtu siç e shohin ata të përshtatshme, në bazë të vlerësimeve të qeverisë”, tha Georgiev.

Sipas hulumtimeve të BIRN, partia e Aleksandar Vucic hyri në fushën e marketingut në media nëpërmjet zyrtarit të lartë Goran Veselinoviq, pas ardhjes në pushtet më 2012. Veselinoviq i zëvendësoi disa njeërz të cilët ishin të afërt me Partinë Demokratike, e cila më parë e kishte “udhëhequr këtë treg me sovranitet”.

Programi i reklamimit të propagandës punon si barnatore: 24 orë në ditë, 365 ditë në vit.

Njëkohësisht, mediat të cilat janë të afërta me autoritetet marrin para nga buxheti shtetëror, shpeshherë nëpërmjet kontratave të fshehta në tenderë të zgjedhur me kujdes, por jo të rregulluar sa duhet.

Për shembull, TV Pink, që në një farë mënyre është shërbimi medial i Partisë Progresive Serbe (SNS), i mori më shumë se 7 milion euro hua Agjencisë së Sigurimit dhe Financimit të Eksporteve nga viti 2014 deri në 2016, ndonëse ishin një prej borxhlinjve më të mëdhenj në Serbi, siç u zbulua nga të dhënat e publikuara në portalin hulumtues CINS.

TV Pink është kanali më i shikuar në Serbi, përkrah transmetuesit publik. Në këto kanale transmetohen përpjekje të rreme për puçe e komplote, gënjeshtra për “mercenarë të huaj”, gazetarë “drogaxhinj” dhe liderë “hajdutë” të opozitës, të cilët s’bëjnë gjë tjetër tërë ditën veç “rrinë në kafene të zhytur në kapuçino e shkumë të birrës”. Programi i reklamimit të propagandës punon si barnatore: 24 orë në ditë, 365 ditë në vit.

Dejan Iliq, autor i portalit liberal majtist “Pescanik”, është sulmuar shpeshherë nga gazetat sensacionale të qeverisë. Ai beson se kontrolli i mediave e ka “natyrën e regjimit” të udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq. “Ky regjim jep premtime të rreme dhe paraqet suksese të pavërteta. Kjo gënjeshtër është e mundshme vetëm nëse mbyllen të gjitha kanalet nëpërmjet të cilëve mund ta dëgjonin apo ta lexonin të vërtetën qytetarët”, thotë ai.

Georgiev dhe Iliq pajtohen se qeveria e kaluar ia shtroi rrugën këtij regjimi udhëheqës, por të dytë theksojnë se “qeveria e kaluar ishte më e ndershme dhe më e butë se ajo e tashme”.

“Kjo qeveri është e paskrupullt dhe arrogante”, deklaron Iliq. “Por sigurisht se gurthemeli i qëndrimit të tillë drejt mediave u vendos nga qeveria e kaluar. Edhe asaj i takon një pjesë e përgjegjësisë. Sa i përket punëtorëve të mediave, ata kanë treguar se janë poaq lakmitar sa njerëzit që punojnë në profesione tjera, veçanërisht në Serbi – ata me intelekt”.

“Thyerja e kurrizit” të mediave të pavarura

Georgiev mendon se ekziston një dallim thelbësor në atmosferën shoqërore, e cila dikur ishte shumë më pluraliste, e tash mbizotëron “zëri i vetëm një burri”.

“Dallimi pasqyrohet në stil”, mendon redaktori i BIRN-it. “Qeveria e kaluar i kontrollonte mediat në mënyë të ngjashme, por situata e përgjithshme ishte shumë më ndryshe. Në një farë mënyre ishte demokratike, sepse kishe mundësi të dëgjoje zëra të ndryshëm dhe të besueshëm. Me SNS-në dëgjohet zëri i vetëm një burri, asgjë tjetër”.

Metoda e veprimit dhe e qëndrimeve të qeverisë ndaj mediave demonstrohet nga sulmi i fundit i Aleksandar Vulinit ndaj portalit hulumtues “KRIK” dhe redaktorit të tij, Stevan Dojçinoviq, menjëherë pasi portali e publikoi një tekst që zbuloi origjinën e dyshimtë të shumës prej 205,000 eurosh me të cilat ministri Vulin e kishte blerë një banesë në vitin 2012.

Lëvizja e Socialistëve, partia e Vulinit, publikoi disa kumtesa për media, përfshirë këtu disa sulme të egra ndaj Dojçinoviqit, duke e akuzuar atë si armik të Serbisë dhe narkoman që refuzon të testohet për drogë.

A kanë reaguar liderët e shtetit si duhet ndaj kësaj afere, apo a e kanë dënuar sjelljen e një ministri drejt gazetarëve si të papërshtatshme në një shtet që thuhet se është i rregullt, në një shtet në të cilin thuhet se mbizotëron ligji, dhe në një shtet që synon BE-në? Gjykoni vet.

Kur reagoi ndaj pyetjeve të gazetarëve për qëndrimin e ministrit ndaj mediave, Kryeministrja Ana Brnabiq deklaroi se ajo e kuptoi reagimin emocional të Vulinit, por se nuk ishte në përputhje me stilin e saj personal. Ndërkohë Presidenti Vucic tha se i beson Vulinit, dhe beson që ai nuk ka vjedhur sa ka qenë në pushtet.

"Kushdo që dëshiron të angazhohet në politikë apo ta kritikojë dhe adresojë kontrollin që e ushtron qeveria, madje edhe t’i raportojë në mënyrë objektive ngjarjet për publikun, duhet të përballet me kërcënime ekzistenciale dhe rrezikun e përhershëm për ta humbur vendin e punës"

Isadora Petrovic, redaktore e edicionit serb të Le Monde Diplomatique.

Vetëm një ditë pas konfliktit ndërmjet ministrit Vulin dhe KRIK-ut, Vukasin Obradoviq, redaktor i gazetës Vranjske, e nisi një grevë të urisë për të protestuar kundër mbylljes së gazetës së tij, një prej mediave më të rëndësishme lokale në Serbi. Obradoviq u tha mediave se kjo ishte “lëvizje e një personi të cilit i ka humbur shpresa dhe i cili nuk sheh mënyrë tjetër për t’i dhënë fund karierës në gazetari, duke e ruajtur njëkohësisht minimumin e respektit dhe të dinjitetit personal”.

Isidora Petroviq, redaktore e edicionit serb të Le Monde Diplomatique, beson se rastet e fundit shërbejnë si mënyrë përmes së cilës “autoritetet ia demonstrojnë shoqërisë se mund t’ja thyejnë kurrizin kujtdo”.

Ajo thekson se situata aktuale me mediat është pasqyrim i sitautës në të cilën është e gjithë shoqëria. Thotë gjithashtu se “kërcënimi ekzistenciale” është mënyra themeleore përmes së cilës regjimi i Vuçiqit ushtron kontrollin e tij – në media, në opozitë dhe në sektorin civil.

“Kushdo që dëshiron të angazhohet në politikë apo ta kritikojë dhe ta adresojë kontrollin që e ushtron qeveria, madje edhe të raportojë në mënyrë objektive për ngjarjet, duhet të përballet me kërcënime ekzistenciale dhe rrezikun e përhershëm për ta humbur vendin e punës”, shpjegon Petroviq. “Në këtë kuptim, mediat ndikohen fillimisht kur i theksojnë pasojat e politikave të partisë udhëheqëse, veçanërisht ato që e kanë të kushtëzuar qëndrueshmërinë nga prania e reklamuesve, që mund të ndikohen në mënyrë direkte dhe indirekte nga qeveria”.

Rezistenca profesionale si reagim ndaj shtypjes së mediave?

Pas mbylljes së gazetës Vranjske dhe sulmeve ndaj redaktorit të KRIK-ut, Stevan Dojçinoviq, si dhe të gazetarëve tjerë të cilët vazhdimisht sulmohen nga gazetat sensacionale të regjimit, u themelua një grup i 30 organizatave të pavarura mediale, shoqatave të gazetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile. Ky grup e organizoi një protestë mbështetëse për Vukasin Obradoviqin në ditën kur ai e nisi grevën e urisë, por lajmëroi gjithashtu edhe disa veprime tjera.

Georgiev i pret me skepticizëm aludimet se një projekt i tillë i gazetarisë mund të ketë ndikim të madh në fuqizimin e solidaritetit të mediave dhe ta ndryshojë qëndrimin e qeverisë drejt mediave të Serbisë.

“Më duket e pamundur sepse disa shoqata dhe anëtarët e tyre dallojnë aq shumë nga njëri-tjetri saqë kur u përmend veprimi i përbashkët, disa njerëz nuk e besonin, thuajse propozuesi i kësaj ideje ishte i çmendur”, deklaron ai. “Në këtë kuptim, ‘protesta’ e fundit nuk do të ketë efekt më të madh meqë nuk janë formuluar disa synime dhe kërkesa të qarta, vetëm i kanë përdorur tri thurrje (hashtags) në rrjete sociale”.

Gazetarët në Serbi ende e dëgjojnë jehonën e deklaratës së Johannes Hahn, Komisionerit të BE për zgjerim. Në vitin 2015 ai deklaroi se “nevojitet dëshmi për pretendimin se liria e mediave është duke u rrezikuar”.

Greva e urisë e mbajtur nga ish-presidenti i njërës prej shoqatave kryesore mediale u mbështet nga Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ) dhe Federata Europiane e Gazetarëve (EFJ), të cilat deklaruan se janë një me Vanjsken, dhe dënuan presionet politike dhe ekonomike të cilat ushtrohen mbi mediat, si dhe kërkuan që “organizatat ndërkombëtare të mos i injorojnë më problemet serioze me të cilat përballen mediat në Serbi, dhe të angazhohen për t’i mbrojtur vlerat demokratike të cilat promovohen prej tyre”.

Megjithatë, ndonëse kjo mbështetje është relevante, me sa duket është kryesisht diplomatike. Gazetarët në Serbi ende e dëgjojnë jehonën e deklaratës së Johannes Hahn-it, Komisionerit të BE-së për zgjerim. Në vitin 2015 ai deklaroi se nevojitet dëshmi për pretendimin se liria e mediave është duke u rrezikuar”.

“Kjo deklaratë e Hahn-it e përmbledh në mënyrë të bukur qëndrimin e zyrtarëve botërorë karshi situatës me liritë e mediave në Serbi”, deklaron Petroviq. “Z. Hahn, dhe zyrtarë të tjerë të BE-së, janë kryesisht të interesuar për stabilitet rajonal dhe zbatim të politikave neoliberale, për të cilat lideri autokratik Vuçiq është partner i përkryer. A ka gjetur Hahn dëshmi për këto? Nuk mendoj që po. Masat shtrënguese ende janë të rëndësishme, sektori publik ende ka nevojë për çrregullim, dhe ende nuk është gjetur ndonjë zgjidhje për Kosovën”.

Ndryshe nga Petroviq, deputeti i Partisë Progresive Serbe, Dragan Sormaz, beson se gjendja aktuale me mediat serbe nuk është edhe aq dramatike.

“Mund të them se qeveria nuk ka probleme me mediat”, tha Sormaz për Radio Europa e Lirë.

Dhe sigurisht se qeveria nuk ka shumë probleme me mediat. Thënë thjesht, mediat në Serbi nuk shkaktojnë probleme. Ato janë asgjësuar në mënyrë financiare dhe etike, pa ndihmë të jashtme. Krejt çka mund të bëjnë është të shpresojnë për kohë dhe kushte më të mira për gazetarinë e pavarur.

Deri atëherë, e rëndësishme është të solidarizohemi dhe të organizohemi me kolegët e profesionit tonë, si dhe të presim me durim që nocioni i “stabilokracisë” të dalë nga moda, dhe Komisioneri i BE-së të “gjejë dëshmi”.

Foto kryesore nga Kontrapress.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO