Në thelb | Drejtësi

Pamundësi juridike për hetim ndërkombëtar të rastit Dehari

Nga - 06.12.2016

Mundësitë ligjore të kufizuara për të implementuar kërkesën kyçe të peticionit.

Kanë kaluar një muaj që kur aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, 26 vjeçari Astrit Dehari, ka ndërruar jetë. Rrethanat janë akoma të paqarta nëse kjo kishte ndodhur gjatë kohës sa ishte në qelinë e tij në Qendrën Korrektuese në Prizren – ku u mbajt për 68 ditë në paraburgim si një nga gjashtë të dyshuarit për sulmin me zollë ndaj Kuvendit të Kosovës – apo gjatë kohës kur ai ishte dërguar me emergjencë në spitalin rajonal të Prizrenit. Dehari ishte gjetur i gjakosur në qelinë e tij në mesditën e 5 nëntorit.

Zyrtarisht u tha se ai u vetëvra. Vdekja e Deharit u tha të jetë shkaktuar si pasojë e asfiksisë mekanike apo nga mbyllja apo bllokimi i rrugëve të sipërmeve të frymëmarrjes nga një mjet i  fortë. Dëmtimet e përshkruara në raportin zyrtar të autopsisë që u kumtua më 18 nëntor 2016 nga kryeprokurori i Prizrenit Sylë Hoxha, në një konferencë për media, thotë se “me besueshmëri janë dëmtime të vetë shkaktuara, ‘hezituese’, të shoqëruara me gjakderdhje të jashtme por që nuk kanë shkaktuar shok hemoragjik”.

Megjithatë, më pak se dy javë pas publikimit të autopsisë, të afërmit, kolegët dhe madje edhe anëtarët e shoqërisë civile të Kosovës nuk e pranojnë raportin mjeko-ligjor dhe vazhdojnë të hedhin dyshime mbi rolin e institucioneve shtetërore në të cilat Dehari ishte 24 orë nën mbikëqyrje për ato 68 ditë, gjatë kohës që ai ishte në paraburgim.

Ndërkohë, organizatat e shoqërisë civile dhe individë kanë organizuar një peticion, kërkesa kryesore e të cilit është një hetim ndërkombëtar për vdekjen e Deharit. Më 29 nëntor, peticioni me 23 mijë e 774 nënshkrime të qytetarëve të Kosovës i është dorëzuar Komisionit për të Drejta të Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione dhe kryesisë së Kuvendit dhe Kuvendit.

Përfaqësues të shoqërisë civile po e shohin hetimin ndërkombëtar për vdekjen e Deharit si mundësinë e vetme për të nxjerr në dritë të vërtetën, sidomos pas deklaratave kontradiktore që janë bërë nga zyrtarët kosovarë në media lidhur me rastin. Ditën që lajmi i vdekjes së Deharit shpërtheu, kreu i Policisë së Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, tha për media se ai ka vdekur si pasojë e mbidozës nga medikamentet.

“Në bazë të informatave të para që kemi marrë nga drejtori i Qendrës së Paraburgimit në Prizren, viktima ka përdorur disa medikamente dhe ka ra në gjendje kome,” ka thënë Krasniqi me 5 nëntor. “Rrugës për në emergjencë ka ndërruar jetë.  Kur ai arriti në spital, nuk tregoi asnjë shenjë jete.”

Por raporti i autopsisë më vonë kishte nxjerrë në pah asfiksinë nga mjeti i fortë si shkaktarë të vdekjes së Deharit.

Deklarata kontradiktore, kishte shtyrë prindërit e Deharit, Xhemile dhe Avni Deharin, që të dalin dhe të flasin publikisht rreth rastit dhe për të shprehur dyshimet e tyre ndaj arsyjeve të vdekjes së djalit të tyre Astritit.

Për të eliminuar dyshimet e mundshme ndaj rastit, Ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha kishte kërkuar ndihmë nga Britania e Madhe, më 11 nëntor, një javë para se të publikohej raporti i mjekësisë ligjore për vdekjen e Deharit. Hoxha përmes një letre drejtuar ambasadorit britanez në Kosovë kishte kërkuar angazhimin e Scotland Yard, policisë metropolitane britanike, në hetim. Kjo kërkesë është parë si e papranueshme nga të afërmit e Deharit, të cilët kërkuan dorëheqjen e saj – si dhe atë të ministrit të Punëve të Brendshme Skender Hyseni – para se të kryhej ndonjë hetim ndërkombëtar.

Megjithatë, Britania e madhe e kishte refuzuar kërkesën e ministres Hoxha me arsyetimin se rasti Dehari nuk ka asnjë lloj ndërlidhje me Britaninë.

Përderisa Kosova teknikisht ishte në gjendje që të kërkoj ndihmë në këtë rast, një ekspert ligjor ka hedhur tashmë dyshime të mëdha nëse një hetim ndërkombëtar mund të udhëhiqet nga një shtet i huaj. Kjo është për shkak se hetimet ndërkombëtare janë të lejuara të udhëhiqet vetëm nga shtetet me të cilat Kosova ka marrëveshje bashkëpunimi në fushën e të drejtës penale. Numri i shteteve që Kosova ka marrëveshje të tilla me të është i kufizuar.

Çdo iniciativë që ky rast të hetohet ndërkombëtarisht nga hetues apo prokuror ndërkombëtar duhet të kaloj përmes marrëveshjes ndërkombëtare sipas procedurave të parapara me Kushtetutë.”

Ehat Miftaraj

Nga 98 marrëveshje ndërkombëtare sa ka të nënshkruara Qeveria e Kosovës, K2.0 ka identifikuar vetëm dy për “ndihmë reciproke juridike në çështje penale”. Njëra është nënshkruar në 8 prill të vitit 2011 më Maqedoninë dhe tjetra me 31 maj 2011 me Turqinë.  

Ehat Miftaraj, ish–drejtor i Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Ministrinë e Drejtësisë gjatë viteve 2005-2011, dhe aktualisht hulumtues i lartë në OJQ-në Institutin për Drejtësi të Kosovës ka shpjeguar për K2.0 se hetimet ndërkombëtare mund të ndodhin vetëm në raste kur shteti me shtetin përkatës të cilit i kërkon ndihmë ka marrëveshje ndërkombëtare për çështje penale.

“Përveç autoriteteve kompetente në Kosovë si Policia e Kosovës, prokuroria dhe gjykatat e Kosovës, përfshirë Eulex-in, pa një marrëveshje ndërkombëtare nuk kanë të drejtë të hetojnë dhe ndjekin penalisht rastet penale që bien nën kompetencën e shtetit të Kosovës”, ka thënë Miftaraj. 

Sipas tij, ligji ia mundëson Ministrisë së Drejtësisë që të kërkojë asistim në hetim të rasteve, siç ka ndodh me kërkesën për Britaninë e Madhe, por në asnjë rrethane nuk nënkupton që shtetet e tjera të udhëheqin hetimet, përveç nëse egziston një marrëveshje e qartë  ndërkombërate në këtë rast.  E drejta  për të udhëhequr hetimet bie ekskluzivisht në kompetencat e institucioneve shtetërorë të Kosovës.

“Kodi i Procedurës Penale dhe Ligji për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar dhe legjislacioni tjetër përkatës  parasheh që çështjet penale të kryera në Republikën e Kosovës të hetohen ekskluzivisht nga Prokurori i Shtetit dhe agjencitë e autorizuara me ligj…Çdo iniciativë që ky rast të hetohet ndërkombëtarisht nga hetues apo prokuror ndërkombëtar duhet të kaloj përmes marrëveshjes ndërkombëtare sipas procedurave të parapara me Kushtetutë”, ka thënë Miftari.

Miftaraj shpjegoi gjithashtu se në përgjithësi një vend i huaj do të bie dakord vetëm për të kryer një hetim kur rasti është i lidhur në një farë mënyre në atë vend. K2.0 në fakt ka kuptuar që Dehari ka pasur edhe nënshtetësi maqedonase. Kjo është konfirmuar edhe nga zëdhënësja e VV-së, Tinka Kurti.  Por pavarësisht se me këtë shtet ka marrëveshje për çështje juridike penale, sipas Miftaraj mundësitë që Maqedonia  të kryej këtë hetim janë të pakta.

“Në këtë fazë të hetimeve, kur zyrtarisht kemi raporte të institucioneve në Kosovë, dyshoj së një shtet serioz do të mund të involvohej në çfarëdo rrethane, duke pasur parasysh se tanimë është ndërtuar opinion publik lidhur me këtë rast”, shtoi Miftaraj.

Politika rreth rastit Dehari

Rasti “Dehari” tashmë u shndërrua në konsum ditor edhe të politikës vendore. Pozitë e opozitë kanë adresuar akuza e kundër-akuza për “nxitjen e vrasjes apo vetëvrasjes së Deharit”. Vetëvendosje akuzon “pushtetin” për vrasje, e nga pozita pati edhe deputetë që e akuzuan VV-në se po nxit njerëzit e saj në vetëvrasje.

Tensionet kishin nisur mes dy deputetëve Albulena Haxhiut të VV-së dhe Armend Zemajt të LDK-së gjatë mbledhjes së Komisionit parlamentar për legjislacion më 21 nëntor.

Komision ky që udhëhiqet nga Haxhiu, kishte ngritur si temë diskutimi refuzimin e propozimit të Vetvendosjes e cila kishte kërkuar  mbajtjen e seancës për rastin Dehari. Vetvendosja nuk nuk kishte arritur të mbledhë nënshkrimet e nevojshëme të deputetëve për të kërkuar seancë të jashtëzakonshëme.

Anën tjetër kryeaparlamentari Kadri Veseli i PDK-së, në seancën e javës së kaluar ka thënë se grupi parlamentar i Vetëvendosjes asnjëherë nuk ka kërkuar drejtpërdrejtë nga Kryesia e Kuvendit seancë të jashtëzakonshme për vdekjen e Astrit Deharit. Veseli theksoi se edhe peticioni i nënshkruar nga qytetarët në asnjë moment nuk i drejtohet drejtpërdrejtë kryesisë së Kuvendit.

“Ne të gjithë jemi qenie njerëzore, unë e barti vendim marrjen te ju si deputet të Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Veseli. “Nëse mblidhen 40 nënshkrime, PDK kërkon seancë të jashtëzakonshme me 14 dhjetor. Ju premtoj se do të diskutohet në këtë sallë, do të hapen të gjitha letrat. Atëherë do të dihet se kush duhet me marrë përgjegjësi, se kush e ka nxitë dhe kush e ka shkaktuar vrasjen apo vetëvrasjen e tij”.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.