Pikëpamje | Dhunë Seksuale

Të mbijetuarit e dhunës seksuale të lidhur me konflikt janë të frustruar me vonesa

Nga - 24.10.2016

Janë marrë masa për të siguruar reparacione për të mbijetuarit, por procesi ka qenë i ngadalshëm.

Në lansimin e një raporti të UN Women me 31 gusht në lidhje me reparacione gjithëpërfshirëse për të mbijetuarit e dhunës seksuale të lidhur me konflikt (DhSK), disa të mbijetuar folën para shumë përfaqësuesve nga qeveria, shoqëria civile, sektori i sundimit të ligjit, organizata ndërkombëtare dhe akademia. Ishte hera e parë që në një forum të tillë të hapur, ku ishin ftuar edhe mediat, të mbijetuarit dolën në skenë dhe e identifikuan vetën si të mbijetuar. Me nervozë të dalluar, dhe disa duke iu dridhur zëri,  folën dhe kërkuan të drejtën e tyre për dëmshpërblim, për të cilën thanë se moti është bërë vonë.

“Dua kompenzimin tim. Të drejtat e mija. Nuk dua më të jem pa rrymë… Personat e kësaj kategorie janë më të lënduarit në shpirt dhe në gjak… Ku mbesin shpresat tona? Ku mund të gjejmë mbështetje? Na duhet dëmshpërblim sa më shpejtë që është e mundshme”, është cituar të të ketë thënë një e mbijetuar në raportin e UN Women “Konflikti nuk na solli lule”.

Të mbijetuarit shpeshherë e shprehin këtë frutsrim me vonesën e zbatimit të strukturës ligjore, që siguron disa përfitime për të mbijetuarit. Nën të drejtën ndërkombëtare, viktimat e DhSK kanë të drejtë në reparacione. Dhuna seksuale është një prej përvojave më traumatike që mund ta përjetojë një person gjatë luftës. Raporti i UN Women konturon pasojat e dhunës seksuale, e në to përfshihen trauma afatgjate fizike, mendore dhe emocionale, humbje e mundësive, humbje e pronës, shkleje të mëtejme të të drejtave të njeriut, dhe dëme morale. Dhe e drejta e tyre për kompensim përfshinë qasjen në drejtësi të barabartë dhe efektive; dëmshpërblime efektive dhe të menjëhershme për vuajtje; dhe qasje në informata në lidhje me mekanizmat e shkeljeve dhe reparacioneve.

Në Kosovë, kjo e drejtë për kompensim është zhvilluar ngadalë, por janë bërë hapa në drejtimin e duhur, dhe ka patur më shumë progres në muajt e fundit. Me vite të tëra pas konfliktit ka patur vetëm disa organizata të shoqërisë civile që kanë ofruar shërbime për të mbijetuarit, kryesisht shërbime mjekësore, që shpeshherë u kanë shpëtuar jetën viktimave. Organizatat e shoqërisë civile ishin gjithashtu ato që i udhëhoqën diskutimet publike për t’i njohur përvojat e të mbijetuarve, dhe për t’i plotësuar nevojat e tyre.

Ka patur intervale disa mujore ku rregullorja është mbajtur në një sirtar në zyrën e Kryeministrit, duke pritur miratimin, ose më vonë, amendamentin.

Këto përpjekje morrën më shumë hov në vitin 2012. Me presionin e shtuar publik, dhe me themelimin e Këshillit Kombëtar të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës nga Presidentja e katërt e Kosovës, Atifete Jahjaga, në mars 2014 Parlamenti miratoi një amendament për Ligjin mbi të drejtat e viktimave civile. Ky amendament, i miratuar në lexim të dytë, pasi leximi i parë ishte mjaft i diskutueshëm dhe nuk përfundoi me miratim, i njeh të mbijetuarit e DhSK si viktima civile të luftës dhe u siguron pension mujor (shuma e të cilit nuk specifikohet në Ligj), qasje në shërbime shëndetësore jashtë vendit, prioritet në punësim, koncesione në taksa, dhe përfitime të strehimit social, për ata që kanë kushte të vështira ekonomike.

Në dy vitet që kanë kaluar prej atëherë, rregullorja e domosdoshme për themelimin e një Komisioni të pavarur që do të verifikonte statusin e të mbijetuarve të DhSK është hartuar, miratuar, dhe ndryshuar. Gjatë këti procesi, ka patur intervale disa mujore ku rregullorja është mbajtur në një sirtar në zyrën e Kryeministrit, duke pritur miratimin, ose më vonë, amendamentin.

Rregullorja hyri në fuqi në shkurt 2016, dhe amendamenti për të u bë në gusht, me dy ndryshime të mëdha: barra kryesore e përgjegjësisë për themelimin dhe mbështetjen e Komisionit është zhvendosur nga Zyra e Kryeministrit në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, dhe procesi i zgjedhjes së anëtarëve të Komisionit është ndryshuar. Ndonëse rregullorja origjinale kërkonte që të gjithë nëntë anëtarët e Komisionit të zgjedhen nëpërmjet thirrjes së hapur për aplikim, rregullorja e ndryshuar kërkon që pesë anëtarë të Komisionit që vijnë nga institucionet publike të caktohen nga liderët e këtyre institucioneve, dhe katër tjerët nëpërmjet thirrjes së hapur. Profili i anëtarëve të Komisionit është i vendosur në ligjin e ndryshuar të vitit 2014.

Po bëhen hapa konkret për themelimin e Komisionit. Qveria i ka emëruar përfaqësuesit nga institucionet publike, the thirrja për anëtarët tjerë është mbyllur. Pra në javët e ardhshme pritet që të emërohen të gjithë anëtarët e Komisionit. Por realisht nuk duket se ka gjasa që Komisioni të shqyrtojë aplikime sivjet, meqë sipas legjislacionit që është aktualisht në fuqi, Komisioni nis zyrtarisht mandatin pesë vjeçar tek pasi të përfundohen trajnimet themelore dhe të detyrueshme, dhe jo më vonë se tre muaj pas emërimit të anëtarëve. Qeveria, në bashkëpunim me partnerët e vet, veç se është duke punuar për planifikimin e këtyre trajnimeve.

Struktura aktuale ligjore, dhe hapat që janë bërë për themelimin dhe funksionalizimin e Komisionit, janë lëvizje të shquara në drejtimin e duhur për të garantuar të drejtën e të mbijetuarve për reparacione. Shmangja e vonesave të mëtejme në lidhje me funksionalizimin e Komisionit do të çonte sinjalin se qeveria është serioze sa i përket respektimit të obligimit të vet për të siguruar reparacione për të mbijetuarit dhe për ta reduktuar mosbesimin që e ndjejnë shumë njerëz. Në këtë aspekt, qeveria duhet të vendosë gjithashtu edhe shuma domethënëse të kompenzimit mujor për të mbijetuarit e DhSK që verifikohen nga Komisioni, dhe duhet ta ndajë një pjesë të buxhetit për këtë skemë të pensionit.

Garantimi i pjesëmarrjes direkte dhe domethënëse të të mbijetuarve në vendimmarrje jo vetëm që do t'i përmirësonte programet e reparacionit, por edhe do t'i fuqizonte vet të mbijetuarit.

Por ka edhe shumë punë që duhët bërë. Legjislacioni siguron reparacione të kufizuara për të mbijetuarit e DhSK, më të kufizuara se ato që i marrin kategoritë tjera të viktimave civile, e kështu po ipet një mesazh që vuajtja e të mbijetuarve të DhSK vlerësohet më pak se ajo e viktimave tjera civile. Duhen përpjekje që reparacionet të jenë më transformuese, të ofrojnë qasje më të mirë në shërbime të kujdesit shëndetësor në Kosovë, dhe mundësi arsimi për të mbijetuarit dhe fëmijët e tyre.

Për më tepër, ky Ligj siguron vetëm njohjen e atyre të mbijetuarve që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë periudhës relativisht të shkurtër prej 27 shkurtit, 1998 deri me 20 qërshor, 1999. Kjo kornizë kohore i përjashton të gjithë ata që u lënduan para konfliktit dhe menjëherë pas tij. Poashtu i përjashton edhe të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë sulmeve të hakmarrjes, persona të të gjitha etnive, por kryesisht serbë dhe minoritete tjera. Kjo kornizë kohore duhet të zgjatet, të paktën të jetë e njëjtë me atë që është në fuqi për persona të humbur: prej 1 janar, 1998 deri me 31 dhjetor, 2000.

Por, këto dhe tjera plotësime të mundshme për këtë legjislacion nuk duhet ta ngadalësojnë zbatimin e tij. Përkundrazi, amendamentet në legjislacion mund të përgatiten dhe miratohen njëkohësisht me funksionalizimin e Komisionit.

Struktura ligjore parasheh fushata publike për informimin e personave për procesin e aplikimit. Komisioni, dhe qeveria, duhet të garantojnë që kjo rezulton në sensibilizimin e të gjithë personave dhe inkurajon të gjithë të mbijetuarit – ata që janë duke shfrytëzuar shërbimet e OJQ-ve, dhe tjerët – që të aplikojnë për verifikim të statusit të tyre. Një e mbijetuar që u citua në raportin e UN Women tha: “Nuk mund t’i ndryshojmë qëndrimet e njerëzve. Për 16 vite po të kisha mundur ta quaj vetën veterane, do të isha krenare – ndërsa të mbijetuarit e dhunës seksuale nuk fuqizohen, dhe jetojnë në heshtje”. Komisioni, dhe mënyra se si ata e drejtojnë punën, do të jetë mundësi për qeverinë, dhe shoqërinë, që të nxisin thyerjen e kësaj heshtjeje.

Shumë e rëndësishme është që të gjithë akterët e përfshirë të fokusohen për të garantuar që të mbijetuarit e DhSK të përfshihen në fazat e konsultimit dhe vendimarrjes në lidhje me proceset që do të kenë ndikim në ta. Raporti i UN Women thekson që “komunikimi joadekuate dhe i vonuar ka rezultuar gjithashtu në mosndërgjegjësimin e të mbijetuarve në lidhje me fazat e ndryshme të secilit proces, duke shkaktuar kështu edhe më shumë ankth e pakënaqësi”.

Garantimi i pjesëmarrjes direkte dhe domethënëse të të mbijetuarve në vendimmarrje jo vetëm që do t’i përmirësonte programet e reparacionit, por edhe do t’i fuqizonte vet të mbijetuarit. Siç është cituar në raport të ketë thënë një e mbijetuar tjetër: “Gratë [të mbijetuarat e DhSK] janë të rraskapitura nga e kaluara e tyre dhe duke folur për të kaluarën e tyre. Nuk duhet të merren vetëm me të kaluarën, por edhe me të ardhmën”.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO