Në thelb | Dhomat e Specializuara

Rregullat jokushtetuese në Dhomat e Specializuara

Nga - 08.05.2017

Pse u kthyen për rishikim rregullat në lidhje me procedurat dhe dëshmitë?

Edhe para formimit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit Special, veç se kishte nisur një debat i nxehtë nëpër instanca të sistemit ligjor.  Deri në këtë pikë, duket se ky lloj interesimi publik do të jetë veçori që do të vazhdojë t’i përcjellë Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit Special për një kohë të gjatë.

Polemika e fundit ka të bëjë me zhvillimet e fundit; disa rregulla të caktuara procedurale janë shpallur jokushtetuese nga Gjykata Kushtetuese, e kjo bëri që të gjitha rregullat t’i referohen përsëri ekipit të Prokurorisë Speciale për rishikim.

Në mars të këtij viti, Paneli i Gjykatësve të Dhomave të Specializuara i miratoi Rregullat e Procedurave dhe Dëshmive. Më vonë, gjatë po atij muaji, këto rregulla iu referuan Gjykatës Kushtetuese për miratim – e gjithë si pjesë e procedurës. Megjithatë, ndodhi një e papritur. Gjykata gjeti se prej të  gjitha rregullave që ishin dorëzuar (208 rregulla në total), 10 nuk ishin në përputhje me Kapitullin 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që flet për të drejtat dhe liritë themelore.

Është e rëndësishme të cekim që Gjykata Kushtetuese nuk i shpall rregullat në kundërshtim me Kushtetutën, përveç në raste kur kundërshtimi është i qartë. Kjo do të thotë që edhe pse kërkoheshin qartësime të caktuara për rregullat tjera, 10 prej tyre ishin krejtësisht kontradiktore ndaj Kushtetutës së Kosovës.

Gjykata Kushtetuese me unanimitet gjeti se shtatë rregulla nuk janë në përputhje me Kushtetutën, ndërsa dy tjera u gjetën si jokushtetuese nga një shumicë e gjykatësve, e për një tjetër ishte e pamundur të thuhej me siguri nëse  është apo jo në përputhje me Kushtetutën. Shumica e rregullave kontradiktore kanë të bëjnë me të drejtat e personave që janë nën hetim, e të tjerat janë të fokusuara në organizimin dhe administrimin e Dhomave të Specializuara dhe dispozitave të përgjithshme.

Në mënyrë që të kuptohet më lehtë kjo çështje, do ta adresojmë në pjesë të ndara duke u fokusuar në rregullat që janë shpallur si kontradiktore me Kushtetutën, sa i përket  procedimit të provave dhe dëshmive nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokrurorit Special.

Rregullat kontradiktore

Rregulli 19 (3): Mungesa e Gjykatësit/es

Paragrafi 3-të i këtij rregulli e ngrit çështjen se a do të mund të vazhdohen procedurat dhe mbajtja e seancave me dy gjyqtarë si pjesë e jë ‘trupi të themeluar nga ligji’ (që garantohet nga Kushtetuta e Kosovës). Tre gjykatës normalisht nevojiten për të formuar një numër tek të gjykatësve si pjesë e trupit gjykues.

Gjykata Kushtetuese ka gjetur se vazhdimi i seancës para dy gjykatësve të një trupi gjykues nuk ka bazë ligjore, e kështu nuk është në përputhje me Kushtetutën.

Duke pasur parasyh shkallën e ndërhyrjes në të drejtën e privatësisë, që arrijnë masat e fshehta, Gjykata i ka marrë për bazë pikëpamjet e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Rregullat 31, 32 dhe 33: Masa Speciale Hetuese

Këto rregulla bëjnë dallime në mes të llojeve të ndryshme të masave speciale hetuese. Megjithatë, ato kanë mungesë të disa elementeve kyçe. Nuk i përcaktojnë kategoritë e personave mbi të cilët mund të aplikohen masat e fshehta, apo shkallën e ndërhyrjes në të drejtën e privatësisë së personave.  

Këto tri rregulla gjithashtu lejojnë përgjimin e telekomunikimeve dhe formave tjera të mbikëqyrjes ndaj të gjithë personave, kur përmbushen disa kushte të caktuara. Por kanë mungesë të përpikshmërisë së mjaftueshme sa i përket kohëzgjatjes së komunikimeve të përgjuara.

Duke pasur parasyh shkallën e ndërhyrjes në të drejtën e privatësisë, që arrijnë masat e fshehta, Gjykata i ka marrë për bazë pikëpamjet e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNj) që deklaron se çfarëdo ligji për përgjime dhe masa të fshehta të mbikëqyrjes duhet të përmbajë masa minimale mbrojtëse si: specifikimi i natyrës së shkeljes që mund të kërkojë përgjim, kufizimi i kohëzgjatjes së përgjimit, përcaktimi i kategorive të njerëzve telefonat mobil të të cilëve mund të përgjohen, dhe specifikimi i periudhës brenda së cilës inçizimet duhet të fshihen ose shkatërrohen.

Gjykata Kushtetuese gjeti se në këtë rast, rregullat 31, 32 dhe 33 nuk përputhen me Kushtetutën sepse kanë mungesë të masave adekuate të sigurisë kundër abuzimit me fuqinë për përdorimin e masave speciale hetuese, dhe veçanërisht sa i përket përgjimit të komunikimeve.

Rregullat nuk e përmbushin kërkesën e ‘kualitetit të ligjit’, të nenit 55.1 të Kushtetutës, dhe nuk mund të demonstrojnë që ‘ndërhyrja’ e lejuar do të kufizohet brenda ‘domosdoshmërisë’ së shoqërisë demokratike.

Rregulli 35 (1) (b) dhe (c) dhe Rregulli 35 (3): Kërkim dhe Konfiskim nga Prokurori Special

Paragrafi 1, nën-pikat (b) dhe (c) e rregullit 35  për kërkim dhe konfiskim,  gjithashtu ndikojnë në të drejtën për integritet personal dhe të drejtën për privatësi, që garantohen nga Kushtetuta dhe KEDNj.

Këtu Gjykata Kushtetuese thotë se çfarëdo ndërhyrje në të drejtat dhe liritë themelore që rezulton nga kërkimet e konfiskimet duhet të jetë ‘e nevojshme/domosdoshme’. Sipas Gjykatës, ‘nevoja/domosdoshmëria’ nënkupton se kufizimi specifik i të drejtave në fjalë korrespondon me një nevojë jetike sociale dhe është proporcional me synimin legjitim.

Megjithatë, rregulli 35, paragrafi (1), pika (b) përcakton se Prokurori Special mund të zhvillojë kërkime e bastisje në ‘çfarëdo’ prone në të cilën arrestohet një person, që është kapur duke kryer një krim. Ndërkohë, nën-pika (c) e të njejtit rregull lejon që Prokurori Special të kontrollojë apo bastis  ‘cilindo’ person dhe të konfiskojë ‘çfarëdo’ gjësende në pronën që është bastisur apo gjindet një person për të cilin është lëshuar një urdhër arrest paraprakisht.

Gjykata Kushtetuese, në lidhje me këtë rregull, u thirr në nenin  36.2 të Kushtetutës, që deklaron se autoritetet mund të kryejnë kërkime e kontrollime vetëm ‘sa të kenë nevojë/sa është e domosdoshme’ dhe ku ‘shihet si e nevojshme për hetimin e një krimi’. Pra kështu, Gjykata gjeti se këto kompetenca të zgjeruara që i janë dhënë Prokurorit Special nuk e përmbushin kërkesën e ‘nevojës/domosdoshmërisë’ që parashtrohet në Kushtetutë.

Rregulli 35, paragrafi (3) në anën tjetër parasheh se: ‘paneli duhet ta aprovojë kërkimin dhe konfiskimin vetëm nëse i përmbush kushtet nën paragrafin (1). Nëse aprovimi refuzohet, Prokuroria Speciale duhet’i jep fund menjëherë operacionit të kërkimit dhe konfiskimit’.

Gjykata gjithashtu gjeti se kjo pjesë e rregullit nuk është në përputhje me nenet e lartpërmendura kushtetuese – dhënë natyrën e procesit të rishikimit gjyqësor post facto (pas faktit). Për ta thënë më thjeshtë, Gjykata ka vendosur që nuk ka kuptim që Prokurori Special ta nis operacionin e kërkimit e pastaj t’i ipet fund nëse paneli nuk e aprovon.

Gjykata ka përcaktuar që ky rregull nuk është formuluar me shkallën e duhur të saktësisë.

Rregulli 36 (1) dhe (2): Ekzekutimi i Operacionit të Kërkimit dhe Konfiskimit

Rregulli 36, paragrafi (1) pika (a) parasheh që Prokurori Special t’i sigurojë personit të ndjekur një ‘kopje të çertifikuar’ të vendimit para ekzekutimit të operacionit të kërkimit dhe konfiskimit, ndërsa rregulli 36, paragrafi (2) lejon që këto rregulla të mos aplikohen në rrethana të jashtëzakonshme.

Gjykata Kushtetuese e ka shprehur pasigurinë e saj për atë se çfarë lloje të kërkimeve mbulohen nga cilët paragrafë të rregullit 36, më specifikisht për atë se a e ka për qëllim paragrafi (1) mbulimin  vetëm të kërkimeve të autorizuara gjyqësisht, dhe paragrafi (2) sigurimin e operacioneve që nuk janë të autorizuara gjyqësisht. Për shkak të kësaj pasigurie, Gjykata ka deklaruar se edhe nëse rregulli 36, paragrafi (2) interpretohet si rregull që aplikohet për operacione të kërkim-konfiskimit që nuk janë të autorizuara gjyqësisht, kjo do të thoshte se në ‘rrethana të jashtëzakonshme’, Prokurori Special do të lirohej nga detyra e ‘informimit të personit për të drejtat e tij/saj”, meqë ai obligim përfshihet në paragrafin (1) pika (b).

Gjykata Kushtetuese beson se, pa marrë parasysh a kryhen operacione të kërkim-konfiskimit me apo pa autorizim paraprak gjyqësor, një person që i nënshtrohet një operacionit të tillë duhet, në parim, të informohet për të drejtat e tij/saj. Prandaj Gjykata vendosi që ky rregull nuk është i formuluar me shkallën e duhur  të saktësisë, dhe se këto dispozita pra nuk përputhen me kërkesën e kualitetit të ligjit që është parashtruar në Kushtetutën e Kosovës.

Rregulli 38 (1) dhe (5): Ekzaminimet e Ekspertëve

Rregulli 38 është një tjetër që mund të shihet si rregull që është në kundërshtim me të drejtën për integritet personal dhe të drejtën për privatësi, që përcaktohen në nenet përkatëse 26 dhe 36 të Kushtetutës, dhe nenin 8 të KEDNj.

Rregulli 38, paragrafi (1) e lejon Prokurorin Special që të urdhërojë mbledhjen e flokëve, pështymës dhe mostrave tjera që mund të merren pa ndërhyrje trupore, pa kërkuar autorizim paraprak nga paneli gjykues. Rregulli 38, paragrafi (5) në anën tjetër përmend mbajtjen e të gjitha materialeve, përfshirë mostrave qelizore të mbledhura pa ndonjë vlerësim specifik të rrethanave.

Megjithatë, rregulli 38 nuk përmbanë specifikime për kategoritë e personave për të cilët mund të urdhërohen ekzaminime fizike, e as nuk ofron masa të sigurisë për të garantuar që materialet e mbledhura nuk mbahen për periudhë më të gjatë se që është e nevojshme. Për shembull, materiali mund të mbahet pa marrë parasysh natyrën apo rëndesën e shkeljes për të cilën një individ është shpallur i dyshuar fillimisht, e pa marrë parasysh atë se a është individi në fjalë i dyshuar, individ i shfajësuar apo individ i tretë.

Gjykata Kushtetuese konsideron se mungesa e masave adekuate të sigurisë për kryerjen e ekzaminimeve të ekspertëve pa konsensus të personit, dhe për mbajtjen e materialeve të konfiskuara, nuk ka ekuilibër të drejtë në mes të interesave të kundërta publike e private, e si e tillë është në kundërshtim me Kushtetutën.

Gjykata thotë se po të refuzohet një pëlqim i tillë, aplikimi i kësaj dispozite do të thoshte që personi i ndaluar ‘nuk mund të lirohet’.

Rregulli 54 (4): Rishikimi dhe Rishqyrtimi i Dënimit gjatë Mbajtjes së Personit në Paraburgim

Ky rregull i përcakton direktivat për rishikim dhe rishqyrtim të dënimit gjatë mbajtjes së personit në paraburgim dhe është një prej rregullave më të diskutueshme. Paragrafi 4 i këtij rregulli përfshinë frazën ‘personi i ndaluar nuk do të lirohet pa pëlqimin e atij shteti [i referohet një ‘shtetit të tretë’ ku i mbajturi kërkon që të lirohet]’, e kjo është parë si shumë problematike.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, duke aplikuar testin e ‘kuptimit të thjeshtë’, kjo dispozitë do ta bënte lirimin e personit të mbajtur krejtësisht të varur mbi pëlqimin e shtetit, edhe në rrethana ku një panel i gjykatësve ka gjetur arsye të mjaftueshme për të liruar personin në fjalë.

Gjykata thotë se po të refuzohet një pëlqim i tillë, aplikimi kësaj dispozite do të thoshte që personi i mbajtur ‘nuk mund të lirohet’. Gjykata pra ka marrë parasysh faktin se çfarëdo dënimi në këto rrethana nuk do të ishte i ligjshëm, dhe kështu e ka shpallur këtë dispozitë specifike të Rregullit 54, pargrafi (4) si jo në përputhje me nenin 29 të Kushtetutës, që garanton të drejtën për liri dhe siguri.

Rregulli 159 (2): Statusi i Personit të Shfajësuar

Ky rregull me gjasë do të lejonte Prokurorin Special që të vazhdonte dënimin e një personi të shfajësuar, po të planifikohet ndonjë apelim/ankim kundër shfajësimit, duke ngritur kështu probleme me çështjen e ligjshmërisë së kufizimit të lirisë në këtë mënyrë.

Gjykata Kushtetuese e theksoi përsëri rëndësinë e moskufizimit të lirisë në mënyrë arbitrare. Në këtë bazë, Gjykata gjeti se, pa marrë parasysh rrethanat, dënimi i vazhdueshëm i një personi të shfajësuar që është duke pritur vendimin për një apelim/ankim kundër shfajësimit të tij/saj (në mungesë të dyshimeve të arsyeshme për kryerje të krimeve tjera) nuk parashihet nga ligji dhe kështu nuk është në përputhje me Kushtetutën.

Rregulli 134 (3): Dispozitat e Përgjithshme

Së fundmi, Gjykata në mënyrë unanime vendosi që nuk është në gjendje ta shpallë rregullin 134, paragrafi (3) në përputhje me Kushtetutën.

Rregulli në mënyrë eksplicite thotë se: ‘një panel [gjykues] nuk mund të aplikojë ligje për dëshmi pa qenë në përputhje me nenin 12 të Ligjit’. Kur lexojmë nenin 12 të Ligjit[për Dhomat e  Specializuara dhe zyrën e Prokurorit Special], është e qartë se nuk ka të bëjë me ligje të dëshmive, por është ligj substancial penal, e prandaj Gjykata Kushtetuese ka vendosur që nuk e kupton qëllimin e këtij rregulli dhe ndikimit të tij. Për shkak të kësaj hutie, Gjykata vendosi që nuk është në pozitë për të deklaruar se a është ky rregull në përputhje me Kushtetutën apo jo.

Çka tash?

Menjëherë pas marrjes së aktgjykimit mbi rregullat e procedurave dhe dëshmive, kryetarja e Dhomave të Specializuara dha urdhëruar riklasifikimin e rregullave the procedurave të Gjykatës (të njohura si Aneksi A) prej statusit konfidencial në atë publik. Tani të gjithë mund t’i lexojnë online ato.

Tash kryetarja e Dhomave të Specializuara do të duhet ta thërras një panel të plotë për t’u siguruar që rregullat e rishqyrtuara do të jenë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Rregullat do të hynë në fuqi pasi që të vendosë Gjykata Kushtetuese që të gjitha janë në përputhje me Kapitullin 2 të Kushtetutës – e jo më parë.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.