Pikëpamje | Politics

Dhomat e Specializuara të Kosovës reflektojnë marrëdhënien e Kosovës me perëndimin

Nga - 21.06.2024

Një përditësim nga gjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.

Në gusht të vitit 2002 e përcolla gjykimin ndaj Slobodan Milošević në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY) në Hagë. Në fillim të qershorit të vitit 2024, vizitova sërish Hagën, këtë herë për ta vëzhguar gjykimin ndajish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK). Të gjithë ngarkohen me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit dhe katër akuza për krime lufte; aktakuza gjithashtu pretendon se të katër ishin anëtarë të një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”. Procesi gjyqësor dhe vetë gjykata, janë ilustrim i qartë se si rëndësia e Kosovës për Perëndimin është zbehur.

Një gjykatë alienësh

DhKS e ka humbur vëmendjen mediale. Ka pasur raste të herëpashershme të zemërimit shoqëror në Kosovë, por seancat tashmë zhvillohen kryesisht në prapavijë. Në kohën e botimit të këtij artikulli, kanali i DhKS në YouTube ka vetëm 571 abonentë dhe shumica e videove të ngarkuara kanë vetëm disa dhjetëra shikime. Marrë parasysh rëndësinë e procesit gjyqësor, kjo është e jashtëzakonshme. Natyra e këtyre seancave padyshim shpjegon apatinë e publikut.

Paraqitja e proceseve gjyqësore nëpër filma dhe televizion janë larg realitetit; në vend të çasteve të tensionit të lartë, shkëmbimeve të mprehta dhe zbulimeve që shokojnë, puna në DhSK zhvillohet me një ritëm të ngadaltë. Kjo kryesisht për faktin se procedurat ligjore orientohen drejt ekzaminimit mjeko-ligjor të imtësirave të secilës dëshmi, por edhe sepse në këtë gjykatë çdo pyetje që i bëhet dëshmitarit duhet të përkthehet, pastaj dëshmitari përgjigjet dhe pastaj edhe kjo përkthehet. Shumë herë, në fakt, gjyqtari udhëheqës i kërkon dëshmitarit ta ngadalësojë shpejtësinë e të folurit, në mënyrë që përkthyesi/ja të mund ta ndjekë. Shumica e pyetjeve të parashtruara kanë të bëjnë me hollësi të zakonshme; kur arrin te ndonjë hollësi e rëndësishme, orë të tëra veç kanë kaluar.

Ka diçka që ngjan sikur një botë tjetër në sallën e gjyqit; gjykatësit/et, prokurorët/et dhe ekipi mbrojtës veshin të gjithë mantele deri te këmbët që duken si një grup murgjish. Katër gjyqtarët — nga ShBA, Zvicra, Gjermania dhe Republika e Irlandës — shohin nga një platformë e ngritur si të ishin racë aliene e qenieve më të larta nga filmat “Star Wars”.

Galeria e publikut prej nga shihet dhoma e gjykatës në përgjithësi është e zbrazët, por herë pas here një grup studentësh/esh të juridikut e gjallërojnë; me entuziazëm marrin shënime gjersa prokurorët dhe avokatët mbrojtës flasin dhe pëshpëritin me njëri-tjetrin kur gjykatësit ndërhyjnë. Studentët/et vijnë për t’i studiuar proceset gjyqësore dhe për t’i dëgjuar debatet rreth ndërlikimeve ligjore; për ta, procesi gjyqësor është spektakël, një rast studimi në zhvillim, një kapitull në temën e diplomës së tyre. Të akuzuarit s’janë asgjë veç personazhe periferike. Kosova është një vend në Evropën Lindore që supozohet të jetë shkatërruar nga lufta, që ka të ngjarë të mos e vizitojnë kurrë.

Pse u pajtova me këtë

Sa nënçmuese duhet të jetë për Thaçin të shfaqet kësisoj përpara galerisë së publikut — dhe atyre që ndjekin transmetimin e drejtpërdrejtë — gjersa prokuroria përpiqet ta paraqesë atë si kriminel lufte dhe UÇK si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”. Në sallën e gjyqit, aftësitë që e bënë atë udhëheqës rebel, kryeministër dhe president, janë të pafuqishme; qëndrimi i tij serioz, aftësia për të marrë vendime të shpejta, politikbërja e tij makiaveliste, asnjëra s’kryen punë këtu. Salla e gjyqit s’është habitati natyror për “Gjarprin”.

Gjersa shoh Thaçin duke luajtur me stilolapsin e tij rozë të ndezur, teksa sillet i shqetësuar në karrigen e tij dhe herë pas here psherëtin në mospajtim, pyes veten nëse i kujton sërish ditët kur pritej nga udhëheqës botërorë, në kohën kur ShBA e atëhershme, zëvendëspresidenti Joe Biden e përshkroi atë si “George Washington i Kosovës” në një pritje në Shtëpinë e Bardhë. Gjithashtu pyes veten nëse ai ulet e mendon, “pse u pajtova me këtë?” Me siguri njëra nga aspektet më të spikatura të këtij institucioni krejt të pazakontë gjyqësor është se vetë Thaçi bëri fushatë për themelimin e gjykatës ku tani po gjykohet.

Themelimi i Gjykatës Speciale

Për themelimin e gjykatës — e cila bazohet në ligjet e Kosovës, por ndodhet jashtë vendit dhe ka për personel gjyqtatës/e ndërkombëtarë/e — u desh ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës. Kjo duhej të miratohej nga Kuvendi i Kosovës; kështu, ishim dëshmitarë të spektaklit kureshtar të Thaçit teksa bindte Kuvendin e Kosovës ta themelonte një gjykatë që do ta gjykonte UÇK, pjesëtarët e së cilës konsiderohen heronj kombëtarë nga shumica e popullit në Kosovë. Përderisa gjykata është në aspektin juridik një gjykatë e Kosovës, që bazohet në ligjet e Kosovës, ajo është në çdo aspekt qenësor një gjykatë e huaj që luan rol kyç në një çështje me ndjeshmëri të madhe për popullin e Kosovës. Kësisoj, ndonëse ka mungesë të konsiderueshme të interesit për dëgjimin e seancave gjyqësore, do të ketë interesim të madh publik për vendimet përfundimtare.

Edhe pse është e drejtë të thuhet se pa mbështetjen e tij gjykata s’do të ishte krijuar, Thaçi po ashtu e cilësoi atë si “padrejtësinë dhe fyerjen më të madhe që mund t’i bëhet Kosovës dhe popullit të saj”. Qartazi, ai s’donte ta krijonte gjykatën; atij iu desh ta krijonte atë. Madje, ai e pranoi këtë kur më vonë u shpreh se e mbështeti themelimin e gjykatës thjesht sepse ishte “nën presion të madh nga komuniteti ndërkombëtar”.

Mund të supozojmë me siguri se me “komunitet ndërkombëtar” nënkuptoi shtetet perëndimore, dhe ShBA në veçanti. Ato shtete qartazi ishin shumë të zëshme në thirrjet e tyre për themelimin e gjykatës dhe më vonë kur pati përpjekje nga Kuvendi i Kosovës për ta zhbërë gjykatën, shtetet e Quint — Franca, Gjermania, Italia, Britania e Madhe dhe ShBA — lëshuan një komunikatë haptazi kërcënuese, duke theksuar se Kosova do të përballej me “pasoja të rënda negative” nëse do ta ndërmerrte këtë hap, pasi kjo do të shihej si “refuzim i partneritetit të Kosovës me vendet tona”.

Pretendimet se UÇK ka kryer krime lufte janë hetuar nga ICTY, gjykatat e UNMIK, gjykatat e EULEX, sistemi gjyqësor kombëtar i Kosovës dhe gjykatat serbe. Prandaj, DhSK janë gjykata e gjashtë që po heton UÇK. Kjo është diçka shumë e pazakontë; çka kanë këto krime që po pretendohet se janë kryer nga UÇK që po ka nevojë për hetim të përsëritur? Përgjigja më e thjeshtë është se viktimat po kërkojnë drejtësi dhe autorët mbeten të lirë. Por a beson njëmend dikush se kjo gjykatë u krijua posaçërisht për shkak të një dëshire për drejtësi?

Vetëm personat më naivë mund të imagjinojnë se rastet gjyqësore disi shkojnë përtej çështjeve njerëzore pa u njollosur nga interesat dhe pushteti. DhSK janë një manifestim i qartë i kësaj; krijimi i gjykatës s’ka qenë e nevojshme. Ajo ekziston vetëm sepse disa akterë — kryesisht aleatët e dikurshëm perëndimorë të Kosovës dhe ShBA në veçanti — donin që ajo të krijohej. Por pse? Përgjigja është gjithnjë e më e qartë; kjo gjykatë u krijua sepse Perëndimi donte ta përkëdhelte Serbinë.

Përkëdhelja ndaj Serbisë

Fuqia perëndimore është në rënie që nga viti 2008, kur pushtimi rus i Gjeorgjisë dhe kriza botërore financiare paralajmëruan fillimin e një rendi të ri botëror. Tek përshtatej me rendin e ri botëror përbërë prej shumë polesh, Perëndimi rimendoi përkushtimet e veta të politikës së jashtme, në një përpjekje për ta konsoliduar dhe jo për ta zgjeruar sferën e ndikimit, siç kishte tentuar më parë. Ky rimendim ka bërë që disa aleatë të deritanishëm si kurdët dhe më së qartazi afganët janë braktisur.

Edhe Kosova është prekur nga ky ndryshim i politikës; siç është bërë mjaft e dukshme në dymbëdhjetë muajt e fundit, Perëndimi tani e favorizon haptas Serbinë në vend të Kosovës. Më shumë se një dekadë më parë, u bë një llogaritje e qartë se në epokën e poleve të shumta, tërheqja e Serbisë kah Perëndimi dhe largimi nga Rusia ishte qenësore. Kështu, udhëheqësit e rinj të Serbisë u lavdëruan në masë të madhe teksa konsoliduan pushtetin; udhëheqësit perëndimorë u fotografuan duke buzëqeshur me Vučić dhe festuan fitoret e tij elektorale.

Kjo është arsyeja pse Kosova është nën sanksione nga BE, ndërsa Serbia — e cila e mbështeti një sulm të armatosur kundër Policisë së Kosovës, ku mbeti i vrarë një rreshter — nuk u sanksionua. Kjo është arsyeja pse kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka marrë kritika të vazhdueshme për kinse pengimin e “dialogut Beograd-Prishtinë”, ndërsa Vučić mund të krekoset se nuk e ka ndërmend ta nënshkruajë kurrë marrëveshjen e Ohrit pa u ballafaquar me kritika. Kjo është arsyeja pse, pavarësisht autoritarizmin në rritje, kufizimit të lirisë së medies dhe lidhjeve mes qeverisë në Serbi dhe bandave kriminale, ambasadori i ShBA në Serbi mori pjesë me kënaqësi në një fushatë të marrëdhënieve me publikun të qeverisë serbe, duke deklaruar se “Serbia po shkon drejt Perëndimit!” dhe u shpreh në mars të këtij viti, “Serbia është shumë më afër NATO-s sesa Kosova”. Është e qartë se parimet janë braktisur dhe aleanca e mëparshme me Kosovën tani ka më pak rëndësi se një aleancë e ardhshme me Serbinë.

Qasja e tanishme e njëanshme ka shumë rezultate të dukshme; nënshkrimi i marrëveshjes origjinale të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në vitin 2013; marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi në vitin 2015; shkëmbimi i propozuar i territoreve. Të gjitha kishin të bëjnë me koncesione nga Kosova, nga të cilat përfitoi tjetër kush. Gjykata u themelua sepse qeveria e Serbisë e kërkoi atë.

Dëmi që do të sjellin

Kështu, DhSK duhet të shihen për atë që janë; nuk u krijuan për ta arritur drejtësinë apo të vërtetën, as nuk u motivuan nga dëshira për ta promovuar “pajtimin” mes serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës. U themeluan sepse akterët kryesorë perëndimorë donin t’i kënaqnin nacionalistët serbë, tani në pushtet në Beograd. DhSK tashmë kanë njollosur reputacionin ndërkombëtar të Kosovës dhe nëse Thaçi, Selimi, Veseli dhe Krasniqi shpallen fajtorë — siç është në thelb e pashmangshme — dëmi për Kosovën do të jetë i madh.

Qeveria autoritare neo-Milošević që ka qeverisur Serbinë që nga viti 2012 dëshiron ta shohë UÇK të përbuzur publikisht si kriminelë dhe udhëheqësit e saj të shpallen fajtorë për vrasje dhe tortura. Thaçi lexoi deklaratën e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008; Krasniqi ka numëroi votat pro pavarësisë në Kuvendin e Kosovës. Shpallja fajtorë për krime lufte e këtyre dy figurave do të jetë një rast i përkryer që nacionalistët në Serbi të lavdërohen. Regjimi i Vučić natyrshëm do t’i përdorë këto seanca dhe vendime për t’i njollosur jo vetëm individët dhe UÇK; vetë Kosova do të portretizohet si entitet i paligjshëm dhe i falsifikuar nga “terroristët” dhe “vrasësit”. Kjo do t’u bëjë dëm të madh përpjekjeve të vazhdueshme të Kosovës për ta konsoliduar statusin e saj ndërkombëtar. Vetëm për këtë arsye, DhSK duhet t’u kushtohet më shumë vëmendje nga populli i Kosovës.

Se si ra Thaçi në këtë grackë është çështje polemikash dhe thashethemesh; cila ishte saktësisht natyra e presionit nën të cilin ndodhej? Me çfarë kërcënimesh u ballafaqua? A iu premtua fshehurazi imunitet nga diplomatët perëndimorë dhe më vonë u tradhtua? Teoritë konspirative janë të shumta. Por sido që të jetë, ai tani është kapur dhe Kosova ka gjasa ta paguajë një çmim të shtrenjtë.

 

Imazh i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.