Željko Stanetić nuk u shmanget temave që diskutohen pak kur është fjala për të kaluarat tona të luftës, tema që përballen me më shumë heshtje në krahasim me tjerat. Mund të ekzistojë frikë e madhe për t’i diskutuar çështjet e tilla, veçanërisht në shoqëritë ku klikat sunduese diktojnë rregullat e lojës. Të folurit për të kaluarën gjithashtu i detyron njerëzit, si në aspektin individual dhe atë kolektiv, të përballen me traumat e shkaktuara nga lufta.
Kjo është njëra nga arsyet pse ekziston arti dhe kjo është arsyeja pse Stanetić realizoi “Milena”, një film që tregon historinë e të gjithë atyre që, duke ikur nga lufta, u rekrutuan me forcë në forcat ushtarake serbe dhe të atyre që u kthyen me forcë. Një histori e tillë e përcjell edhe Milenën, protagonisten e filmit dhe familjen e saj, me origjinë nga Okučani i Kroacisë. Pas disa vitesh luftë, ata vendosën të arratiseshin në Ruma, në Vojvodinë, Serbi, duke ikur nga lufta dhe persekutimi i mundshëm si serbë etnikë, në një shtet të sapopavarur kroat, të dominuar nga ideologjitë nacionaliste.
Një aktivist për një kohë të gjatë nga Novi Sadi, Stanetić ka punuar në çështjet e zhvendosjes së popullsisë, në Qendrën Qytetare të Vojvodinës, një organizatë joqeveritare. Ai realizoi filmin dokumentar “Nepodobni građani” — Qytetarët pa favor — për dëbimin e popullsisë kroate nga Vojvodina. “Milena” është filmi i tij i parë artistik dhe pati premierën në Festivalin e Marsit në Beograd. Ai u shfaq edhe në Los Angeles dhe do të shfaqet në Festivalin e Filmit në Sarajevë.
Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH), mobilizimet masive të refugjatëve serbë të sapoardhur nga Kroacia filluan në janar 1994, kur afërsisht “3,000 refugjatë iu dorëzuan autoriteteve ushtarake dhe policore të Republikës Srpska dhe më pas u dërguan në pozicionet e VRS (Ushtria e Republika Srpska) në Bosnjë e Hercegovinë”. Mobilizimi u rrit në verën e vitit 1995, kur 2,000 deri në 4,000 të ardhur u mobilizuan dhe u dërguan në zonat e luftës nën kontrollin e VRS në Bosnjë dhe SVK (Ushtria Serbe e Krajinës) në Kroaci.
Përtej punës së tij si filmbërës, Stanetić ka punuar me Koalicionin për RECOM, një rrjet i organizatave joqeveritare nga i gjithë Ballkani, që avokojnë për formimin e një komisioni që vazhdimisht do t’i hulumtonte të gjitha krimet e luftës dhe shkeljet e të drejtave të njeriut, që kanë ndodhur në të gjithë ish-Jugosllavinë nga viti 1991 deri në vitin 2001.
K2.0 u takua me Stanetić për të diskutuar kalimin e tij nga bërja e dokumentarëve në një film artistik, mobilizimin e detyrueshëm në Vojvodinë në vitet 1990 dhe frikën e vazhdueshme nga kryekomandanti Željko Ražnatović — Arkan.
Fotografia: Jelena Dukarić
K2.0: Nga buroi ideja për të realizuar një film për njerëzit që u rekrutuan me forcë? Nuk është saktësisht një temë me të cilën është angazhuar ndonjëherë publiku serb.
Željko Stanetić: Për një film të tillë dokumentar kishte vite që ekzistonte ideja. Pyetja ishte se çfarë lloj filmi duhet të jetë, sa i gjatë duhet të jetë, por e dija që nuk doja ta realizoja një tjetër film të prodhuar nga OJQ, që do të shihej vetëm nëpër seminare. Më pas, në vitin 2019, fillova të punoja me shkrimin e skenarit, gjë që e bëj zakonisht dhe më bëri përshtypje ta ndaja me kolegët/et me përvojë në krijimin e filmave, jo vetëm dokumentarë, për t’i mbledhur mendimet e tyre për skenarin e filmit të shkurtër. Çfarë në fakt pasoi, ishte një valë e pabesueshme reagimesh pozitive për skenarin. Pranova një valë komentesh pozitive dhe kuptova që ky film duhej të realizohej.
Përmes projektit “Liria e Vjedhur”, në të cilin keni mbledhur raportime mediale dhe intervistuar persona që u rekrutuan në mënyrë të dhunshme dhe me punën tuaj me Koalicionin për RECOM, keni fituar shumë njohuri për këtë temë. A ishte e dobishme kur po përgatiteshe të punoje me aktorët/et?
Historia e individëve të rekrutuar me forcë u bë personale për mua që në moshë shumë të hershme, pasi kam pasur raste të tilla në familjen time. Për herë të parë i kam hasur këto rrëmbime me forcë kur isha rreth dhjetë vjeç, ndonëse nuk i kuptoja plotësisht në atë kohë. Më vonë jam marrë me këtë çështje përmes punës sime me Koalicionin për RECOM dhe Qendrën Qytetare të Vojvodinës. Ishte proces shumëvjeçar ku takova njerëz që ishin marrë me dhunë, si dhe familjet e tyre. Përfundimisht, madje temën time të diplomës për gazetari e shkrova për këtë temë në Novi Sad.
Më duhej ta transformoja dhe shteroja atë përvojë, në mënyrë që filmi të mos dilte thjesht një film tjetër aktivist.
E gjithë kjo m’i solli disa dilema, përpara se të vendosja ta merrja rolin e regjisorit, sepse përvoja ime e mëparshme ishte kryesisht e orientuar drejt aktivistëve/eve, duke u përqendruar në shkeljet e të drejtave të njeriut. Më duhej ta transformoja dhe shteroja atë përvojë, në mënyrë që filmi të mos dilte thjesht një film tjetër aktivist. Fatmirësisht, kam pasur bashkëpunëtorë të mirë, të cilët kanë theksuar aspektet kryesore që kanë nevojë të shtjelloheshin, si dhe çka duhet të largonim dhe si t’i qasemi të gjithë projektit. Pa atë përvojë, nuk do të kisha guxuar të qëndroja prapa filmit.
“Milena” shpalos historinë e refugjatëve serbë nga Kroacia, të cilët u keqtrajtuan pasi arritën në Serbi. Pamje nga “Milena”.
Kush ishin këta bashkëpunëtorë/e?
Kryesisht, kolegët/et e mi/a nga Qendra Qytetare e Vojvodinës, të cilët/at ofruan mbështetje qenësore gjatë gjithë procesit dhe dy koleget e mia që gjithashtu shërbyen si bashkë-producente të filmit — Jelena Dukarić dhe Aleksandra Sučić. Slaven Rašković, si producent ekzekutiv, ishte krahu im i djathtë gjatë gjithë këtij rrugëtimi. Miloš Milošević m’i mësoi truket e pabesueshme të prodhimit, pavarësisht idesë sime fillestare se kisha shumë njohuri rreth prodhimin. Rezultoi se të gjithë këta individë i sollën diçka qenësore që i duhej këtij filmi. Ishte hera ime e parë që po punoja si regjisori i një filmi artistik dhe ndieva sikur po mësoja gjatë gjithë procesit, falë edhe aktorëve/eve me përvojë që tashmë kanë pasur karrierë të suksesshme.
Rrallëherë diskutojmë temën e rekrutimit me forcë, ndër të gjitha çështjet që ose nuk i trajtojmë, apo ndoshta, thënë më mirë, i shmangim, që lidhen me vitet e ’90-a dhe krimet e luftës. Pse?
Kjo kategori është shpesh më pak e mbuluar dhe kur gazetarët/et më kërkojnë t’ua gjej dikë për t’i intervistuar, e kam shumë problem, sepse fillimisht, kur këta individë deshën t’i tregonin historitë e tyre, askush s’deshi të dëgjonte.
Rekrutimi me forcë mes refugjatëve të sapoardhur në Serbi, mbetet një temë që nuk trajtohet. Pamje nga “Milena”.
Frika vazhdon ende sepse shumë kaluan nëpër Erdut, në Kroaci, ku kryekomandant Željko Ražnatović, apo Arkan, udhëhiqte një kamp trajnimi. Arkani ka kohë që ka vdekur. Si e shpjegon këtë frikë?
Frika vazhdon sikur Arkan është ende figura më e gjallë dhe më e rëndësishme. Por duhet të flasim edhe për intensitetin e përvojave të këtyre njerëzëve. Shumë shpesh, ata do të thonë se lufta dhe rekrutimet me forcë ishin diçka normale. Ky qëndrim nuk i inkurajon të flasin për përvojat e tyre, edhe pse janë keqtrajtuar nga shteti ku kanë kërkuar strehim.
Ata/o nuk u keqtrajtuan nga një armik, por nga dikush që e konsideronin si të vetin, ku kërkuan strehim.
Bëhet fjalë për njerëz që ikën nga Kroacia apo Bosnjë e Hercegovina deri në vitin 1995. Pra, ata/o kaluan vite në Kroaci, që nga fillimi i luftës dhe ishin dëshmitarë të formës së saj më të tmerrshme. Më pas, në një moment, në pamundësi për të jetuar në kushte të tilla, tentuan të arratiseshin dhe erdhën në Serbi. Serbia më pas i ktheu në më pak se 48 orë, jo atje prej nga kishin ikur, por në ndonjë vend tjetër, ku as nuk e kishin ëndërruar se do të përfundonin. Ata/o nuk u keqtrajtuan nga një armik, por nga dikush që e konsideronin si të vetin, ku kërkuan strehim. Kjo ka krijuar huti të jashtëzakonshme në mendjet e tyre, që vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Ata/o janë dyfish viktima. Nëpërmjet filmit, e portretizoni se si diskutimi i kësaj teme është gjithashtu një traumatizim i sërishëm.
Sipas asaj që Serbia transmeton si informacion zyrtar, këta persona konsiderohen inekzistentë, edhe pse shumë prej tyre e paditën shtetin e Serbisë deri në vitin 2007, kur patën mundësinë ta bënin këtë me ndihmën e FDH. Shumë prej tyre fituan rastet e tyre, por pavarësisht kësaj, shteti mohon ekzistencën e tyre, gjë që i viktimizon edhe më tej. Nuk duhet të harrojmë gjithashtu se një numër i madh i individëve të rekrutuar me forcë nuk u kthyen kurrë nga zona e luftës, kështu që kemi vetëm rrëfimet nga familjet e tyre. Shumë prej tyre nuk u gjetën kurrë, madje as trupat e tyre. S’mund të them se ata që u kthyen janë të lumtur, sepse jam i sigurt se përvojat e tyre ishin të tmerrshme, ndoshta edhe më të këqija se ato nga të cilat po iknin.
Vendndodhja më e zakonshme për ta ishte Vojvodina, ku pjesërisht e keni realizuar edhe filmin. Janë dërguar edhe në Kosovë, por kjo është histori më vete. Le të rrimë në Vojvodinë. Pse u zgjodh posaçërisht Vojvodina? A thua se e kanë ndierë se nuk ishte mjaftueshëm e serbizuar?
Ishte disi e natyrshme sepse kufijtë e Vojvodinës prekin ato të Bosnjës dhe Kroacisë. Fluksi i njerëzve ndoqi këtë rrugë, por do të thosha që ishte edhe strategji e pushteteve të asaj kohe. Ishte e rëndësishme që ata të mos shkonin në Beograd, pasi atje do të ishin më të dukshëm, gjë që do ta kishte minuar narrativën e mosekzistencës së asaj lufte dhe mospërfshirjen e Serbisë në të.
Fatmirësisht, struktura e Vojvodinës është aq e llojllojshme saqë besoj se rajoni mund ta mbrojë veten.
Vojvodina ka qenë dhe mbetet gjithmonë terren testimi për nacionalizmin. Nuk e di se çfarë ambicie të ardhshme kanë autoritetet për Vojvodinën, por shpresoj që ato të mos jenë të gjera dhe të mos çojnë në nxitjen e konfliktit mes popullatës së Vojvodinës, siç e kemi parë disa herë. Fatmirësisht, struktura e Vojvodinës është aq e llojllojshme saqë besoj se rajoni mund ta mbrojë veten.
“Milena” shpalos historinë e rekrutimit me forcë përmes personazhit të një gruaje. Pamje nga “Milena”.
Pse zgjodhët titullin “Milena?” Nëse tashmë po flasim për të rekrutuarit me forcë, atëherë po flasim për burra. Gratë dhe fëmijët u lanë në ato “shtëpitë” e reja.
Që në momentin që u krye skenari, synimi im ishte ta emëroja filmin në këtë mënyrë. Për emrin u frymëzova nga një fqinje e imja, që iku nga Okučani në vitet ’90-a. Personazhin e Milena e kam bazuar në të. Veç kësaj, tezja ime përjetoi rekrutimin me forcë të burrit të saj, që për mua ishte hera e parë që u përballa me një përvojë të tillë. Pavarësisht se ishte përvojë mashkullore, ndieva nevojën ta tregoja përmes një personazhi femëror, sepse gratë shpesh janë figura të margjinalizuara në luftë. Rrallëherë i dëgjojmë historitë e tyre, si dhe kontributet e tyre gjatë luftës janë të parëndësishme, pasi perceptohet se kanë qëndruar në shtëpi dhe janë kujdesur për fëmijët. Por çka duruan në fakt, cilat mendime i rënduan dhe me kë iu desh të bashkëjetonin pas luftës?
Pavarësisht se ishte përvojë mashkullore, ndieva nevojën ta tregoja përmes një personazhi femëror, sepse gratë shpesh janë figura të margjinalizuara në luftë.
Të gjitha këto aspekte merren si të mirëqena. Në shumicën e rasteve, këto gra janë të vetmet në këtë planet që ua besojnë përvojat bashkëshortëve të tyre. Ato e kuptojnë ndikimin e thellë të këtyre përvojave në mirëqenien fizike dhe mendore të bashkëshortëve të tyre, duke vazhduar ta ndajnë jetën e tyre me këta bashkëshortë edhe sot e kësaj dite. Është përvojë traumatike dhe ishte e qartë për mua se ky rrëfim meritonte të portretizohej përmes pikëpamjes së bashkëshortes së njërit prej individëve të rekrutuar me forcë, sesa, siç mund të pritej, përmes vetë personit të rekrutuar.
Shpesh gratë ishin ato që merrnin vendime të largoheshin, siç bën Milena dhe vendimi për t’u larguar nuk ishte kurrë i lehtë.
Nuk duhet të harrojmë se ky ishte një moment shumë i ndryshëm nga ai në të cilin unë dhe ti po bisedojmë tani, ku mund të marrim vendime të ndryshme. Vendimet u morën në rrethana tepër stresuese dhe ekstreme dhe ato vazhduan ta përcaktonin jetën tënde, duke mos ditur kurrë nëse ato vendime ishin të mira apo jo. Kjo është situata në të cilën u gjendën familje të panumërta nga ish-Jugosllavia, kur u gjendën në mes të ngjarjeve të luftës.
“Milena” është filmi i parë artistik i Stanetić. Pamje nga “Milena”.
Vitet e fundit ka pasur një rritje të filmave, dokumentarë dhe artistikë, për të cilët Fondi për të Drejtën Humanitare ka luajtur rol kryesor si burim parësor informacioni. Disa shembuj janë: ” Thellësia Dy” dhe “Ngarkesa” e Ognjen Glavonić, që trajtojnë krimet kundër shqiptarëve të Kosovës, së bashku me filmin tuaj. “Njeriu që s’mund të rrinte i heshtur” i Nebojša Slijepčević, që përshkruan një ditë mizorish kundër boshnjakëve në Štrpci, madje fitoi Palmën e Artë. A ka ardhur më në fund koha për të shfrytëzuar këtë arkiv të gjerë përmes artit?
Dua të besoj se për shkak të filmave të jashtëzakonshëm që kemi parë kohëve të fundit, kjo prirje do të vazhdojë, duke na lejuar të shohim më shumë filma që shtjellojnë në mënyrë efektive të kaluarën tonë. Kjo do të na ndihmojë t’i kuptojmë fragmentet dhe, me shpresë, në një moment, të ofrojmë kontekst për gjithçka që ndodhi gjatë ngjarjeve të kohës së luftës në këtë rajon. Është diçka që është njëmend qenësore. Shumë të rinj/reja mendojnë se ka një përqendrim të vazhdueshëm te lufta, por është një narrativë që është prodhuar për nevoja të përditshme politike, të cilat shpesh janë sipërfaqësore, por jo të papritura, marrë parasysh qeveritë në rajon. Arkivat e FDH bëjnë gjithçka të mundur. Ato arkiva ruajnë një mori informacionesh dhe unë i admiroj thellësisht individët që i përpiluan dhe ata/o që dinë ta përdorin përmbajtjen e tyre. Shpresoj se ato do të vazhdojnë të përdoren për ta zbuluar të vërtetën e asaj që njëmend ka ndodhur.
Ky artikull është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Biseda u zhvillua në gjuhën boshnjake/kroate/serbe.
Imazhi i ballinës: Pamje nga “Milena.”
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.