Blogbox | Education

“Xhevdet Doda”: Tigri prej letre

Nga - 18.09.2024

Një pikëpamje tjetër për gjimnazin “elitar” të kryeqytetit.

Para disa muajsh, Komuna e Prishtinës, përkatësisht nënkryetarja, Jehona Lushaku-Sadriu, e bëri të ditur se prej shtatorit, në shollat e kryeqytetit do të zbatohet mësimi gjithëditor. Ky projekt ambicioz, sipas Komunës, fillimisht do të zbatohet në disa shkolla fillore të Prishtinës, për të vazhduar më vonë në krejt qytetin. 

Për ta bërë të mundur mësimin gjithëditor për ciklin fillor, projekti parasheh një riorganizim të shkollave te Prishtinës: bashkim të disave prej tyre e ndërrime të objekteve. Një prej shkollave që do të preket nga ky riorganizim është edhe gjimnazi “Xhevdet Doda”, i cili do të transferohet në objektin e gjimnazit të specializuar matematikor.

Mësimdhënës/e në këtë gjimnazi kanë kundërshtuar këtë projekt, me pretekstin se zhvendosja fizike e shkollës do të shkaktonte një tronditje në reputacionin e gjimnazit, cilësinë e mësimdhënies dhe strukturën e nxënësve që pranohen aty. 

Megjithatë, për mua, si dikush që ka qenë nxënës për një vit në këtë gjimnaz (2023-24), është e paqartë se si një zhvendosje një-kilometërshe do t’i kishte këto efekte negative në një gjimnaz me reputacionin që “Xhevdet Doda” ka. 

Mësimi gjithëditor, sidomos për nxënësit e shkollës fillore, është normë në shumë vende me arsim më të zhvilluar, prandaj Kosova duhet të bëjë hapa që kjo të jetë normë edhe këtu. Kurrikula e Kosovës, e cila është e frymëzuar nga standardet evropiane, parasheh që shkollat fillore të trajtojnë thellësisht aspekte të zhvillimit socio-akademik të nxënësve të kësaj grupmoshe – kjo është e mundur vetëm kur nxënësit ta kuptojnë qëllimin e të shkuarit në shkollë, kur të mësojnë mënyra për të kuptuar tekste e koncepte dhe kur të praktikojnë të menduarit kritik. 

Reforma e paraparë në kryeqytet parasheh që paradite nxënësit të kryejnë mësimet në lëndët që ata kanë, ndërsa pasdite të kenë orë shtesë të lexim-kuptimit dhe kohë për aktivitete rekreative, të cilat ua bëjnë mësimin më qejf, duke ndikuar kështu në cilësinë kumulative të mësimnxënies. Në fjalë të thjeshta, kjo reformë mund të ndikojë për së miri në zhvillim social, akademik dhe psikologjik të fëmijëve të Prishtinës.

Një pyetje që nuk bëhet mjaftueshëm është se a i do gjimnazi “Xhevdet Doda” me të vërtetë nxënësit/et e aftë/a e kritikë/e.

Kur përmendet kjo reformë, do të duhej të nënkuptohej që ajo do të ndikojë në strukturën e nxënësve të Prishtinës – ata do të jenë qytetarë/e më të përgjegjshëm/e, mendues/e më kritikë/e, më të rrjedhshëm/me në artikulim e shkrues/e më bindës/e. 

Kjo do të thotë edhe që nga gjimnazet e Prishtinës, përfshirë gjimnazin “Xhevdet Doda”, do të pranojnë nxënës/e që kanë aftësi të mendimit kritik e që do t’i ndihmojnë shkollës të zhvillohet tutje. 

Pra, kjo zhvendosje e gjimnazit me famë në Prishtinë do të duhej t’ia vlente. Mbi të gjitha, gjimnazi “Xhevdet Doda” përditë krenohet me aftësitë e të diplomuarve të vet, duke e konsideruar veten si një shkollë me prestigj. Megjithëkëtë, një pyetje që nuk bëhet mjaftueshëm është se a i do gjimnazi “Xhevdet Doda” nxënësit/et e aftë/a e kritikë/e, të cilët/at do të mund t’i ndihmonin shkollës në reforma potenciale të brendshme.

Gjimnazi që refuzon të lëvizë edhe me mendësi

Për gjimnazin “Xhevdet Doda” vazhdimisht flitet si më i miri në qytet. Shpesh dëgjoj raste se si nxënësve/eve të mirë/a në Prishtinë u bëhet presion që shkollën e mesme të lartë ta vazhdojë në “Xhevdet Doda” – kjo më ka ndodhur edhe mua. Vazhdimisht dëgjoj tek flitet për këtë gjimnaz si një institucion me prestigj të pashoq. Pak e hiç kam dëgjuar tek vihet në dyshim ky reputacion e tek artikulohen kritika publike ndaj këtij gjimnazi.

Megjithatë, si shumë shkolla tjera në Kosovë, edhe gjimnazi “Xhevdet Doda” ka probleme të shumta. Për mua, si ish-nxënës i këtij gjimnazi, “Xhevdet Doda” është një shkollë që më shumë rëndësi i kushton veshjes së uniformës sesa zhvillimit akademik e intelektual të nxënësve; një shkollë që më shumë rëndësi i kushton reputacionit të jashtëm sesa reflektimit të brendshëm. Po ashtu, është një shkollë që më shumë rëndësi i kushton paraqitjeve në gara sesa mbështetjes ndaj nxënësve/eve. 

Kësaj shkolle i mungon një sistem i organizuar i përkrahjes ndaj nxënësve.

Nga këndvështrimi im, gjimnazi “Xhevdet Doda” është jashtëzakonisht i paorganizuar: një pjesë e madhe e mësimdhënësve/eve janë jashtëzakonisht cilësor/e, mirëpo sistemi kryesisht i dështuar menaxherial dhe hierarkik i kësaj shkolle e bën atë një vend egocentrik. 

Për reputacionin që ka, do të pritej që “Xhevdet Doda” të jetë një shkollë me integritet të lartë, që përkrah dhe inkurajon nxënësit për të arritur potencialin e tyre më të lartë.  Përkundrazi, në “Xhevdet Doda”, përveç ligjëratave të mësimdhënësve, detyrat, studimet, organizimet dhe aktivitetet bëhen nga nxënësit vetë, pa ndonjë asistencë shtesë, qoftë ajo akademike apo morale. Kjo nuk do të thotë se mësimdhënësit individualisht nuk i ndihmojnë nxënësit – kjo do të thotë se kësaj shkolle i mungon një sistem i organizuar i përkrahjes ndaj nxënësve.

Për shembull, një shkollë duhet të ofrojë mbështetje të gjerë akademike në fillim të vitit akademik, në atë mënyrë që nxënësit, që kanë prapavija të ndryshme të arsimimit paraprak, të adaptohen më lehtë në jetën akademike të gjimnazit. Për kohën që unë kam vijuar mësimin në “Xhevdet Doda” kjo nuk ka ndodhur. 

Po ashtu, nga përvoja ime, qasja e mësimdhënësve në lëndë të caktuara ka mundësuar që mësimdhënësit të krijojnë përshtypje dhe pritshmëri afatgjate të gabuara për aftësitë e nxënësve. Kjo, në plot raste, është bërë përmes pyetjeve të përgjithshme, dhe jo domosodshmërisht relevante, për lëndën në dy-tri orët e para të vitit. Dikush i ka ditur përgjigjet, dikush nuk i ka ditur e dikush s’është ndier rehat të përgjigjet. Megjithatë, në bazë të këtyre (mos)përgjigjeve, mësimdhënësit kanë krijuar përshtypje dhe pritshmëri të parakohshme për nxënësit. Kjo qasje e vlerësimit të parakohshëm, që njihet edhe si “profecia vetpërmbushëse në klasë” e që është e normalizuar në këtë gjimnaz, mund të ndikojë në arritjet akademike të nxënësve – kur mësimdhënësi ka përshtypjen që nxënësi është i mirë, ka më shumë gjasa që ai të marrë vlerësime më të larta dhe të ketë rezultat të mirë në fund.

Po të dinte shkolla “Xhevdet Doda” të përfitonte nga idetë e reja dhe vizionare të nxënësve që ka, ajo do të ishte shkolla më inovative në Kosovë.

Pra, një nxënës duhet të vlerësohet edhe për potencialin e tij, jo vetëm për arritjet. Për të qenë i qartë: kjo nuk mund të jetë përgjegjësi e mësimdhënësve individual, po e menaxhmentit dhe kolektivit arsimor. 

Ndonëse jemi një shtet relativisht i ri dhe në zhvillim, “Xhevdet Doda” e ka një potencial të jashtëzakonshëm të përmirësimit dhe rritjes së brendshme – nxënësit/et. Nxënësit/et që shkojnë në këtë gjimnaz, zakonisht, janë të shkëlqyeshëm dhe përbëjnë një aset të vlefshëm. Po të dinte shkolla “Xhevdet Doda” të përfitonte nga idetë e reja dhe vizionare të nxënësve që ka, ajo do të ishte shkolla më inovative në Kosovë. 

Unë mendoj që, fatkeqësisht, mendësia e instaluar në këtë gjimnaz ua gëlltitë nxënësve kreativitetin; i rrjep ata nga vizioni i së ardhmes dhe i gjuan në humnerën e mënyrës autoritare të të menaxhuarit një shkollë. Nga ajo që kam parë, kur nxënësit kanë ide ndryshe apo inovative, ato zakonisht shtypen apo nuk merren parasysh, gjë që bën nxënësit të vënë në dyshim aftësitë dhe shkathtësitë e tyre.

Pos këtyre, ndonëse nxënësit janë të organizuar në një Këshill të Nxënësve, përfaqësimi i tyre në proceset e vendimmarrjes në shkollë është i dobët, nëse jo inekzistent. Pra, mundësitë e nxënësve/eve për t’u angazhuar në nisma të ndryshimit dhe reformës janë shumë të kufizuara: ata nuk përfaqësohen mjaftueshëm në procese të vendimmarjes që ndikojnë direkt ata. Nga ajo që kam vërejtur unë, edhe si anëtar i Këshillit të Nxënësve, nxënësit përdoren si figura simbolike në rastet kur përfaqësimi i tyre është obligim ligjor. Kur nxënësit ankohen apo kanë sugjerime, ato trajtohen vetëm “sa për sy e faqe” dhe hidhen poshtë në mënyrë ironike.

Mbi të gjitha, nga përvoja ime, ky gjimnaz as nuk i ndjekë rregullat për përfshirjen e nxënësve në vendimmarrje. Si shembull, Udhëzimi Administrativ i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për themelimin dhe funksionalizimin e Këshillit të Nxënësve (KN) parasheh që secili nxënës/e anëtar/e i KN mund të kandidojë për kryetar/e të këtij këshilli. Nga ajo që unë kam parë si anëtar i KN, gjimnazi “Xhevdet Doda” i lejon vetëm nxënësit/et e vitit të tretë të kandidojnë. Nëse shkolla mendon se kjo praktikë është e duhura, ajo do të duhej ta vendoste në votim në KN, por, fatkeqësisht, si në plot procese tjera nxënësit/et nuk pyeten dhe shkolla vendos vetë.

Kur jemi të pavlefshmëria, zhvlerësimi i opinioneve të nxënësve/eve konsiderohet një praktikë e zakonshme në gjimnaz. Kjo ndikon në vetëbesimin shëndetin mendor të nxënësve/eve.

Për më tepër, ka pasur raste kur anëtarë/e të personelit kanë ofenduar drejtpërdrejt me fjalë nxënësit/et, duke i bërë ata/o të ndihen të pavlefshëm. Kur jemi të pavlefshmëria, zhvlerësimi i opinioneve të nxënësve/eve konsiderohet një praktikë e zakonshme në gjimnaz. Kjo ndikon në vetëbesimin shëndetin mendor të tyre.

Çka dua të them me krejt këtë është se mënyra se si gjimnazi “Xhevdet Doda” funksionon është e ndikuar nga e kaluara dhe nuk është aspak e drejtuar kah e ardhmja apo edhe e tashmja. Një shkollë duhet të angazhohet vazhdimisht në procese të evaluimit të brendshëm dhe të provojë të përmirësohet. Kjo nuk ndodh ndodh në gjimnazin “Xhevdet Doda”, prandaj shumë prej opinioneve për këtë shkollë janë të pabazuara dhe, sipas meje, jo të sakta.

Unë sot nuk e ndjek mësimin në “Xhevdet Doda”, sepse kam fituar një bursë në Kolegjin e Bashkuar Botëror (United World College). Kur shikoj prapa në vitin që e kam kryer në “Xhevdet Doda” e shoh se, mbi të gjitha, kam ndryshuar shumë: presioni i panevojshëm që bëhet në këtë shkollë ka shkaktuar pasiguri në jetën tonë sociale dhe akademike. 

Në anën tjetër, duke e parë rëndësinë që i kushtohet mirëqenies dhe opinionit të nxënësve/eve këtu, i shoh mundësitë e panumërta që i ka “Xhevdet Doda” për t’u bërë, me të vërtetë, një shkollë e shkëlqyer e Kosovës. Një pyetje që më bëhet është se a kam kërkuar vazhdimisht mundësi për t’u shkolluar jashtë për shkak të gjendjes së gjimnazit “Xhevdet Doda”? Nuk e di. 

Sigurisht, nëse gjimnazi do të kishte standarde më të mira unë do të kisha qenë shumë i lumtur të vazhdoja aty. Megjithatë, instinkti im është gjithmonë të kërkoj diçka më të mirë. Më të mirën e kam kërkuar edhe në “Xhevdet Doda”, por fatkeqësisht, jam dëshpëruar.

“Xhevdet Doda”, si një ikonë e vërtetë e kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës, duhet të reflektojë. 

 

Imazhi i ballinës: K2.0.

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.