Në thelb | gratë

“Na i kanë mohu të drejtat, por boll ma”

Nga , - 20.09.2024

K2.0 flet me punëtoret teknike të Kuvendit të Kosovës, që janë në grevë tash e një javë.

Pas një jave në grevë, punëtoret që përkujdesen për mirëmbajtjen e Kuvendit të Kosovës protestuan sot, më 20 shtator në Prishtinë. Protesta u thirr nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, për t’u solidarizuar me grevistet, të cilat kanë ngritur tendë përpara vendit të tyre të punës prej 16 shtatorit, duke kërkuar kushte dhe trajtim të dinjitetshëm dhe ndalimin e diskriminimit dhe neglizhencës sistematike në punë. 

Ato po kërkojnë rritje të pagës, e cila aktualisht është 275 euro. Kjo pagë, që është më e ulët se paga minimale prej 350 eurosh bruto, që do të hyjë në fuqi në tetor të këtij viti, është skajshmërisht e varfër, sidomos kur krahasohet me pagat e larta të deputetëve/eve, zyrat e të cilëve/ave, këto gra i pastrojnë çdo ditë. 

Këto gra, shumica prej të cilave janë përgjegjëse për të gjitha punët e mirëmbajtjes në institucionit më të lartë legjislativ të Kosovës paguhen më pak se çereku i pagës bazë të deputetëve/e — paga e të cilëve/ave, me mëditje e aktivitete shtesë, mund të shkojë në mbi 2,000 euro. 

Teksa rritja e pagave, prej 275 në 500 euro, është kërkesa qendrore, grevistet kanë nxjerrë në pah edhe një varg abuzimesh, që nuk zgjidhen thjesht me rritje të pagës. Këto gra, të punësuara përmes kompanive private të kontraktuara nga Kuvendi, flasin për shkelje të përditshme të të drejtave të tyre. Shumë institucione publike, për shërbime të caktuara si pastrimi apo sigurimi, kontraktojnë kompani private, të cilat jo rrallë janë në qendër të vëmendjes për shkelje të të drejtave të punëtorëve/eve. 

Një ditë para protestës, Ilir Kërçeli, këshilltar i lartë i kryetarit të Kuvendit, në një postim në rrjetin social Facebook, tha se, teksa çështja e pagës “është obligim i operatorit ekonomik si punëdhënës dhe stafit si punëmarrës”, Kabineti mbështet publikisht kërkesat e grevisteve “duke vlerësuar të drejtë konstatimin se pagesat aktuale janë jashtëzakonisht të vogla”. Kërçeli nuk ka folur për ndonjë veprim që Kuvendi, si autoritet kontraktues do të ndërmarrë. 

Megjithatë, grevistet folën për nënçmim jo veç nga kompanitë, por edhe nga disa zyrtarë/e dhe personel administrativ i Kuvendit të Kosovës. 

“Gjuha e përdorur nga kompania, dhe ndonjëherë edhe nga stafi administrativ, është aq degraduese dhe nënçmuese sa nuk mund t’iu tregoj as në shtëpi, e as publikisht sepse na vjen marre prej fëmijëvë tonë dhe nuk dojmë që ata të ndihen keq për ne”, tha një prej grave.

Ky keqtrajtim, thonë ato, shpesh ndodh po ashtu hapur e përpara syve të zyrtarëve/eve dhe përfaqësuesve/eve politikë/e. 

“Shpesh na thonë: ‘Pse po hani këtu?’ Ne i sjellim ushqimet tona në enë të vogla plastike – ushqime që na qëllojnë shtëpi, si speca me lang – sepse nuk kemi mundësi të hamë jashtë. Por këtë nuk ia thonë kurrë deputetëve dhe zyrtarëve që porosisin ushqimin dhe hanë këtu para se të pastrojmë ne pas tyre”, shtoi një tjetër punëtore.

Gratë përshkruan gjithashtu një formë tjetër diskriminimi: detyrimi për të bartur pajisje të rënda pastrimi lart e poshtë shkallëve ashtu që të shmangin të qenit në ashensor me përfaqësuesit/et zyrtarë/e. Ndërkohë, greva, si dhe protesta e sotme, u përkrah nga aktiviste/ë, disa organizata feministe dhe Sindikata e Pavarur të Sektorit Privat — ndër të paktat subjekte, që i po mbështesin punëtoret në luftën e tyre për trajtim njerëzor.

“Ato e mundësojnë funksionimin e punës së Kuvendit. Megjithatë ato keqtrajtohen dhe paguhen mjerueshëm. Atyre iu mohohen të drejtat që iu takojnë, si ambienti dinjitoz, kontributet pensionale e respektimi i lejes mjekësore”, shkruhet në thirrjen e Kolektivi për protestë, 

Grevistet kanë ngritur një tendë të vogël para ndërtesës së Kuvendit dhe aty po qëndrojnë çdo ditë nga ora 07:00 deri në 15:00, ashtu siç e kanë edhe orarin e punës me kontratë. K2.0 kaloi disa orë me to dhe dëgjoi tregime të shfrytëzimit përgjatë 20 viteve: mungesa të shpeshta të kontratave, paga të paqëndrueshme, vërejtje nënçmuese, mungesë pushimi mjekësor, punë e papaguar jashtë orarit të punës për seancat e zgjatura të Kuvendit dhe kërcënime të vazhdueshme për largim prej punës sa herë që kanë shprehur ankesa apo kërkesa.

Grevistet i thanë K2.0 se, përveç disa individëve të caktuar, shumica e anëtarëve të Kuvendit nuk kanë treguar interes, kurreshtje apo empati, edhe pse tenda e protestës është vetëm pak metra larg vendit kah politikanët dhe zyrtarët kalojnë për të hyrë në ndërtesë çdo ditë. Pavarësisht kësaj, gratë greviste mbeten të vendosura për të vazhduar grevën e tyre derisa kërkesa e tyre për një pagë më të drejtë të plotësohet.

Këtu janë rrëfimet e disa prej tyre.

Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0

Nazife Krasniqi, 52-vjeçare

Punoj këtu gati 21 vjet. Ka punëtore që janë këtu qe 23 vjet, 20 vjet, 17 vjet. Nuk ka gati punëtore që punon nën 10 vjet. Për 20 vite janë ndërru operatorët privatë, të cilët janë kontraktu prej Kuvendit.

Pagën 275 euro e kemi vetëm qe 11 muaj, ndërsa për shumë vite na u ka rritë vetëm dy herë nga 20 euro. Para 11 muajve e kemi pasë 230 euro. Edhe këto 20 euro t’i qesin sa me t’i qërru sytë.

Në kontratat tona as na shkruan bruto apo neto [e tregon kontratën]. Paret për trust i kanë ndalë. Vitin e kaluar nuk është pagu asnjë kontribut. Asnjanës që jemi këtu. Paga jonë është aq e ulët, saqë ty nuk të dalin as për shpenzime të thjeshta personale. As nuk të respektohesh si punëtor, as nuk vlerësohesh. Krejt epitetet t’i jep, pos asaj që je njeri.

Nuk ke guxu me folë. Nuk ke guxu me ba kërkesa, nuk ke guxu me ba ankesa. Se je kërcënu prej operatorëve. Ai duhet mu ndi shumë i mbështetun prej brenda se nuk mundet me të mbajtë vazhdimisht në shantazh sa herë ankohesh. Ai [operatori] ka thanë: “Nëse të punohet puno, nëse jo, merre çantën e shko, e bi dikë më të zëvendësu ty”.  

Me 31 prill, na si gjithmonë shkum me qitë kartelën me shku në shpi. Na erdh njoftimi që nuk jemi të obligume me ardhë në punë deri në njoftimin e radhës. Na thanë që tenderi është në procedurë të prokurimit. Madje, prej kompanisë na thanë që Kuvendi po thotë kështu dhe nuk na lë sigurimi me hy brenda — për vendin tonë të punës.

Dy javë ditë kemi shku në shtëpi me ndejtë dhe kemi ardhë pas 15 ditëve. Kemi fillu punën dhe kur ka ardhë fundi i mujit na kanë qitë pagat. Kuvendi e ka qitë buxhetin e plotë, operatori na ka përgjysmu pagat. Na i ka qitë vetëm nga 150 euro. 

Qisi shkelje kemi pasë që 20 vjet, por tash është e tepërt. Kam shku me folë me të, dhe i kam pyet pse i kanë ndalë pagat tona. Kanë thanë: “Ia qesim 500 euro kujt të dojmë, i themi shko në shpi kujt të dojmë dhe i japim 1,000 euro kujt të dojmë”. Neve nuk po na interesojnë paret personale. Le t’ia japin kujdo. Por paret tona pse na kanë marrë.

Do të thotë, sa herë që janë ripërtëri kontratat [dhe ripërtërirjes së kontratës në mes Kuvendit dhe kompanisë], nuk na i kanë pagu kontributet. A po sheh çfarë padrejtësish, çfarë parregullësish bëhen në mes Parlamenti të Kosovës? E ne prej 31 dhjetor deri 15 maj kemi qenë pa kontratë. 

Tash kontratën e re e kam prej 15 majit deri me 15 nëntor dhe, kur kam kërku rritje rroge, më kanë thanë: “mbaje mend datën se nuk ke me nënshkru ma”.

Qaq jam ndi keq dhe qaq jam ofendu dhe jam detyru me shku te mjeku m’i marrë dy qetësues. Jam anku me 6 qershor, dhe qe shikoje të njëjtën datë në recetën e mjekut [tregon recetën]. Ku po jetojmë ne? A është e turpshme, Parlamenti i Kosovës, institucioni më i lartë i vendit me ba kësi shkeljesh? 

Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0

Miradije Jakupi, 57-vjeçare

Punoj këtu qe 23 vite. I kam kalu krejt qeveritë, me pavarësi e me krejt. Herën e parë i kemi pasë me marka rrogat, diku 250 marka, që atëherë kanë qenë edhe rrogë e mirë. Kemi pasë mundësi me majtë edhe familjen dhe me i rritë fëmijët. Secilën herë ka ardhë rroga tu u zvogëlu. Varësisht prej kompanive që kanë ardhë. Secilën herën kompanitë i kanë ba rrogat më të ulta, si kanë dashtë. 

Prej 7:00 mëngjes kur e filloj punën, e kemi një kat, unë e disa tjera, diku 25 zyre m’i pastru. I kemi korridoret kur i kryjmë zyret, dy salla — ato ku i mbajnë komisonet. Hyjmë nëpër zyrë, salla ku ka takime; nëse ka çdo orë, a dy herë, s’i dihet, ne duhet të jemi të gatshme, që me pastru në mes mbledhjeve dhe takimeve. E ka raste kur na thonë “kthehuni me pastru edhe një herë”. Dhe ne kthehemi e pastrojmë për të dytën herë. 

Unë, bën vaki kam punu për seancë që ka zgjatë, ose të jashtëzakonshme dhe s’ka pasë autobus. Nuk kam pasë me çka m’u kthy në shpi. Më duhet vetë me ecë deri në Vranjevc, rreth 5 kilometra natën vonë, kur s’ka asnjë njeri të gjallë. Paramendo si ka qenë në pandemi kur ka pasë seanca të jashtëzakonshme dhe frika në krejt në atë terr nëpër rrugica e prej qenve. Dhe sa herë që punojmë kështu, kurrë nuk paguhemi për punën tonë jashtë orarit. 

Mu burrin ma kanë mytë në luftë, bashkë me pesë anëtarë tjerë të familjes. Kjo nuk ka lidhje me kërkesat që i kemi, por tregon sa pak kujdes tregohet për ne. Si është e mundur që për krejt këto vite askush nuk interesohet me pyet se si ia dal në fund? Asnjë ndihmë prej askujt. Unë me vjehrrën dhe dy djemtë prej rrogës këtu kemi jetu. Kam mbrri disi m’i rritë fëmijët më këtë rrogë, e tash nuk del as për vete. Dhe nënçmime çdo ditë në punë.

Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0

Shefkije Canolli, 59-vjeçare

Unë punoj këtu, si punëtore e mirëmabjtjes në Kuvend, prej 10 vitesh. Jam kreyfamiljare, i kam tre fëmijë. Kam fillu me punu kur ka vdekë burri, prej nevojës. Deri atëhërë kam qëndru vetëm në shtëpi tu i rritë fëmijët.  Më vonë është dashtë m’i rritë me rrogën teme. 

Veç shpirti jem e din se si i kam rritë tre fëmijët me këtë rrogë këtu. Unë ankoj prej osteoporozës [sëmundje metabolike e kockës] e veç trupi jem, e duart e mija e dijnë se sa dhimbje kam prej tyne çdo ditë. Bile të kisha pasë një rrogë më të mirë, por pastro e fshij krejt ditën dhe në fund as për barna nuk dalin paret. 

Ndihem keq se kam mbetë në duar të fëmijëve që ata me më ndihmu. Sa barnat, injeksionet e kontrollat i kam, rroga nuk del as për këto. Qe shikomi gishtat si janë shtrembëru [tregon dorën]. 

Gjatë ditës i fshij 300 metra katrorë a ma shumë. Me bifeja, me shkallë, me korridora; 12 zyrë, një sallë të madhe, dy palë banjo, dritare. Krejt. Çka iu vyn atyre, ne jemi në shërbim. 

Na kanë mohu të drejtat tona, por boll ma. Të bahet çka të bahet. Ndaç të na qesin, ndaç jo. Ata e tregojnë vetë fytyrën e vet se na veç po kërkojmë një rrogë që na siguron të paktën gjërat kryesore.

Unë kam vetëm shkollën e mesme të kryeme. Dhe para se kam ardhë këtu kam mendu, a di unë të flas e të sillem me kulturë si këta këtu, se krejt këta me shkollë. U ndisha keq me vete. Tash mendoj që ata duhen mu ndi keq me vete. Unë kam sjellje shumë ma të kulturume se këta këtu që na thojnë gjithçka, e tjerët që veç shikojnë se si na keqtrajtojnë. 

Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0

Mevlide Aliu, 64-vjeçare

Punoj këtu prej vitit j 2002. Pas një viti dal në pension. Për mu është kry puna e rroga, por s’ka lidhje. Kam dalë për shoqet e mia që me pasë rrogë ma të mirë pasi  të dal unë. Nëse mbrrij pak kohë rrogë ma të mirë me pasë, shumë mirë, nëse jo, gëzohem për shoqet e mia këtu se mjaft na kanë keqtrajtu. Secilin vit ka shku tu u ba ma keq, e rroga ma e vogël, e ma e parëndësishme. Tash me inflacion, është gati si me ba hajgare. 

Unë e mbaj mend rrogën 230 euro, e pastaj ka ra në 130 euro, paramendoje. Pastaj është rritë në 165 euro dhe ka shku tu u rritë krejt pak. Tash është ba shumë vështirë me jetu me të. Përpara me 100 euro ke marrë plot sende, tash ti nuk merr asgjë me të njëjtat pare. Krejt rroga shkon tu ble do sende të thjeshta në dyqan. Për sende për vete, as mos të flas. Mos me qenë bashkëshorti që punon, na nuk do t’ia kishim dalë, sidomos viteve të fundit. 

Kjo ndikon keq edhe si ndihesh sepse nuk kontribuon asgjë. Po shpresoj që bëhet mirë për ta sepse unë e kryjta gati. Nuk ka fjalë me përshkru sa dëshpëruese është kjo, me dalë në pension kështu. Sa të pavlefshme të konsideron ty kompania e shteti. 

Na nuk kena guxu me lypë me na u rritë pagën, se na kanë kërcënu. Na kemi mbajtë presion, prej operatorit, prej zyrtarëve të kuvendit, të adminsitratës, por ka edhe prej atyne të mirë. Por këtu krejt këto, me seanca, me komisione, me delegacione, vizita, krejt këto shërbime i bëjmë ne. Askush nuk mund të hyjë brenda pa këto shërbime.

Gjithë ditën pastrojmë salla, zyre, korridore, banjo, salla, përsëri salla. Zgjatet seanca, vazhdon seanca. E gjatë kësaj kohe, askush nuk të bjen ujë, e as të vetë a ke hangër. Dhe nuk është tash, por që 20 vjet na ka përcjellë kjo vit pas viti. 

 

 

Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0.

Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.