Në gusht të vitit 2024, kryeministri i Kosovës Albin Kurti njoftoi për synimin e tij për ta hapur për qarkullim të veturave urën kryesore mbi lumin Ibër, në qytetin e ndarë të Mitrovicës, në veri të Kosovës. Ndonëse dy ura të tjera aty afër janë të hapura për vetura, kjo urë, në veçanti, është shndërruar në simbol të ndarjes etnike në Kosovën e pasluftës, pasi Mitrovica veriore është kryesisht e banuar nga serbë të Kosovës, ndërsa pjesa jugore është kryesisht e banuar nga shqiptarë të Kosovës.
NPas ndërhyrjes ushtarake së NATO në Kosovë në vitin 1999, ushtarët francezë të vendosur tek ura, nisën t’i kontrollonin letërnjoftimet e kalimtarëve. Ky ishte fillimi i procesit të shndërrimit të urës në një vend të ndarjes fizike dhe simbolike, mes pjesës veriore dhe jugore të Mitrovicës. Kjo ndarje u betonua përfundimisht në vitin 2004, kur KFOR, forca paqeruajtëse ndërkombëtare e udhëhequr nga NATO, vuri pengesa në urë, pas përleshjeve ndëretnike, ku 19 persona mbetën të vdekur dhe shumë të tjerë të plagosur në mbarë Kosovën.
Që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, serbët që jetojnë në Mitrovicën veriore kanë ngritur shpesh pengesa në urë, për t’i ndaluar kalimet në veri. Pavarësisht nga rëndësia e vazhdueshme e temës, përpjekjet e herëpashershme për ta hapur sërish urën për qarkullim të veturave kanë dështuar.
Debati për hapjen e sërishme të urës kryesore në Mitrovicë për qarkullim të veturave, bëri që disa serbë të Kosovës të protestojnë, duke thënë se siguria e tyre po “rrezikohej” dhe se ata janë “të sulmuar si popull”. Kjo shpërfaq tensionet e përhapura dhe mosbesimin e thellë mes serbëve të Kosovës dhe qeverisë së Kosovës.
Serbia ka qenë shumë e gatshme për të nxitur dhe shfrytëzuar frikën e serbëve të Kosovës, në mënyrë që të nxisë tensione në veri të Kosovës. Për më tepër, Perëndimi e ka përforcuar me tej frikën, duke mos ndërmarrë asnjë hap të ri apo kreativ, që mund ta ndryshojë dinamikën fillestare. Prandaj, s’është për t’u habitur fakti që SHBA dhe BE kërkuan nga Kurti që të mos vazhdojë me planin e tij të rihapjes, duke shprehur shqetësime për mundësinë e ripërtëritjes së konfliktit ndëretnik.
Megjithatë, Kurti s’është tërhequr, duke deklaruar se lëvizja e lirë e njerëzve dhe veturave mbi urën kryesore në Mitrovicë është hap drejt paqes. Premtimi i tij për hapjen e urës, në parim, bazohet në të drejtën themelore të një shteti për të ushtruar sovranitet brenda kufijve të vet.
Dihet se vendimi a duhet apo jo veturat të kalojnë një urë të caktuar në territorin e Kosovës, i takon qeverisë së Kosovës. Por përkundër idesë konvencionale për të drejtën e shtetit për ta imponuar një vendim qeveritar në territorin e vet, debati për urën e Mitrovicës reflekton hipokrizi shumë më të thellë rreth praktikës së sovranitetit të shtetit në politikën ndërkombëtare.
Miti i sovranitetit
Qeveria e Kurtit ka qenë më e vendosur se paraardhësit e vet në çrrënjosjen e strukturave paralele serbe në veri të Kosovës. Largimi i Kurtit nga qasjet e mëparshme, më graduale dhe të koordinuara me SHBA dhe BE ndaj veriut të Kosovës, e ka bazën në besimin e tij se sovraniteti duhet të zbatohet plotësisht dhe në mënyrë të pavarur në territorin e Kosovës.
Vendimi për hapjen e urës për qarkullimin e veturave pasqyron këtë bindje në një strategji më të përqendruar shtetërore në veri dhe nuk u kushton rëndësi shqetësimeve të Perëndimit. Kurti i sheh kërkesat e SHBA dhe BE si kontrolluese dhe përfundimisht si të padobishme në përpjekjen e Kosovës që ta shtyjë përpara autoritetin e vet në zonat e banuara kryesisht nga serbët e Kosovës.
Qartazi, Kurti e sheh shtrirjen e autoritetit shtetëror në veriun që dominohet nga serbët si problem të “sundimit të ligjit dhe kushtetutshmërisë” dhe i referohet strukturave paralele serbe si “banda kriminale të mbështetura financiarisht dhe politikisht nga Beogradi” që synojnë ta minojnë sovranitetin e Kosovës. Por e anashkalon një realitet më të madh themeltar: nuk ekziston diçka e tillë si sovranitet i plotë në politikën ndërkombëtare bashkëkohore.
Sovraniteti shtetëror është vazhdimisht në ndryshim dhe rishqyrtim. Veçanërisht në rastin e Kosovës, ku vetë fakti i pavarësisë së vendit është i lidhur ngushtë me përfshirjen ndërkombëtare dhe ku siguria e Kosovës, të paktën pjesërisht, mbështetet në forcat e KFOR të udhëhequra nga NATO, t’i referohesh sovranitetit në këtë kuptim të ngushtë e humbë fotografinë e plotë; sovraniteti ideal s’përkon me atë që shpesh shohim në praktikë. Ky realitet dhe kundërshtia e serbëve të Kosovës ndaj autoritetit të qeverisë së Kosovës në veri, e bën retorikën e Kurtit rreth urës së Mitrovicës të pazbatueshme dhe problematike në tri mënyra.
Sovraniteti shtetëror në rënie
Fillimisht, ideja e sovranitetit të shtetit është minuar dekadave të fundit nga ndërhyrja humanitare, e cila, mospërfshirjen në punët e brendshme shtetërore e kushtëzon me respektimin e të drejtave të njeriut dhe aftësinë për t’i mbrojtur qytetarët e vet. Për më tepër, globalizimi dhe multilateralizmi — që shihen si ndërvarësia në tregti, zinxhirët e furnizimit dhe shpërndarja e organizatave rajonale dhe globale — kanë dobësuar modelin konvencional të sovranitetit shtetëror.
Ndërhyrja ndërkombëtare në Kosovë vjen pjesërisht si produkt i këtij ndryshimi normativ në mënyrën se si qeveriset sovraniteti në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në këtë kuptim, ta kritikosh Perëndimin se ka braktisur normat për interesat e sigurisë është e padobishme përballë riorganizimit të vazhdueshëm të aleancave dhe rishqyrtimit të sovranitetit shtetëror.
Politika e ripërtërirë e fuqive të mëdha sfidon më tutje praktikën e sovranitetit të shtetit. Perëndimi ende mbështet të drejtën e Ukrainës për të vendosur të ardhmen e vet në BE dhe NATO, dhe mbron — të paktën në mënyrë retorike — integritetin territorial të Ukrainës. Megjithatë, SHBA dhe lojtarët më të mëdhenj evropianë ngurrojnë ta mbështesin plotësisht qeverinë e Kosovës në përpjekjet e veta për ta zgjeruar shtrirjen e qeverisjes në të gjithë vendin. Teksa sovraniteti shtetëror shpesh thirret në rastin e Ukrainës, duket se ka pak tolerancë për shtetet e vogla, ende për t’u njohur nga vendet e botës, si Kosova, që shkaktojnë telashe në emër të të drejtave të sovranitetit.
Sovraniteti i kufizuar nuk bën përjashtim
Së dyti, sovraniteti ideal në çështjet e brendshme — diçka e krijuar nga fuqitë evropiane perëndimore në shekullin e XX — nuk ka ekzistuar kurrë në praktikë siç është imagjinuar në teori. Shumica e shteteve kanë aspekte të sovranitetit të kufizuar dhe heqin dorë nga njëfarë kontrolli nga pjesët e caktuara të territorit të tyre ose nga një zonë politike. Kosova s’përbën përjashtim, pasi në sferën e sigurisë kombëtare mbështetet tek Perëndimi, si në aspektin e pranisë së trupave të huaja, ashtu edhe në shitjet e armëve, gjersa kërkon ta forcojë ushtrinë e vet. Hapësira ajrore e Kosovës kontrollohet gjithashtu nga forcat NATO-KFOR, në mungesë të një marrëveshjeje të ndërsjellë dhe përfundimtare me Serbinë.
Gjithashtu, është e vërtetë se ndikimi keqdashës i Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës i ka instrumentalizuar serbët e Kosovës. Megjithatë, s’është realiste të këmbëngulet në shtrirjen e kontrollit të plotë të qeverisë së Kosovës në veri, pa e bartur më tutje vetëqeverisjen te serbët e Kosovës.
Themelimi i një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe s’është zgjidhja e përsosur për integrimin e zonave veriore të mbizotëruara nga serbët në institucionet e Kosovës. Por nëse Kosova vazhdon t’u përgjigjet në mënyrë të pamjaftueshme kërkesave të Perëndimit për krijimin e një lloj Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe, me shumë gjasa do ta zgjasë praninë e misionit të NATO-KFOR në territorin e vet. Serbët e Kosovës mund të vazhdojnë të nxisin tensione në veri dhe t’ia paraqesin më bindshëm argumentet për ndarje një komuniteti ndërkombëtar që është lodhur duke u marrë me Kosovën dhe Serbinë.
Në këtë mënyrë, bashkësia ndërkombëtare s’do të largohet më shpejt nga Kosova dhe këmbëngulja për më shumë sovranitet në zonat e mbizotëruara nga serbët e Kosovës, e bën Kosovën shënjestër të lehtë për t’u fajësuar për çdo mungesë përparimi në dialogun e lehtësuar nga BE dhe përfshirjen e vazhdueshme të akterëve të Perëndimit në çështjet e veta të brendshme.
Më shumë për më pak?
Së treti, shtrirja e sovranitetit shtetëror mbi territorin dhe popullsinë s’është gjithmonë çështje e parimit, por e fuqisë dhe legjitimitetit efektiv. Pavarësia e Kosovës njihet nga mbi 100 anëtarë të OKB, por njohja është ende larg të qenit universale dhe Kosova ballafaqohet me probleme në zbatimin e vendimeve qendrore në veri. Po ashtu, siguria dhe integriteti i vet territorial është kryesisht nën kujdesin e NATO. Kjo e vendos Kosovën në një situatë paradoksale. Kosova provon ta shtrijë shtetësinë e vet, të pavarur nga kërkesat e BE, dhe SHBA, por njëkohësisht, mbijetesa e vet si shtet është kryesisht e lidhur me mbështetjen perëndimore.
Në këto rrethana, nëse Kosova nuk vepron në veri në përputhje me këshillat e SHBA dhe BE, rrezikon ta vë në rrezik pozitën e vet ndërkombëtare, në përpjekje për ta konsoliduar sovranitetin e brendshëm. Qeveria e Kosovës mund të dëshirojë ta rrezikojë integrimin e shtetit në organizatat ndërkombëtare për ta rritur sovranitetin e brendshëm, por duhet të tregohet e sinqertë me qytetarët për përfitimet dhe pasojat që vijnë nëse e bën këtë.
Vendosja e zonave veriore me shumicë serbe të Kosovës nën kontroll më të rreptë të qeverisë së Kosovës, pa dyshim forcon sovranitetin e brendshëm të Kosovës, por rrezikon mbështetjen perëndimore për integrimin e Kosovës në NATO dhe BE, duke e mbajtur Kosovën në sferën e një shteti de-fakto pa njohje të plotë ndërkombëtare. Ndërtimi i narrativës për hapjen e urës në Mitrovicë si çështje e sovranitetit shtetëror, mund t’ia ndihmojë Kurtit t’i fitojë zgjedhjet në shkurt të vitit 2025, por nuk do ta largojë shtetësinë e Kosovës nga zona e kontestimit në politikën ndërkombëtare.
Normat e sovranitetit shtetëror sfidohen dhe rrezikohen vazhdimisht nga ajo që shkencëtari politik dhe ish-diplomati Stephen Krasner e quan hipokrizi të organizuar të politikës ndërkombëtare. Debati rreth hapjes së urës kryesore në Mitrovicë është shembull i qartë i këtij moraliteti. Mënyra se si Kosova ballafaqohet me këto sfida para vetes, do të jetë kritike për të ardhmen e vet.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.