Ishte fillimi i marsit të vitit 2024, në aeroport të Prishtinës. Dikush në linjën e pritjes për kontrollimin e pasaportave ishte i bindur se po prisnim në vendin e duhur. Ai ishte i vetmi. Si duket shumica nga ata që udhëtonin atë ditë për në Vjenë, po shkonin për herë të parë në atë vend — për herë të parë do të uleshin në aeroplan, për herë të parë do t’i vulosnin pasaportat e tyre dhe, me gjasë, për herë të parë ishin të pasigurt për gjithçka.
Kjo vërehej nga mënyra se si pyesnin njëri-tjetrin dhe aty-këtu kërkonin ndihmë për numrat e portave tek personeli i aeroportit. Megjithatë, siguria e vetëm atij që ishte i sigurt u përqafua unanimisht, sepse në raste të tilla, kur një huqje kushton me fluturim, përgjegjësia e të të vendosurit për gjithçka vetë di të jetë e rrezikshme.
Udhëtimi u realizua. Pak rëndësi kishte fakti se një 26-vjeçare si unë dhe një 70-vjeçar si babai im, të dy po udhëtonim për herë të parë me aeroplan. Udhëtimi jashtë rajonit për në pjesën tjetër të Evropës kur kërkoheshin viza, ishte goxha problematik — shumë para, pritje, ankth, burokraci.
Vjena u bë destinacioni i parë, kjo për shkak të vizitës familjare. Pastaj udhëtimi u shndërrua në larushi lëvizjesh: Itali, Slloveni, Gjermani e Holandë. Meqë vizitat tek familjarët na e mundësonin udhëtimin me veturë në vendet fqinje, tentonim ta shfrytëzonim mundësinë të shihnim sa më shumë vende.
Përballë gjithçkaje të re
Gjithçka ishte ose dukej e re. Edhe mënyra e jetesës, edhe arkitektura, edhe ushqimi,madje edhe mënyra e qasjes së njerëzve ndaj hapësirave publike e stilit të jetesës në përgjithësi.
Në këto shtete, shihej se kultura — objektet, muzetë, galeritë dhe objekte tjera — trajtohet me shumë delikatesë, ashtu siç do të duhej. Pavarësisht numrit të madh të turistëve, dukej se vendasit kishin krijuar rregullore e mënyra funksionimi që t’i ruanin ato objekte — sistemi i biletave ishte i rregulluar, personeli që vazhdimisht kujdesej për këto objekte ishte vazhdimisht aty.
Në disa qytete të Sllovenisë dhe në qytetin Trieste në verilindje të Italisë, më së shumti më binin në sy rrugicat e ngushta me ndërtesa të ruajtuara prej dekadash të tëra. Në Vjenë të Austrisë s’ka se si të mos e shohësh katedralen e Shën Stefanit në Vjenë, së cilës iu vu themeli qysh në vitin 1137, e që flet zëshëm për atë se sa e rëndësishme është ruajtja e identiteti përmes objekteve. Tutje, në disa qytete të Gjermanisë e Austrisë, përtej hapësirave historike të hapura për vizitorë, pjesa tjetër e ndërtesave ishin të vendosura shpengueshëm në një harmoni arkitekturore. Objektet e vjetra atje dukeshin më të reja se ato të sapondërtuara në Kosovë.
Për shumë prej këtyre objekteve mund të mësosh edhe nga interneti, por kjo është e pakrahasueshme me ndjesinë që merr kur je aty dhe i sheh ato. Njohuritë e marra më herët, përforcohen dhe rrënjosen në kujtesë edhe më shumë. Po ashtu, me udhëtime ne marrim me vete edhe diçka nga jeta e vendeve që i vizitojmë, nga ajo që shohim dhe që përjetojmë.
Rëndësia e vizitave të tilla tejkalon atë që ne jemi mësuar ta dëgjojmë shpeshherë, sepse nuk është e rëndësishme veç të shihet një mënyrë tjetër e jetesës dhe të krahasohet me atë që ne si shoqëri ose individ e praktikojmë ose jemi të detyruar ta praktikojmë.
Besoj që si unë, shumë nga vizitorët kosovarë, të cilët kanë udhëtuar për herë të parë jashtë pas liberalizimit të vizave janë kthyer në Kosovë me idenë se përnjëmend sado vulgare të duket, edhe gjërat elementare të të jetuarit janë për keqardhje.
Këtu mendoj sidomos për moskujdesin që e tregojmë ndaj hapësirave publike, qoftë si institucione, qoftë përgjithësisht si shoqëri. Objektet që shënojnë historinë tonë, nuk kanë mbrojtje, derisa mbeturinat e kudondodhura flasin, jo vetëm për institucione që s’u bëhet vonë, por edhe për një shoqëri moskokëçarëse, që nuk e ndien si të veten hapësirën jashtë dyerve të shtëpisë.
Ama kur e ngrehim një paralele tjetër, këto udhëtime mund të jenë edhe mundësi për reflektim, neve si shoqëri mund të na bëjnë më kërkues ndaj institucioneve të vendit tonë dhe të na frymëzojnë që hapësirat publike t’i trajtojmë me po aq dashuri sa ato private.
Pos kësaj, të tilla vizita na ndihmojnë në një rrafsh më të gjerë: krijojmë kontakte sociale, njoftohemi me jetën e dikujt tjetër, kulturën e dikujt tjetër — afrohemi me botën në nivel më domethënës.
Mbaj mend që si filloristë mësonim në lëndën e gjeografisë për specifikat e secilit shtet. Për secilin shtet ekzistonte nga një shpjegim jashtë të zakonshmeve. Kur mësonim Holandën nënkuptonim vendin e tulipanëve, Francën si vend i kulturës, Italinë si vend historik, Gjermaninë e Austrinë si vendlindjet e kompozitorëve më të mëdhenj botërorë.
Kur kthehem tash në retrospektivë, asnjëherë nuk arrij ta kuptoj pse asnjëri nga ne kurrë nuk pyeti, thjesht e shkurt, si duket Holanda?
Me gjasë për ne ishte fort e largët kjo pyetje; asnjë nga shokët e shoqet e klasës nuk kishim vizituar vendet përtej rajonit dhe mësuesit tanë i përtuan shpjegimit në hollësi për diçka të cilën ndoshta as vetë s’e kishin jetuar. Më e largët se pyetja ishte ideja se ndonjëri nga ne (siç na quajnë, gjenerata e luftës) do të përfundonte duke shëtitur shesheve të këtyre vendeve, madje edhe veç për qejf.
Krejt në fund rrugëtimi im dy-javor përfundoi me sukses dhe, më e rëndësishmja, në linjën e kthimit nga Austria për në Kosovë, rreth 80% të njerëzve aty ishin të sigurt se po prisnin në vendin e duhur.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.
Ky blog u botua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Diversifikimi i zërave në gazetari”. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Kosovo 2.0 dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.