Një veturë fokusohet nga kamera, e ndalet nga një biçikletë e dëmtuar. Dy djemë dalin nga vetura. Vozitësi insiston që ta largojnë pengesën, por pasagjeri mbetet i shtangur nga kjo biçikletë, dhe i thotë shokut të tij që të largohet. Ai i hip e fillon të çiklojë; në rrugë – rrugën e kujtimeve- duke u kthyer në fëmijëri kur ai dhe shoku i tij çiklonin hareshëm në po atë biçikletë.
Kjo është skena e parë e filmit “Shok”, që ka motive të nostalgjisë dhe konfliktit. Ky film i shkurtër është tregim emocional i dy shokëve të rinj, që ndodh në vitin 1998, pak para fillimit të luftës në Kosovë.
Pavarësisht që filmi “Shok” nuk morri Oscan, ai ka fituar një numër çmimesh, duke përfshirë Çmimin e Madh në festivalin e pavarur filmit HollyShorts. Foto: nga filmi “Shok”.
Kjo dramë pothuajse e përsosur, e shkruar dhe me regji nga Jamie Donoughue dhe e xhiruar me aktorë e ekuipazh të përbërë kryesisht nga Kosova, u nominua për Oskar në kategorinë e Filmit më të Mirë të Shkurtër të zhanrit aksion. Ishte hera e parë që Kosova morri pjesë në Oskar, e ndonëse nuk fitoi, pjesëmarrja ishte fitore për botën e filmit në Kosovë. Ky vend i vockël me 1.8 milion banorë, prej së cilëve më së shumti dyqind apo treqind punojnë në sektorin e filmit, morri pjesë në ceremoninë e dhënies së çmimeve Oskar!
Suksesi i filmave të Kosovës
Paraqitja e “Shok” në Oskar nuk ka qenë i vetmi sukses për filmin kosovar. Në vitin 2012, “Kthimi” i Blerta Zeqirit e fitoi Çmimin e jurisë në kategorinë e Filmave të Shkurtër Artistik Ndërkombëtar në Festivalin e Filmit “Sundance”, festivalin më të madh të pavarur të filmit në SHBA. Më herët gjatë këtij viti, filmi i Daniel Mulloy, “Home”, që gjithashtu u krijua me një ekuipazh të përzier të kosovarëve e mysafirëve ndërkombëtar, e fitoi çmimin BAFTA në kategorinë Filmi më i Mirë i Shkurtër Britanez.
Këta tre filma, “Shok”, “Kthimi” dhe “Home”, janë tri sukseset më të mëdha të industrisë së filmit në Kosovë deri më tani, dhe të tre janë të fokusuar në tregime që burojnë nga lufta në Kosovë.
Por, pavarësisht arritjeve të tyre, a po bëhen filmat e Kosovës shumë monotematik?
‘Termokiss’ është një kolektiv i të rinjve që organizojnë ngjarje kulturore në Prishtinë. Në këto organizime përfshihen edhe shfaqje javore të filmave, e pas këtyre shfaqjeve shpeshherë pasojnë diskutimet. Gjatë këtyre diskutimeve, një temë që shpeshherë shtjellohet është pakënaqësia me numrin e filmave që prodhohen në Kosovë me tema që lidhen me luftën, duke i lënë anash kështu temat sociale që janë më bashkëkohore. Vend tjetër ku e njejta temë është ngritur si çështje ka qenë edhe gjatë kampanjës së fundit të K2.0 #PoDuMeDitë.
Këto pikëpamje shpeshherë përkrahen nga anëtarët e gjeneratave më të reja, të cilët nuk e përjetuan luftën, por tani po e përjetojnë shpërthimin e ri teknologjik; shkrirjen e konservatizmit seksual, ndryshimet drastike të përfytyrimit të komunitetit, dhe hutinë e përgjithshme në lidhje me vlerat, ëndërrat dhe identitetin. Të gjitha këto tema lehtësisht mund të eksplorohen nëpërmjet filmit, e kështu t’i ofrojnë një lloj udhëheqje të rinjve, të cilëve filmat që kanë të bëjnë me luftën shpeshherë u duken të panevojshëm e të dalë nga moda.
Për të ndihmuar me eksplorimin e këtyre çështjeve, dhe për të ekzaminuar se në çka duhet të fokusohet industria e filmit në Kosovë, K2.0 foli me disa prej personave kyç të botës së filmit në Kosovë, dhe i pyeti ata se çfarë saktësisht duhet të kapet nga kamera.
A duhet të jetë diçka më shumë se koha e luftës në Kosovë?
Drejtori ekzekutiv i DokuFest, Eroll Bilibani, argumenton se “plagët e luftës janë ende të freskëta” dhe se ka ende shumë tregime që mbesin të patreguara. “Për t’u përballur me të kaluarën, artistët duan që t’i tregojnë historitë që nuk janë treguar ende, nëpërmjet punës së tyre”, thotë Bilibani.
Bilibani beson se këto tregime rezonojnë edhe sot, dhe thekson faktin se shumë njerëz ende janë të humbur, e shumë plagë ende të pashëruara prej krimeve që janë kryer gjatë luftës. Ai i ceku pasojat që i ndjejnë njerëzit ende edhe sot, duke theksuar shembullin e grave që janë përdhunuar e që edhe sot stigmatizohen nga shoqëria, dukuri që Bilibani e quan “përdhunim i dytë”.
Drejtori i DokuFes-itt, Eroll Bilibani, beson se filmat që trajtojnë luftën ende rezonojnë me audiencën kosovare. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
Drejtori i DokuFest mendon se përderisa këto çështje nuk zgjidhen, filmat që kanë të bëjnë me luftë do të xhirohen, dhe duhet të xhirohen, e me shpresë do të jenë pjesë e një diskutimi më të gjërë. “Këto tregime ende ushtojnë në mendjet e njerëzve, por nuk janë vizuelizuar ende”, thotë Bilibani. “Nëse largohesh nga lagjet urbane të qyteteve të mëdha, e shkon në fshatra, mund t’i shohësh ende plagët e njerëzve që e kanë përjetuar luftën”.
Sidoqoftë, në bazë të aplikimeve që i dorëzohen DokuFest-it, Bilibani thotë se po dallohet një trend i ndryshimit, sa i përket temave që i eksplorojnë aplikuesit. “Edhe pse ende pranojmë shumë aplikime me filma që kanë të bëjnë me luftën, trend i ri janë dramat sociale”, zbulon ai. “Qofshin në formë të filmave të shkurtër, filmave dokumentar, e madje edhe komedive, gjë që është inkurajuese”.
More Raca është regjisore e filmit, filmat e së cilës shpeshherë trajtojnë tema sociale, si izolimi, paragjykimi, të drejtat e grave apo dashuria e stigmatizuar.
Raca shpjegon se si storja e filmit të saj të vitit 2012, “Amel”, u lidh me idenë e lëvizjes së lirë. “Protagonistja ishte një aktore e cila ftohet për të luajtur rolin kryesor në një film në Evropë, por për shkak se nuk arrinë që të merr vizë, i dështon tërë kariera”, thotë Raca. “Në të njejtën kohë, ky tregim trajton paragjykimet me të cilat përballet kjo aktore, edhe pse në shumicën e vendeve kjo dukuri është tejkaluar, por në vende më krahinore ekziston ende”.
Filmi i shkurtër i More Racas “Home” analizon traditat e kosovare në lidhje me trashëgiminë dhe pronën. Foto: nga filmi “Home”.
Një film tjetër që Raca e bëri në vitin 2015, “Home” (film tjetër, jo ai i Mulloy që fitoi BAFTA), fokusohet në pronësi.
“Është problem në Kosovë, sepse vetëm 15 përqind e grave kanë prona në emër të tyre, dhe vetëm 3.6 përqind kanë trashëguar prona nga familja e tyre”, shpjegon Raca.
“Home”, i regjisores Rraca, është i përqëndruar rreth historisë së protagonistes së saj, Havës, e cila futet në një lidhje të fshehtë lezbike. Hava ka pak të hyra, dhe lufton për të drejtën për të trashëguar pjesën e saj të pronës familjare.
Në filmat e saj, Raca gjithmonë i adreson çështjet e ndjeshme sociale. Arsyeja për këtë, sipas saj, është se “ne jemi shoqëri me shumë probleme sociale, dhe është mënyrë për të shtuar nivelin e ndërgjegjësimit për një fenomen që po ndodh”.
Raca beson se, edhe pse filmat nuk mund ta ndryshojnë botën, ata mund të kenë ndikim në mënyrën se si e shohim ne botën. “Mendoj se kur nuk flasim për tema të caktuara, pasojat shihen në moszhvillimin e shoqërisë, e në moskuptimin e njerëzve në relacion me njëri tjetrin”, shpjegon ajo.
“Filmi është metodë shumëe mirë për të prekur tema të ndryshme, dhe mendoj se ne veçanërisht kemi nevojë që t’i adresojmë çështjet e grave dhe komunitetit LGBT, sepse mendoj se nuk po i eksplorojmë sa duhet”.
Sa i përket temave tabu, Bilibani mendon se këto grupe janë kaq të margjinalizuara e të kërcënuara, sa që nuk kanë guxim që t’i tregojnë historitë e tyre, dhe si pasojë, filmbërësit nuk mund t’i vizualizojnë ato.
Arben Zharku, Drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, mendon se për t’i portretizuar këto grupe, regjisorët duhet të jenë të guximshëm, dhe ndonëse asnjë film i tillë nuk është bërë deri më tani, kjo do të ndryshojë së shpejti. Zharku thotë se një film i tillë është duke u prodhuar, dhe se së shpejti do të lansohet, por ai nuk është shumë optimist që ky film do të arrijë të hap një diskutim të gjërë shoqëror.
“Dua që ky film të hap një debat në shoqëri, por këtu askujt nuk ja ndinë realisht. Kalojnë pranë një flamuri LGBT që është i vendosur në ndërtesën e qeverisë dhe thojnë vetëm ‘uh sa mirë’”, thotë Zharku. “Nuk e kemi arritur ende një nivel të aftësisë për të kundërshtuar ose sfiduar diçka – si për shembull në Beograd, ku njerëzit janë ngritur, kanë thyer xhama e janë përleshur me njëri tjetrin”.
Edhe pse mungesa e reagimit mund të shihet si shenjë e emancipimit, në realitetin e Kosovës, është më shumë shenjë e apatisë. Pa reagim, nuk mund të ketë ndryshim.
Drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku, lë të kuptohet se një film i cili trajton tema të vështira të seksualitetit do të bëhet shumë shpejtë, por ai nuk është optimist se ky film do të ndikoj në paragjykimet sociale. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
Filmat kosovar kanë filluar të merren më seriozisht nga zyrtarët e qeverisë, kryesisht për shkak të suksesit të tyre. Industria e filmit ka pranuar buxhetin më të madh në histori të saj sivjet. Megjithatë, i duhet edhe mbështetje në formë të infrastrukturës; kinemave, studiove e pajisjeve. Vetëm atëherë do të mund të arrijmë një audiencë më të gjërë, e të rezultojnë ndryshime pozitive shoqërore.
Në një intervistë me K2.0, Daniel Mulloy e shtjelloi pikëpamjen e tij se çdo film që mund të bëhet kudo tjetër, mund të bëhet edhe në Kosovë. Duke dëgjuar këtë këshillë, filmbërësit në Kosovë duhet të vendosin vetëm se a është tregimi i tyre tregim i luftës, varfërisë, tranzicionit social, konservatizmit seksual, religjionit, margjinalizimit, apo çfarëdo teme tjetër që duan ta eksplorojnë nëpërmjet kamerës.K
Ky artikull është shkruar si përgjigjje ndaj pyetjeve të lexuesve gjatë kampanjës sonë #Podumedite, rreth përhapjes së filmave të luftës në industrinë e filmit të Kosovës.
Fushata # PoDuMeDitë është mbështetur nga Ambasada e Holandës në Kosovë.
Foto Kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.