Blogbox | Drejtësi sociale

Taksa e padukshme e ngacmimit

Nga - 08.03.2025

Njëmend, ngacmuesi më haset fizikisht, por me vete merr vëmendjen dhe ndjesinë time të lirisë.

Çka mendoni se do të thotë, në terma ekonomikë, që shumica e grave, të cilat përbëjnë 50% të fuqisë punëtore globale, përjetojnë një formë të ngacmimit seksual në baza mujore. Sa na kushton në të vërtetë ky fenomen si qenie? Si ndikon ai në komunitete të ndryshme? Si ndikon tek unë dhe marrëdhëniet e mia? Si ndikon në Kosovë, vendin tim?

Këto pyetje më vijnë në mendje ndërsa mbath atletet për një tjetër vrap. Me profesion jam ekonomiste dhe konsulente biznesi; në kohën e lirë fotografe feministe dhe vrapuese e pasionuar. 

Jam gjithashtu një grua 28-vjeçare, e rritur dhe momentalisht e punësuar në Kosovë. 

Falë punës dhe studimeve kam jetuar në shumë vende tjera — Jordani, Afrikë e Jugut, Esvatini, SHBA, Mbretëri e Bashkuar, Izrael, Palestinë, Afganistan, Zvicër, Kenia — gjë që më ka dhënë mundësinë t’i krahasoj edhe llojet, e edhe nivelet e ngacmimit. Përgjigjet e pyetjeve, që i ngrita më lart, do t’i quaj taksë e ngacmimit. 

Është e rëndësishme dhe e dobishme ta konceptualizojmë këtë taksë për dy arsye: e para, e di se sa më kushton mua personalisht si grua dhe se si kjo gjë formëson marrëdhëniet e mia. E dyta, lidhet me atë sa besoj se ky fenomen ndikon në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendeve dhe disa e ndiejnë këtë ndikim më shumë se të tjerat. Për pikën e parë, mendoj se duhet ta nisim një diskutim të ri për barazinë gjinore midis shokësh e shoqesh, partnerëve/eve dhe kolegëve/eve. Për pikën e dytë, përqendrimi im është Kosova, sepse besoj se ky problem na pengon seriozisht si shoqëri.

Në këtë shkrim do të përpiqem ta kombinoj përvojën personale me një qasje më empirike, duke u mbështetur si te përjetimet e mia, ashtu edhe te të dhëna që ndihmojnë për të parë fotografinë më të gjerë. E bëj këtë, plotësisht e vetëdijshme për faktin që një analizë e thellë kërkon mostër shumë më të madhe dhe qindra orë intervistash. Po të kisha më shumë kohë, kjo do të ishte e bazuar më mirë në të dhëna: një anketë nëpër gjithë Kosovën për t’i vlerësuar përjetimet dhe simptomat. Madje do të ishte ideale të krahasoheshin rezultatet me vende të tjera. Por të dhëna të tilla nuk ekzistojnë ende dhe ky tekst nuk synon t’i ofrojë. Prandaj, thjesht ju ftoj që ta shihni përvojën time si kornizë për t’i menduar e llogaritur efektet e këtij problemi. Shiheni më shumë si një eksperiment që synon ta vë nxjerrë në pah një çështje të rëndësishme.

Konceptualizimi i taksës së ngacmimit

Muajin e kaluar, në të njëjtin shteg ku planifikoj të vrapoj sot, një çiklist më kapi pjesë të trupit teksa kalonte. Së pari, m’u mësy dy herë, fillimisht prej përpara, duke më shokuar tërësisht. Pastaj, ashtu e hutuar, m’u mësy sërish, këtë herë duke më kapur nga mbrapa dhe duke më lënë tek dridhesha në shkurre. Ndërsa qeshte dhe largohej, trupi im ende përpiqej ta kuptonte atë çfarë ndodhi, ndërsa truri im kërkonte mënyrat e mundshme për të reaguar. Të bërtas? Të largohem? Ta ndjek? Ta raportoj te dikush? Te kush? Si? Fatkeqësisht, ndërsa sytë m’u mbushën me lot dhe trupi më dridhej, kuptova se në të vërtetë nuk mund të bëja shumë përveç të shkundesha dhe të vazhdoja më tej.

Nga përvoja ime, në situata të tilla pothuajse nuk ke shumë zgjedhje.

Nuk është hera e parë që më ndodh diçka e tillë dhe me gjasë as e fundit. Nga përvoja ime, në situata të tilla pothuajse nuk ke shumë zgjedhje. Ngrihesh, shkund gjethet nga rrobat, fshin lotët dhe turpin që të ngjitet në lëkurë — dhe vazhdon tutje. Dita nuk ndalet për këtë, takimet duhet të mbahen, afatet duhet të respektohen. Si gra në këtë botë — apo si çdokush tjetër që përjeton ngacmim — unë e vë theksin kryesisht tek gratë, por ky nuk është një realitet që kufizohet vetëm te ne — thjesht detyrohemi ta lëmë pas dhe të vazhdojmë, pa e kuptuar as vetë se si do të manifestohet kjo përvojë në ditët që vijnë.

Pikërisht këto simptoma dua t’i analizoj, në përpjekje për ta konceptualizuar taksën. Kam identifikuar pesë mënyra se si ngacmimi ndikon në aftësinë time për të punuar, gjë që në thelb do të thotë se ai më takson në një formë. Ato janë: 1) shpërqendrimi gjatë takimeve të rëndësishme; 2) frika që më pengon të shkoj në shitore apo në ndonjë ngjarje publike; 3) netë të tëra pa gjumë; 4) pamundësi të përqendrohem në një detyrë të vetme sepse trupi im është në gjendje të vazhdueshme gatishmërie; 5) potencialisht më bën që të mos ushtroj apo dal jashtë vetëm. 

Secila prej këtyre pasojave ka ndërlikime serioze afatgjata për shëndetin tim dhe aftësinë time për të kontribuuar në shoqëri dhe ekonomi. Ato, njëmend më kushtojnë. 

Sigurisht, ka edhe dimensione të tjera etike, si dhimbja, e drejta për autonomi trupore dhe dinjitet njerëzor, por këtu po përqendrohem në këto pesë aspekte specifikisht dhe në atë se si ndikojnë drejtpërdrejt në aftësinë time për të qenë anëtare kontribuese në shoqëri dhe pjesëmarrëse produktive në ekonomi. Kësisoj, ato paraqesin taksë ekonomike, jo vetëm për çdo grua individualisht, por për shoqërinë në tërësi.

Ngjarja që përshkrova më lart ndodhi disa javë më parë dhe tani nuk rrëqethem më sa herë që më kalon pranë një çiklist, as nuk kërcej nga frika sa herë dikush kalon pranë meje, siç ndodhte ditët e para. Megjithatë, ende e mbaj mend saktësisht vendin ku ndodhi dhe herë pas here më shpërqendron ndërsa dëgjoj një audiolibër gjatë vrapit të gjatë.

Në kontekstin e fuqisë punëtore, a mund të llogarisim përafërsisht sa na kushton si njerëzim kjo taksë e ngacmimit? Sa kushton konkretisht për vendin tim, Kosovën?

Por çfarë kam përjetuar në të vërtetë? Rreth 72 orë simptomash akute, kryesisht nga këto pesë kategori. Që atëherë, kam përjetuar vetëm komente të pavenda dhe bori makinash, të cilat nuk kanë më ndikim aq të madh te unë dhe asnjë sulm fizik. Tani kam mjaftueshëm distancë nga ajo ngjarje sa për të menduar se si mund të matet diçka e tillë. Në kontekstin e fuqisë punëtore, a mund të llogarisim përafërsisht sa na kushton si njerëzim kjo taksë e ngacmimit? Sa kushton konkretisht për vendin tim, Kosovën?

Në Kosovë, në terma realë, kemi përjetuar një liberalizim të madh gjinor pas luftës së viteve 1998-99 — sot kemi gra në parlament, në tregun e punës dhe në arsimin e lartë. Megjithatë, ende nuk kemi arritur të çlirohemi nga manifestimet e fshehta, por shumë reale të patriarkisë, siç është kjo taksë e ngacmimit.

Të bëjmë pak llogari bashkë:

Paguhem mirë. Si konsulente dhe punëtore e pavarur me diploma masteri nga Oksfordi, potenciali im i të ardhurave për orë ose, ndryshe, kuantifikimi i rezultatit të punës sime në shoqëri, është mjaft e lartë. Brenda një muaji, duke llogaritur sa ngacmim përjetoj dhe se si ato rezultojnë në pesë simptoma të përmendura më sipër, vlerësoj se më kushton rreth 6.5 orë produktivitet të humbura në javë. Brenda një muaji, duke supozuar një javë pune standarde prej 40 orësh, kjo do të thotë se humbas gjithsej 26 orë pune produktive në muaj. Kjo është pothuajse një e gjashta e kontributit tim mujor në ekonomi.

Nëse punoj 48 javë në vit, kjo do të thotë se humbas 312 orë pune potenciale në vit – vetëm për shkak të përvojave të mia me ngacmimin.

Tani le të shohim një pamje më të gjerë: sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës nga viti 2023, në Kosovë janë të punësuara 117,9900 gra. Kjo paraqet vetëm 20% të popullsisë, që fatkeqësisht është një nga përqindjet më të ulëta në botë. Nëse të gjitha gratë e punësuara në Kosovë përjetojnë pasoja të ngjashme nga ngacmimi, kjo do të thotë se kjo praktikë i kushton ekonomisë së vendit tonë — 312 orë në vit × 117,900 gra — mbi 36 milionë orë produktiviteti të humbura çdo vit.

Kjo nuk është një shumë e vogël.

Në terma realë, është një shifër e rëndësishme që ka një ndikim të madh në Bruto Produktin Vendor (BPV). Tani ta shqyrtojmë këtë në terma krahasues. Për të qenë e qartë, as një vend në botë nuk është çliruar plotësisht nga patriarkati apo nga efekti i kësaj takse. Megjithatë, nga përvoja ime, intensiteti ndryshon nga një vend në tjetrin.

Le të marrim Zvicrën si një shembull të një prej konteksteve me nivelin më të ulët të ngacmimit nga të gjitha vendet ku kam qenë. Vlerësoj se atje kam paguar rreth 1.25 orë në javë për taksën e ngacmimit. Kjo është 5.25 orë më pak në javë sesa në vendin tim, pra 21 orë më pak në muaj, 252 orë më pak në vit. 

Edhe nëse shifrat e mia janë vetëm vlerësime të përafërta dhe ka njëfarë variacioni, ato ende tregojnë një problem të madh dhe na shtyjnë të bëjmë një pyetje qenësore: sa shumë janë vonuar në zhvillim vendet me patriarki më të shfaqur? Çfarë ka nënkuptuar kjo për progresin e tyre në dhjetë vitet e fundit? Dhe çfarë do të nënkuptojë në dekadat që vijnë, kur gjithnjë e më shumë gra do të hyjnë në tregun e punës dhe BPV do të varet gjithnjë e më shumë nga kontributi i të dy gjinive?

Kjo ide më erdhi për herë të parë një vit më parë. Për herë të parë isha në një lidhje të qëndrueshme dhe të përkushtuar, duke ndarë jetën e përditshme me një burrë — jetonim në të njëjtën shtëpi, ndanim hollësi të ditës, mbështesnim punën e njëri-tjetrit, etj.

Në atë kohë isha e angazhuar nga një prej organizatave më të mëdha filantropike në botë, duke zhvilluar një kornizë për dhurime efektive, drejtoja ekipin tim dhe në përgjithësi isha nën një stres të madh. Po paguaja dy të tretat e qirasë sonë dhe isha padyshim ajo që siguronte të ardhurat kryesore. Me kalimin e kohës, kuptova se sa shpesh, teksa i tregoja ditën time, historitë e mia përfshinin raste kur dikush më kishte ndjekur ndërsa vrapoja, më kishte quajtur “kurvë” në rrugë ose më kishte shikuar ngultas në një kafene. Si një kasetë e prishur, fjalia ime përfundonte gjithmonë me: “por pastaj duhej të ndryshoja vendin sepse xxx nuk ndalonte së më shikuari”, ose “u përpoqa të relaksohesha pas asaj interviste duke shkuar në palestër, por përfundova duke u larguar nga dhoma e peshave”. Ose, (që ka ndodhur me të vërtetë një herë) “duhej të largohesha nga tryeza në një hapësirë bashkëpunimi për të shmangur dëgjimin e një burri përballë meje që i tregonte ekipit të tij se suksesi i grave varet nga sa të mira janë ato në shtrat”.

Më goditi fakti se sa shumë më kushtonte kjo — si financiarisht, ashtu edhe në aspektin e produktivitetit tim.

Do të arrija në fund të ditës, do të uleshim për darkë dhe do ta dëgjoja veten duke treguar, përsëri e përsëri, se si kisha qenë në një gjendje përqendrimi të thellë, duke u përpjekur të zgjidhja një problem intelektual dhe se si një prekje, një shikim apo një zë drejtuar trupit tim më nxirrte plotësisht nga ajo gjendje. Më goditi fakti se sa shumë më kushtonte kjo — si financiarisht, ashtu edhe në aspektin e produktivitetit tim.

Tash që e kemi konceptualizuar një krahasim se si kjo ndikon vende të ndryshme, tani le ta shqyrtojmë sesi ndikon në marrëdhëniet në aspektin më mikro, se si mund ta formësojë ndjesinë tonë të barazisë në marrëdhënie dhe drejtësisë gjinore, nga personi në person. 

Si gra, në këto kohë gjoja “të barabarta”, vazhdimisht dëgjojmë se nuk duhet të lejojmë burrat të paguajnë darkën, të na ndihmojnë me blerjet, të presim që të na çojnë në aeroport etj. Në teori, kjo është sepse jetojmë në një botë me mundësi të barabarta, ku secili fiton para për vete dhe ndan shpenzimet dhe punën në mënyrë të drejtë — dhe unë vetë e kam besuar këtë ide për vite me radhë.

Megjithatë, me kalimin e kohës, duke reflektuar mbi taksën e ngacmimit dhe duke parë se si kolegët dhe partnerët e mi burra nuk e paguajnë kurrë atë, e kuptova se askush nuk e kompenson atë që e paguaj çdo ditë thjesht sepse jam grua. Për më shumë, kjo çështje as që mendohet.

A nuk duhet të flasim për këtë kur vlerësojmë barazinë dhe ndarjen e kostove? Çdo javë humbi 6.5 orë për këtë taksë. Pra, jo vetëm që fitojmë më pak në nivel botëror, por gjithashtu na duhet të punojmë orë shtesë për t’i kompensuar këto humbje dhe për ta arritur të njëjtin rezultat. Gjashtë orë e gjysmë në javë janë më shumë se mjaftueshëm për të pastruar shtëpinë, për ta marrë dikë në aeroport apo për të bërë pazar. Në terma të rishpërndarjes, nëse njëmendtë duam të flasim për “barazi”, mendoj se duhet ta marrim parasysh faktin që dikush e ka kaluar javën pa përjetuar ngacmim.

Ose, nëse i shumëzojmë të ardhurat e mia për orë me 6.5, arrijmë në shumën që lehtësisht e paguan faturën në restorant, udhëtimin me taksi ose angazhon një personi për pastrim. Ndoshta duhet ta rishqyrtojmë mënyrën se si i ndajmë detyrimet dhe se si e kuptojmë barazinë, marrë parasysh atë që ky shqyrtim i shkurtër mbi taksën e ngacmimit na tregon qartë.

Mos të keqkuptohemi – nuk po e përmend këtë me qëllimin për t’i reduktuar marrëdhëniet e mia në një shkëmbim të llogaritur si “merr dhe jep” Absolutisht nuk dua që koncepti i “taksës” të hyj brenda miqësive, partneriteteve apo marrëdhënieve profesionale. Këto marrëdhënie duhet të bazohen në besim, mbështetje të ndërsjellë dhe respekt për dinjitetin njerëzor. Thjesht, po i shqyrtoj këta numra që mund të na ndihmojë ta ndryshojmë mënyrën se si mendojmë për “barazinë” në një botë ku ngacmimi ende ekziston. A jemi njëmendtë të barabartë nëse, vetëm për shkak të identitetit tonë (qofshin gra, të moshuar, njerëz të racave apo klasave të ndryshme), e paguajmë një çmim të ndryshëm për ngacmimin?

Lëvizja MeToo e theksoi këtë problem. Tani, ju ftoj ta zgjerojmë këtë diskutim – që të mos mbetet thjesht te ngritja e vetëdijes, por të reflektojmë për mënyrën se si në të vërtetë e paguajmë këtë taksë dhe si mund ta ndryshojmë sjelljen tonë.

Kosova ime e dashur, le ta çrrënjosim këtë mekanizëm që vazhdimisht na lë prapa dhe t’i kthejmë sërish miliona orë pune të humbura.

Ndërsa kolegëve dhe shokëve të mi që po e lexojnë këtë – ndoshta është krejtësisht e drejtë që ndonjëherë ju e paguani faturën, e bëni rrugën e gjatë për ta shoqëruar një shoqe deri në shtëpi, ose ia pastroni shtëpinëpartneres suaj. Kjo është një mënyrë për të kontribuar, qoftë edhe në nivel personal, në rishpërndarjen e barrës së taksës së ngacmimit që gratë e paguajnë çdo ditë – edhe nëse me letra fitojmë njësoj.

Imazhi i ballinës: Elena Gallina.

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.