Pikëpamje | Politika

K2.0 kthehet te të ‘90-at

Nga - 18.03.2025

Fjala e kryeredaktores.

Sot, në Kosovo 2.0 po e botojmë një seri pesë-pjesëshe për të ‘90-at në Kosovë. Përqendrohemi jo vetëm te shtypja që u prit me rezistencë, por në atë se si kjo dekadë në Kosovë u përcaktua prej një regjimi të ngjashëm me aparteidin, ku segregimi sistemik, përjashtimi ekonomik dhe politik i shqiptarëve u jetësuan nga shteti jugosllav e ai serb.

Vitet e ‘90-a janë vite formësuese për K2.0, një revistë që u themelua prej një brezi tepër të ri për të marrë pjesë aktivisht në rezistencën e organizuar politike e mjaftueshëm të rritur për t’i përjetuar e kujtuar realitetet e përditshme të shtypjes dhe përjashtimit që e karakterizuan jetën gjatë dekadës. Ky pozicionalitet brezor e ka formësuar qasjen tonë ndaj të ‘90-ave, duke e bërë këtë dekadë jo vetëm pikë reference historike, por një vend të kërkimit të vazhdueshëm.

Me këtë seri, ne kthehemi te të ‘90-at, siç bëjmë vazhdimisht — jo vetëm për t’i dokumentuar rrëfimet, por për të shtruar pyetje të reja, për të shtjelluar fragmente të anashkaluara të kujtesës dhe për të nxjerrë dije të re, që e informon të tashmen tonë. Kësisoj, ka një varg arsyesh përse e shohim këtë seri për të ‘90-at si qenësore sot. 

Jemi në gjysmë të dekadës së tretë të pasluftës dhe, me kohën që kalon, për të ‘90-at vazhdimisht flitet në korniza të periudhës së luftës 1998-99. Shumë prej asaj që ndodhi më përpara — qoftë trajtimi i Kosovës si “tjetri” përbrenda Jugosllavisë apo dhuna e pandalur e regjimit serb përgjatë gjithë dekadës — nganjëherë duket se zbehen, edhe prej versionit zyrtar, e edhe prej kujtesës kolektive. 

Deshëm ta vendosim Kosovën përbrenda historisë më të gjerë të Jugosllavisë dhe pabarazive strukturore që për shumë gjatë e kanë shtyrë Kosovën në skaje, ekonomikisht, politikisht, kulturalisht.

Ky harrim i shtron udhën eksploatimit të historisë. Nëpër rajon, ka ndasi të thella rreth hollësive, shkaqeve dhe pasojave të luftërave të të ‘90-ave. Revizionizmi historik ka shkuar përtej thjesht shtrembërimit të ngjarjeve drejt mohimit të kulluar të dhunës dhe mizorive të kohës.

Bazuar në këtë, deshëm ta vendosim Kosovën përbrenda historisë më të gjerë të Jugosllavisë dhe pabarazive strukturore që për shumë gjatë e kanë shtyrë Kosovën në skaje, ekonomikisht, politikisht, kulturalisht, si dhe të tregojmë se si këto forca, përfundimisht, u sendërtuan në shtypjen e të ‘90-ave.

Një tjetër arsye është që shumë prej dijes gjerësisht të qasshme, që është prodhuar rreth Jugosllavisë dhe luftërave, është shpesh e kufizuar, nëse jo e shfrytëzuar si mjet për të shtyrë përpara agjenda të caktuara. Ndërkohë, dokumentimi më i hollësishëm, që ofron teorizim dhe analizë më të thukët, nganjëherë duket sikur është mbyllur përbrenda akademisë. 

Ky është një hendek që mediet mund ta mbushin. Dhe për ta bërë këtë, në K2.0, si me këtë seri, vazhdimisht e kemi shfrytëzuar rrëfimtarinë. Përmes nismave si numri ynë i shtypur kushtuar viteve të ‘90-a; thirrjeve për artikuj në vetën e parë ndër breza të ndryshëm me pikëpamje të reja apo të rizbuluara rreth dekadës; diskutimeve tona me komunitet — ne sfidojmë revizionizmin historik, kundërshtojmë fshirjen dhe angazhohemi në mënyrë kritike me historitë.

Në fund, e sjellim këtë seri për shkak të kuptimit që ajo e bart në të tashmen. Sot, shohim pasiguri ekonomike dhe mënyrat se si pakënaqësitë ekonomike instrumentalizohen për të fajësuar, margjinalizuar dhe përjashtuar — qoftë përmes retorikës nacionaliste, politikave kundër migrantëve apo lëvizjeve më të gjera reaksionare.

Mu në këto kriza politike dhe strukturore, shpërfaqen forma të kujdesit, mbështetjes dhe solidaritetit.

Teksa punonim në këta artikuj, na bëhej e qartë se si regjimet shpesh zgjedhin taktika të ngjashme për të betonuar kontrollin autoritar apo dominimin kolonial — prej fajësimit te shfrytëzimi i vështirësive ekonomike apo identitetit kombëtar si mjete për ndasi deri te zhvendosja e dhunshme — duke demonstruar kështu ngjashmëritë në mënyrat se si pushteti dhe kontrolli konsolidohen në kontekste të ndryshme. 

Prapëseprapë, mu në këto kriza politike dhe strukturore, shpërfaqen forma të kujdesit, mbështetjes dhe solidaritetit. Këto momente po ashtu na kujtojnë se politikat e përditshmërisë — se si përjetimet personale, kujtesa dhe aktet e rezistencës marrin formë — nuk janë thjesht reflektime të së kaluarës, por hapësira ku lidhje dhe afrime të reja mund të lindin.

Këto lidhje midis të kaluarës dhe të tashmes na e mudnësojnë t’i kuptojmë përpjekjet e mundimet jo si ngjarje të izoluara, por si procese shumë-shtresore që formësohen përgjatë shumësisë së dinamikave politike, shoqërore dhe personale.

Kjo seri e ushqen një të të kuptuar të tillë. Ajo përqendrohet në përvojën e shqiptarëve të Kosovës si pjesë e shpalosjes më të gjerë të Jugosllavisë — një proces i rrënjosur në vetë projektin shpërbërës jugosllav, i cili u manifestua përmes ndryshimeve ekonomike dhe politike, që filluan në vitet e ‘60-a e u përshkallëzuan në vitet e ‘80-a.

“Themelet e shtetit paralel të Kosovës” nga Besnik Pula, ekzaminon se si shembja graduale e modelit ekonomik të federatës i ekspozoi e më pas i thelloi pabarazitë në Kosovë, duke e bërë atë shënjestër të shtypjes. Kjo shtypje nuk kaloi pa u sfiduar. Protestat e vitit 1981 — asokohe të etiketuara si trazira nacionaliste — shënuan një moment vendimtar, duke sinjalizuar një ndërrim në dinamikat e pushtetit, që kulmoi me revokimin e autonomisë së Kosovës në vitin 1989. Shqyrtimi i kësaj historie shpërfaq që përpjeka e Kosovës nuk ishte ngjarje e izoluar, por pjesë e çarjeve, që përfundimisht e copëtuan Jugosllavinë. 

Shkumbin Brestovci, autori i “Rezistenca përballë kushteve të pamunduna”, përqendrohet në një prej masave më të rënda të kohës: pushimi nga puna i mbi 15,000 punëtorëve shqiptarë, në vitin 1990, pasuar nga një grevë e përgjithshme një-ditore më 3 shtator, përmes së cilës synohej jo vetëm të protestohej kundër pushimeve të paligjshme nga puna, por edhe të bëhej e dukshme prania e punëtorëve shqiptarë dhe ndikimi që pushimi i tyre nga puna mund të kishte në paralizimin e shumë sektorëve të ekonomisë.

Këto përjashtime masive nga puna ishin më shumë sesa veç sulme ekonomike; ishin përpjekje e qëllimtë për ta fshirë praninë shqiptare nga jeta publike.

Megjithatë, këto përjashtime ishin më shumë sesa veç sulme ekonomike; ishin përpjekje e qëllimtë për ta fshirë praninë shqiptare nga jeta publike. Deri në fund të atij viti, vlerësohet se 45% e 164,210 e punëtorëve shqiptarë humbën vendet e tyre të punës dhe deri në fund të dekadës, pothuajse 90% të shqiptarëve u pushuan nga puna. 

Prapëseprapë, siç e thotë Brestovci: “Ky regjim nuk e kishte mendjen as te ekonomia, as te fryti i punës”. Në vend të kësaj, veprimet e regjimit udhëhiqeshin nga retorika nacionaliste, e zbatuar për t’i ushqyer ambiciet ekspasioniste të veta, pavarësisht jetëve njerëzore, si dhe me qëllim që të kryente spastrim etnik. 

Ndikimi ekonomik i dekadës shqyrtohet në hollësi në “Kosova e viteve të ‘90-a: një ekonomi e kohëve të errëta”. Autori, Edison Jakurti hartëzon se si margjinalizimi ndër dekada i Kosovës, i përkeqësuar nga politikat e ngjashme me aparteidin dhe shpërbërja institucionale në të ‘90-at, krijoi pengesa për zhvillimin e Kosovës — pengesa që vazhduan deri në historinë e saj më të vonshme. Jakurti thekson mënyrat se si njerëzit mbijetuan, derisa përpos migrimit — që e konsolidoi tutje identitetin politik të diasporës — ata që mbetën, përqafuan ndërmarrësinë “duke dëshmuar qëndrueshmërinë dhe aftësinë e komunitetit për t’u përshtatur përballë vështirësive”, siç thotë ai.

Gratë luajtën rol jetik, prej tryezave të kuzhinës në tryezat e punëtorive te tryezat e negociatave.

Një shtet paralel u krijua, si mënyrë për të mbijetuar dhe si hapësirë për të ndërtuar rezistencë. Në “Hapësira të shpresës, solidaritetit e rezistencës”, Linda Gusia flet për atë se si shtypja sistemike në të ‘90-at i dha hov një infrastrukture komunitare të mbijetesës përmes shtëpive-shkolla, klinikave të improvizuara dhe hapësirave të fshehura kulturore, ndër tjera. Në këtë infrastrukturë, gratë luajtën rol jetik, prej tryezave të kuzhinës në tryezat e punëtorive te tryezat e negociatave. Ky kontribut fundamental mbetet gjerësisht i panjohur. Prej ndihmave të ndërsjella dhe aktivizmit feminist, njëherit me akte të përditshme të kujdesit — shkëmbimit të ushqimit, mbështetjes së komshinjve dhe mirëmbajtjes së hapësirave komunitare — gratë e shndërruan solidaritetin në praktikë edhe të nevojshme, e edhe thellësisht politike.

Në fund, “Heshtjet e zhurmat e nji dekade” nga Eli Krasniqi, na fton të angazhohemi me atë se si përjetimet dhe kujtimet personale ndërtohen vazhdimisht, jo vetëm në momentin kur ndodhin ngjarjet, por përbrenda komunitetit dhe ndër kohë. Teksa rikthen fragmente të kujtimeve, dialogëve dhe reflektimeve — nga përvojat e saj si adoleshente dhe studente e universitetit, te mbamendja dhe rindërtimi i kujtimeve, i formësuar nga anëtarët e ngushtë të familjes dhe hulumtimi — ajo i ndërlidh këto me ngjarjet dhe lëvizjet e mëdha politike e historike. Ky artikull, fuqishëm, vë theksin te nevoja e njohjes së faktit që historitë nuk shkruhen vetëm në libra, por ato jetohen dhe formësohen prej kujtesës dhe përjetimeve të përditshme të individëve.

Prandaj, ne sigurt do t’u kthehemi prapë viteve të ‘90-a.

Kjo na kthen te K2.0 dhe momenti formësues për brezin — një moment që vazhdon të ndryshojë me kohën, siç ndryshojnë edhe lexuesit/et tanë/tona.

Në fillim të K2.0, u kthyem te vitet e ‘90a, duke e rishqyrtuar atë dekadë sepse na duhej si pikë reference, si vend prej të cilit mund të mësonim dhe ta riformësonim në mënyrë kritike të të kuptuarit e pavarësisë së Kosovës si një çast thellësisht të rrënjosur në dekada të përpjekjes, rezistencës dhe qëndrueshmërisë përbrenda e jo si një çast që është mundësuar apo dhënë nga jashtë.

Tash, teksa koha kalon, ne vazhdojmë kërkimin tonë. Për brezat e rinj, sidomos ata që të ‘90-at i shohin si një e kaluar e largët, prodhimi i përmbajtjes si kjo, merr kuptim tjetër. E sfidon supozimin se “këto janë gjëra që dihen” thjesht sepse disa i mbajnë në mend ato — historia nuk është e mirëqenë, është diçka që duhet rishqyrtuar, vënë në pikëpyetje dhe me të cilën duhet angazhuar vazhdimisht. Prandaj, ne sigurt do t’u kthehemi prapë viteve të ‘90-a.

 

Imazhi i ballinës: K2.0.