Tri ditë pas mbajtjes së seancës së parë konstituive të legjislaturës së re të 15 prillit, procesi i konstituimit vazhdon të mbetet në ngërç. Në atë seancë, që erdhi pas certifikimit të zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura më 9 shkurt, pritej betimi i 120 deputetëve/eve të rinj/reja dhe votimi i kryesisë së kuvendit. Konstituimi i kuvendit është parakusht për formimin e qeverisë së re.
Por procesi ngeci qysh në hapin e parë.
Si pikë e parë e rendit të ditës, u formua Komisioni për Verifikimin e Kuorumit dhe Mandateve (KVKM), me përfaqësues nga të gjitha partitë, që morën vota të mjaftueshme për t’u përfaqësuar në kuvend. Komisioni hartoi një raport për verifikimin e 120 mandateve të certifikuara nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), i cili duhej të votohej nga deputetët/et.
Por, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) — shpesh referuar si “blloku opozitar” në diskursin publik — votuan kundër. Sipas tyre, arsyeja kryesore ishte mungesa e dorëheqjeve formale nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe disa ministra/e të qeverisë së tij, që tashmë ishin zgjedhur deputetë/e. Kurti dhe ministrat/et thanë se dorëheqjet i kishin dorëzuar më 15 prill, ditën e seancës.
Në të njëjtën kohë me mbajtjen e seancës, u publikua një letër dorëheqjeje e Kurtit drejtuar kryetarit të kuvendit, Glauk Konjufca. Ndërkohë, ministrat/et pohuan se dorëheqjet ia kishin dorëzuar personalisht Kurtit. Por, kjo formë e dorëheqjes është kontestuar nga disa parti opozitare dhe organizata të shoqërisë civile.
Pas ndërprerjes së seancës konstituive, kryesuesi i saj — deputeti më i moshuar i zgjedhur — Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) tha se do të kërkonin intepretimin e presidentes së vendit, Vjosa Osmani, se si të vazhdohet tutje, duke e konsideruar rrjedhën e ngjarjeve si të paprecedent.
LVV dhe blloku opozitar ia hodhën fajin njëra-tjetrës për dështimin e seancës konstituive. LVV fajësoi opozitën për bllokim të procesit; opozita këmbënguli se Kurti po shkelte Kushtetutën duke mbajtur paralelisht mandatin e deputetit dhe pozitat ekzekutive. Në një reagim në Facebook, Kurti e quajti mosvotimin e raportit nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Srpska “sulm brenda institucional kundër Republikës së Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike”. Ndërsa për bllokun opozitar, mosdorëheqja formale e Kurtit ishte shkelje kushtetuese pasi nuk mund të betohet si deputet duke mbajtur edhe post ekzekutiv.
Kjo paqartësi rreth dorëheqjes u shndërrua në burim të përplasjes së parë politike të atyre që kanë siguruar votat e mjaftueshme për të qenë pjesë e legjislaturës së ardhshme të Kuvendit.
Presidentja Osmani, të nesërmen, ftoi deputetët që ta mbanin seancën e radhës brenda 48 orësh, siç e parasheh Rregullorja e Punës së Kuvendit. Një seancë e dytë për ta shtyrë procesin përpara u mbajt të enjten, më 17 prill, por edhe ajo dështoi. Kryesuesi i seancës, Dehari, pas një konsultimi të shkurtër me përfaqësuesit/et e partive, nuk e vuri fare raportin në votim, duke deklaruar se nuk ekziston konsensus politik mes partive se si të procedohet më tutje.
Seanca e tretë është caktuar për të shtunën, më 19 prill, por meqë problemet që e sollën këtë ngërç nuk po adresohen, procesi i konstituimit të institucioneve rrezikon të mbetet peng i seancave të përsëritura, të cilat, sipas Rregullores së Punës së Kuvendit, duhet të mbahen brenda 48 orëve, derisa të konstituohet Kuvendi.
Kjo fazë mund të kapërcehet të shtunën nëse sigurohen votat e nevojshme, fillimisht për miratimin e raportit të KVKM, që do ta hapte rrugën për fazat tjera të konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë.
(Pa)qartësia e dorëheqjes
Sipas Ligjit për Qeverinë, të miratuar gjatë qeverisjes Kurti, në vitin 2022, nëse një anëtar/e i/e qeverisë në detyrë zgjidhet deputet/e i/e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ai ose ajo duhet të japë dorëheqje nga posti ekzekutiv para ditës së certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve. KQZ certifikoi rezultatet më 27 mars, që i bie se, sipas këtij ligji, është dashur që Kurti dhe anëtarët e qeverisë së tij që fituan mandate si deputetë, të dorëhiqeshin më së voni më 26 mars.
Megjithatë, më 27 mars, në një postim në Facebook, Kurti argumentoi se mandati i qeverisë kishte përfunduar më 23 mars, ditën kur ajo, sipas tij, kaloi në statusin e qeverisë në detyrë, “e cila efektivisht është sikur qeveria në dorëheqje e mandateve të mëhershme të të tjerëve”, siç shkruhej në postim. Për këtë arsye, shkroi ai, nuk ishte e nevojshme një dorëheqje formale. Prapëseprapë, ai dorëzoi një letër dorëheqjeje më 15 prill.
Ndërkohë, ka pasur paqartësi lidhur me dorëheqjen e anëtarëve të qeverisë që janë zgjedhur deputetë/e. Sipas nenit 6 të Ligjit për Detyrat dhe të Drejtat e Deputetit, një deputet/e nuk mund të ushtrojë funksione ekzekutive në të njëjtën kohë. Ky nen gjithashtu përcakton se mandati i deputetit/es fillon me certifikimin nga KQZ. Sipas ministres së drejtësisë në detyrë, Albulena Haxhiu, ajo dhe anëtarët/et tjerë të qeverisë që janë zgjedhur deputetë/e tashmë e kanë konfirmuar pranimin e mandatit të tyre në KQZ dhe certifikimi nga ana e këtij institucioni nënkupton se nuk kishin ndonjë problem ligjor. Megjithatë, edhe kushtetutshmëria e vendimit të KQZ është vënë në pikëpyetje.
Por Haxhiu e njohu dorëheqjen si obligim, kur pas seancës konstituive tregoi se dorëheqjet ishin dërguar te Kurti më 15 prill dhe se kështu “ne i kemi kryer obligimet që kemi pasur pra me dorëheqje, secili nga ne”.
Pavarësisht deklaratave për dorëheqje, pas seancës konstituive të 15 prillit, Kurti dhe ministrat e tij u kthyen në zyrat e qeverisë, ku mbajtën mbledhje, morën vendime dhe madje riemëruan persona në pozita publike — veprim ky që bie ndesh me nenin 31 të Ligjit për Qeverinë, i cili ndalon qeverinë në dorëheqje të iniciojë procedura të tilla.
Pas dorëheqjes së anëtarëve të qeverisë, të zgjedhur/a deputetë, parashihet që funksionimi i qeverisë të vazhdojë deri në zgjedhjen e ekzekutivit të ri përmes anëtarëve të qeverisë në dorëheqje që nuk kanë mandat deputeti, si zëvendës(krye)ministrat/et, e përmes administratës publike dhe strukturave të tjera ndihmëse. Megjithatë, pavarësisht këtij mekanizmi të ndërtuar për t’iu përgjigjur situatave të tilla, Kurti dhe anëtarët/et e kabinetit të tij të dorëhequr/a argumentuan se vazhdimi i pranisë së tyre në qeveri është i domosdoshëm për të shmangur rrezikun që do të sillte një boshllëk në udhëheqje.
Mirëpo, e gjithë çështja dorëheqjes, respektivisht e mënyrës se si e kur apo nëse duhet të bëhet ajo, është e paqartë dhe lidhur me të ka interpretime të ndryshme.
Njëri prej tyre është që Kurti, bashkë me anëtarët/et e kabinetit, të cilët/at janë zgjedhur deputetë/e, do të duhej të jepte dorëheqje një ditë para certifikimit të rezultateve nga KQZ. Këtë interpretim e mban Instituti Demokratik i Kosovës (IDK). IDK, duke e quajtur këtë gjendje një “krizë të panvojshme politike dhe institucionale” ka bërë thirrje për dorëheqje formale të kryeministrit dhe ministrave/eve të zgjedhur/a deputetë/e, ashtu që “të mundësohet përfundimi i seancës konstituive të Kuvendit”.
Por, në anën tjetër, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se paqartësitë rreth çështjes së dorëheqjes së anëtarëve të kabinetit qeveritar janë krijuar si rezultat i mosrregullimit adekuat të Ligjit për Qeverinë dhe me qëllim të funksionimit të institucioneve, dispozitat kushtetuese dhe ligjore në këtë situatë duhet të interpretohen në atë mënyrë që anëtarët e Qeverisë duhet të japin dorëheqje në momentin e dhënies së betimit si deputet.
Sipas IKD, letra e dorëzuar nga Kurti nuk përbën dorëheqje formale. Interpretimi i tij se qeveria ka status në detyrë vlen për institucionin, por jo për të personalisht si kryeministër. Sipas tyre, përmbajtja e letrës së Kurtit tregon synimin që ai të vazhdojë të udhëheqë qeverinë edhe si deputet, gjë që bie ndesh me Ligjin përkatës.
Sipas interpretimit të IKD të këtij ligji, në momentin e betimit si deputet, Kurti duhet të japë dorëheqje dhe qeveria në detyrë nuk mund të udhëhiqet më prej tij. Udhëheqja kalon te zëvendëskryeministri dhe ministritë drejtohen nga zëvendësministrat, përveç rasteve kur ministri nuk është zgjedhur deputet.
Ndërkohë, kjo situatë e paqartë u pa si sinjal politik se LVV ende nuk i kishte siguruar 61 votat e nevojshme për të formuar qeverinë e re. Edhe pse përfaqësues të LVV kanë këmbëngulur se i kanë votat, dështimi për ta kaluar raportin e verifikimit të mandateve me një shumicë të thjeshtë prej 61 deputetësh –– ku vetëm 52 nga 113 deputetë të pranishëm votuan pro –– la të kuptohej se shumica parlamentare nuk ishte e konsoliduar.
Si qëndrojnë numrat?
Në zgjedhjet e fundit të përgjithshme të 9 shkurtit, LVV fitoi 42.3% të votave, duke siguruar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Për të formuar qeverinë, nevojiten të paktën 61 vota, që do të thotë se LVV-së i mungojnë edhe 13 vota. Deri më tani, nuk dihet nëse kjo shumicë është arritur, dhe përpjekjet për të ndërtuar aleanca të reja kanë hasur në refuzime.
LVV ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni me Listën Serbe, e cila ka nëntë ulëse. Ndërkohë, tri partitë e bllokut opozitar –– PDK, LDK dhe AAK –– kanë refuzuar bashkëpunimin me LVV-në për formimin e qeverisë. Një përpjekje për daljen nga ky ngërç ndodhi më 7 prill, kur Kurti i dërgoi ftesë për takim konsultativ kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut. Por Abdixhiku e refuzoi ftesën, duke e lidhur vendimin me retorikën fyese të Kurtit gjatë fushatës zgjedhore. Në natën kur dolën rezultatet e para nga exit poll-et më 9 shkurt, Kurti iu drejtua partive opozitare me fjalën “hajvana” gjatë një deklarate publike nga qendra e Prishtinës.
Një nga skenarët më të mundshëm është përfshirja e votave nga komunitetet jo-shumicë joserbe, që mbajnë 10 ulëse. Nëse LVV arrin të sigurojë mbështetjen e 10 deputetëve/eve nga këto komunitete, së bashku me tre deputetët e NISMA Socialdemokrate — të cilët janë shprehur të gatshëm ta mbështesin një qeveri të drejtuar nga Kurti — atëherë arritja e shumicës prej 61 votash bëhet e mundshme. Megjithatë, deri më sot nuk dihet për ndonjë marrëveshje të përfunduar me të gjitha komunitetet joshumicë, duke e lënë formimin e qeverisë të pasigurt.
Në zgjedhjet e vvitit 2021, qeveria Kurti arriti një shumicë komode prej 58 deputetësh të LVV-së, Listës Guxo dhe Alternativës, së cilës iu shtuan edhe 10 mandate nga komunitetet joshumicë joserbe, duke i çuar në 68 vota — më shumë se shumica e thjeshtë e kërkuar për vendimmarrje.
Edhe nëse LVV e arrin shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë, kjo nuk do t’i ofrojë rehati për gjatë.
Në prill të vitit të ardhshëm pritet të votohet presidenti/ja i/e ri/e i/e vendit dhe ky proces kërkon praninë e të paktën 80 deputetëve/eve për të qenë i vlefshëm. Përvoja nga e kaluara, që nga shpallja e pavarësisë, ka treguar se ky moment shpesh shndërrohet në burim krizash të thella politike. Në mungesë të një marrëveshjeje më të gjerë ndërmjet partive, edhe kësaj radhe procesi mund të paraqesë një sfidë të madhe për stabilitetin institucional.