Në fotografi: Parada e nëntë e Krenarisë në Kosovë.
Më 14 qershor, qytetarë e qytetare ecën vendosmërisht përpara, në sheshet kryesore të Prishtinës duke shënuar Paradën e nëntë të Krenarisë — ngjarja përmbyllëse e një jave përplot aktivitete që për themel kanë kërkesën për mbrojtje ligjore e shoqërore të të drejtave të personave LGBTQ+ në Kosovë.
Java e Krenarisë, me në ballë togfjalëshin “Asnjë hap mbrapa”, u hap të hënën e 9 qershorit në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, anipse tash e disa muaj pas certifikimit të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Kosova ende ka një qeveri në detyrë. Pas mbi 30 vazhdimesh të seancës konstituive të Kuvendit, deputetët/et, që fituan mandate në zgjedhje, nuk ia kanë dalë ta kapërcejnë as hapin e parë drejt formimit të qeverisë, zgjedhjen e kryesisë së Kuvendit.
Mbledhjet e njëpasnjëshme e të pafrytshme të deputetëve/eve kanë krijuar vakuum institucional, jo vetëm kur është fjala te funksionimi i legjislativit dhe shtyllave tjera të qeverisjes, por edhe te ekzistenca e një adrese të qartë për të kërkuar përgjegjësi.
Tash e disa muaj, deputetët/et e zgjedhur/a i kanë lënë qytetarët/et pa asnjë përparim në programin legjislativ — sa më shumë shtyhet formimi i qeverisë, aq më shumë shtyhet miratimi i legjislacionit kyç edhe për të drejtat LGBTQ+.
Kësisoj, kjo zvarritje ndihet më së shumti prej atyre që janë historikisht të shtypur e aktivisht të lënë në skaje të mendimit e veprimit politik.
“Për shtetin tonë, shpesh ne nuk ekzistojmë. Ekzistojmë vetëm nëpër strategji të papërfunduara. Në draft-ligje që mbeten në sirtarë. Në fjalime që mbahen një ditë në vit – si kjo e sotit. Por ne nuk jemi numra. Nuk jemi agjendë politike. Ne jemi njerëz”, tha Blert Morina, aktivist dhe drejtor i Center for Equality and Liberty (CEL), organizatë pinoere për mbrojtjen e të drejtave LGBTQ+ në Kosovë, në ngjarjen e hapjes së Javës së Krenarisë. Aty foli edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili përkundër fjalimit, nuk doli në paradë.
Një prej draft-ligjeve që kanë mbetur në sirtarë qysh prej vitit 2022 është projekt-Kodi Civil, një dokument që do t’u hapte udhë ligjore njerëzve të të njëjtit seks për të lidhur bashkësi civile. Ky dokument për të fundit herë u vendos për votim në mars 2022 dhe më, përkundër premtimeve se do të dilte prapë në votim në 2024, nuk arriti në Kuvend.
Projekt-Kodi Civil po ashtu shërbeu si një shteg përmes së cilit deputetë, që fillimisht kundërshtuan ligjin në kuvend, nisën të ndërtojnë një artikulim të qartë politik të bazuar në kundërshti ndaj të drejtave LGBTQ+.
Kësisoj, “Asnjë hap mbrapa” si tog-fjalësh dhe si organizim i tërë, u kundërpërgjigjet këtyre lëvizjeve të organizuara kundër të drejtave LGBTQ+, duke vënë theksin te këmbëngulja e aktivistëve/eve për të rezistuar dhe për ta afirmuar praninë e tyre në shoqëri, në ligje e kudo tjetër.
“‘Asnjë Hap Mbrapa’ përfaqëson angazhimin tonë për të qëndruar të fortë kundër lëvizjeve globale që po përpiqen të minojnë të drejtat e njeriut, barazinë gjinore dhe dinjitetin themelor të të gjithë individëve pa dallim. Përballë rritjes së urrejtjes, diskriminimit dhe përpjekjeve për të fshirë identitetet tona, ne nuk do të tërhiqemi. Ne nuk do të heshtim. Ne nuk do të fshihemi”, shkruhet në deklaratën e sivjetshme të Javës së Krenarisë.
Midis gjithë këtyre vështirësive shoqërore e pengesave të qarta sistemike, aktivistët/et megjithatë ecën përpara.
Fotografitë: Ferdi Limani / K2.0.
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë?
Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.
Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion.