Pikëpamje | Politika

12 arsye pse Prishtina nuk u shërben qytetarëve

Nga - 27.08.2025

Çka duhet të kenë parasysh kandidatët që garojnë për Prishtinën.

Me shpalljen e kandidaturave për kryetar/e të Prishtinës, është e qartë se kjo garë paraqet një kombinim të kandidatëve me përgatitjen e nevojshme akademike dhe profesionale për t’u dhënë zgjidhje problemeve të kryeqytetit. Megjithatë, përvoja na mëson se CV e shkëlqyera nuk janë gjithmonë garancë për një qeverisje të suksesshme. 

E kthejmë në vëmendje entuziazmin fillestar për kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në zgjedhjet lokale të vitit 2013, Shpend Ahmetin, i cili kishte përgatitje universitare nga Harvardi, e më pas kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në zgjedhjet lokale të vitit 2021, Përparim Rama, si një arkitekt i shkolluar në Londër. E megjithatë, pavarësisht bagazhit profesional, qeverisjet e tyre nuk përmbushën as premtimet as pritshmëritë e qytetarëve të Prishtinës.

Zgjedhjet lokale të 12 tetorit po afrohen dhe problemet që kërkojnë vëmendjen e kandidatëve për Prishtinën mbesin pothuajse të njëjta si në zgjedhjet e viteve të mëparshme. Kjo vërtetohet lehtësisht në disa raporte që kanë matur përceptimet e banorëve të kryeqytetit ndër vite.

Për shembull, në vitin 2009, në një raport të Institutit GAP, institut që merret me analiza të politikave publike, si problemet kryesore të kryeqytetit qytetarët renditën: komunikacionin e dendur, mungesën e parkingjeve, mungesën e ujit të pijes, mosmirëmbajtjen e ndërtesave kolektive, mungesën e hapësirave të gjelbëruara si dhe pamjen e shëmtuar të qytetit. Në raportin e radhës në vitin 2013, u renditën pothuajse të njëjtat probleme si: transporti urban, mungesa e ujit të pijes, mungesa e hapësirave të mjaftueshme për parkimin e veturave, mungesa e hapësirave të gjelbërta, ndotja e mjedisit, mungesa e fushave sportive dhe hapësirave rekreative, etj. Të njëjtat probleme u renditën edhe në raportin në prag të zgjedhjeve lokale të vitit 2017. Probleme të ngjashme i karakterizuan edhe platformat zgjedhore të kandidatëve në zgjedhjet lokale të vitit 2021.  

Nga ajo që kemi parë deri tash nga kandidatët për Prishtinën, veçanërisht ata që tashmë e kanë nisur parafushatën, premtimet po shënjestrojnë problemet e njëjta, pra mungesën e një qyteti që u shërben banorëve.

Mirëpo problemi nuk qëndron te mungesa e llojllojshmërisë së zgjidhjeve që kandidatët për të parin e Prishtinës ofrojnë, por te zbatueshmëria e tyre. Pavarësisht kandidatit që merr mandatin e kryetarit të Prishtinës, problemet kronike të Prishtinës nuk po zgjidhen.

12 arsye pse Prishtina nuk u shërben qytetarëve

Jens Gehl, arkitekt dhe studiuesi i jetës publike, fushë e cila përqendrohet në cilësinë e jetesës në hapësirat publike, është një ndër avokuesit kryesorë për një dizajn urban, që përqendrohet në mirëqenien e qytetarëve. Me qëllim të dizajnimit sa më të mirë të hapësirave të përbashkëta publike, Gehl ka hartuar 12 kritere që duhet të merren parasysh. 

Këto kritere duhet të merren parasysh nga secili kandidat që garon për Prishtinën dhe duhet të reflektohen në platformat e tyre zgjedhore.

12 kriteret e Gehl ndahen në tri nëngrupe, që ndërlidhen me sigurinë, rehatinë dhe argëtimin. E para është siguria, që përfshin mbrojtjen nga aksidentet dhe trafiku, mbrojtjen nga sulmet dhe ndotja akustike. Pastaj vjen rehatia, që lidhet me qasjen e lehtë në hapësira publike për të gjithë, mundësinë për t’u ulur apo pushuar dhe mundësinë për të zhvilluar lojëra, biseda e aktivitete shoqërore. Së fundmi vjen argëtimi, që ka të bëjë me estetikën e hapësirave publike, përshtatjen e tyre sipas kushteve klimatike dhe shfrytëzimin e tyre përgjatë të gjitha stinëve të vitit.

Kush po garon për Prishtinën?

- Përparim Rama — Lidhja Demokratike e Kosovës

- Hajrulla Çeku — Lëvizja Vetëvendosje

- Uran Ismaili — Partia Demokratike e Kosovës

- Besa Shahini — Partia Socialdemokrate e Kosovës

- Bekë Berisha — Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës

- Merkur Beqiri — Alternativa

- Fatmir Selimi — Kandidat i pavarur

Nëse e shohim nga këndi i 12 kritereve të Jens Gehl për një jetë cilësore urbane, Prishtina dështon pothuajse në secilin aspekt. 

Në aspektin e sigurisë, qyteti nuk ofron mbrojtje nga aksidentet dhe trafiku, ku këmbësorët dhe çiklistët rrezikohen çdo ditë. Po ashtu, mungesa e ndriçimit publik në shumë lagje, sulmet nga qentë endacakë dhe niveli i lartë i ndotjes e bëjnë qytetin të pasigurt. Ligjet për mbrojtjen nga ndotja akustike nuk zbatohen, ndërsa përmbytjet dhe kundërmimi i ujërave të zeza pas reshjeve të shiut e rëndojnë edhe më shumë shfrytëzimin e hapësirës publike.

Bazuar në këto 12 kritereve, Prishtina nuk arrin të ofrojë jetesë cilësore urbane.

Në aspektin e rehatisë dhe argëtimit, hapësirat publike në Prishtinë vazhdojnë të mbesin të paqasshme për personat me aftësi të kufizuara, prindërit me fëmijë dhe këmbësorët në përgjithësi, pasi trotuaret janë të zëna nga veturat. Mungojnë stolat nëpër parqe, vendet e pushimit dhe hapësirat funksionale për lojëra apo biseda, ndërsa ato pak që ekzistojnë nuk mirëmbahen dhe dëmtohen shpejt. Për më tepër, pamja estetike e qytetit mbetet e shëmtuar dhe hapësirat publike nuk i përshtaten klimës, gjatë verës nuk ofrojnë hije, ndërkaq gjatë stinëve të tjera nuk ofrojnë mbrojtje nga pluhuri e erërat. 

Bazuar në këto 12 kritereve, Prishtina nuk arrin të ofrojë jetesë cilësore urbane, pavarësisht statusit të saj si kryeqytet dhe faktit që posedon buxhetin komunal më të madh në Kosovë. 

Në anën tjetër, zgjidhjet për ta përmirësuar cilësinë e jetesës nuk kanë munguar asnjëherë, madje ato reflektoheshin edhe në platformën elektorale të Ramës, kur u zgjodh kryetar i Prishtinës në vitin 2021. Në kuadër të planit “Prishtina Praktike”, Rama zotohej për ndryshime infrastrukturore dhe vendosjen e një hierarkie të re të trafikut, ku përparësi kishin këmbësorët, pastaj transporti publik dhe në fund vinin veturat. Çka ndodhi këto katër vite?

Pavarësisht premtimeve për transformimin e transportit publik, linjat mbeten të ngarkuara, autobusët arrijnë me vonesë në stacione, madje disa lagje nuk kanë fare linja, gjë që e bën të vështirë për qytetarët të zgjedhin transportin publik si alternativë efikase për ta lehtësuar trafikun e mbingarkuar.

Ndërkaq, që në ditët e para të marrjes së mandatit qeverisës, Rama mbylli rrugën “George Bush”, që përfshin segmentin rrugor nga katedralja deri tek hoteli “Grand”, për ta shndërruar atë në shesh. Synimi ishte që ajo hapësirë t’u shërbente këmbësorëve, ndërsa planifikohej shkarkimi i trafikut përmes ndërtimit të unazës së brendshme.

Por për katër vjet mandat nuk ka pasur asnjë zhvillim pozitiv në këtë aspekt, trafiku vetëm se u mbingarkua. Mosrealizimi i këtij projekti u ndërlidh me disa arsye, siç ishte ndërhyrja e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve, që evidentoi konfliktin e kompetencave dhe inatet politike mes pushtetit qendror dhe lokal.

Ndërkohë, për ta menaxhuar kaosin e parkimeve nëpër trotuare, gjatë mandatit të Ramës, u themelua ndërmarrja publike “Prishtina Parking”. Përveç menaxhimit të parkimeve në rrugë, ndërmarrja synonte të siguronte të ardhura komunale dhe t’i modernizonte pagesat përmes platformave digjitale. Ndërmarrja funksiononte duke vendosur tarifa, shqiptuar gjoba, bllokuar ose konfiskuar veturat për mospagesë të vendparkimeve dhe duke kufizuar qasjen sipas mënyrave të caktuara të pagesës. Mirëpo, në maj 2025, Gjykata Supreme anuloi dispozitat kryesore të rregullores që i jepnin ndërmarrjes këto kompetenca, duke vlerësuar se ato cenonin të drejtat kushtetuese. Me heqjen e të drejtës për të bllokuar apo konfiskuar veturat, të hyrat ranë ndjeshëm dhe aktiviteti praktikisht u paralizua. Por edhe pa vendimin e Supremes, “Prishtina Parking” nuk kishte arritur t’i ndalojë parkimet e veturave në trotuaret e dedikuara për këmbësorët.

Në anën tjetër, një ndër premtimet e Ramës ishte edhe “Prishtina e Pastër”, që përqendrohej në lëvizshmërinë e gjelbër e në krijimin e parqeve të gjelbra. Ngjashëm me qeverisjet e parardhësëve të Ramës, mungesa e hapësirave të gjelbërta vazhdon të jetë problem kryesor për qytetarët. Sipas një raporti të UN-Habitat, qytetarët e Prishtinës kanë vetëm 2.9 metra katrorë hapësirë të gjelbër për kokë banori, shumë më pak sesa standardi minimal i kërkuar sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) prej nëntë metrash katrorë. Një raport i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) gjeti se inspektimet finale të ndërtimeve në Prishtinë nuk janë të plota dhe se shumica e ndërtesave nuk i plotësojnë kriteret për hapësirat e gjelbërta.  

Qytetarët e Prishtinës vazhdojnë t’i ekspozohen ndotjes enorme të ajrit, ku 99% e fëmijëve janë të ekspozuar ndaj ndotjes së ajrit mbi kufirin e sigurt të përcaktuar nga OBSH. Po ashtu, Kosova vazhdon ta ketë shkallën më të lartë të sëmundjeve respiratore si pasojë e ndotjes së ajrit krahasuar me vendet tjera të Evropës, shkallën më të lartë të vdekjeve të parakohshme, si dhe lirimet më të mëdha të metanit nga mbeturinat.

Mungesa e një plani urban, shoqëruar me dominimin e ndërtimeve të larta, trafikun e dendur, menaxhimi joefikas të mbeturinave dhe mirëmbajtjen e dobët të hapësirave publike, e ka bërë Prishtinën një qytet të shëmtuar.

Një problem tjetër i identifikuar pothuajse në secilën palë zgjedhje, është problemi i i mosmirëmbajtjes së duhur të hapësirave publike nga komuna. Në shumë pjesë të qytetit ekzistojnë hapësira të cilat nuk menaxhohen nga askush, të cilat pastaj shndërrohen në burim të ndotjes dhe shëmtisë urbane. Ndërkohë, ky mandat qeverisës i Ramës u shoqërua edhe me vështirësinë e menaxhimit të mbeturinave, veçanërisht për shkak të konfliktit mes Komunës së Prishtinës dhe kompanisë rajonale për menaxhimin e mbeturinave, “Pastrimi”. Për shkak të këtij konflikti, qyteti për ditë të tëra kundërmonte nga mbeturinat. 

Mungesa e një plani urban, shoqëruar me dominimin e ndërtimeve të larta, trafikun e dendur, menaxhimi joefikas të mbeturinave dhe mirëmbajtjen e dobët të hapësirave publike, e ka bërë Prishtinën një qytet të shëmtuar. 

Rreth një shekull më parë, Mehdi Frashëri, intelektual dhe ish-kryeministër i Shqipërisë, shprehte shqetësimin për mungesën e theksuar të së bukurës dhe hapësirave publike në qytetet shqiptare. Ai vërejti mungesën e parqeve, hapësirave artistike, bibliotekave dhe qendrave komunitare, si elemente qenësore jo vetëm për pushim e rekreacion, por edhe për zhvillimin kulturor dhe social. Ai theksonte rëndësinë e këtyre elementeve, duke thënë se njeriu ka nevojë për të pushuar, për të kuvenduar me miq e familjarë, për të shëtitur në parqe apo në vende të bukura, për t’u marrë me sport dhe për të shijuar muzikë apo teatër. 

Prishtina është ende e tillë. Secili kryetar komune që ka qeverisur me këtë qytet, edhe në ato raste kur ka përfunduar me sukses projektet publike, nuk i ka kushtuar vëmendje aspektit estetik të tyre, si dhe ndikimit që këto projekte mund të kenë në rritjen e mirëqenies së qytetarëve.

A tregon kjo diçka për natyrën e pushtetit dhe kulturën e elitave politike kosovare? Sociologu urban Lewis Mumford, mendon se po. Sipas tij, rrugët e qytetit, sheshet, fasadat e ndërtesave, WC, hapësira e brendshme e lokaleve të banimit, mënyra e vendosjes së rrjetit të kanalizimit të ujërave të zeza dhe të bardha, gjithçka që zë hapësirën materiale të qytetit, ndërlidhet drejtpërdrejtë me natyrën e pushtetit që kontrollon qytetin dhe me kulturën e elitave të udhëheqëse të tij. Si do ta kishte vlerësuar Mumford natyrën e pushtetit në Kosovë dhe kulturën e elitave politike kosovare nëse do ta kishte vizituar Prishtinën? 

Kështu, kandidatët për kryetar komune nuk duhet të mundohen të na mashtrojnë edhe një herë me video jorealiste, paraqitje vizuale të cilat tregojnë se si brenda katër vitesh Prishtina do të transformohet tërësisht. Kujtojmë videon gjashtë minutëshe të ish-kryetarit Ahmeti në zgjedhjet e vitit 2017, e titulluar “Prishtina 2021, qytet në çdo lagje”, ku renditeshin premtimet për transformimin rrënjësor të të gjitha lagjeve të Prishtinës. Apo videoja e fushatës e kryetarit aktual të Prishtinës, Rama, e titulluar “Projektet 2021-2025”, ku në mbi shtatë minuta e gjysmë Rama, përmes video-dizajneve, na paraqiti një Prishtinë rrënjësisht ndryshe deri në vitin 2025.

Çka i duhet kryeqytetit është një kryetar apo kryetare që këmbëngul në zgjidhjen e problemeve kronike. Zotimet futuristike janë të padobishme nëse nuk zgjidhen problemet bazike që do ta bënin Prishtinën një qyteti të jetueshëm për qytetarët e të gjitha moshave.

 

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.