Listat e kandidatëve që po garojnë për kryetarë/e komunash në zgjedhjet lokale në Kosovë, për vitin 2025, as këtë herë nuk reflektuan strukturë të barabartë gjinore. Prej gjithsej 206 kandidatëve, vetëm 20 prej tyre janë gra, ose rreth 6.6%.
Nga partitë që garojnë për kryetar/e komunash në zgjedhjet lokale, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca e Ardhmërisë së Kosovës (AAK) kryesojnë me numrin më të madh të grave kandidate, me nga tri gra secila. Pas tyre, vijnë Partia Socialdemokrate (PSD) dhe NISMA Socialdemokrate me dy gra secila, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV) kanë vetëm nga një grua për kandidate.
Ndërkohë, në subjektet politike që përfaqësojnë komunitetet jo shumicë garojnë gjithsej gjashtë gra. Partitë serbe kanë kandiduar pesë gra për kryetare komune në pesë komuna me shumicë serbe, ndërsa listës i është shtuar edhe një kandidate e pavarur. Ndërkaq, Nova Demokratska Stranka, parti boshnjake, ka kandiduar një grua për kryetare të Prizrenit.
Përkundër që në Kuvendin e Kosovës ka një trend të rritjes së numrit të grave deputete, të cilat zgjidhen me votë, listat e partive politike për kuvendet komunale vazhdojnë ta pasqyrojnë minimumin e përfaqësimit gjinor me kuotën ligjore prej 30%, apo më pak se 40% të listave të kandidatëve/eve. Po ashtu, edhe pse Ligji për Barazi Gjinore në Kosovë thërret për përfaqësim të barabartë të burrave dhe grave, në çdo fushë politike, ekonomike dhe sociale, megjithatë dispozitat e këtij ligji vazhdojnë të shpërfillen.
Që nga viti 2000 deri më 2025, në komunat me shumicë shqiptare vetëm një grua është zgjedhur me votë si kryetare komune, e ajo ishte Mimoza Kusari-Lila, e cila qeverisi komunën e Gjakovës përgjatë viteve 2013–2017.
Gratë në Kosovë kanë mbetur historikisht në periferi të politikëbërjes për shkak të disa barrierave strukturore, përfshirë këtu punën e papaguar të tyre në shtëpi, përcjellë me mungesën e qasjes në të njëjtat burime ekonomike siç janë prona, kapitali, punësim, të ardhurat ekonomike, rrjetëzime partiake apo mbështetje materiale. Këto pabarazi i vënë gratë automatikisht në disavantazh politik me kandidatët burra, të cilët garës për qeverisje lokale i futen dukshëm më të privilegjuar dhe me më shumë kapital social e ekonomik sesa gratë. Janë pikërisht këto barriera strukturore që po i hasin edhe gratë e pakta kandidate në këto zgjedhje lokale, gjatë javëve të fundit të fushatës dhe të prezantimit të prioriteteve për qeverisjen lokale.
Kandidimi i grave nëpër komuna ku nuk pritet fitore
Xhevahire Izmaku i ka hyrë garës për zgjedhje lokale, bashkë me NISMA, duke shpresuar ta rizgjojë kujtesën e qytetarëve të Vushtrrisë, për angazhimin e saj në nivelin lokal në kohën kur shërbeu si deputete në nivel qëndror.
“Jam akuzuar shpesh si lokaliste kur merresha me mungesën e ujit në Vushtrri, mungesën e transportit publik apo për gjana të tjera, sa isha deputete në Kuvendin e Kosovës”, tha Izmaku.
Ajo ka prapa vetes një bagazh të pasur politik. Rrugëtimin e saj e ka nisur si zëdhënëse e Komunës së Vushtrrisë, asambleiste dhe më vonë si nënkryetare e komunës, nga radhët e PDK, pastaj ka qenë deputete e po kësaj partie në Kuvendin e Kosovës për tri mandate, prej 2010 deri 2019. Pas largimit nga PDK në vitin 2021, Izmaku u rikthye në Kuvend pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, duke fituar mandatin e saj të katërt, këtë herë si pjesë e Nismës Socialdemokrate.
Angazhimin e saj për Vushtrrinë prej cilësisë së deputetes, ajo e quan të domosdoshëm, meqë deri kur Izmaku ishte zgjedhur deputete në vitin 2010, Vushtrria nuk kishte pasur asnjë deputet/e tjetër paraprak/e që ta përfaqësojë në nivel qëndror. Këtë periudhë, Izmaku gjithashtu e përshkruan si periudhën më krenare të jetës së saj.
“T’ishe kanë PDK po ma bojnë, të kishim votu. Por unë po ju them që PDK mu më kanë konsideru pengesë”, tha ajo, duke iu referuar kundërshtimit të saj ndaj planeve të tyre të ndërtimit në Vushtrri. Izmaku dha dorëheqje nga të gjitha strukturat e PDK në vitin 2021, ndërsa aderoi në NISMA në vitin 2024.
Gara në Vushtrrinë pa bazë elektorale
Izmaku po garon për Vushtrrinë, përkundër që kjo komunë nuk është përfaqësuar më herët nga ndonjë kandidat/e e NISMA. Gjatë 15 viteve të fundit, Vushtrria ka kaluar nëpër disa ndryshime politike lokale. Nga viti 2013 deri në vitin 2021, komunën e udhëhiqte LDK. Aktualisht, Vushtrria qeveriset nga PDK me kryetar Ferit Idrizin, që e fitoi mandatin në zgjedhjet lokale të vitit 2021.
Kandidimi i Izmakut në një komunë ku partia e saj nuk ka bazë të fortë elektorale tregon për një trend të përhapur të kandidimit të grave nëpër komuna ku partitë nuk kanë shumë shanse për të fituar.
Në Drenas, Egzona Tërdevci, po garon për kryetare të komunës nga radhët e LVV. Para kandidimit, Egzona ka udhëhequr sekretariatin e LVV për emancipim politik dhe ka shërbyer si kryetare e Qendrës së LVV në Drenas, ndërkaq në vitin 2021 u zgjodh këshilltare komunale dhe kryesuese e grupit të asamblistëve të LVV.
Por, që nga paslufta, Drenasi ka qenë një nga komunat që gjithnjë është udhëhequr nga PDK. Figura qendrore e PDK në Drenas ishte Ramiz Lladrovci, i cili e ka mbajtur postin e kryetarit për tri mandate. Në këto zgjedhje lokale, PDK nuk e kandidoi më Lladrovcin. I pakënaqur me vendimin e PDK, Lladrovci vendosi të kandidojë edhe për një mandat me listë të pavarur.
“Na tregojnë që nuk do të na votojnë sepse në mendësinë e Drenasit, është kalitë PDK një kohë të gjatë, por gjithsesi na dëgjojnë", tha Tërdevci, kandidate e LVV për kryetare në Drenas.
Sipas Tërdevcit, kandidimi i saj në këtë komunë nuk është i ndërlidhur me pamundësinë e fitores, por është vendim i menduar mirë, bazuar në përvojën e saj brenda strukturave të LVV dhe njohurive që posedon për kontekstin lokal të Drenasit përgjatë katër viteve përvojë në asamblenë komunale.
Këto zgjedhje, ajo shprehet më optimiste ndaj elektoratit të Drenasit karshi LVV, duke thënë se ndryshe nga zgjedhjet e kaluara kur i kishin refuzuar me të marrë vesh që ishin pjesë e LVV, këtë vit ata po e ftojnë në shtëpitë e tyre për t’u njohur më nga afër me programin që ajo po prezanton. “Na tregojnë që nuk do të na votojnë sepse në mendësinë e Drenasit, është kalitë PDK një kohë të gjatë, por gjithsesi na dëgjojnë”.
Të dhënat e KQZ në lidhje me trendet e votimeve paraprake nëpër komunat e Kosovës, tregojnë se asnjë parti nuk ka kandiduar gra për kryetare aty ku partia ka bazë elektorale. Përveç kësaj, gratë poashtu marrin mbështetje më të ulët financiare nga subjektet e tyre përkatëse, për ta zhvilluar fushatën elektorale.
Sipas Demokracia në Veprim (DnV), 50% e grave kandidate për deputete në zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2021, e financuan fushatën e tyre me fonde personale, ndërsa pjesa tjetër e mbuloi duke kombinuar fondet personale dhe mbështetjen e partisë. Po në të njëjtin raport, 75% e grave thanë se nuk u mbuluan për shpenzimet karburantit gjatë udhëtimeve për fushatë dhe vetëm 38% thanë se kishin qasje në ndihma logjistike nga strukturat e tyre partiake.
Edhe pse ky raport kishte në fokus zgjedhjet qendrore, situata është e ngjashme edhe me financimin e fushatave në nivel lokal.
"Vetë i paguj njerëzit në zyrë që po më ndihmojnë në fushatë, çka po mujmë, kafe, bukë – krejt bashkë qaty hamë”, thotë Izmaku, kandidate e Nisma-s për kryetare të Vushtrrisë.
Kudo nëpër qytetet e Kosovës hapësirën publike e kanë zënë pankartat e mëdha të kandidatëve për kryetarë, që po kandidojnë nga radhët e partive më të mëdha, ndërkaq më të rralla janë ato të grave kandidate. Në Vushtrri, për shembull, Izmaku thotë se nuk ka as një pankartë.
“Ka qenë shumë e vështirë, pasi fushata është zhvilluar kryesisht me vullnetarë dhe miq, meqë nuk kanë pasur financa të mjaftueshme, duke qenë se nuk jemi parti parlamentare”, tha ajo. Izmaku thekson poashtu se mungesa e mbështetjes financiare ndihet shumë, meqenëse, përveç zyrës që NISMA i ofron për koordinimin e vizitave në terren, nuk ka pasur ndonjë aktivitet tjetër që e kanë mbështetur financiarisht për fushatë.
Por kjo nuk është situata për kandidatët tjerë burra. Bizneset e mëdha në Vushtrri, sipas Izmakut, janë orientuar drejt partive më të mëdha si parti potenciale fituese, gjegjësisht PDK dhe LDK, që kanë përvojë qeverisëse në këtë komunë dhe askush nuk i ka ofruar asaj mbështetje financiare për fushatë.
“Kur më pysin kush po të financon për fushatë, iu them: ‘rrogat e mia’”, tha ajo. “Iu them, hajde kqyreni në Vushtrri, kush i ka billboardat nëpër qytet. Vetë i paguj njerëzit në zyrë që po më ndihmojnë në fushatë, çka po mujmë, kafe, bukë – krejt bashkë qaty hamë”.
Edhe për fushatën e Tërdevcit në Drenas, LVV nuk ka investuar shumë. Pavarësisht se bazuar në të dhënat e KQZ për zgjedhjet lokale të vitit 2021, LVV printe me shpenzimet më të larta në nivel vendi, mbështetja financiare për kandidatët/et nuk ka qenë e shpërndarë në mënyrë të barabartë.
Sipas Tërdevcit, që është e vetmja grua kandidate për kryetare nga radhët LVV që po kandidon në garën për zgjedhjet lokale, ajo ka marrë mbështetje prej vetëm 219 eurosh për një billboard dhe një postim të sponsorizuar në javë gjatë gjithë fushatës. Kjo shumë përbën një përqindje minimale të buxhetit të përgjithshëm në këto zgjedhje, krahasuar me mbi gjysmë milioni eurosh që LVV kishte investuar gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2021 për reklama, përfaqësim dhe konferenca, që shpërfaq mungesën e mbështetjes financiare për gratë kandidate brenda partisë.
Tërdevcit i sponsorizohet vetëm një postim në javë, në varësi të temës që zgjedh ta trajtojë, duke ia kufizuar të veprojë brenda mundësive të financimit që i siguron partia.
“Në krahasim me kandidatët tjerë që po garojnë për Drenas, fushata nuk është absolutisht e barabartë”, tha Tërdevci. “Qata që i kanë billboardat nëpër ndërtesat 6 katëshe të qytetit, i kanë edhe paret për fushatë”.
Që të dyja, edhe Izmaku edhe Tërdevci, thonë se fushatën e tyre e kanë mbuluar sidomos nga të ardhurat personale dhe duke llogaritur në ndihmën e miqve dhe familjarëve, të cilët aty-këtu, ua kanë hequr ndonjë shpenzim.
Një formë më të pazakontë të financimit të fushatës elektorale e ka përdorur Besa Shahini, e cila po kandidon për kryetare të Prishtinës nga radhët e PSD. Përpos të ardhurave personale, Shahini fushatën e saj e ka mbështetur kryesisht përmes donacioneve të vogla nga qytetarët, duke u bërë thirrje publikisht votuesve që të kontribuojnë financiarisht në platformën e saj.
Mungesa e mbështetjes financiare ka ndikuar edhe në hapësirën e e mbulueshmërisë televizive të fushatave të kandidateve gra. Megjithëse Këshilli i Pavarur i Mediave (KPM) kërkon që të gjitha subjektet politike të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe të kenë mbulim të drejtë gjatë fushatës zgjedhore, në praktikë vërehet se përparësia dhe hapësira mediatike u jepet kryesisht kandidatëve burra.
Sipas monitorimit të Demokracisë në Veprim (DnV) për këto zgjedhje lokale, kandidatët burra për kryetarë komunash kanë zënë rreth 88% të hapësirës televizive, ndërsa kandidatët gra vetëm 12%. Po ashtu, të dhënat e DnV tregojnë se në debatet televizive të kësaj periudhe morën pjesë 92% burra dhe vetëm 8% gra përfaqësuese politike.
Deri më tani, KPM nuk ka ndërmarrë masa konkrete kundrejt transmetuesve televizivë për ta adresuar këtë pabarazi, duke e lënë çështjen vetëm brenda kornizës formale të rregullimit ligjor, pa e reflektuar realitetin e pabarazive gjinore në mbulimin mediatik të fushatave. Këto pabarazi në fushatat lokale thellohen edhe më tej, pasi prioritetet dhe drejtimet e fushatave shpesh përcaktohen nga strukturat qendrore të partive politike. Për rrjedhojë, të gjitha këto vështirësi me të cilat përballen gratë kandidate lidhen me mungesën e mbështetjes së mjaftueshme nga vetë strukturat partiake që ato përfaqësojnë.
Programe të qeverisjes lokale që nuk u flasin grave
Studimet e Institutit Kombëtar për Demokraci (IKD) vënë në pah se fushatat e grave në Kosovë shpesh varen nga prioritetet dhe orientimet ideologjike të partive që ato përfaqësojnë. Për shkak të ndikimit të fortë të strukturave qendrore, agjendat lokale mbeten kryesisht të përcaktuara nga udhëheqësit partiakë, duke kufizuar pavarësinë e kandidateve në ndërtimin e platformave të tyre.
Një fushatë më ndryshe dhe të majtë, po e bën Shahini, kandidate e PSD për kryetare Prishtinë. Ajo ka qenë ish-drejtore dhe themeluese e Iniciativës Kosovare për Stabilitet (IKS), një organizatë që merret me qeverisjen dhe zhvillimin socioekonomik, si dhe ish-ministre e arsimit në Shqipëri në vitet 2018-2020. Në këto zgjedhje lokale, ajo vendosi të garojë për kryetare të Prishtinës, për arsye se, sipas saj, përvoja e saj politike nuk ia lejonte të ankohej për mangësitë e Prishtinës, si çdo qytetar tjetër. Sipas saj, ajo ndihej se kishte zgjidhje për problemet e kryeqytetit.
“Këta flasin për tramvaj, ndërsa ti i thyen këmbët sapo del nga shtëpia, karroca e fëmijës të prishet që në kthinën e parë”, thotë Shahini, kandidate e PSD për kryetare të Prishtinës.
Shahini ka bërë një fushatë “derë më derë”, sipas së cilës ajo vetë i ka përcaktuar prioritetet e fushatës së saj, me mbështetjen e strukturave të PSD.
“Unë kam hy në këtë garë, pa pasë idenë se ku qëndroj, nëse kam elektorat apo njerëz që më mbështesin”, tha ajo. “Prioritetet e mia për fushatë fillimisht ishin kaosi urban i Prishtinës dhe arsimi, por kur fillova të dalë në terren, e pashë se brenga kryesore e njerëzve në Prishtinë janë çmimet e larta të banimit. Prandaj, bashkë me asambleistët e propozuar për asamblenë komunale të Prishtinës, këtë edhe e bëmë prioriet të fushatës”.
Duke i dhënë përparësi sigurisë sociale, pagës minimale universale, tatimit progresiv dhe të drejtat e punëtorëve, PSD identifikohet si parti e majtë dhe madje thirret si “e majta progresive”. PSD nuk është parti parlamentare, mirëpo në këto zgjedhje lokale po garon në tri komuna: Prishtinë, Deçan dhe Kamenicë.
Përgjatë bisedave me qytetarë/e, Shahini thotë se e ka vërejtur se si qasja e së djathtës ideologjike është shumë e rrënjosur në skenën politike. “Ideja se, meqë jetojmë në një ekonomi të tregut, sektori privat e bën çdo gjë më mirë sesa ai publik, është tejet prezente”, tha ajo. “Kjo bindje, është e përkthyer në çdo vendim të komunës së Prishtinës dhe e përbrendësuar në pritshmëritë e qytetarëve për qeverisje lokale”.
Për ta thyer këtë bindje, sipas saj nevojiten biseda më të gjata dhe më të thelluara me qytetarët, të cilat ajo po tenton t’i bëjë në kuadër të fushatës së saj.
Duke folur për mbështetjen e shprehur që po e merr nga gratë në Prishtinë, Shahini theksoi se në kryeqytet, edhe pse gratë mund të jenë më të pavarura ekonomikisht sesa ato në komunat e tjera për shkak të mundësive që kryeqyteti ofron, ato votojnë më pak sesa gratë në komunat tjera. Sipas saj kjo ndodh sepse kandidatët për kryetarë të Prishtinës historikisht nuk u drejtohen drejtpërdrejt grave.
“Sapo një grua bëhet nënë, hapësira publike në Prishtinë, pushon së qeni e saj. Asgjë nuk ia lehtëson jetën”, tha Shahini. Kur e kishte kuptuar për herë të parë faktin se gratë në Prishtinë nuk dalin për të votuar, ishte zhgënyer, por pastaj e kishte kuptuar pse ndodh një gjë e tillë.
“Këta flasin për tramvaj, ndërsa ti i thyen këmbët sapo del nga shtëpia, karroca e fëmijës të prishet që në kthinën e parë”, tha ajo.
Nëse e shohim nga një pikëpamje më të gjerë politike, hulumtimet tregojnë se ndarja ideologjike ndërmjet të djathtës dhe të majtës në Kosovë mbetet e paqartë, pasi shumë parti funksionojnë më tepër mbi baza klienteliste e konservatore sesa ideologjike. Po ashtu, shumica janë të pozicionuara në krahun e djathtë, për shkak të qëndrimeve mbi ekonominë e tregut të lirë dhe vlerave tradicionale të cilat zotohen që i mbrojnë.
Në një kontekst të tillë, gratë kandidate hasin në vështirësi për t’i shtyrë përpara temat që prekin çështje sociale, si barazia gjinore apo mirëqenia familjare, pasi këto tema nuk përputhen gjithmonë me prioritetet qendrore të partive që i përfaqësojnë.
Në rastin e Izmakut, ndonëse partia me të cilën ajo po kandidon deklarohet si socialdemokrate, në praktikë shpesh ka ndjekur politika më të afërta me qendrën e djathtë dhe ka bërë aleanca me parti të djathta si PDK. Megjithatë, sipas Izmakut në këtë fushatë ajo ka tentuar të vë në theks prioritete që përqendrohen në mirëqenien sociale, duke e theksuar nevojën për më shumë çerdhe publike, punësimin e grave të Vushtrrisë, sidomos atyre të moshës 39 deri 50-vjeçare, të cilat sipas Izmakut, përbëjnë moshën më jo aktive të grave qytetare të Vushtrrisë.
Edhe për Tërdevcin, partia e së cilës identifikohet si e majtë, prioritet mbetet adresimi i çështjeve si mësimi tërëditor për nxënësit, qëndrimi ditor për të moshuarit apo hapja e 5 çerdheve publike. Në Drenas ka veç një çerdhe publike, që sipas saj nuk i plotëson as për së afërmi nevojat e grave të kësaj komune për t’u përfshirë në tregun e punës.
Për shkak të ndikimit nga strukturat partiake qëndore, programet për zgjedhjet lokale që kandidatet për kryetare të komunave prezantojnë, shpërfaqin një hendek të përfaqësimit formal të grave dhe ndikimit real që ato mund të kenë në përmbajtjen e politikave lokale.
Si pasojë e kësaj, çështjet si dhuna me bazë gjinore, shërbimet sociale për viktimat e dhunës, prioritizimi i punësimit të tyre apo mundësive për banim social, përmirësimi i infrastrukturës komunale për të siguruar qasje të barabartë në pronë, mbesin kryesisht jashtë programeve të fushatave lokale.
Edhe këto zgjedhje, çështjet e tilla nuk kanë mbizotëruar si prioritete në programet politike të kandidatëve/eve, ndonëse Ligji për Vetëqeverisje Lokale u delegon komunave përgjegjësi të drejtpërdrejta në fushën e mirëqenies sociale, përfshirë mbrojtjen e grave, fëmijëve, personave me aftësi të kufizuara, minoriteteve dhe komuniteteve të margjinalizuara.
Përkundër barrierave strukturore me të cilat gratë kandidate për kryetare dhe për asambletë komunale janë ballafaquar në garën e sivjetme për zgjedhje lokale, mbetet të shihet nëse pas 12 tetorit, kur edhe do të shpallen rezultatet, do të ketë të paktën ngritje të përfaqësimit të grave nëpër asambletë komunale, njëlloj siç ka pasur rritje të përfaqësimit të grave në Kuvendin e Kosovës në nivelin qëndror.
Imazhi i ballinës: K2.0
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.