Qytetarët/et në të gjithë Kosovën iu drejtuan kutive të votimit të dielën, më 12 tetor, për t’i zgjedhur kryetarët/et e komunave dhe asamblistët/et e kuvendeve komunale. Me mbi dy milionë qytetarë me të drejtë vote, pjesëmarrja në këto zgjedhje lokale ishte 39.07%.
Rezultatet preliminare në raundin e parë nxorën fitues të qartë në vetëm 21 komuna, ndërsa në 17 të tjera do të ketë balotazh — 16 komuna me shumicë shqiptare dhe një me shumicë serbe.
Ashtu si në zgjedhjet lokale të vitit 2017 dhe 2021, rezultatet nuk përputhen me ato të përgjithshme. Lëvizja Vetëvendosje (LVV) nuk arriti ta përkthejë fitoren e saj në zgjedhjet e pergjithshme në shkurt në fitore në nivel lokal në rundin e parë, ndonëse ruajti qeverisjen në tri komuna dhe doli e para ose e dyta në 12 komuna, duke u pozicionuar më mirë se tri partitë tjera kryesore.
Ndër partitë e tjera kryesore, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mbajti dy komuna dhe shkon në balotazh në nëntë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) mbajti tri komuna dhe shkon në balotazh në gjashtë, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) mbajti një komunë dhe do të garojë në pesë balotazhe të tjera.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2021, fitueset e qarta ishin LDK dhe PDK: LDK fitoi katër komuna, duke e çuar në nëntë numrin e komunave që qeveriste; PDK mbajti tetë, ndërsa AAK u rrit në pesë. Ndërkohë, LVV fitoi në katër komuna.
Zgjedhjet e së dielës u zhvilluan në prapavijë të një ngërçi institucional: pas gjashtë muajsh pas zgjedhjeve parlamentare të shkurtit, deputetët/et e zgjedhur nuk kishin arritur të konstituonin Kuvendin, duke bllokuar formimin e qeverisë së re. Ky ngërç u zhbllokua më 10 tetor kur Kuvendi u konstituua dhe një ditë më vonë, Albin Kurti mori mandatin për ta propozuar kabinetin e tij qeveritar para Kuvendit brenda 15 ditësh.
Këto zgjedhje lokale shënuan edhe rikthimin e Listës Serbe (Srpska Lista) në krye të komunave me shumicë serbe. Pas bojkotimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale të vitit 2023 nga Lista Serbe në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan zgjedhjet e së dielës i dhanë fund periudhës së shkurtër të udhëheqjes së këtyre komunave nga kryetarë joserbë.
Me pothuajse 98% të fletëvotimeve të numëruara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), rezultatet e balotazhit do të jenë vendimtare se cila parti do t’i udhëheqë shumicën e komunave për katër vitet e ardhshme.
Fitoret, humbjet dhe përballjet e reja
Një prej garave më të nxehta u zhvillua në Prishtinë, ku Përparim Rama nga LDK dhe Hajrulla Çeku nga LVV, me një diferencë prej 730 votash, do të përballën me njëri-tjetrin për të parin e Prishtinës. Rama po tenton ta mbajë Prishtinën nën pushtetin e LDK, të cilën e riktheu në vitin 2021 pas dy mandatesh udhëheqjeje nga LVV. Ndërkaq, me ish-ministrin e Kulturës, Çekun, LVV po tenton ta rikthejë komunën e parë që e fitoi në vitin 2017 me Shpend Ahmetin.
Uran Ismaili i PDK, i cili i hyri kësaj gare për herë të dytë, nuk arriti të hyjë në balotazh, ndonëse shënoi rritje të përqindjes së votave nga 21% në 27.7%. Besa Shahini nga PSD, e cila u fut për herë të parë në skenën politike të Kosovës, mori 1.55% të votave.
Gara mes LDK dhe LVV është gjithashtu e ngushtë edhe në disa komuna të tjera.
LVV po e sfidon LDK edhe në dy prej bastioneve të saj kryesore. Në Fushë Kosovë, ku LDK qeverisi për 25 vjet, Valon Përbeza i LVV po kryeson me 45.14% ndaj kandidatit të LDK, Besnik Osmani, i cili mori 36.62%. Në Pejë, Gazmend Muhaxheri kryeson në rundin e parë me 46.11% të votave, ndërkaq do të përballet në balotazh me kandidatin e LVV, Taulant Kelmendi, i cili mori 27.88% të votave. LVV do të përballet në balotazh me LDK edhe në Viti dhe në Obiliq.
Në Gjilan, LDK synon ta rifitojë bastionin e saj të vjetër me Arbër Ismajlin që mori 34.24% të votave, i cili do të përballet me kryetarin aktual të komunës, Alban Hysenin nga LVV, që kryeson me 49.79%.
VV do të përballet gjithashtu me PDK në katër komuna. Gara më e ngushtë do të zhvillohet në Mitrovicën e Jugut, ku Arian Tahiri nga PDK kryeson me 28 vota ndaj Faton Pecit të LVV, ish-ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Ndërkaq, në Prizren, Arban Abrashi nga LVV do të përballet me kryetarin aktual, Shaqir Totaj nga PDK, ndërkaq balotazh mes LVV dhe PDK do të ketë edhe në Kaçanik dhe Vushtrri.
Ndryshe nga garat me partitë e tjera, për PDK një prej garave më interesante u zhvillua në Drenas, ku kryetari aktual, Ramiz Lladrovci kandidoi si i pavarur pasi PDK nuk e kandidoi sërish pas dy mandateve qeverisjeje. Lladrovci mori 52.31% të votave dhe siguroi një mandat të ri pa balotazh, duke shënuar herën e parë që komuna e Drenasit nuk do të udhëhiqet nga PDK.
Ndërkohë, VV do të përballet në balotazh edhe me AAK. Në Gjakovë, Ardian Gjini nga AAK, i cili qeverisi në dy mandate mori 47.74% të votave, po sfidohet nga Ardian Gola i LVV, i cili mori 32.82% të votave. Ngjashëm edhe në Rahovec, qeverisja aktuale e Smajl Latifit po sfidohet nga Ali Dula i LVV.
Balotazh do të ketë edhe mes LDK dhe PDK në Dragash, ndërkaq AAK do të përballet me LDK edhe në Suharekë.
Ndërkohë, katër partitë kryesore – LVV, PDK, AAK dhe LDK – arritën ta ruajnë qeverisjen në disa komuna edhe për një mandat. LVV ruajti qeverisjen në Shtime, në Kamenicë dhe në Podujevë (me 12 balotazhe).
Ndërkohë, PDK ruajti qeverisjen në Ferizaj, Skenderaj dhe Han të Elezit (me gjashtë balotazhe); LDK ruajti qeverisjen në Lipjan dhe Istog (me nëntë balotazhe); AAK mbajti Deçanin (me pesë balotazhe).
Rezultatet e rundit të parë të zgjedhjeve lokale shpërfaqin vetëm një pjesë të peisazhit politik, pasi rezultatet pas balotazheve do ta tregojnë fuqinë e plotë të secilës parti në nivel lokal.
Gratë as në balotazh
Partitë më të mëdha shqiptare nuk kandiduan asnjë grua në bastionet e tyre tradicionale apo aty ku kishin shans real për të fituar. Aty ku u kandiduan, votuesit vazhduan ta mirëmbajnë modelin e votimit që nuk përkrahin gratë mjaftueshëm as sa për të hyrë në balotazh e lëre më për t’i udhëhequr komunat në Kosovë.
Prej gjithsej 206 kandidatëve për kryetarë/e komunash, vetëm 20 prej tyre ishin gra, apo rreth 10%.
PDK dhe AAK kryesuan me numrin më të madh të grave kandidate, me nga tri gra secila. Pas tyre, ishte Partia Socialdemokrate (PSD) dhe NISMA Socialdemokrate me dy gra secila, ndërsa LDK dhe LVV kandiduan vetëm nga një grua.
Ndërkohë, në subjektet politike që përfaqësojnë komunitetet joshumicë kandiduan gjithsej gjashtë gra, ndërsady kandidate tjera garuan si të pavarura. E vetmja grua që do të udhëheqë me një komunë është Tanja Antić e Listës Serbe, e cila fitoi 71.05% të votave në Ranillug.
Rikthimi i Listës Serbe
Lista Serbe riktheu qeverisjen në katër komunat me shumicë serbe në veri, duke përmbyllur kështu periudhën e shkurtër gjatë së cilës këto komuna u udhëhoqën nga kryetarë joserbë. Në jug, Lista Serbe mbajti edhe pesë nga gjashtë komunat tjera me shumicë serbe, ndërsa në Kollokot, shkon në balotazh me Srpska Narodna Sloga.
Kjo shënon hapin e dytë të Listës Serbe për t’u rikthyer në institucionet e Kosovës, pas pjesëmarrjes së saj në zgjedhjet parlamentare të shkurtit, pas dorëheqjeve masive të vitit 2022, që lanë serbët pa përfaqësim institucional, si në nivelin qendror, ashtu edhe në atë lokal në veri.
Këto zgjedhje lokale u zhvilluan në një kontekst dukshëm më ndryshe nga ai i vitit 2021. Serbët e Kosovës votuan pas një periudhe mungese të përfaqësimit dhe mes pakënaqësisë në rritje për atë që ata e përceptojnë si qasje e centralizuar dhe jokonstruktive të qeverisë së Kosovës në përpjekjet e saj për ta shtrirë sovranitetin e saj në veri. Për më shumë se një dekadë, Lista Serbe ka qenë forca dominante në qeverisjen lokale në veri dhe përballet me akuza për ushtrim të presionit dhe frikësimit ndaj serbëve lokalë. Këtë fushatë, Lista Serbe e mbështeti në retorikë të ashpër kundër qeverisë së Kosovës, duke theksuar rikthimin e simboleve dhe institucioneve serbe.
Ndërkohë, partitë opozitare serbe – disa prej të cilave synuan të sfidojnë jo vetëm institucionet e Kosovës, por edhe vetë Listën Serbe dhe ndikimin e Beogradit – nuk arritën të sigurojnë votat e nevojshme as për të shkuar në balotazh.
Imazhi i ballinës: Ferdi Limani / K2.0
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.