Në thelb | Arte & Kulturë

Çka ndodh në lagjen e artistëve, mbetet në lagjen e artistëve

Nga , - 21.10.2025

Komuniteti i rrugës “Egnatia” në Ulpianë, në mes të shpërthimit artistik dhe gjentrifikimit.

 

Arianiti: A ki zhollt?

Artriti: Jo bre, veç ksi [raki] të Mrizit të Zanave ka. 

Arianiti: Ani? Rrush, dardhë? 

Artriti: Rrush, rrush. 

Arianiti: Qiti dy me nji gotë, t’çpërthejna. Hehe. Shoqe, a po don najsen ti? 

Arianit Lakna, piktor, në lagjen e artistëve, “Ulpianë”.

Qytetet, parë përtej dritave edhe glamourit, mund të jenë sfilitëse për të jetuar në to. Kryeqytetet, aq më tepër, janë të mbushura me stimuj edhe intensitet të vazhdueshëm të përjetimeve, që stërngopin individin. Përballë këtij intensiteti psikologjik edhe fizik, banorët e qyteteve shpeshherë e përvetësojnë indiferencën, si mekanizëm të distancimit emocional prej dinamikave urbane. 

Studimet sociologjike, shpesh kanë hijëzuar se jeta në qytet di t’i shndërrojë marrëdhëniet emocionale në marrëdhënie që kanë vetëm karakter funksional, duke i kontribuar individualizimit, si një nga simptomat kyçe të rendit kapitalist.

Bisedat e ngrohta, si kjo e Arianit Laknës edhe Artrit Bytyçit, të dy artistë dhe komshinjë të lagjes “Ulpiana”, japin shpresë që Prishtina, përkundër kaosit urban, po i reziston diciplinimit edhe indiferencës që e imponon urbanizimi industrial.

Një zgjatim i kësaj rezistence urbane, ka marrë formë në njërën nga lagjet më të vjetra të Prishtinës, lagjen “Ulpiana”, në të cilën rruga “Egnatia” është shndërruar në atë që tashmë po njihet si “Lagje e artistëve”. 

Ashtu si Via Egnatia – një nga udhët më të rëndësishme të kohës romake, e cila lidhte qytetet e asaj kohe, ekonomikisht dhe kulturalisht – kjo lagje lidh botë të ndryshme të njerëzve në Prishtinë që u përkasin ekstremeve të kundërta, të klasës, moshës apo profilit: nga profesorë të artit që pas orarit të punës kthehen në “Ulpianë” për të pikturuar në atelietë e tyre, e artistë që jetojnë vetëm nga brushat e pikturës, muzikantë, shkrimtarë kreativ, aktivistë dhe studentë. 

Murale të realizuara nga organizata Q'art, në vitin 2024, të cilat e kanë transformuar pamjen e rrugës “Egnatia”.

Sipas piktorëve të lagjes, ngjizja e këtij komuniteti artistësh pikërisht në këtë lagje u bë përmes studentëve të dy profesionistëve të artit, Musa Kalaveshit dhe Agron Mulliqit, të cilët kishin punëtoritë e tyre tek ato që njihen si “lokalet e Lesnës”. Studentët, duke dashur të qëndronin afër mentorimit të profesorëve të tyre, kishin gjetur një varg lokalesh që po lëshoheshin me qira me çmime të ulëta, në rrugën “Egnatia”, çmime që u përshtateshin, sidomos në fillimet e karrierës së tyre artistike. Tre nga këta studentë, Hekuran Sokoli, Shpëtim Mehmeti dhe Mentor Avdili, ishin të parët që u vendosën në këtë lagje, me një atelie të përbashkët, në vitin 2009.  

Aso kohe, ka pasur lokale ku qiraja kishte çmim aq të ulët, diku 40–50 euro, mirëpo viteve të fundit, këto çmime gjenden rrallë, ndërkaq qiraja tashmë sillet rreth 150–250 euro, varësisht nga madhësia e lokalit. Ka prej këtyre lokaleve, që nuk posedojnë as tualet, por që vazhdojnë të shërbejnë si hapësira të krijimtarisë artistike. 

Pas pandemisë, gjegjësisht, pas vitit 2021, në lagje filluan të shtohen atelie të artistëve tjerë, e madje edhe lokale për qëllime të tjera kulturore e sociale.

Artboard 1
Komuniteti i artistëve po përjeton një ngritje të ndjeshme të qirave, bashkë me rritjen e numrit të lokaleve dhe qendrave të tjera sociale në lagje.

Shtimi i numrit të tyre mori dhenë sidomos pasiqë lagjja u bë subjekt i muraleve të realizuara nga Qendra për Zhvillimin e Artit – Q’art, e cila ka për qëllim intervenimin artistik në hapësira publike, përmes projektit “Bone Venin Tond”. E që atëherë, lagjja iu bën vend rreth 15 atelieve të artistëve të ndryshëm, qendrave sociale dhe kulturore, e pijetoreve. Krejt këto i kanë kontribuuar krijimit të një mikro-kozmosi artistik, i cili gjendet rrallë, kaq i koncentruar e i nuancuar, si në Ulpianë.

“Nuk pikturojmë për me shitë, pikturojmë për me kriju”

Në secilën prej rreth 15 atelieve të artistëve të ndryshëm në lagjen e artistëve vërehen stile të ndryshme, materiale, ngjyra, tollovi e alkool. Madje, shërbimi i artistëve me birra e raki, është menduar fort mirë, meqenëse në lagje, tash e 15 vite, këtë shërbim e ofron Elez Demolli, pronar i kafes “Te Gagi”. 

Elezi ka dalë në lagjen e artistave qysh prej vitit 2011. Edhe ai e kujton që kjo lagje më herët nuk ishte kaq e frekuentuar. Elezi thekson poashtu shtrimin e rrugëve të kësaj lagje nga komuna e Prishtinës, në vitin 2024, si hap që ndikoi në ngritjen e frekuentimit të rrugës. E shtrimi i rrugës, thotë ai, i kontribuoi edhe ngritjes së çmimeve të qirave për lokalet në këtë lagje, anipse jo për të dhe jo në nivelin në të cilin janë katandisur qiratë nëpër lagje të tjera të Prishtinës. 

“Unë njejtë e kam qiranë, tash e 11 vjet”, tha ai. “Këtu i kam mysafirtë krejt deputetë, doktora, profesora. Ja kanë nisë m’u mbledh shok mas shoki. Kur kom dal këtu me lokal në vitin 2011, krejt më kanë thanë ‘ski me mujtë me ba sen në këtë mahallë’. Po unë e disha çka do bahet, se unë qit pune e boj që 45 vjet”. 

Elez Demolli, pronar i kafe “Te Gagi”, të cilën e ka hapur në këtë lagje qysh nga viti 2011.

Te “Gagi”, shpesh i gjen bashkë artistët që i prin krijimit të komunitetit të artistëve në lagje. Musa Kalaveshi dhe Agron Mulliqi, të dy piktorë, ndajnë hapësirat e atelieve të tyre bashkë me ish-studentët e tyre, Zog Limanin dhe Hekuran Sokolin. E studentët, tash të profilizuar vetë si artistë, nuk kursehen prej fjalëve dashamirëse që kanë për mentorët e tyre. Për ta vazhdojnë të kenë respekt, por tashmë kanë arritur t’i thyejë disa barriera profesionale. Në pah ka dalë personalja artistike që i bashkon. 

“Ky tanë jetën e vet ka rrnu veç prej pikturave”, tha Hekurani, për profesorin e tij Agron Mulliqin, teksa ia rreh supet dhe e këshillon me shaka: “Ndaq, hin pak mrena Agron, se s’po ki qejf kur po të livdoj”. 

Por Agroni e shpërfill, me buzën në gaz, edhe vazhdon me rrëfy se sa vështirë e ka pasur të jetojë vetëm përmes pikturave të tij.

Në të majtë, Hekuran Sokoli, piktor dhe në të djathtë, Agron Mulliqi, piktor, duke ngarkuar piktura brenda ateliesë së tij.

“Mua më shkoi gjithë jeta duke ndërru profesione: rrobaqepës, kafexhi, pazarxhi”, tha ai. “Po s’mujta kurrë me u përshtat, se m’u përshtatë duhej me kanë i ngueshëm. E unë jam kanë gjithë krye në veti. Një kafe e kisha dikur, por gruaja më tha, ‘po pin shumë, leje kafen’. E lashë. E kështu më shkuan gati 30 vjet duke kërku punë. Duke mos gjetur, tash e 30 vjet jetoj vetëm me pikturë”.

Dallimet brezore duket se vetëm i kanë bërë mirë freskimit të rrymave artistike dhe stileve në këtë lagje. Agroni e mirëpret këtë ndërthurje, duke thënë se të rinjtë po e kërkojnë veten më ndryshe nga brezi i mëparshëm i artistëve, duke guxuar të ndjekin e të eksperimentojnë me stilet e tyre profesionale, ndërkaq, për Agronin, gjeneratat e vjetra të artistëve, kanë qenë më pak të orientuar drejt ndjekjes së karrierës në art. 

Përkundër vështirësive që i hasin individualisht, secili prej artistëve investon në ruajtjen e kohezionit social brenda lagjes. Kohë pas kohe, ata i vizitojnë atelietë e njëri-tjetrit, diskutojnë për mundësi bashkëpunimi edhe komentojnë punët e njëri-tjetrit. Kush po shet, kush nuk po shet, shpesh bëhet temë diskutimi, por “jo gjithkush bën vepra për me shitë”, tha Zog Limani, “dikush bën pikturë vetëm për hir të të krijuarit”. 

Në të djathtë, Musa Kalaveshi, piktor dhe në të majtë, Zog Limani, dikur student i tij, e tash piktor, me të cilin e ndan hapësirën e ateliesë.

Në po të njejtën rrugë, Vjosa Bujari-Maliqi dhe Merita Myderrizi-Maloku, të dyja piktore, ndajnë poashtu hapësirën e një atelieje. Në hyrje të ateliesë, vizitorët mund të shohin se si hapësira e tyre kreative duket sikur është e ndarë në dysh. Vjosës i përkasin pikturat me gurë, ndërkaq pikturat e Meritës karakterizohen me peisazhe të natyrës. 

Vjosa Bujari Maliqi dhe Merita Myderrizi-Maloku, në atelienë e tyre të përbashkët, brenda së cilës e jetojnë artin dhe miqësinë.

Për Vjosën, e cila prej 25 vjetësh poashtu punon si mësimdhënëse e artit, lagjja e artistëve i është bërë shtëpi, përtej së cilës heziton të dalë. “Nuk e ndiej më nevojë me dalë diku tjetër,  thjesht i thërras shoqet këtu. Këtu e kam punën, argëtimin, relaksin”, tha ajo.
Vjosa tregon se si shpërndahen thirrjet për ekspozita mes artistëve të lagjes, duke e vlerësuar komunikimin shoqëror, të cilin artistët e kanë kalitur qe një kohë të gjatë. “Agroni na njofton kur hapet një ekspozitë, na i merr pikturat, i çojmë bashkë nëpër galeritë ku i mbajmë ekspozitat. Kështu funksionojmë shumë më lehtë, si komunitet”, tha Vjosa.  

Ndërkaq, që nga viti 2024, në lagje është vendosë edhe Arianit Lakna, nga Kamenica. Ta arrijë një qëndrueshmëri financiare përmes pikturës, nuk ka qenë e lehtë as për Arianitin. Fillimisht, një shoqe e tij bujare, “art-dashëse”, siç thotë ai, ia kishte paguar qiranë e lokalit për gjashtë muaj, nga 200 euro, duke e mbështetur në fillimet e tij. Më pas Arianiti kishte vazhduar vetë me pagesë, mirëpo ndihmën e saj vazhdon ta kujton me mirënjohje. 

Arianit Lakna, piktor nga Kamenica, me atelie në lagjen e artistëve qysh nga viti 2024.

Atelieja e Arianitit është e mbushur me pula, në forma e ngjyra të ndryshme. Qysh prej fëmijërisë, ai kishte pasur lidhje të afërt me kafshët, sidomos me pulat dhe gjelat. Ai e kujton se si në të kaluarën, i ka mbledh pulat nga fqinjët, i ka rritë dhe është përkujdes për to.

“I kam pas sefte këtu 4-5 pula, ja nisa mi pikturu, dy ditë i kam majtë këtu në mahallë, janë knaqë njerëzit”, tha ai. “Qysh rrishin pulat sa mirë knej, u sillshin veç kah dera e ateliesë. Njana pulë ka hi në fijokë edhe veç kur e pashë, kish bo vo. Janë kanë pula të bardha, tepër mirë rrishin, veç mi pa”.

Secila nga atelietë duket sikur i kontribuon krijimit të një mikrokozmosi urban, ku treten kufijtë mes punës, miqësisë dhe jetës sociale. Por lagjes i janë shtuar edhe hapësira të tjera, të cilat përveç artit, ndërthurin rrëfimtarinë, kauzën edhe përvojën njerëzore, në aktivitetet që organizohen në këto hapësira. 

Ulpiana e hapësirave sociale

Kafet e Prishtinës, në plot raste kanë shërbyer edhe si hapësira për organizim të diskutimeve dhe ngjarjeve kulturore apo sociale. Kjo, sepse hapësirat sociale, edhe pse nuk janë koncept i ri, janë të pakta në numër. Ka qenë pikërisht lagjja “Ulpiana”, që e ka mirëpritur hapjen e një qendre të tillë, në vitin 2018, në rrugën ku tash gjendet komuniteti i artistave. 

Kjo ishte “Sabota”, një qendër anarko-sindikaliste, e hapur nga një grup i të rinjve që synonin të organizoheshin për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve në Kosovë.Sabota” funksionoi me këtë qëllim për rreth dy vite, por edhe pas mbylljes së saj, duket se rruga “Egnatia”, pos aspektit artistik dhe estetik që e përmbush si lagje e artistëve, është e destinuar për të mirëpritur hapjen e hapësirave tjera alternative sociale, që ua mundësojnë njerëzve aktivizmin përmes socializmit.

Në fillim të shkurtit të këtij viti, Artrit Bytyçi, artist i pavarur dhe ligjërues i artit, vendosi të marrë një hapësirë në “Ulpianë”, në mënyrë që të mund ta vazhdojë misionin pothuajse pesëvjeçar të laboratorit të rrëfimit, të njohur ndryshe si “Kosovo StoryLab”. 

“Kosovo StoryLab” është një nismë ndërdisiplinore me bazë në Prishtinë, që vepron në fushën e artit, shkrimit, teknologjisë, dizajnit dhe edukimit. Synimi i saj kryesor është të hulumtojë dhe të zhvillojë forma të reja – por edhe tradicionale – të rrëfimit, përmes praktikës, eksperimentimit, kërkimit dhe edukimit. 

“Ndonjëherë e nij dikënd tu thanë, kjo rrugë ka potencial mu bo si kafet e rakisë...im like, shpresoj që jo." thotë Artrit Bytyçi, themelues i Kosovo Story Lab. Në foto, bashkë me të, Vanesa Orana, arkitekte dhe bashkëpunëtore në KSL.

Deri në marrjen e hapësirës, “Kosovo StoryLab” kishte funksionuar në kuadër të hapësirave të ndryshme si: Qendra për Praktikë Narrative (QPN), e cila deri në fillim të vitit 2024, shërbente si hapësirë e kulturës dhe e punës, apo Fondacioni 17, organizatë joqeveritare në Prishtinë që ndërthur aktivizmin kulturor, edukimin dhe artin, duke ofruar edhe hapësira të punës për artistë e hulumtues. Këtë vit, Artriti e vlerësoi të nevojshme që edhe “Kosovo StoryLab” ta ketë një shtëpi.

“Krejt është do-it-yourself”, tha Artriti për hapësirën. “E kena pastru, e kena popullu, edhe në prill e kena çelë. Thjesht thamë ‘hajde ta hapim, pastaj e shohim se çka po ndodh’”.

Gjithçka mbahet gjallë prej kursimeve personale të Artritit. “Prej investimit deri te shpenzimet mujore – dritat, uji – i paguj prej pareve të mia”, tha ai. Megjithatë, ky model financiar, ndonëse i paqëndrueshëm, është pjesë e filozofisë së laboratorit: të krijojë pa u varur nga grantet dhe burokracitë.

“Kosovo StoryLab”, përveç projekteve që ka, tashmë do të ofrojë edhe lirimin e hapësirës për shfrytëzim nga komuniteti. “Kjo po bëhet për arsye se ka nevojë urgjente për hapësira publike gjithandej”, tha Artriti. 

Edhe ai e konfirmon atë çka thonë artistët e tjerë, se “ka njëfarë gjentrifikimi këtu, s’ki qysh i ikë”, duke iu referuar rritjes së qirave për lokalet e lagjes. Praktika e tillë është shembull tipik i procesit shoqëror edhe ekonomik, të njohur si gjentrifikim – pra, kur një zonë urbane e lënë pas dore rinovohet dhe pastaj fillon të tërheqë një demografi të re, shpesh më të pasur e më të privilegjuar, gjë që çon në rritjen e çmimeve të banimit dhe zhvendosjen graduale të banorëve ose lokaleve me të ardhura më të ulëta. Ai shpreson që lagjja do t’i shpëtojë kësaj praktike dhe stërngarkimit.

Estetikën e lagjes së artisteve, Artriti e sheh të ngjashme me atë të një “mini-Brooklyn” ose “little Berlin”, ku kafet, galeritë dhe nismat kulturore krijojnë një ekosistem te rrallë, në të cilin frymon gjallëria komunitare. “Ndonjëherë e nij dikënd t’u thanë, kjo rrugë ka potencial m’u bo si kafet e rakisë, and I’m like… shpresoj që jo”, tha ai, duke iu referuar kafeneve të renditura në rrugicën “2 Korriku”, në qendër të Prishtinës, ku janë hapur dhjetëra lokale dhe që njihet si një nga rrugicat më të frekuentuara në qytet.

Ngjitur me atelienë e Musa Kalaveshit edhe Zog Limanit, është shtuar rishtazi hapësira e quajtur “Kometa”, një ndërmarrje sociale dhe bar feminist i hapur në gusht të këtij viti. “Kometa” është një hapësirë alternative sociale, e ideuar nga Qendra për Kritikë, Informim dhe Aksion (QIKA). Qëllimi i “Kometës”, sipas Leonida Molliqaj, kryeredaktore në QIKA, është që hapësira të shërbejë si pikë lidhëse për komunikim mes studentëve, artistëve e aktivistëve.

“Hapësirat sociale janë ambiente që e japin ndjesinë e 'shtëpisë larg shtëpisë' për studentët që vijnë në Prishtinë", thotë Leonida Molliqaj, themeluese e “Kometës” dhe drejtore e organizatës QIKA.

“QIKA gjithmonë e kishte ëndërruar një hapësirë që do të shërbente si vend për aktivizëm, punë dhe kreativitet; një vend i hapur, i sigurt dhe i qasshëm për të gjithë”, tha Leonida. Kjo ëndërr ka marrë formën e “Kometës”, e cila veçse ka filuar të shërbejë si hapësirë e takimeve dhe diskutimeve feministe.

QIKA ka bashkuar aktivizmin me një model të qëndrueshëm të ndërmarrjes sociale, duke e bërë barin një mjet për vetëmbështetje financiare të hapësirës. Të gjitha fitimet që merren nga bari, planifikohet të përdoren për ta mbajtur hapësirën gjallë dhe të hapur për aktivizëm feminist.

E vendosur qëllimisht afër Universitetit të Prishtinës (UP), Leonida tha se “Kometa” u krijua me idenë që studentët dhe të rinjtë ta kenë afër një vend ku mund të punojnë, të lexojnë, të takohen apo thjesht të qëndrojnë në një mjedis që ua ofron ndjesinë e “shtëpisë larg shtëpisë”. 

Duke iu referuar njërës prej pikturave të hapësinës, të cilën “Kometa” e ka dhuratë nga Arianit Lakna, me rastin e hapjes së qendrës, Leonida tha se ka qenë frymëzuese mbështetja që organizata QIKA ka marrë nga komunitetit i lagjes, në hapjen e qendrës. 

Brenda “Kometës”, hapësirës feministe në lagjen e artistëve, të hapur në gusht të këtij viti.

“Banorët, artistët dhe grupet tjera joformale të kësaj zone jo vetëm që e kanë përqafuar nismën tonë, por kanë ndihmuar në çdo aspekt të jetësimit të saj, qoftë teknikisht, qoftë me solidaritet e mbështetje të sinqertë”, tha ajo. 

Nuancat sociale edhe artistike të lagjes së artistave nuk mbarojnë me kaq. Lagjja është e pasur me nisma të tjera, të cilat mbledhin profile të ndryshme njerëzisht që përmes kësaj lagjeje, e çojnë përditshmërinë në Prishtinë. Një nga lokalet, për shembull, shërben si hapësirë ku grupi i njohur i muzikës alternative “ZWADA” mblidhet për ta ushtruar krijimtarinë e tyre muzikore. 

E në lagje, gjendet poashtu “Ulpi bar”, i njohur deri vonë si “Pijetorja”, të cilin Bardhyl Noci, pronari i saj, e cilëson si një “ishull që i ka shpëtuar asfaltit, betonit dhe xixave vezulluese të spektaklit” dhe që qëndron “brenda qytetit, por pa zhurmën e tij”. 

Bardhyli e ka hapur “Pijetoren” në vitin 2021, pasiqë është mahnitur me dimensionet e shumta kulturore e sociale që ka gjetur në lagje. 

"Aty ku shkojnë artistat, shkojnë biznismenat; ku shkojnë biznismenat, rriten çmimet, edhe s’ka vend ma aty për artista."

“Ulpi bar” qysh prej hapjes së vet ka tërhequr një klientelë të llojllojshme, sa edhe vetë lagjia. Shumë nga vizitorët e barit, përpos që vijnë për ta shijuar muzikën edhe qetësinë që ofron, larg nga zhurma e qendrës, vijnë poashtu për t’i kundruar ngjyrat e atelieve edhe për t’u mahnitur me ndjenjën e komunitetit që lagjia ofron.

“Ulpi bar”, i njohur deri vonë si “Pijetorja” në Ulpianë, i hapur në lagje nga viti 2021.

“Para pandemisë, rruga më ishte dukur si një vend ‘multi-kulti’”, tha Bardhyli, “me pleq, artistë e muzikë të llojllojshme.” Ai i kujton çmimet më të lira të qirave, të cilat me shtimin e lokaleve u rritën, rruga u shtrua dhe mahalla u mbush me beton – një mënyrë, sipas tij, për ta diciplinuar spontanitetin e lagjes së artistëve. Kur flet për trendin e rritjes së qirave në lagje, Bardhyli reflekton edhe për rolin e “Pijetores” në krejt këtë, duke thënë se qysh kur e ka hapur lokalin, ka qenë në dijeni se po i kontribuon “bërjes së dukshëm”, të disa njerëzve që “s’duan të duken”.

“Kur e kam qelë ‘Pijetoren’ aty, e kam ditë se ku të shkojnë artistat, shkojnë biznismenat; ku shkojnë biznismenat, rriten çmimet, edhe s’ka vend ma aty për artista”, tha ai, duke iu referuar rrezikut nga papërballueshmëria e çmimeve të qirave për artistë, ndërkaq shton se veçse po dëgjon njerëzit duke thënë: “Po du me çelë diçka ‘të madhe’ qanej, kah lagjja e artistave”. 

Megjithatë, tani për tani, fryma komunitare, ende e pranishme në lagjen e artistëve është përfaqësim simbolik i rezistencës kulturore ndaj uniformizimit dhe diciplinimit urban.

 

Imazhi i ballinës: Ferdi Limani

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë?

Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.

Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion.