Në thelb | rajoni

Një vit që nga lëvizja më e madhe studentore në Serbi

Nga - 30.10.2025

Si shembja e një çatie nxori në pah çarjet e thella që shtrihen në tërë vendin.

“E kemi rrëzuar murin e frikës

Ju i keni rrënuar muret e shtëpive tona

Ne do t’i rindërtojmë shtëpitë tona

Por ju kurrë nuk do ta rindërtoni atë mur të frikës”.

— tweet @souriastrong (Rawia Alhoussaini)

“Rrjetet e zemërimit dhe shpresës: Lëvizjet shoqërore në epokën e internetit” – Manuel Castells

Askush nuk e parashikoi.

Në një vend të zhytur në korrupsion, pabarazi dhe apati, ku njerëzit prej kohësh kishin humbur besimin në mundësinë e ndryshimit, ishin studentët ata që më në fund thyen heshtjen.

Gjithçka nisi me zhurmën e metalit duke u shembur.

Më 1 nëntor 2024, në orën 11:52 paradite, çatia e sapo rinovuar e stacionit hekurudhor kryesor të Novi Sadit u shemb. Ishte stacioni më i frekuentuar i qytetit, i mbushur me të rinj e të reja që po shkonin në universitet, të tjerë që nxitonin për në punë, me ritmin e jetës së përditshme që rrihte në çdo tren. Në mesin e atyre që prisnin trenin e mesditës, disa nuk u kthyen më në shtëpi, as në punë, as askund tjetër atë ditë.

Katërmbëdhjetë persona humbën jetën menjëherë; një grua vdiq dy javë më vonë në spital. Pas katër muajsh, një tjetër viktimë – V.C., që kishte luftuar për jetën që nga ai mëngjes – vdiq gjithashtu në spital, duke u bërë viktima e gjashtëmbëdhjetë e një tragjedie që kishte tronditur tërë vendin.

Por për shumicën e njerëzve, ishte më shumë se kaq. Shembja u bë simbol i çdo gjëje që kishte filluar të rrënohej shumë kohë para asaj çatie – një shtet i ndërtuar mbi neglizhencën dhe korrupsionin, ku institucionet kanë dështuar dhe përgjegjësia është zhdukur.

Në ditët që pasuan, pikëllimi u shndërrua në zemërim, duke nxitur një valë revolte qytetare dhe protestash.

Shumë shpejt pas kësaj, mijëra njerëz në mbarë Serbinë dolën rrugëve, duke ndërprerë qarkullimin e trafikut pikërisht në orën 11:52 për 15 minuta – në të njëjtën orë kur çatia e stacionit hekurudhor të Novi Sadit u shemb. Protestat u karakterizuan nga kreativiteti dhe njëri nga togfjalëshat më të përhapur ishte “Pumpaj” (në shqip: “Ngrije zërin” ose “Jep gjithçka”). Kjo shprehje përdorej për t’i nxitur njerëzit të mos ndalonin, të vazhdonin përpara, ta luftonin me krejt çka kishin korrupsionin dhe të kërkonin llogaridhënie, derisa kërkesat e tyre të përmbusheshin.

Edhe në krahasim me demonstratat historike të studentëve të vitit 1968, protestat e para politike masive në Jugosllavinë socialiste, lëvizja aktuale studentore në Serbi është më e madhe, si për nga shtrirja, ashtu edhe nga përmasa.

Protestat që po vazhdojnë janë më të mëdhatë që ka parë Serbia dekadave të fundit. Më e madhja u mbajt më 15 mars të vitit 2025, duke zgjatur tërë ditën në Beograd. Sipas vlerësimeve të Arkivit të Tubimeve Publike, mes 275.000 dhe 325.000 persona morën pjesë në protestë.

Në atmosferën e asaj dite, mbizotëronte një ndjenjë e prekshme lirie. Ndonëse numri i protestuesve nuk ishte i vogël dhe shpesh është e vështirë të vlerësohet saktësisht pjesëmarrja, sidomos gjatë bllokadave tërëditore, çfarë e bën këtë lëvizje të veçantë është pjesëmarrja e gjerë: njerëz nga të gjitha shtresat e shoqërisë po marrin pjesë dhe po kontribuojnë në mënyrën e tyre në këtë përpjekje. Historiani kroat Hrvoje Klasić theksoi se, edhe në krahasim me demonstratat historike të studentëve të vitit 1968, protestat e para politike masive në Jugosllavinë socialiste, kur studentët në Beograd u ngritën kundër pabarazisë, papunësisë dhe privilegjeve të elitës politike, lëvizja aktuale e studentëve në Serbi është më e madhe, si për nga shtrirja, ashtu edhe nga përmasa.

Më kujtohet sa e rëndësishme ishte ta ndaja atë pikëllim me të tjerët rrugëve të Beogradit. U ndieva pak më e sigurt, më pak vetëm. Gjatë atyre 15 minutave, mendova për jetët e humbura, të lënduarit, familjet e tyre dhe shikoja njerëzit përreth meje. Për 15 minuta qëndruam bashkë, palëvizur, sikur i tërë qyteti pikëllohej në heshtje bashkë me ne. Në atë qetësi të përbashkët ndihej një forcë e çuditshme, sikur secili prej nesh, pa thënë asnjë fjalë, ishte dëshmitar dhe po rezistonte.

Pasi mora pjesë në ato 15 minuta heshtjeje, ndieva një dëshirë të fortë për ta përqafuar shoqërinë time. Ishte sikur diçka brenda meje u ringjall, një ndjenjë përkatësie, bashkimi dhe besimi se do të vazhdonim të luftonim për drejtësi. Ky akt i mosbindjes civile dhe solidaritetit u bë i njohur si “15 minuta heshtje” dhe më vonë “16 minuta heshtje”, pas vdekjes së V.C., i cili ishte lënduar rëndë gjatë shembjes dhe vdiq pas disa muajsh në spital, duke e çuar numrin e viktimave në gjashtëmbëdhjetë.

Gjatë njërit prej këtyre aksioneve, të quajtur “Zastani, Srbijo” (në shqip: “Serbi, ndalo”), më 22 nëntor 2024, një grup burrash të organizuar sulmuan fizikisht studentë dhe profesorë të Fakultetit të Arteve Dramatike (FDU) në Beograd, që po nderonin në heshtje viktimat përpara fakultetit. Ky sulm u bë në pikë kthese. Studentët e FDU bllokuan fakultetin dhe dolën me katër kërkesa, të cilat shpejt u shndërruan në bërthamën e lëvizjes studentore mbarëkombëtare “Studenti u blokadi” (në shqip: “Studentët/et në bllokadë”).

Kërkesa e parë e studentëve kishte të bënte me publikimin e të gjithë dokumentacionit që lidhej me rindërtimin e stacionit hekurudhor të Novi Sadit, informacione që deri atëherë ishin të pa qasshme për publikun. Një tjetër kërkesë ishte që autoritetet t’i identifikonin dhe t’i ndiqnin penalisht personat që kishin sulmuar studentët dhe profesorët, si dhe të shkarkohej nga detyra çdo person përgjegjës që mbante funksion publik. Ata kërkuan gjithashtu tërheqjen e të gjitha akuzave penale ndaj studentëve të arrestuar ose ndaluar gjatë protestave, si dhe pezullimin e të gjitha proceseve gjyqësore vijuese kundër protestuesve. Në fund, lëvizja kërkoi rritjen e buxhetit publik për universitetet shtetërore me 20 për qind, duke theksuar se financimi i pamjaftueshëm kronik dhe degradimi i arsimit të lartë ishin pjesë e së njëjtës kalbje sistemike që kishte çuar drejt tragjedisë.

Muaj më vonë, pas protestës së 15 marsit 2025, studentët shtuan një kërkesë të re në listën e tyre. Ajo ditë, gjatë një tubimi të heshtur përgjatë rrugës “Kralja Milana” në Beograd, një ndërhyrje e panjohur zanore përshkoi turmën, duke shkaktuar frikë dhe huti dhe duke e ndarë atë në dysh. Origjina e kësaj ngjarjeje mbetet e paqartë, megjithatë dëshmitarët e kanë përshkruar si valë e çuditshme ndijore, që shumica besonin se ishte e qëllimshme.

Organizatat e shoqërisë civile raportuan se kishin marrë rreth 3.000 ankesa nga qytetarë, të cilët treguan për probleme shëndetësore, lëndime dhe simptoma fizike e psikologjike lidhur me atë ngjarje. Si përgjigje, studentët kërkuan hetim zyrtar për ta përcaktuar çfarë teknologjie u përdor, nga erdhi dhe nën autoritetin e kujt u lëshua. Më 24 mars 2024, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDN) kërkoi nga qeveria serbe të përgjigjej lidhur me dyshimet për përdorimin e armëve zanore gjatë protestës në Beograd më 15 mars 2025. Përgjigjet duhej t’i dorëzoheshin deri më 31 mars 2024. Autoritetet serbe pranuan praninë e një pajisjeje akustike me rreze të gjatë veprimi (LRAD – Long Range Acoustic Device) në protestë, duke kundërshtuar mohimet e mëparshme, por këmbëngulën se pajisja nuk ishte përdorur si “top zanor” kundër protestuesve.

Studentët vetëorganizohen përmes takimeve, mbledhjeve të hapura që zhvillohen në çdo fakultet, ku secili ka të drejtë të flasë, të propozojë ide dhe të votojë për vendime.

Më 7 prill, studentët e zgjeruan listën e tyre të kërkesave duke parashtruar kallëzim penal kundër presidentit Aleksandar Vučić, për shkak të vizitës së tij te viktimat e zjarrit në klubin e natës “Kočani” në repartin e kujdesit intensiv në Beograd, ku ata u transportuan me helikopter nga Maqedonia e Veriut për trajtim. Nën shoqërimin e kamerave, Vučić dhe ministri i shëndetësisë u futën në repart pa pajisje mbrojtëse, ndërsa gazetarët xhiruan të lënduarit, një veprim që studentët e dënuan si shkelje të privatësisë dhe performancë politike në prag të një tragjedie.

Asnjë nga kërkesat e studentëve nuk u plotësua. Por, në nëntor 2024, sapo FDU hyri në bllokadë, fakultetet e tjera filluan t’i bashkoheshin. Nga ky mosdurim dhe solidaritet, lindi lëvizja “Studentët në bllokadë”, e bazuar në parimet e demokracisë së drejtpërdrejtë. Kjo nënkupton se studentët vetëorganizohen përmes takimeve, mbledhjeve të hapura që zhvillohen në çdo fakultet, ku secili ka të drejtë të flasë, të propozojë ide dhe të votojë për vendime. Brenda çdo fakulteti janë krijuar edhe grupe pune, për siguri, media, logjistikë, etj., që merren me organizimin e përditshëm dhe me zbatimin e vendimeve të marra në takime.

Momentumi ishte i menjëhershëm. Me përhapjen e lajmit për bllokadën, fakultetet e tjera filluan t’i organizoheshin vetë.

“Më kujtohet ajo ndjesi, ai nxitim, ajo urgjencë që duhej ta thërrisnim një bllokadën menjëherë, dhe se do të ishte absurde nëse Fakulteti i Shkencave Politike (FPN) nuk do të ishte ndër të parët që do t’i bashkohej”, kujton Emilija Milenković, studente në FPN.

Ajo shton se fillimisht kishte frikë se nuk do të mund ta organizonin bllokadën, se nuk do të kishte mjaftueshëm njerëz, se gjithçka do të dështonte: “Dhe pikërisht ashtu ishte në fillim, derisa gjërat filluan të merrnin formë, derisa krijuam grupet e punës dhe takimeve”, tha Milenković.

Ajo thekson se solidariteti me fakultetet e tjera, veçanërisht me FDU, ishte vendimtar për përhapjen e lëvizjes nëpër universitetet e gjithë Serbisë.

“E shihja teksa fakultet pas fakulteti po i bashkohej bllokadës dhe nuk mund ta besoja, sepse gjithçka po ndodhte kaq spontanisht, kaq shpejt”, tha ajo.

Solidariteti solli sërish shpresën – shpresën se mund ta ndryshonim shoqërinë në të cilën jetojmë dhe se nuk ishim të vetëm në atë përpjekje. Fshatarët përdorën traktorët e tyre për t’i mbrojtur bllokadat studentore, gatuan gullash dhe ua dërgonin studentëve në kampuse. Avokatët hynë në grevë. Mjekët dolën nga ndërrimet e tyre të punës për t’iu bashkuar protestuesve gjatë 16 minutave të heshtjes. Nxënësit e shkollave të mesme organizuan takimet dhe bllokadat e tyre në shkolla dhe komunitete lokale. Mësuesit, profesorët dhe ligjëruesit qëndruan përkrah studentëve dhe nxënësve të tyre. Uniteti, entuziazmi dhe shpresa u rikthyen në rrugë, në universitete, në shkolla, në jetën publike. Fillimisht njerëzit e pëshpërisnin, pastaj nisën ta thonin zëshëm: ndryshimi është i mundur, ne meritojmë më mirë dhe bashkë do ta ndërtojmë një vend më të mirë për të gjithë ne.

Nga fundi i vitit 2024 e gjatë gjithë vitit 2025, ritmi i lëvizjes pulsonte nëpër rrugë, herë duke u shuar në akte të qeta rezistence, herë shpërthente në demonstrata masive, por asnjëherë nuk u zhduk dhe vazhdon ende sot.

Përtej bllokadave, me çdo hap që hidhnin, studentët çlironin qytetarët nga frika që ishte rrënjosur thellë ndër vite nga sundimi gjysmë autoritar dhe gërryerja e ngadalshme e institucioneve demokratike. Ishte frika për të folur kundër një qeverie që kishte shtrirë ndikimin e saj pothuajse në çdo qytet të vogël, e punësimi në sektorin publik shpesh varet nga besnikëria  ndaj partisë në pushtet, SNS së Vučić, apo frika për t’iu bashkuar protestave që rregullisht ballafaqohet me fushata të shpifjeve dhe frikësime.

Kam qarë pothuajse çdo ditë teksa shihja skenat e solidaritetit dhe bashkimit – të moshuar që ofronin lëngje e ëmbëlsira, që ndoshta ishte e tëra çfarë kishin, për studentët që kalonin nëpër fshatin e tyre.

Gjatë gjithë vitit 2025, studentët marshuan në Novi Sad, Beograd, Niš, Kragujevac, Novi Pazar, Kraljevo dhe në qytete të tjera anembanë Serbisë; ndërkohë, nxënësit e shkollave të mesme organizuan aksione të ngjashme në komunitetet e tyre lokale. Në një vend ku mediet kombëtare janë nën kontrollin qeveritar, trupat tanë janë bërë përçues të mesazheve – simbole të rezistencës. Teksa studentët e universiteteve dhe nxënësit e shkollave të mesme ecnin nëpër fshatra dhe qytete të harruara, ata bashkëbisedonin me banorët dhe shpërndanin mesazhin e protestës: vetëm bashkë mund të luftojmë për drejtësi dhe për një shtet ku sundon ligji.

Kam qarë pothuajse çdo ditë teksa shihja skenat e solidaritetit dhe bashkimit – të moshuar që ofronin lëngje e ëmbëlsira, që ndoshta ishte e tëra çfarë kishin, për studentët që kalonin nëpër fshatin e tyre dhe pastaj studentët ktheheshin t’i falënderonin personalisht. Gjatë muajit të Ramazanit, studentë nga Nishi përgatitën iftar dhe ndanë hapësira të veçanta për falje, për burra dhe gra, për kolegët e tyre nga Novi Pazari.

Ky veprim kishte peshë të veçantë, marrë parasysh se Novi Pazari, një qytet në jug të Serbisë me popullatë kryesisht myslimane, shpesh shpërfillet në diskursin kombëtar dhe nga zyrtarët publikë. Në një vend të mbushur me retorikë nacionaliste, ku kriminelët e luftës lavdërohen dhe gjuha e urrejtjes është e përhapur, studentët qëndruan krah për krah, disa duke bërë shenjën e kryqit, disa recitonin Al-Fatiha, të tjerë qëndronin në heshtje në shenjë kujtimi. Për studentët nga Novi Pazari, ai moment ishte më shumë se solidaritet, ishte çast i rrallë përkatësie dhe pranimi, që i bëri të ndiheshin të parë, të respektuar dhe më në fund të pranuar si pjesë e vendit të tyre.

Në pjesët veriore të Serbisë, pankarta me mbishkrimin “Krvave su vam ruke” / “Véresek a kezeitek” (në shqip: “I keni duart me gjak”) – në serbisht dhe hungarisht – u shpërndanë mes studentëve. Flamuri rom valëvitej në protesta. Frika dhe përjashtimi u mundën nëpërmjet solidaritetit.

Gratë në protesta, përveç dhunës fizike, u përballën edhe me forma të veçanta të frikësimit seksual.

Kur autoriteti i një shteti sfidohet dhe qeveria refuzon t’u përgjigjet kërkesave të lëvizjes, i drejtohet instrumentit të saj të fundit — monopolit mbi dhunën. Gjatë verës së vitit 2025, ishim dëshmitarë të brutalitetit policor rrugëve të Beogradit dhe në qytete të tjera të Serbisë. Dëshmitë e mbledhura nga organizatat për të drejtat e njeriut konfirmojnë një model të përdorimit të tepruar të forcës: njësi të policisë speciale që përdorin shkopinj gome dhe mburoja ndaj studentëve paqësorë, arrestime të dhjetëra protestuesve dhe raste të dokumentuara lëndimesh që kërkuan të shtroheshin në spital. Gratë në protesta, përveç dhunës fizike, u përballën edhe me forma të veçanta të frikësimit seksual, duke treguar se shtypja gjithmonë i thellon pabarazitë gjinore ekzistuese në shoqëri.

Nikolina Sinđelić, studente në FPN, raportoi se kishte përjetuar dhunë policore dhe kërcënime për përdhunim, të cilat, sipas saj, vinin nga Marko Kričak, komandant i Njësisë Speciale për Mbrojtjen e Objekteve të Veçanta dhe Personave (JZO). Ajo, bashkë me disa të tjerë, u ndalua më 14 gusht 2025 gjatë protestave në Beograd dhe u dërgua në garazhin e një ndërtese qeveritare, ku, sipas dëshmisë së saj, iu nënshtruan frikësimeve dhe dhunës fizike, me qëllim që t’i frikësonin studentët për pjesëmarrjen e tyre në protestat e ardhshme.

“Kur po e godiste njërin nga kolegët e mi, i tha: ‘Nuk dua t’ju shoh më në rrugë’. Ishte e qartë që donin të frikësonin sa më shumë studentë, ta zvogëlonin numrin tonë, ta mbytnin lëvizjen”, tha Sinđelić për mediat.

Nikolina Pavićević, aktiviste feministe dhe themeluese e platformës “Kritički”, shpjegon se kërcënimet për përdhunim synojnë ta shpërfaqin se “kush e ka kontrollin”, t’i shkurajonin gratë nga pjesëmarrja në jetën publike dhe t’ua kujtonin se siguria e tyre varet nga vullneti i atyre që janë në pushtet.

“Prandaj, kur gratë protestojnë, ato protestojnë dyfish”, tha Pavićević. “Ato ngritin zërin jo vetëm kundër strukturave korruptive të pushtetit, por edhe kundër poshtërimit mizogjenist, që gjatë vitit të fundit është reflektuar qartazi në veprimet e policisë”.

Kur dëgjova çka i kishte ndodhur Nikolinës, u zemërova, një zemërim që u shndërrua në nevojë për të vepruar dhe për t’u organizuar. Kisha marrë pjesë në çdo protestë në Beograd që nga e para, por këtë herë ishte ndryshe – sidomos si grua. Ajo çfarë Nikolina përjetoi, tregoi se edhe kur protestojmë kundër korrupsionit, trupat e grave mbeten ende shënjestër e pushtetit.

Hapësira brenda protestave jo gjithmonë ka qenë e sigurt për të gjithë ne, dhe as vetë lëvizja nuk ka qenë imune ndaj homofobisë, nacionalizmit dhe retorikës nacionaliste.

Prandaj, më 19 gusht, iu bashkova protestës “Të gjithë jemi Nikolina” bashkë me shoqërinë time. Kërkuam shkarkimin e komandantit të JZO, Kričak dhe ndëshkimin e zyrtarëve policorë të përfshirë në keqtrajtimin e protestuesve të ndaluar.

Studentët Nikolina Sinđelić dhe Dušan Cvetković ngritën kallëzim penal kundër Kričak dhe anëtarëve të tjerë të JZO për brutalitet policor dhe abuzim. Ky hap është sa i rëndësishëm, po aq i guximshëm, sepse u jep atyre mundësinë të marrin kontroll dhe të përballen me dhunën sistemike brenda institucioneve shtetërore.

Megjithatë, përveç shtypjes shtetërore, hapësira brenda protestave jo gjithmonë ka qenë e sigurt për të gjithë ne dhe as vetë lëvizja nuk ka qenë imune ndaj homofobisë, nacionalizmit dhe retorikës nacionaliste. Në Novi Sad, Kragujevac, Niš dhe Beograd, marshova përkrah njerëzve që valëvitnin flamuj nacionalistë dhe thërrisnin togfjalësha ofenduese e plot urrejtje. Në ato momente, mendova nëse duhej të dilja rrugëve, nëse përpjekja jonë kishte të njëjtin qëllim dhe nëse do të isha e sigurt aty, me një pankartë queer. Megjithatë, e dija që nuk ndihesha vetëm unë ashtu dhe se duhej të angazhohesha dhe të merrja pjesë në dialogun shoqëror që po zhvillohej, nëse doja të jetoja në një Serbi më të mirë.

Matea Stefanović nga organizata “Talas TIRV”, që përqendrohet tek personat trans, interseks dhe me identitete gjinore të ndryshme, shpjegon se komuniteti queer dhe trans ka marrë pjesë në protesta dhe bllokada që nga fillimi, por ata shpesh ndihen të pasigurt.

“Për arsye sigurie, shumë persona queer zgjedhin të mos mbajnë asnjë simbol – flamuj, pankarta apo ndonjë shenjë tjetër që do ta tregonte dukshëm identitetin e tyre queer – sepse e dinë që kjo mund t’i ekspozojë ndaj sulmeve apo fyerjeve. Vetë fakti që njerëzit duhet të zgjedhin mes sigurisë dhe dukshmërisë tregon shumë për situatën me të cilën përballen personat queer në vendin tonë, madje edhe brenda vetë protestës, ku shpesh nuk njihen si shokë të barabartë të kauzës”, tha Stefanović.

Ai shtoi gjithashtu se kur gjatë protestave dëgjohen thirrje homofobike ose transfobike, “ato vetëm forcojnë ndjenjën e pasigurisë, poshtërimit dhe përjashtimit, madje edhe në ngjarje që supozohet të jenë hapësira solidariteti dhe uniteti”.

Stefanović thotë se pavarësisht rreziqeve, është e rëndësishme që komuniteti queer të jetë i dukshëm në protesta.

“Është e qartë se lufta për ndryshim shoqëror nuk mund të jetë e plotë nëse nuk përfshin ata që shtypen dhe diskriminohen sistematikisht. Për vetë personat queer dhe trans, pjesëmarrja në protesta është akt fuqizimi dhe solidariteti, sepse tregon se nuk janë vetëm dhe se janë pjesë e një lëvizjeje më të gjerë për drejtësi shoqërore”, tha ai.

Një formë e organizimit politik queer që buroi nga protestat ishte krijimi i nismës qytetare “Belgrade Queer Assembly” (Kvir zbor Beograda). E modeluar sipas demokracisë së drejtpërdrejtë, Asambleja bashkon njerëzit për të debatuar dhe për t’i koordinuar veprimet kolektive, të ngjashme si takimet e studentëve. Ajo që e bën të veçantë këtë nismë është përpjekja për të lidhur personat queer nëpër komuna të ndryshme dhe për ta theksuar se përpjekja e tyre është e pandashme nga beteja më e gjerë kundër padrejtësisë shoqërore dhe shtypjes politike.

Thirrjet nacionaliste në protesta – përfshirë fyerje dhe brohoritje duke u thënë policëve “Shkoni në Kosovë!” – shpërfaqën sa thellë është rrënjosur urrejtja etnike në shoqëri.

Përveç komunitetit queer, edhe shqiptarët u bënë shënjestër e armiqësisë. Thirrjet nacionaliste në protesta – përfshirë fyerje dhe brohoritje duke u thënë policëve “Shkoni në Kosovë!” – shpërfaqën sa thellë është rrënjosur urrejtja etnike në shoqëri. Këto nuk ishin incidente të izoluara, por jehona të një historie të gjatë dhune dhe propagande të ushqyer nga shteti, që i mësoi brezat t’i shohin shqiptarët si armiq – si jetë ndaj të cilave dhuna mund të përdorej pa pasoja. Kjo shpërfaq logjikën e një sistemi që për dekada na ka mësuar se dhuna ndaj shqiptarëve në Kosovë është normale, se shtypja është e lejueshme, derisa ajo dhunë erdhi në shtëpi, para syve dhe trupave tanë.

Vetëm kur shkopinjtë dhe shufrat filluan të na godasin, u bë e qartë se dhuna nuk rri kurrë “atje”, por gjithmonë gjen rrugën për t’u kthyer. Dhe kjo shkatërroi iluzionin se mund të jetonim në paqe për sa kohë shoqëria jonë arsyeton dhe përsërit dhunën ndaj “tjetrit”.

Aktivistja e të drejtave të njeriut, Fiona Jelići, thotë se nganjëherë hezitonte të merrte pjesë në protesta, “jo nga frika ndaj bashkëqytetarëve, por nga frika ndaj policisë”. “I kujtoja vetes se në ato thirrje, nuk jam unë shënjestra, edhe nëse trupi im ndihej ashtu; por kur bëhej fjalë për policinë, të gjithë jemi shënjestër, sepse shkopi nuk bën më dallime”, tha ajo.

Jelići pati emocione të përziera herën e parë që dëgjoi gjuhë urrejtjeje ndaj shqiptarëve në protesta – frikë, faj, ndjenjën e të qenit pjesë e problemit që protesta e kundërshtonte, ndjenjën e të qenit jashtë vendit, por gjithashtu zemërim rreth atyre thirrjeve.

“Që të vazhdoja të merrja pjesë në protesta, u ndjeva e obliguar që të paktën të shkruaja diçka në rrjetet e mia sociale, për t’u kujtuar bashkëqytetarëve se shqiptarët janë në mesin tonë, se kemi qenë bashkë në protesta që nga ato ‘1 nga 5 milionë’, se po luftojmë për të njëjtën betejë dhe se ka mënyra të tjera për ta shprehur pakënaqësinë”, tha Jelići.

Togfjalëshat nacionalistë që shënjestronin komunitetin shqiptar gjatë protestave u përballën gjithashtu me reagime nga nisma qytetare, si zbor/asambletë (në shqip: grup qytetarësh) në Cerak, Stari Grad dhe Novi Pazar. Ato reaguan përmes rrjetit social Instagram, duke shpjeguar pse togfjalëshat që shënjestrojnë shqiptarët dhe komunitetin queer nuk duhet të përdoren dhe shkruan se ato i ngjajnë më shumë propagandës së viteve ’90-a, që çoi në luftëra dhe krime lufte. Mes të tjerash, postimi thotë: 

“Ne u bëjmë thirrje protestuesve që të mos përdorin togfjalësha nga repertori që vetë kjo qeveri përdor për t’i shtypur kundërshtarët politikë dhe popujt e tjerë dhe fqinjët. U bëjmë thirrje protestuesve që të mos ndërlidhin presidentin me shqiptarët, apo me ndonjë grup tjetër minoritar që jeton në Serbi, të cilët janë qytetarë të barabartë të këtij vendi… Gjuha e urrejtjes nuk duhet ta përcaktojë të ardhmen më të mirë për të cilën po luftojmë të gjithë bashkë në këto protesta”.

Reagimet e asambleve, si ato të nismave qytetare, janë të rëndësishme sepse tregojnë se brenda lëvizjes po zhvillohet pjekuri politike; se solidariteti nuk mund të jetë selektiv dhe se lufta kundër korrupsionit e padrejtësisë nuk mund të vazhdojë nëse njëkohësisht toleron përjashtimin dhe urrejtjen ndaj ndonjë komuniteti. Reagimi i asambleve përcolli mesazhin se komuniteti shqiptar është pjesë e të njëjtës betejë dhe se e refuzon qartë nacionalizmin, një armë që kjo qeveri e ka përdorur për vite me radhë.

Pikëpamjet e njerëzve ndryshohen përmes ndërveprimit me mjedisin dhe komunitetet e tyre. Lëvizja ka nxitur një proces të "ri-mësimit se si të jetojmë së bashku" dhe si të angazhohemi me "tjetrin", gjë që nuk është diçka e lehtë.

E gjithë kjo ilustron shtresat e shumëfishta të lëvizjes dhe pjesëmarrësve në të. Grupe të ndryshme shoqërore u bashkuan për të luftuar për drejtësi, kundër korrupsionit, për një shoqëri më të mirë dhe më të drejtë dhe për ta përmbysur regjimin. Ndoshta ndryshimi më i madh që solli kjo lëvizje ndodhi në mendjet e njerëzve. Njerëzit u çliruan nga frika, u lidhën me të tjerët, filluan ta vinin në pikëpyetje dhe t’i çrrënjosnin paragjykimet dhe stereotipet e tyre, si dhe brezat e rinj ndienë fuqinë e organizimit kolektiv. Ata që u shoqëruan dhe u formësuan gjatë këtyre protestave u bënë më të ndjeshëm ndaj padrejtësisë, më të hapur për dialog dhe më të gatshëm për t’u rebeluar.

Kërkon kohë që efektet e lëvizjes studentore të ndihen vërtet në institucione, por transformimi mendor ka filluar. Pikëpamjet e njerëzve ndryshohen përmes ndërveprimit me mjedisin dhe komunitetet e tyre, prandaj dukshmëria e grupeve të ndryshme shoqërore në protesta është qenësore. Lëvizja ka nxitur një proces të “ri-mësimit se si të jetojmë së bashku” dhe si të angazhohemi me “tjetrin”, gjë që nuk është diçka e lehtë.

Pothuajse një vit pas, shpresa mbetet ende. Shumë prej tyre kanë investuar kohën dhe energjinë e tyre në lëvizje – prindërit që mbështetën publikisht fëmijët e tyre janë pezulluar ose janë pushuar nga puna, ndërsa mësuesve dhe edukatorëve nuk u janë rinovuar kontratat ose janë pushuar plotësisht nga puna. Një formë solidariteti, që pasqyron natyrën e shtresuar të lëvizjes, ishte një shfaqje bamirësie e mbretëreshave drag “Kraljice za prosvetare” (në shqip: “Mbretëreshat për edukatorët”), ku ato mblodhën 280.000 dinarë (rreth 2,389 €) për punonjësit e arsimit.

Pavarësisht presionit dhe shtypjes, rezistenca vazhdon. Më 13 tetor 2025, nxënësit e Gjimnazit të Pestë të Beogradit filluan një bllokadë (të re) fizike të shkollës së tyre. Ata kërkojnë shkarkimin e drejtorit të tyre në detyrë, rikthimin në punë të mësuesve të pushuar ose të pezulluar, formimin e një bordi shkollor dhe zgjedhjen e një drejtori të ri nga kolektivi i shkollës. Në mbështetje të kësaj lëvizjeje, nxënësit e Gjimnazit “Sveti Sava” të Beogradit iu bashkuan bllokadës, duke bllokuar shkollën e tyre derisa të plotësoheshin kërkesat.

Nuk mund ta shpërfilli faktin që lëvizja studentore arriti të mobilizonte grupe të ndryshme shoqërore që po luftojnë kundër regjimit. Problemet lindin kur këto grupe nuk i mbështesin vlerat demokratike, por i përdorin protestat për të çuar përpara agjendën e tyre etno-nacionaliste. Analiza nga Qendra e Beogradit për Politikat e Sigurisë (BCBP) tregon se kanalet digjitale si grupi në Telegram “BUNT je stanje duha” (në shqip: “REBELIMI është gjendje mendore”) veprojnë si mjete të fuqishme në këtë proces, duke përhapur përmbajtje me ngarkesa emocionale, çnjerëzore dhe polarizuese që minojnë vlerat demokratike dhe legjitimitetin e aktivizmit studentor. Përmes këtyre rrjeteve, narrativat radikale riprodhohen dhe përforcohen, duke krijuar rrezikun që protestat studentore të përdoren si instrumente për përhapjen vlerave nacionaliste dhe antidemokratike.

Megjithatë, zgjedh të jem optimiste. Gjatë vitit të kaluar, kam takuar një numër të madh njerëzish të rinj, të mençur dhe të përkushtuar, që duan ta ndërtojnë Serbinë si një vend të drejtë, gjithëpërfshirës dhe të mirë për të gjithë qytetarët e saj. Njohuritë dhe përvoja e fituar gjatë këtyre protestave duhet të prodhojnë diçka pozitive. Ky është revolucion rizomatik (pa hierarki), që ndryshon ngadalë por thellësisht vetëdijen dhe qëndrimet e njerëzve, si i tillë, këto ndryshime do të reflektohen në veprimet, zakonet dhe angazhimet që do të kërkohen për të ndërtuar një shoqëri të hapur, gjithëpërfshirëse, shumë etnike dhe demokratike.

 

Imazhi i ballinës: TheCynicalPhotographer / Creative Commons

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.