Mbi 430.000 qytetarë votuan për herë të dytë të dielën e 9 nëntorit në 18 komunat e Kosovës, ku u zhvillua gara e balotazhit. Zgjedhjet e 12 tetorit nxorën fitues me shumicë votash mbi 50% vetëm në 20 komuna, teksa balotazhi ishte vendimtar në shumicën e qyteteve të mëdha të Kosovës.
Në disa prej komunave rezultati ishte pothuajse i pritur marrë parasysh dallimin e madh të votave në raundin e parë. Por gara më e nxehtë u zhvillua në Prishtinë dhe Mitrovicë të Jugut, ku garuan kandidatët që kishin shumë pak vota dallim mes vete. Ndonëse këto dy komuna kishin fokusin më të madh, garë e nxehtë u zhvillua edhe në Fushë Kosovë ku Lëvizja Vetëvendosje (LVV) sfidoi Lidhjen Demokratike të Kosovëës (LDK), që mbajti pushtetin lokal në këtë komunë për 25 vjet.
Gara e nxehtë në Mitrovicë të Jugut bëri që dalja e votuesve të jetë më e lartë se sa në raundin e parë, duke sjellë ndryshim të pushtetit në këtë komunë.
Pushteti lokal u nda deri diku baraz mes partive politike. LVV do të udhëheqë përfundimisht me 7 komuna, njëjtë edhe LDK. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të udhëheqë në 6 komuna, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në 5 komuna, ndërsa Lista Serbe (LS) e riktheu pushtetin në 10 komunat me shumicë serbe. Tri komunat tjera do të udhëhiqen nga parti më të vogla.
Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale u zhvillua në mes të një ngërçi institucional. Tetë muaj pas zgjedhjeve parlamentare të shkurtit, Albin Kurti nga LVV dështoi t’i sigurojë votat e nevojshme për formimin e kabinetit qeveritar. Këtë javë pritet që mandatari i dytë nga LVV, Glauk Konjufca, të tentojë sërish t’i marrë votat për formimin e qeverisë.
Humbjet që u fshehën nën petkun e fitoreve
Humbjet që buruan nga balotazhi i 9 nëntorit, u fshehën nën jakat e këmishave të përvjelura të krerëve të partive politike që dolën për t’i festuar fitoret në qytetet e përzgjedhura.
Vetëm humbja e Xhafer Gashit të LDK në Obiliq u shënua më publikisht, i cili mori përsipër përgjegjësinë për humbjen dhe dha dorëheqje nga të gjitha funksionet e partisë. Në Obiliq, për katër vitet e ardhshme do të qeverisë Halil Thaçi i LVV.
Liderët e partive zgjodhën qendrat e mëdha si pikëtakim i festimit të fitoreve të tyre. Fitorja e Faton Pecit të LVV në Mitrovicë të Jugut, bëri që kryeministri në detyrë, Albin Kurti t’i bashkangjitej festimit të fitores atje, teksa fitorja e Përparim Ramës së LDK në Prishtinë, i nxori nga zyra kryetarin e LDK, Lumir Abdixhikun dhe ekipin e tij në sheshin “Skenderbeu” në Prishtinë. Ndërsa, kryetari i PDK, Memli Krasniqi zgjodhi Prizrenin për të festuar fitoren e Shaqir Totajt edhe për një mandat. E Ramush Haradinaj i AAK, mori rrugën për në Suharekë për ta festuar fitoren e Bali Muharremajt, gjithashtu edhe për një mandat.
Fitorja e Ramës në Prishtinë ishte fitorja më e madhe e LDK. Pas një qeverisje me shumë probleme të realizimit të projekteve kapitale, Rama e përqendroi fushatën për ta fajësuar qeverinë në detyrë të udhëhequr nga LVV për bllokimin e projekteve. E përballë kishte njeriun që e akuzonte për bllokim, ministrin në detyrë të Kulturës, Hajrulla Çeku. Teksa dallimi mes Ramës e Çekut në raundin e parë ishte diku mbi 500 vota, ky dallim u zgjerua në raundin e dytë ku Rama mori 51.54% të votave, apo 2.809 vota më shumë se Çeku, i cili mori 48.46%.
Garë shumë e ngushtë për Mitrovicën e Jugut u zhvillua mes Arian Tahirit, nënkryetarit të deritashëm të Mitrovicës, një figurë e re politike nga radhët e PDK, si dhe Faton Pecit nga LVV, ish-ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Me një dallim prej vetëm 47 votave në raundin e parë të zgjedhjeve, në balotazh Peci mori 53.47%, ndërsa Tahiri 46.53%. PDK humbi pushtetin në këtë komunë katër vite pasi e kishte rikthyer atë me Bedri Hamzën.
Humbja e PDK në Mitrovicë mbeti nën hijen e festës së fitores në Prizren. Atje PDK arriti ta mbajë pushtetin edhe për katër vite tjera ku, Shaqir Totaj, kryetari tashmë i rizgjedhur mori 53.86% të votave, ndërsa Artan Abrashi nga LVV mori 46.14%. PDK mbajti pushtetin edhe në Vushtrri, ku Ferit Idrizi fitoi përballë Sylejman Mehollit të LVV, njëjtë sikur edhe në Kaçanik ku Sabedin Vishi fitoi përballë Jeton Rakës të LVV.
Në qendra tjera të mëdha, Peja vendosi rekord, ku për herë të katërt u rizgjodh Gazmend Muhaxheri i LDK për kryetar. Ndonëse një fitore që tregon stabilitetin e kësaj partie në këtë qytet, Muhaxheri festoi fitoren i vetëm, pa kryetarin e partisë. LDK ka arritur ta mbajë Vitinë, Junikun dhe Dragashin. Megjithatë ka humbur dy komuna, prej të cilave bastionin e palëkundur prej 25 vitesh, Fushë Kosovën, e cila këtë herë nuk e kishte për kandidat Burim Berishën e pesë mandateve të fituara, por Besnik Osmanin, i cili u mposht nga Valon Prebreza i LVV, një figurë e re politike në këtë garë. LVV mundi LDK edhe në Obiliq, një bastion tjetër i LDK. Halil Thaçi i LVV mori 51.09% të votave, ndërsa Xhafer Gashi 48.91%.
Në këtë raund, LDK ishte në garë me LVV për ta rikthyer bastionin edhe në Gjilan. Megjithatë, kryetari i deritashëm, Alban Hyseni do të vazhdojë të jetë kryetar edhe për një mandat pasi fitoi me rezultat të thellë prej 61.06% kundrejt Arbër Ismajlit, i cili mori 38.94% të votave.
Ndërkaq, AAK arriti ta mbajë pushtetin në katër komuna. Ardian Gjini mori votat e nevojshme për mandatin e tij të tretë në Gjakovë, kundër Ardian Golës së LVV. Mandatin e tretë nga AAK në këtë balotazh e siguruan edhe Bali Muharremaj në Suharekë, Smajl Latifi në Rahovec dhe Zenun Elezaj në Klinë.
Pa shumicë në kuvende komunale
Në raundin e parë të zgjedhjeve u zgjodhën edhe asambleistët për kuvendet komunale, përbërja e të cilave në pjesën më të madhe të komunave nuk paraqet shumicën në favor të kryetarit të zgjedhur. Ndonëse kjo ndodhi edhe gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2021, mungesa e shumicës në kuvende komunale mund t’i kufizojë mundësitë për ta çuar përpara programin e tyre.
Kuvendet komunale kanë rëndësi të madhe për vendimmarrjen në një komunë, ku për marrjen e një vendimi kërkohet miratimi nga shumica e anëtarëve të pranishëm. Sistemi i decentralizuar i qeverisjes në Kosovë u jep komunave kompetenca të konsiderueshme ekzekutive për zgjidhjen e problemeve që nga furnizimi me ujë, cilësia e arsimit fillor dhe të mesëm, mirëmbajtja e rrugëve e deri te funksionimi i qendrave parësore mjekësore.
Në Prishtinë, kryetari i zgjedhur nga radhët e LDK, Përparim Rama, ka vetëm 29.10% të përbërjes komunale nga partia e tij. Ndërsa diku mbi 50% e kuvendit komunal përbëhet nga asambleistë të LVV me 21.88%, PDK me 22.44%, si dhe AAK me 10.02%.
Në Pejë, kryetari i rizgjedhur, Gazmend Muhaxheri, ka 39.96% asambleistë të partisë së tij në kuvend komunal, ndërsa mbi 50% e asambleistëve u takojnë AAK, PDK dhe LVV.
Ndërkaq në Mitrovicë, ndonëse LVV e mposhti PDK, kjo e fundit përbën 40.24% të kuvendit komunal, rreth 17% më shumë se partia fituese.
Në Gjilan, ndonëse Hyseni i LVV mori edhe një mandat, ngjashëm nuk e ka shumicën e kuvendit komunal, ku 38.19% e asambleistëve i takojnë LVV, ndërsa rreth 40% e përbërjes së kuvendit i takon PDK dhe LDK.
Në Gjakovë, Gjini i AAK ka vetëm 32.35% të përbërjes komunale nga partia e tij, teksa rreth 50% e kuvendit komunal përbëhet prej asambleistëve të LVV, PDK dhe LDK. Në Prizren, ndonëse si parti fituese, PDK ka vetëm 32.34% të përbërjes komunale, ndërsa pas tyre radhiten LVV dhe LDK.
Ndonëse mungesa e shumicës në kuvende komunale është evidente, ditëve në vijim pritet të arrihen koalicione qeverisëse nëpër komuna që do të mundësojnë funksionimin e tyre.
Foto e ballinës: Ferdi Limani