Në thelb | Drejtësi sociale

Zaptimi ligjor i hapësirave publike

Nga - 14.11.2025

Kritere të pabarabarta për shfrytëzim të pronës publike: 99 vite për biznese, 15 për komunitetin.

Pronat publike janë të domosdoshme për zhvillimin e jetës kulturore dhe sociale të qytetit. Në parim, ato duhet të jenë të qasshme dhe të hapura për të gjithë, ndërsa karakteri i tyre krijohet, ndryshohet edhe shuhet, varësisht nga nevojat e banorëve të qyteteve. Duke filluar nga qendrat sociale, kinematë, hapësirat e rrëfimtarisë e krijimtarisë artistike, shndërrimi i pronave publike në hapësira të qasshme për komunitetin, shpesh merret si element matës i jetueshmërisë në qytete.

Megjithatë, prona publike në Prishtinë rrallëherë është trajtuar sikur i përket qytetarëve. Në fakt ka ndodhur e kundërta, pasi që, nga paslufta, pronat publike janë përvetësuar nga politika dhe bizneset, e janë tjetërsuar nga kujtesa kolektive si hapësira që mund të jenë të qasshme për komunitetin. Kjo gjendje nuk është e rastësishme. Ajo është para së gjithash, materializim i politikës institucionale, ku në emër të zhvillimit ekonomik, shumë prona publike janë privatizuar dhe janë shfrytëzuar për përfitimit financiar nga persona në pushtet. 

Nisur nga procesi i privatizimit i ish-ndërmarrjeve shoqërore, në emër të “rindërtimit dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës”, proces ky që u shoqërua me dyshime për korrupsion, parregullsi e shkelje të të drejtave të punëtorëve, për të vazhduar me uzurpimin e tokave, parqeve, e objekteve në qytet, të mirat e përgjithshme janë trajtuar nga pushteti politik vetëm si terrene të përfitimit monetar. 

E njejta logjikë vazhdon të përcjellë edhe menaxhimin aktual institucional me pronën publike. Ligjet dhe rregulloret, të cilat janë hartuar për ta dhënë në shfrytëzim pronën publike komunale, dukshëm favorizojnë bizneset, duke e bërë tejet të vështirë shfrytëzimin e pronës publike nga komuniteti. 

Në mungesë të njohjes së mirëfilltë ligjore e pratike të vlerës sociale apo kulturore që mund të sjellin këto prona, si dhe përdorimit të kësaj vlere si kriter gjatë dhënies së tyre në shfrytëzim, komunat monetizojnë secilën pronë si pjesë e mendësisë neoliberale institucionale, duke i kthyer ato në produkte që i jepen ofertuesit me kapitalin më të madh, për t’i sjellë sa më shumë dobi financiare komunës.

Procedurat e dhënies në shfrytëzim

Korniza ligjore që rregullon shfrytëzimin e pronave komunale përbëhet nga Ligji për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës, i cili synon përdorimin e këtyre pronave për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, rritjen e vlerës së tyre, si dhe përmbushjes së interesit të përgjithshëm. Procedurat përcaktohen më tej nga Rregullorja për përcaktimin e procedurave të dhënies në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës

Në aspektin normativ, kushtet dhe procedurat ligjore nxisin përfitimin financiar, duke lënë nën hije vlerën shoqërore e kulturore të pronave publike, si dhe vështirësuar qasjen e organizatave të shoqërisë civile (OSHC), veçanërisht përballë bizneseve, që në shumicën e rasteve janë përfituesit kryesor.  

Prona publike trajtohet si një aset ekonomik, e fitues mbetet kush ofron çmimin më të lartë, pavarësisht vlerës shoqërore të asaj prone.

Ligji parasheh që pronat e paluajtshme komunale mund t’u jepen në shfrytëzim personave fizikë dhe juridikë të regjistruar në Kosovë, për periudha që variojnë nga: më pak se një vit, një deri në 15 vite për shfrytëzim afatshkurtër, e deri në 99 vite për ato me shfrytëzim afatgjatë. Por, kur bëhet fjalë për OJQ, ligji vendos një kufizim: komunat mund t’u japin atyre prona vetëm për periudha afatshkurta. Ky dallim nuk ka arsyetim ligjor dhe bie ndesh me parimin e trajtimit të barabartë të palëve e nuk bazohet në realitetin e Kosovës, ku një pjesë e organizatave të shoqërisë civile vazhdojnë të veprojnë edhe pas shumë vitesh që nga themelimi i tyre, duke dëshmuar qëndrueshmërinë shoqërore që kanë.   

Në praktikë, pronat publike mund të jepen në shfrytëzim përmes ankandit publik, shprehjes së interesit apo përmes negociatave të kryetarit të komunës me palët e interesuara. Por secila prej këtyre procedurave, në thelb, i jep përparësi bizneseve. Për shembull, në rastin e ankandit publik, çdo pronë publike trajtohet si një aset ekonomik dhe fitues mbetet kush ofron çmimin më të lartë, pavarësisht vlerës shoqërore që prona mund të ketë për komunitetin. 

Ligji nuk ua ndalon drejtpërdrejt OSHC pjesëmarrjen në ankand, por kriteret financiare pothuajse e pamundësojnë atë. Pa mbështetje institucionale apo burime të konsiderueshme financiare, këto organizata nuk mund të ofrojnë “çmimin më të lartë”, dhe në praktikë, përjashtohen nga gara. Kështu, procesi i dhënies në shfrytëzim mbetet i bazuar kryesisht në kriterin financiar, duke anashkaluar përfitimet shoqërore e komunitare që ato mund të sjellin.

Procedura tjetër, shprehja e interesit, në teori ofron më shumë mundësi. Komuna mund të pranojë propozime nga individë apo organizata për përdorim afatgjatë të pronave publike. Por në praktikë, ajo është ndërtuar mbi të njëjtin parim bazë si ankandi publik – pronat komunale trajtohen si mjete për përfitim ekonomik dhe maksimizim të të hyrave vetanake të komunës. Edhe këtu, vlerësimi bazohet kryesisht në kritere si vlera e investimit, numri i punësimeve apo qëndrueshmëria ekonomike, ndërsa vlerat sociale, kulturore apo komunitare mbetën jashtë ekuacionit.

Në këtë kontekst, një organizatë që propozon hapjen e një qendre kulturore, biblioteke komunitare apo hapësire kulturore, nuk ka të njejtat gjasa si një biznes që premton të paguajë qiranë më të lartë ose t’i sjellë më shumë të ardhura komunës.

Procedura tjetër që parashikon ligji është negociimi direkt me kryetarin e komunës, që mund të përdoret vetëm kur për një pronë nuk ka pasur interesim as në ankand publik, as përmes shprehjes së interesit. Në këto raste, kryetari i komunës ka diskrecion për të vendosur mbi dhënien e pronës në shfrytëzim, bazuar në kriteret që përcakton ligji, e të cilat i japin sërish përparësi projekteve bazuar në vlerën minimale të investimit apo investimit në sektorë të caktuar.  

Negocimi i ofertave nga Kryetari i Komunës

Sipas rregullores për përcaktimin e procedurave të dhënies në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës, të drejtën e negocimit kryetari i Komunës mund ta shfrytëzojë në rastet kur vlera e investimit është së paku 10% e buxhetit të përgjithshëm për investime kapitale të komunës të vitit paraprak, por jo më shumë se vlera minimale e përcaktuar me Ligjin për Investime Strategjike në Republikën e Kosovës.

Përveç këtyre tri procedurave – ankandit, shprehjes së interesit dhe negociimit – ligji parasheh edhe një mundësi të veçantë për OJQ që veprojnë në fushat e arsimit, kulturës apo edhe shërbimeve sociale dhe që synojnë të kontibuojnë në këto fusha brenda kompetencave të komunës. Por edhe këtu, kriteret për përzgjedhje mbeten të paqarta, pasi mbesin të përcaktohen përmes akteve të brendshme komunale, akte të cilat ende nuk janë hartuar qartë. Kështu, konceptet që në shtetet e tjera njihen si vlera e përdorimit (në anglisht: ”use value”) ose kthimi shoqëror (në anglisht: “social return”) nuk gjejnë vend në kuadrin ligjor në Kosovë. Në mungesë të tyre, dobitë financiare mbeten bazë për vendimet lidhur me dhënien në shfrytëzim të pronës publike komunale.

Prona publike që menaxhohen nga komuniteti

Përkundër legjislacionit kufizues e përjashtues, si dhe një klime politike të ndërtuar kryesisht mbi politika neoliberale të rrënjosura përgjatë viteve, komuniteti ka dëshmuar suksesshëm se si nisma të ndryshme komunitare mund t’i shpëtojnë pronat komunale nga privatizimi e ridestinimi financiar. Përveç kësaj, përmes këtyre nismave, është dëshmuar se prona publike mund të menaxhohet nga shoqëria civile, duke i sjellë dobi shoqërore e kulturore qytetit. 

Në Prishtinë, janë së paku dy shembuj të tillë, Termokiss dhe Kino Armata, por të cilat përkundër vlerës së tyre të dëshmuar për komunitetin, sot gjenden para një situate pasigurie.

Objekti i Termokiss është ndërtesë industriale e ndërtuar në fillim të viteve ’80-a nga Termokos, ngrohtorja qendrore publike e Prishtinës, e cila nuk u përfundua asnjëherë. Ky objekt i lënë pas dore, u rivitalizua në vitin 2016 përmes nismës së të rinjve nga Prishtina, me ndihmën e organizatës belge Toestand, pjesë e programit ndërkombëtar për riaktivizimin e hapësirave të braktisura. Për financim fillestar të hapësirës, Toestand mblodhi 8.000 euro e solli rreth 40 vullnetarë nga Belgjika dhe Zvicra në Prishtinë për të ndihmuar në punimet e para: vendosjen e dyshemesë, dritareve e kulmit të ndërtesës së braktisur. 

Gati një dekadë pas themelimit, Termokiss ende po përballet me pasiguri të vazhdimit të aktiviteteve dhe shfrytëzimit të hapësirës. Fotografia: Ferdi Limani / K2.0

Në shtator të vitit 2016, Termokos u dakordua për shfrytëzimin e hapësirës nga Termokiss, ndërkaq një marrëveshje me komunën nuk u arrit deri në maj të vitit 2017, kur OJQ “Rritu” dhe Komuna e Prishtinës, atëherë në krye me Shpend Ahmetin, nënshkruan një kontratë trevjeçare bashkëpunimi për zhvillimin e aktiviteteve kulturore nga komuniteti Termokiss në këtë hapësirë, e cila do të funksiononte si qendër e hapur për të gjithë. Për ta përfaqësuar hapësirën ligjërisht me donatorë apo palë të tjera, komuniteti në vitin 2016 ka krijuar OJQ “Rritu”, që menaxhon marrëdhëniet kontraktuale dhe financiare të Termokissit. Kjo kontratë u vazhdua nga komuna e Prishtinës në vitin 2021, dhe vlen deri në vitin 2026.

Prej nëntë vitesh, Termokiss funksionon si qendër sociale që drejtohet nga komuniteti, me aktivitete kulturore, edukative dhe sociale, duke nisur nga punëtori e koncerte, deri te pazare të gjërave të përdorura dhe shpërndarja e ushqimit falas. 

“Termokiss është një hapësirë e komunitetit që të lejon ta kuptosh se ke liri të zgjedhjes e mendimit kritik për çfarëdo fushe të jetës”, tha Era Qena, përfaqësuese e komunitetit të Termokissit, duke shtuar se vendimmarrja lidhur me hapësirën bëhet me konsensus, në mënyrë horizontale e pa hierarki.

Gati një dekadë pas themelimit, Termokiss ende përballet me pasiguri, si në aspektin fizik, përfshirë planet e komunës për tjetërsim të funksionit të hapësirës dhe vandalizimit të objektit nga persona fizik, ashtu edhe në aspektin financiar, përfshirë mungesën e fondeve dhe programit afatgjatë.

"Edhe pas këtyre zgjedhjeve lokale, fati i Termokissit varet nga vullneti i kryetarit të Prishtinës."

Era Qena, përfaqësuese e komunitetit të Termokiss.

Pas zgjedhjeve lokale të vitit 2021, komuniteti i Termokissit u përball me pasiguri në lidhje me atë se cili do të ishte qëndrimi i kryetarit të ri të Prishtinës, Përparim Rama, ndaj hapësirave publike. Deri më tani, kontrata e tyre nuk u cenua. Megjithatë, viteve të fundit, Qena është njoftuar nga Termokos se ata planifikojnë ta rimarrin për shfrytëzim pronën tashmë të Komunës së Prishtinës, me qëllim të rritjes së kapaciteteve për ngrohje. 

Këto plane ende nuk janë realizuar. E Qena nuk është e sigurt nëse kjo ide është braktisur, apo nëse ka plane të tjera për tjetërsim të hapësirës. E ardhmja e komunitetit dhe hapësirës ende lidhet me vullnetin politik të kryetarit të Prishtinës. 

“Me shpresë, do të na vazhdohet prapë kontrata për shfrytëzim të hapësirës, edhe pas vitit 2026”, tha ajo, duke shtuar që edhe pas këtyre zgjedhjeve lokale, fati i Termokissit varet nga vullneti i kryetarit të Prishtinës.

Me sfida të ngjashme, po përballet edhe Fondacioni Armata, një kolektiv i artistëve e aktivistëve kulturor, të cilët prej vitit 2018, e kanë marrë nën menaxhim Kino Armatën, që ligjërisht është në pronësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB). Në këto tetë vite, Armata është kthyer në një qendër publike kulturore jo-fitimprurëse me program të larmishëm të filmave, koncerteve, punëtorive e ngjarjeve të ndryshme kulturore. 

Qysh nga viti 2024, Fondacionit Armata i është kërkuar të lirojnë hapësirën, të cilën e kanë përdorur nga viti 2018. Fotografia: Ferdi Limani / K2.0

Kino Armata është ndërtuar në vitin 1970, si teatër publik e qendër kulturore, e njohur me emrin: “Shtëpia e Armatës Popullore të Jugosllavisë”. Në atë kohë, Armata ishte në shërbim të Ushtrisë Jugosllave, shfaqte filma progandistikë e me raste filma perëndimor për stafin e Ushtrisë, si dhe publikun e gjerë. Prej vitit 1988, si pasojë e regjimit serb, ky objekt kufizoi qasjen për publikun, duke iu përshtatur pushtetit të atëhershëm, studentëve serb dhe grupeve të interesit, ndërsa pas përfundimit të luftës në Kosovë e deri në vitin 2017, ishte pjesë e ndërtesës ku vepronte fillimisht administrata e Kombeve të Bashkuara (UN) e pastaj edhe EULEX.

Në vitin 2018, Ministria e Administratës Publike (tani Ministria e Punëve të Brendshme) ia kishte ofruar Komunës së Prishtinës hapësirën e Kino Armatës për shfrytëzim. MAP kishte si kompetencë menaxhimin me objektet shtetërore, e cila u shkri në kuadër të MPB gjatë Qeverisë Kurti II, pra nga viti 2021.

Nuk është e qartë nëse kontrata e Fondacionit Armata për shfrytëzim të pronës publike, është ende e vlefshme apo jo, qysh prej vitit 2019, kur MAP nuk e ka vazhduar kontratën me komunën.

Sipas Rozafa Maliqit, drejtore ekzekutive e Fondacionit Armata, kontrata mes ministrisë dhe komunës kishte qenë njëvjeçare, me mundësi zgjatjeje deri në dhjetë vjet. Megjithatë, ajo nuk u ripërtëri më pas vitit 2019.

Gjatë kohës sa kontrata ishte ende në fuqi, Komuna e Prishtinës, në vitin 2018, kishte nënshkruar një marrëveshje tjetër me Fondacionin Armata, duke ia dhënë hapësirën e kinemasë për shfrytëzim dhjetëvjeçar. 

Aktualisht, nuk është e qartë nëse kontrata e Fondacionit Armata për shfrytëzim të pronës publike, është ende e vlefshme apo jo, qysh kur MAP nuk e ka vazhduar kontratën me komunën. K2.0 nuk mori ndonjë sqarim në lidhje me këtë paqartësi,  as nga MPB, e as nga komuna, ndonëse kishte dërguar kërkesë për informata.

“Shumica e kohës na kalon duke menaxhuar urgjenca, duke mos leju kohë për planifikim afatgjatë.”

Rozafa Maliqi, drejtore e Fondacionit Armata

Në këto rrethana, në tetor të vitit 2024, Fondacioni Armata pranuan një email nga MPB, se duhet ta lirojnë hapësirën. Kolektivi i dërgoi një kërkesë për mbështetje Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), meqenëse sipas Ligjit për Artin dhe Kulturën, kjo ministri ka kompetencë të koordinohet me komunat lidhur me shfrytëzimin e pronave publike për aktivitete kulturore dhe komunitare. Si kundërpërgjigje, MKRS ka krijuar një Komision të përkohshëm, i përbërë nga përfaqësues të Qeverisë dhe Fondacionit për ta mbajtur hapur Armatën gjatë kësaj kohe, si dhe për ti dhënë një epilog paqartësive ligjore që pengojnë shfrytëzimin e mëtutjeshem të hapësirës. 

Në Armatë, kjo pasiguri ndikon në shumë drejtime të tjera që në pamje të parë duken të padukshme. “Shumica e kohës na kalon duke menaxhuar urgjenca, duke improvizuar zgjidhje për kulmin që pikon, mirëmbajtjen e hapësinës, ndjekjen e procedurave e burokracisë për problemet infrastrukturore që s’mundemi me i zgjidh vetë, dakordimi me krejt organizatat e individët që e përdorin hapsinën, duke mos leju kohë për planifikim afatgjatë”, tha Maliqi. 

Hapësirat si Kino Armata dhe Termokiss funksionojnë si organizata joqeveritare dhe sigurojnë mbijetesën financiare nga donatorët. Por, siç shpjegon Dren Puka, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), donatorët hezitojnë të investojnë në hapësira me status të paqartë ligjor, pasi mungesa e garancive afatgjate për veprimtarinë e tyre përbën rrezik të lartë për ta. 

Si rezultat, edhe pse nisma të tilla, si Termokiss apo Kino Armata, dëshmojnë që prona publike mund të menaxhohet nga komuniteti, ato mbesin të pambështetura financiarisht e ligjërisht, meqë kontributi i tyre nuk përkthehet në përfitime financiare për komunën.

Përpjekje të stagnuara për ndryshime ligjore

Përgjatë viteve, KCSF ka qenë e angazhuar në monitorimin e trajtimit të pronave publike, si dhe në avokimin për destinimin e tyre në proporcion me nevojat e komunitetit. Megjithatë, përpjekjet e tyre kanë hasur në disa vështirësi.

“Praktika e deritashme e operimit dhe mënyra se si komunat e interpretojnë pronën publike tregojnë se ato e shohin atë kryesisht si mjet për të gjeneruar të hyra të drejtpërdrejta si qira, fabrika, biznese etj., pa e marrë parasysh aspak vlerën shoqërore dhe përfitimin publik që mund të sjellë shfrytëzimi i pronave të tilla”, tha Puka, i cili ka përcjellur me vëmendje diskutimet e numërta në Prishtinë, lidhur me reduktimin e hapësirave për funksionimin e qendra sociale dhe kulturore, në kuadër të pronave publike.

Nga takimet që ai ka pasur me anëtarë të grupit punues të Kuvendit për hartimin e ligjit të ri për shfrytëzim të pronës së paluajtshme të komunës, si zyrtarë të MAPL apo zyrtarë të komunave, shumica e tyre as nuk janë në dijeni se një pronë publike mund t’i jepet në shfrytëzim komunitetit. 

“Duhet të ekzistojë një standardizim ligjor për procesin e dhënies në shfrytëzim të pronave për OJQ”, tha Puka, pasi sipas tij, ushtrimi i kësaj kompetence aktualisht është plotësisht në vullnetin e kyetarëve të komunave.

Ndonëse komunat nuk kanë kompetencë për hartimin e ligjeve të reja, megjithatë ato nuk janë të pafuqishme në aspektin ekzekutiv. Çdo kryetar i një komune dhe çdo kuvend komunal gëzojnë diskrecion në dhënien në shfrytëzim të pronave publike, si dhe të drejtë për krijimin e legjislacionit sekondar në nivel lokal që do ta rregullonte më hollësisht këtë çështje. Megjithatë, për shkak që përfitimi financiar nga pronat publike është qëllim në vete për nivelin lokal, ky legjislacion ende nuk hartohet.

Mungesën e standardizimit të procedurave për dhënien në shfrytëzim të pronës publike, e ka problematizuar edhe Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar në vend, i cili në vitin 2025 ka publikuar raportin për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale, nga ana e Komunës së Prishtinës. Sipas ZKA, Komuna e Prishtinës “nuk ka arritur të menaxhojë si duhet pronat nën administrimin e saj”, pasi mungon tërësisht një kornizë rregullative për dhënien në shfrytëzim të pronave të saj. Raporti evidenton mungesën e një regjistri të pronave të dhëna në shfrytëzim, të rregullores për përdorim afatshkurtër, si dhe të listës së pronave që planifikohet të jepen për përdorim. 

Këto gjetje zbulojnë si mungesën e zbatimit të ligjit, ashtu edhe favorizimin e subjekteve që sjellin përfitime financiare. Një shembull i qartë është rasti i Qendrës për Arsim Profesional “Don Bosko”, e cila fillimisht mori pronë komunale në vitin 2001 për 10 vjet, afat që u zgjat në vitin 2012, ndërsa në vitin 2024 u lidh kontratë e re 50-vjeçare pa kompensim, pavarësisht se “Don Bosko” është i regjistruar si OJQ.

Ky veprim bie ndesh me vetë ligjin, i cili lejon shfrytëzimin e pronave komunale për OJQ vetëm deri në 15 vjet dhe vetëm kur qëllimi është interesi publik. Edhe pse MAPL kishte konstatuar se kontrata ishte në kundërshtim me ligjin, pavarësisht kësaj Komuna e Prishtinës e nënshkroi atë, duke shpërfillur vlerësimin institucional.

Përtej nivelit lokal, një zgjidhje për krejt këto probleme në raport me dhënien në shfrytëzim të pronës publike, u synua edhe në nivel qendror. Në vitin 2022, Qeveria Kurti II filloi hartimin e një politike të re lidhur me shfrytëzimin e pronave të paluajtshme të komunave, përmes një Koncept Dokumenti për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbim të Pronës së Paluajtshme të Komunës. Koncept dokumentet shërbejnë si politika paraprake që identifikojnë problemet, analizojnë opsionet dhe propozojnë mënyra për hartimin e ligjeve apo strategjive konkrete në raport me një çështje të caktuar. Koncept dokumenti u hartua me ndihmën e organizatave të shoqërisë civile, sidomos atyre që veprojnë në fushën e kulturës, si dhe identifikoi disa probleme kryesore: mungesën e përdorimit efikas të pronave komunale, mungesën e transparencës dhe mbikëqyrjes, si dhe shpërfilljen e nevojave sociale e kulturore përballë interesave ekonomike.

Në mars të vitit 2023, Qeveria e miratoi këtë dokument dhe ia dha detyrën për ta zbatuar Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), e cila ka rol udhëzues dhe është përgjegjëse për përgatitjen e kuadrit ligjor që rregullon administrimin e pronave publike nga komunat. Por, në vend që ta ndiqte këtë plan, MAPL hartoi një projektligj të ri pa përfshirjen e organizatave që kishin punuar në koncept dokument. Kjo solli reagime nga shoqëria civile, e cila e akuzoi ministrinë se po e zhvillonte procesin pa transparencë dhe po e mirëmbante të njëjtin sistem problematik. 

Megjithatë, projektligji u miratua nga Qeveria në fund të vitit 2023 dhe në prill 2024 kaloi në parim në Kuvend. Puka sqaron se pas leximit të parë të projektligjit në Kuvend, me kërkesën e KCSF si përfaqësues të shoqërisë civile, Glauk Konjufca, kryetari i atëhershëm i Kuvendit, ka tërhequr ligjin nga Kuvendi dhe ka kërkuar të themelohet grup punues për t’i adresuar komentet e tyre. 

“Të gjitha komentet janë pranu dhe kur patën mbetë me u adresu vetëm edhe ato të fundit, u shpërbë Kuvendi, pa e përfundu punën grupi punues, e rrjedhimisht edhe ligji mbet për legjislaturën tjetër”, tha Puka. Ky proces nuk ka përfunduar ende për shkak të shpalljes së zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në shkurt të vitit 2025, si dhe zvarritjes së konstituimit të legjislaturës së re.

Tani që zgjedhjet e reja parlamentare duket të jenë në horizont dhe zgjedhjet lokale janë mbajtur, mbetet të shihet se çfarë qasje do të kenë kryetarët dhe asambletë e reja komunale, veçanërisht në Prishtinë, ndaj çështjes së shfrytëzimit dhe mbrojtjes së pronave publike. 

Monitorimi është i rëndësishëm, posaçërisht për të parë se si këta të fundit do t’i përdorin kompetencat e tyre për ta përmirësuar qasjen e komunitetit në prona publike; se a do të kenë strategji të qarta për të ushtruar presion për përmirësimin e legjislacionit ekzistues, i cili deri tani ka favorizuar bizneset ndaj komunitetit. I njejti monitorim duhet të ushtrohet edhe kundrejt deputetëve nga të cilët pritet të përcaktojnë drejtimin e ardhshëm të kornizës ligjore për pronat publike në Kosovë. 

Përderisa votimi mbetet proces i rëndësishëm, në të cilin kërkohet llogaridhënie institucionale, qytetarët duhet të shprehin qartë synimet e tyre për shfrytëzim komunitar të pronës publike, e të mobilizohen kurdo që ato jepen në shfrytëzim, me qëllimin e vetëm të përfitimit financiar e privat.

 

Imazhi i ballinës: Ferdi Limani / K2.0