Ulur në tarracën e një salloni mobiljesh, Genti rrëfen ngadalë për shtatorin e vitit 2021, kur pas katër e gjysmë vitesh vuajtjeje dënimi, u lirua. Ishte vetëm 17 vjeç kur përfundoi në burgun e Lipjanit, qendrën korrektuese dhe edukuese për të mitur, për një grabitje që do t’ia ndryshonte rrjedhën e jetës.
Në Lipjan, përveçse mbaroi vitin e fundit të gjimnazit, ai mori pjesë në disa kurse dhe programe të risocializimit e rehabilitimit. Ishin ligjërata, punëtori e ushtrime që duhej ta ndihmonin ta kuptonte jetën ndryshe dhe t’ia lehtësonin integrimin pas burgut. Në vitin e fundit të dënimit, e dërguan në burgun e tipit të hapur në Smrekonicë. Aty mund të punonte në hapësirën brenda qendrës, e cila i ngjason jetës jashtë grilave. Në Smrekonicë, të dënuarit punojnë në fushat me pemë e perime, ku përveçse e furnizojnë qendrën, fitojnë edhe shkathtësi.
Por teksa bëhej gati për jetën pas burgut, pas katër vjet e gjysmë, Genti, i cili nuk deshi të identifikohej me emrin e tij të vërtetë, u ballafaqua me një realitet që nuk i ngjante aspak atij që kishte pritur. Në momentin që dera e burgut iu çel, çdo mbështetje institucionale për riintegrim iu mbyll. Certifikatat që kishte fituar nga kurset e risocializimit mbetën më shumë si dëshmi në letër sesa si mundësi. Askush nuk ia dha mundësinë t’i kthente ato në aftësi të dobishme apo të gjente një punë.
“Mrena e përgatit veten qysh me ecë përpara kur të dalësh, po mandej të pret një refuzim. E sheh që ki me pas problem gjithkund”, tregon ai me një zë të ulët. “Ia dalin ata që vetë nisin diçka kur dalin”.
Pas lirimit, Genti u paraqit disa herë në Agjencinë e Punësimit në Mitrovicë. Aty kërkonte ndihmë për të gjetur punë, por askush nuk iu përgjigj. Ai kujton se tek pas 1 viti e telefonoi dikush prej një qendre sociale për ta pyetur si po shkonin gjërat.
Disa herë, ai nuk i kishte çuar deri në fund aplikimet për punë, sepse në to kërkohej certifikata e historikut penal që dëshmonte se nuk ishte i dënuar apo nuk ishte nën hetime, një dokument që nuk donte ta ekspozonte, meqë për të, ia cenonte privatësinë.
Për Gentin, mënyra si shteti ia mbylli dyert pas lirimit, ia kishte shuar besimin se secili meriton një shans të dytë.
Sipas sistemit penal të Kosovës, historiku penal llogaritet duke marrë parasysh kohëzgjatjen e dënimit dhe disa vite shtesë pas përfundimit të tij, që varen nga lloji dhe ashpërsia e dënimit. Kjo përcakton sa gjatë dënimi mbetet në regjistrin zyrtar para se personi të mund të pastrojë dosjen përmes rehabilitimit gjyqësor.
Në rastin e Gentit, katër vite e gjysmë të dënimit nënkuptonin që për një periudhë deri në tetë vjet nga dita e lirimit, historia penale do ta ndiqte si hije. Edhe sot punon pa kontratë, gjë që nuk e shqetëson.
Për Gentin, mënyra si shteti ia mbylli dyert pas lirimit, ia kishte shuar besimin se secili meriton një shans të dytë. Ai ishte pajtuar me faktin se do t’i duhej gjithmonë ta bartte barrën e historisë së tij penale, por më shumë se dënimi për një veprim të së kaluarës, e rëndonte ndëshkimi për një të ardhme që nuk mund ta kishte.
“Mirë që kam pas familje që më përkrah, por ka që dalin e s’janë kërkah ekonomikisht”, tregon ai.
Burgu e gjeti në mes të shkollës së mesme, ndaj diplomën e mori brenda qendrës. “Një të mirë e ka ajo diplomë – nuk shkruan që e ke marr në burg”, shton ai, duke buzëqeshur. Sot 25-vjeçar, Genti ndjek studimet në një kolegj privat me shpresën që, herët a vonë, t’i krijojë vetes mundësitë që dikur iu ndalën në gjysmë.
Dekadave të fundit, mënyra se si trajtohen të burgosurit gjatë vuajtjes së dënimit është shndërruar në një tregues të nivelit të zhvillimit institucional dhe shoqëror të një shteti. Qasja ndaj dënimit, varësisht nëse shihet si ndëshkim apo si mundësi për ndryshim, përcakton përvojën e të dënuarit nga jeta brenda burgut dhe programet e rehabilitimit e deri te përgatitja për jetën pas lirimit. Kushtet e trajtimit, mundësitë për zhvillim personal dhe kujdesi pas lirimit tregojnë për mënyrën se si shteti i sheh të dënuarit: si njerëz të përjashtuar e të stigmatizuar apo si qytetarë që meritojnë një shans të dytë.
Shtetet skandinave si Norvegjia dhe Suedia, të njohura për modelin e tyre të trajtimit më njerëzor, e konsiderojnë burgun si privim vetëm nga liria, jo nga dinjiteti apo mundësia për një fillim të ri. Filozofia e tyre penale mbështetet në parimin e “normalitetit”, sipas të cilit jeta në burg duhet t’i ngjajë sa më shumë jetës së lirë, ndërsa qëllimi është ruajtja e lidhjeve shoqërore dhe përgatitja për riintegrim. Këto shtete marrin përgjegjësi të plotë për mbështetjen e ish-të dënuarve edhe pas lirimit, duke iu ndihmuar atyre të rikthehen në shoqëri dhe në tregun e punës pa u stigmatizuar.
Në Kosovë, ky zinxhir ndërpritet në momentin e lirimit.
Ndonëse institucionet e drejtësisë shpesh mburren me programet që synojnë t’i përgatisin të dënuarit për një jetë të re jashtë burgut, përmes kurseve profesionale, trajnimeve për risocializim, mundësive për punë apo mësimeve që synojnë t’u japin një drejtim të ri, për shumë ish-të dënuar, vuajtja e dënimit dhe ndëshkimi nuk përfundon aty.
Ata përballen të vetëm me vështirësitë e jetës jashtë, pa asnjë mekanizëm institucional që t’i mbështesë për t’u rikthyer në komunitet dhe pa politika që adresojnë stigmën që i ndjek edhe pasi kanë shlyer dënimin. I gjithë angazhimi për riintegrim kufizohet brenda periudhës së vuajtjes së dënimit, duke i lënë të dënuarit të përballen të vetëm me jetën pas burgut.

Në Kosovë, funksionojnë 11 institucione korrektuese, të ndara sipas niveleve të sigurisë. Fotografia: Denis Sllovinja / BIRN
Mungesa e një sistemi
Burgjet e Kosovës menaxhohen nga Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK), i cili funksionon nën Ministrinë e Drejtësisë (MD) dhe ka për qëllim riedukimin e të dënuarve përmes programeve rehabilituese dhe aftësimit profesional.
Në kuadër të SHKK funksionojnë 11 institucione korrektuese, të ndara sipas niveleve të sigurisë: nga qendrat e hapura në Smrekonicë dhe për të mitur, te ato gjysmë të hapura në Lipjan, e deri te burgjet e sigurisë së lartë. Brenda këtyre mureve, jeta e përditshme, të drejtat dhe trajtimi i të burgosurve rregullohen me Rregulloren për Tretmanin, e cila përcakton fazat e vlerësimit dhe rehabilitimit.
Sistemi korrektues është ndërtuar mbi parimin e risocializimit, një koncept që në letër tingëllon gjithëpërfshirës dhe synon t’u japë një shans të dytë të dënuarve pas përfundimit të dënimit, por që në praktikë çalon.
Në teori, çdo i dënuar i nënshtrohet një procesi individual të vlerësim psikologjik, shëndetësor e social, mbi të cilin ndërtohet “plani i dënimit”. Por kjo qasje individuale shpesh mbetet vetëm në letër. Genti kujton se nuk i është përmendur asnjëherë ndonjë plan personal: “Jam trajtu si gjithë të tjerët në qendër”, tha ai.
Edhe vetë zëdhënësi i SHKK, Florent Gashi, thotë se programet janë të njëjta në të gjitha qendrat, përveç atyre që lidhen me ekstremizmin e dhunshëm. Në raportet e SHKK, listohen disa nga programet kryesore, si programi terapeutik për shkelësit e ligjit, menaxhimi i zemërimit, biseda për ndryshim, shkathtësitë për marrëdhënie pune, apo zhvillimi i aftësive jetësore. Por pjesëmarrja, sipas ekspertëve, është e ulët dhe ndikimi i tyre mbetet i kufizuar.
Alban Muriqi nga Instituti për Avokimin e Politikave Korrektuese (IAPK) thotë se mungon qasja individuale meqë të dënuarit kanë nevoja e probleme të ndryshme prej njëri-tjetrit. “I burgosuri duhet të ketë edhe një lloj pronësie në atë plan, se çka ka nevojë. Pak e arrin Shërbimi Korrektues këtë”, tha ai.
Përveç programeve rehabilituese, në qendrat korrektuese zhvillohet edhe arsimim formal dhe aftësim profesional në fusha të ndryshme, me synim përgatitjen e të dënuarve për tregun e punës jashtë burgut. Gashi thotë se për t’i bërë më efektive këto programe, SHKK përdor metoda nxitëse për të inkurajuar pjesëmarrjen, pasi përfshirja në programe ndërlidhet me përfitime gjatë mbajtjes së dënimit dhe është në interes të të dënuarit.
“Në njësinë e tipit të hapur, si Smrekonica, iu mundësohet punësimi jashtë institucionit korrektues. Ka disa raste kur të dënuarit, pas lirimit, kanë vazhduar punësimin në kompanitë ku kanë qenë të angazhuar gjatë vuajtjes së dënimit”, tha ai. Por kjo ndodh vetëm kur kompanitë dhe të dënuarit bien vetë dakord. “Pas përfundimit të dënimit, Shërbimi Korrektues nuk ka kompetencë për lidhjen e marrëveshjeve të punës. Shërbimi Korrektues, përmes kësaj forme punësimi, përmbush detyrimin për risocializim dhe përgatitjen e tyre për jetën në liri”, tha Gashi.

Në qendrat korrektuese zhvillohet edhe arsimim formal dhe aftësim profesional në fusha të ndryshme, me synim përgatitjen e të dënuarve për tregun e punës jashtë burgut. Fotografia: Denis Sllovinja / BIRN
Kështu, lidhja mes këtyre programeve dhe tregut të punës zhbëhet sapo i dënuari lirohet ndërsa mungesa e çdo përgjegjësie institucionale në këtë fazë, në fakt, e minon qëllimin e përgatitjes për jetën jashtë.
“Gjatë kohës sa janë brenda, përmes programeve të ndryshme ata përgatiten për jetën jashtë”, tha Gashi, “por pas lirimit, përgjegjësia bie plotësisht mbi vetë personin”.
Këtë boshllëk e konfirmon edhe Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës (APRK). Zëdhënësi i tyre, përmes një emaili, i tha K2.0 se aktualisht nuk ka marrëveshje të drejtpërdrejta bashkëpunimi me MD apo SHKK për riintegrimin e ish-të dënuarve në tregun e punës.
Ndryshe nga Kosova, shtetet që merren si modele për qasjen e tyre ndaj të dënuarve, si Norvegjia dhe Suedia, kanë ndërtuar mekanizma që e ndjekin dhe e mbështesin në vazhdimësi procesin e integrimit të ish-të dënuarve në shoqëri.
Norvegjia i trajton të liruarit nga burgu me prioritet të plotë në ri-integrim, duke u ofruar qasje në strehim, shërbime punësimi, këshillim për borxhe dhe kujdes shëndetësor përmes një “Garancie të ri-integrimit” të miratuar në vitin 2005. Ky sistem mbështetës është krijuar për t’i ndihmuar ish-të dënuarit të pavarësohen dhe për ta ulur shkallën e recidivizmit apo përsëritjes së veprave penale, duke e bërë sa më të lehtë rikthimin e tyre në shoqëri si qytetarë të përgjegjshëm.
Garancia e ri-integrimit siguron që ish-të dënuarve t’u ofrohet ndihmë për të siguruar strehim pas lirimit, si dhe qasje në shërbime për punësim dhe në programe aktive të tregut të punës, që synojnë t’i ndihmojnë të integrohen profesionalisht. Gjatë kohës së shlyerjes së dënimit, në burgje në Norvegji ofrohen programe arsimore dhe mundësi për të vazhduar arsimin pas lirimit, me qëllim përmirësimin e aftësive dhe lehtësimin e ri-integrimit.

Në qendrën e tipit të hapur në Smrekonicë, të dënuarit punojnë në fushat me pemë e perime brenda perimetrit të qendrës. Fotografia: Ferdi Limani / K2.0
Në Suedi po ashtu mbështetja pas lirimit përqendrohen në rehabilitim dhe ri-integrim, përmes një sistemi që ofron strehim, trajnim profesional dhe mbështetje psikologjike, për t’i ndihmuar ish-të dënuarit të rikthehen në shoqëri dhe të mos e përsërisin më veprën penale. Gjatë kohës në burg, ata kanë mundësi të arsimohen dhe të përfshihen në aktivitete profesionale, ndërsa pas lirimit marrin mbështetje nga organizata si Kris, organizatë e krijuar nga ish-të dënuar me qëllim të ri-integrimit të të dënuarve në shoqëri, e cila ndihmon në sigurimin e strehimit dhe gjetjen e punës. Shërbimi i Burgjeve përpiqet t’i përshtasë aktivitetet sipas nevojave individuale, duke përfshirë edhe opsione jo profesionale si joga, dramë apo programe për shëndet të mirë.
Si në Norvegji ashtu edhe në Suedi, sistemit mbështetës pas lirimit i paraprin një sistem gjithëpërfshirës rehabilitues, që është pjesë qenësore e një filozofie më të gjerë penale.
Ndonëse edhe në Kosovë brenda qendrave korrektuese zhvillohen programe që premtojnë rehabilitim e riintegrim, jashtë tyre ekziston një boshllëk i mbështetjes institucionale që i shtyen shumë ish-të dënuar në një rrugë pa kthim, të liruar, por të përjashtuar nga shoqëria e mundësitë për një shans të dytë.
“Ma ka prapë jetën”
“Masi të lirohesh për që ja nin najkujt, ato harroje. Ti munesh me vdekë për bukë, me dal me vjedh”, tregon Gazmend Lakna, i cili edhe pas gati një dekade që është liruar, nuk u ka shpëtuar pasojave që sjell koha prapa grilave.
Gazmendi nga Gjilani, tani në të dyzetat, ishte arrestuar në tetor të vitit 2013 nën dyshim për veprën penale të terrorizmit, për një sulm në një pikë kufitare me Serbinë, në Bujanoc. Ai më pas u lirua në mungesë provash pasi Gjykata Supreme në vitin 2016 e ktheu rastin në rigjykim, ndërsa vendimi përfundimtar për ta shpallur të pafajshëm u dha në vitin 2017. Sot Gazmendi është në proces të kompensimit për vitet e kaluara në paraburgim.
Me një diplomë në drejtësi dhe ambicie për t’u bërë avokat, Gazmndi para burgut punonte si menaxher në një lokal, ndërkohë që përgatitej për provimin e jurisprudencës. “Me shku në ministri garant hala e kanë aplikimin tem”, tregon ai.
Por akuza për terrorizëm dhe më pas burgosja, ia ndryshoi tërësisht rrjedhën e jetës. “Aty ma e murr teposhtëzën, menojsha me dal avokat, ama jo. Shkova u bona i burgosur niher, e kqyra qysh osht”, shtoi me një të qeshur.

Gazmend Lakna po përgatitej për provimin e jurisprudencës kur u arrestua dhe kaloi tri vjet e gjysmë në paraburgim para se të shpallej i pafajshëm në vitin 2017. Fotografia: Denis Sllovinja / BIRN
Në qendrën korrektuese në Dubravë ku kaloi një pjesë të paraburgimit, pavarësisht se ishte jurist i diplomuar, atij iu ofruan të njëjtat programe rehabilituese si çdo të dënuari tjetër. Nuk kishte asnjë program që të merrte parasysh profilin e tij profesional apo përvojën e mëparshme. Për një njeri që kishte studiuar ligjin, të ndiqte trajnime bazike për shkathtësi jetësore ishte tregues i një sistemi që i trajton të gjithë njësoj, pa dallim nevoje, formimi apo potenciali.
Gazmendi kujton se gjatë paraburgimit nuk ishte bërë pjesë e programeve për zanate profesionale, sepse nuk i ishin dukur tërheqëse. “Disa programe janë relevante, kom pa mjeshtër të mirë, aty marrin zanat”, tregon ai.
Në vend të kurseve profesionale, ai kishte gjetur një oazë rehatie dhe kuptimi në bibliotekat e qendrave. Në Dubravë, e më pas në qendrën korrektuese të Gjilanit, ku ishte transferuar me kërkesë që familja të mos udhëtonte larg për vizita, kalonte orë të tëra mes rafteve të librave. Për të, biblioteka ishte shpërqëndrimi më i mirë, një hapësirë e vogël qetësie në një realitet të zymtë.
“Burgu”, vazhdoi Gazmendi, “i rrënon dy sende elementare që i ka njeri: profesionin dhe jetën që e bën”.
Në një rast, kujton se ishte ndier thellësisht në siklet: “Kur po paraqitesha në gjykatën e Gjilanit, rrugës m’ka ra me pa fytyra të njohura. Si student kisha kry praktikë aty. E ranë u kanë ashtu me pranga nëpër koridor”, tregon ai, duke ndarë një kujtim që i ishte ngulitur si simbol i absurditetit që kishte pësuar jeta e tij. Dhe megjithëse u shpall si i pafajshëm, besimin në drejtësi e kishte humbur në momentin që u burgos.
“Momentin që bjen në burg është shok i madh, je tu nejt, edhe hin me ni derë pa bravë, dikush sun e përballon”, tregon Gazmendi, duke ndarë rrëfime nga ajo që kishte parë e dëgjuar nga koha sa kishte qenë nëpër qendrat korrektuese. “Burgu”, vazhdoi ai, “i rrënon dy sende elementare që i ka njeri: profesionin dhe jetën që e bën”.
Edhe pse nuk arriti ta ushtrojë profesionin e juristit jashtë, Gazmendi e kishte shfrytëzuar njohurinë e tij për ligjin brenda burgut. Ai shpesh u kishte ndihmuar të burgosurve të tjerë me shkrimin e ankesave, kërkesave apo dokumenteve zyrtare. Megjithatë, kur u lirua, ai pa se njerëzit që njihte tashmë kishin shkuar rrugëve të ndryshme, madje kishin avancuar profesionalisht, çka e preku emocionalisht, duke ngritur dhjetëra pyetje në mendje e tij se si do të mund të ishte jeta po të mos e merrte atë kthesë. “Ma ka prapë shumë jetën”, thotë ai.
Pas lirimit, Gazmendi kërkoi punë në një market në Gjilan, por e refuzuan sapo ua tregoi të kaluarën. “Unë prej natyrës jam i sinqertë, nuk e di a i sinqertë a i budallum, po m’vjen inati me rrejt”, tregon ai, duke rrotulluar një shkrepsë në tavolinë. Si jurist, e dinte mirë peshën që mbante aktakuza për terrorizëm dhe si do të shihej edhe pasi ishte shpallur i pafajshëm. “Nashta kjo vepra jem e ran, u tutshin kur e përmensha… Para masës, saherë thu s’jam fajtor, dikush qesh me cinizëm ‘ah nime a’?”
Pas kësaj përvoje, ai mbeti pesë vjet pa punë.
“Kurgjo s’kom bo manej, u kanë nifar periudhe depresive. Nuk më dukej kurgjo interesant me bo”, tregon Gazmendi. Sot, me një qetësi që i përket njerëzve që kanë parë fundin, shton: “Tash ja kom nis pi grahi një shleperi, se nafaka e kom pasë qat leje. E pashë që nuk shkon pa bo kurgjo”.

Gati një dekade pasi që është liruar, Gazmendi nuk u ka shpëtuar pasojave që sjell koha prapa grilave. Fotografia: Denis Sllovinja / BIRN
Përtej vështirësive për të gjetur punë, ajo që shpesh mbetet e padukshme është barra emocionale që mbartin ish-të dënuarit pas lirimit, të cilëve u duhet të ripërshtaten nga një jetë me liri të kufizuar në një jetë me liri të plotë.
Sipas Besnik Pecit, psikolog, periudha pas daljes nga burgu është një prej fazave më të ndërlikuara emocionalisht për ish-të dënuarit, sidomos meqë gjatë vuajtjes së dënimit, mbështetja emocionale përqendrohet më shumë në menaxhimin e sjelljes sesa në trajtimin emocional të individit, duke i lënë të papërgatitur për realitetin pas lirimit.
“Këshillimi psikologjik pas lirimit nuk është luks, është nevojë thelbësore rehabilituese”, tha Peci, duke shtuar se tranzicioni nga burgu në shoqëri është psikologjikisht tronditës. “Pas një kohe të gjatë nën rregulla strikte, individi papritur duhet të marrë përgjegjësi, të gjejë punë, të përballet me paragjykime, pa asnjë përgatitje emocionale”. Sipas tij, në burg individi humb kontrollin mbi jetën e vet, meqë çdo gjë përcaktohet nga sistemi. “Kjo krijon varësi psikologjike dhe pasiguri kur del jashtë”.
Sipas Pecit, pas lirimit, ish-të dënuarit përballen me izolim social dhe vështirësi për t’u adaptuar dhe përballen me një realitet tjetër: teknologji, rregulla sociale, familje të distancuara.
“Pa ndihmë profesionale, ky tranzicion është i dhimbshëm dhe shpesh çon në vetmi ose rikthim në sjellje deviante”, tha ai. Sipas tij, shumë ish-të dënuar përballen me krizë identiteti. Ata nuk janë më “të burgosur”, por as plotësisht të pranuar nga shoqëria.

Izolimi dhe qëndrimi i gjatë në mjedise të mbyllura, si burgjet, lë pasoja të thella psikologjike. Fotografia: Denis Sllovinja / BIRN
Genti ishte 17-vjeçar kur nisi shlyerjen e dënimit në qendrën për të mitur në Lipjan. Me katër vjet e gjysmë dënim, ai e kaloi adoleshencën në izolim, vite që për shumicën janë të mbushura me kërkimin e identitetit dhe hapat e parë drejt pavarësisë, ndërsa për të u shndërruan në një periudhë të mbylljes dhe vetmie. Peci e përshkruan këtë si një periudhë vendimtare zhvillimore që mund të ndikojë në formimin e vetëvlerësimit dhe ndjenjën e kompetencës sociale.
Vetë Genti tregon se pas lirimit “jetë si i habitun, si kërkah”. Për të, shumë procese pas lirimit ishin terren i panjohur. Ai nuk kishte qenë kurrë pjesë e sistemit ligjor dhe nuk dinte si funksiononte burokracia, një sfidë që për dikë me histori penale rëndohet më tej pas lirimit. Genti kujton se menjëherë pas lirimit ishte në gjendje të rënduar emocionale, pa asnjë lloj ndihme institucionale dhe nuk ishte vizituar nga askush. Ai shton se në ato momente, më së shumti i mungoi dikush që t’i rrinte afër e ta këshillonte.
Peci shpjegon se izolimi dhe qëndrimi i gjatë në mjedise të mbyllura, si burgjet, lë pasoja të thella psikologjike, madje edhe te ata që duken “të fortë”. Sipas tij, disa nga efektet më të zakonshme janë: ankthi, depresioni, stresi post-traumatik (PTSD), ndjenja e humbjes së identitetit.
Një element tjetër i rëndësishëm për riintegrimin e ish-të dënuarve është pranimi nga shoqëria, e cila në Kosovë duket se mbetet ende e mbyllur ndaj tyre. Kjo bëri që Genti ta ndërrojë vendbanimin.
Sipas Pecit, mungesa e privatësisë dhe frika e vazhdueshme që shoqëron jetën në burg mund të shkaktojnë trauma të gjata dhe të vështira për t’u përballuar. Prandaj, ai thekson rëndësinë e mbështetjes pas lirimit përmes këshillimit psikologjik afatgjatë për t’u përballuar me ndjenjat e fajit, traumën dhe vështirësitë e riintegrimit; mbështetjes sociale e ekonomike që t’u ndihmojë ta shmangin rikthimin në rrethin e vjetër të ndikimeve negative; programeve të mentorimit e punësimit që rikthejnë ndjenjën e qëllimit dhe vlerës; si dhe përmes terapive në grup, ku ish-të dënuarit mund të ndajnë përvoja dhe ta ndihmojnë njëri-tjetrin.
“Mbështetja psikologjike ul ndjeshëm mundësinë e recidivizmit, sepse ndihmon individin të gjejë mënyra të shëndetshme për të menaxhuar stresin dhe dështimin”, tha Peci. Në vitin 2024, sipas SHKK, shkalla e përsëritjes së recidivizmit ishte rreth 12%.
Megjithatë, një element tjetër i rëndësishëm për riintegrimin e ish-të dënuarve është pranimi nga shoqëria, e cila në Kosovë duket se mbetet ende e mbyllur ndaj tyre.
Kjo e kishte detyruar Genti të shpërngulet nga qyteti ku kishte kaluar gjithë fëmijërinë dhe adoleshencën e hershme, pasi të gjithë e njihnin dhe drejtonin gishtin nga ai.
Stigmatizimi i të qenit i dënuar mbetet i pranishëm edhe pasi historiku penal të jetë fshirë nga të dhënat zyrtare, apo edhe në rastet kur dënimi është vuajtur jashtë burgjeve. Etiketa e “të dënuarit” ndjek individin përtej sistemit të drejtësisë, duke ndikuar në mënyrën se si perceptohet nga komuniteti. Ky paragjykim i vazhdueshëm, jo vetëm që e vështirëson procesin e riintegrimit në shoqëri, por edhe e mban ish-të dënuarin në një gjendje të përhershme të ndëshkimit social, edhe pse ligjërisht ai e ka shlyer fajin e vet.
Ndëshkimi social
Iliri 28-vjeçar, edhe pse i liruar me kusht dhe pjesë e shërbimit sprovues, është përballur me të njëjtat pengesa që hasin shumë ish-të dënuar. Një përleshje me policinë në moshën 18-vjeçare, gjatë një ndeshjeje futbolli në vitin 2015, i kushtoi me një historik penal që më vonë do t’i mbyllte dyert në shumë vende pune.
Ndryshe nga të dënuarit që mbahen nën kompetencën e SHKK, Iliri kaloi përmes Shërbimit Sprovues të Kosovës (SHSK), institucioni që merret me zbatimin e dënimeve alternative, si puna në dobi të komunitetit, masat edukative apo trajtimet për të miturit dhe të rriturit që nuk dënohen me burg. Iliri, i cili nuk deshi të identifikohej me emrin e tij të vërtetë, kujton se në atë kohë, kur ishte liruar me kusht, gjykata i kishte caktuar detyrimin për të ndjekur seanca psikologjike dhe për të lexuar qindra orë në bibliotekën e qytetit, aktivitet që monitorohej përmes evidencës së hyrje-daljeve.
Pengesat i vërejti që në hapat e parë të kërkimit të punës. Asnjë biznes nuk e kishte pranuar për shkak se në certifikatën penale i figuronte vepra e kanosjes. Ai kishte filluar një praktikë në një kuzhinë, por pas një jave ia kishin kërkuar dokumentin e pastërtisë penale. Edhe pse kanë kaluar gati dhjetë vjet nga ajo kohë, zemërimi i tij duket ende i freskët. Teksa fliste, rrihte këmbën, sikur nuk mund të qëndronte i qetë në një vend. “Më patën thanë nuk mujna me rreziku” tregon ai.
Iliri thotë se, edhe pse nuk ka qenë i burgosur, vetëm fakti që arrestohesh dhe kalon nëpër procedura policore, mjafton që të shihesh ndryshe në shoqëri.
Pas kësaj përvoje, që për të atëherë ishte goditje e rëndë në moshën 18-vjeçare, ai vazhdoi të punonte pa kontratë. Edhe pse sot ka kaluar procesin e rehabilitimit penal, pasi nuk ka kryer më asnjë vepër, ndjenja e stigmatizimit ende mbetet.
Edhe Iliri e kishte pasur të vështirë ta përballonte emocionalisht një periudhë të tillë. Ai thotë se, edhe pse nuk ka qenë i burgosur, vetëm fakti që arrestohesh dhe kalon nëpër procedura policore, mjafton që të shihesh ndryshe në shoqëri.
“Pasojat janë të mëdha, është stresuese, shumë njerëz nuk e tejkalojnë. Emocionalisht e kam ndier keq, je i privum prej shumë seneve, nuk je i barabartë me tjerët, me gjeneratën tënde”, tregon ai. “Ndikon në familje, shoqëri, nuk e kanë më atë respektin. Kursehen njerëzit prej meje: ‘unë jam ai problemi, mos të përfshihmi’. Kjo e çon njeriun në lloj-lloj mendime, shkon mendja te ma e keqja, se je i ftohtë, nuk ki vullnet me vazhdu”.

Iliri, edhepse nuk e kishte vuajtur dënimin në ndonjë qendër korrektuese, mbeti me stigmën e të qenit i dënuar. Fotografia: Arkivi personal i Ilirit.
Sot, Iliri është kthyer të punojë përsëri në kuzhinë, profesionin që i ishte mohuar në tentimin e parë, para 10 vitesh.
Sipas Pecit, mënyra se si shoqëria i sheh ish-të dënuarit mund ta bëjë dallimin mes dështimit dhe një fillimi të ri. Ai thekson se ata duhet të trajtohen me empati, e jo me paragjykim, pasi stigmatizimi është një nga pengesat më të mëdha për rehabilitimin e tyre.
“Duhet të promovohen fushata sensibilizuese për t’i parë ish-të burgosurit si njerëz që kanë të drejtë për një fillim të ri. Kompanitë private dhe institucionet publike duhet të inkurajohen, madje edhe të subvencionohen, për t’u dhënë mundësi punësimi atyre që kanë mbaruar dënimin”, shton ai. “Vetëm nëse shoqëria kupton se burgu është pasqyrë e mënyrës si ne ushtrojmë pushtet mbi ata që thyejnë rregullat, mund të ndodhë një riintegrim i vërtetë njerëzor”, përfundoi ai.
Peci thotë se për t’u arritur kjo, nevojitet të krijohen ura mes sistemit korrektues dhe shoqërisë, përmes qendrave të punës sociale dhe organizatave joqeveritare.
Labinot Kunushevci, sociolog, argumenton se shoqëria ka përgjegjësi morale dhe qytetare në pranimin dhe trajtimin e ish-të dënuarve pas vuajtjes së dënimit apo lirimit të tyre. Sipas tij, shoqëria kosovare e ka të vështirë ta rehabilitojë dhe ta risocializojë një njeri me të kaluar kriminale.
“Kjo rritë pasigurinë dhe depresionin, shton kompleksin e inferioritetit tek të liruarit nga burgu dhe ua mbytë, ua izolon dhe ua ndrydhë potencialin transformues”, thotë ai.
Kunushevci shton se ish-të dënuarit nuk meritojnë të jetojnë me plagët e së kaluarës, ku e kaluara u bëhet peng, si një “gjemb në këmbë” që i ndjek vazhdimisht. “Ata duhet t’i edukojmë dhe t’i integrojmë në shoqëri, t’u ofrojmë qasje dhe shërbime profesionale, takime me psikologë dhe sociologë”.
Sipas tij, shoqëria në Kosovë ende ndahet në dy ekstreme: një pjesë që e heroizojnë kriminelin, duke e shpallur hero të përjetshëm, dhe pjesa tjetër që e linçojnë, duke e shpallur kriminel të përjetshëm.
“Stigma e tillë për këta të fundit është etiketë dhe ‘dënim kapital’, i gabuar, i ngutshëm dhe euforik”, shtoi ai.
Redaktore përgjegjëse: Gentiana Paçarizi
Imazhi i ballinës: Denis Sllovinja / BIRN

Ky artikull u botua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Diversifikimi i zërave në gazetari”. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Kosovo 2.0 dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.