Dëgjimi i zërave të grupeve të ndryshme shoqërore është një aspekt tejet i rëndësishëm i çdo shoqërie demokratike. Krijimi i një mjedisi të favorshëm shoqëror dhe politik për diversitet, bën të mundur angazhimin dhe mobilizimin në favor të të drejtave të njeriut, me theks te të drejtat e komuniteteve të stigmatizuara.
Mirëpo, në kontekstin e Kosovës, ka ende shumë grupe shoqërore që vazhdojnë të jenë të nënpërfaqësuara, e madje edhe të padukshme nëpër hapësirat publike e mediale.
Një nga këto grupe është edhe komuniteti i personave me aftësi të kufizuara, veçanërisht komuniteti i të verbërve dhe personave me shikim të dobësuar në Kosovë. Qasja e tyre në informacion, mbetet një nga sfidat kryesore, duke qenë se ka mungesë të theksuar të materialeve në alfabetin Braile, i cili u mundëson personave të verbër të lexojnë përmes prekjeve. Të rralla janë edhe materialet në formë të audios, të cilat do t’u ndihmonin atyre t’i japin kuptim realitetit në të cilin jetojnë.
Edhe pse disa institucione kanë nisur të kontraktojnë shërbime për shtypjen e materialeve publike në Braille, këto mbeten përjashtime simbolike dhe jo praktikë e përditshme. Siç tregon edhe një raport i fundit nga Global Disability Fund rreth situatës së personave me aftësi të kufizuara në Kosovo, qasja në informacion dhe komunikim për personat e verbër dhe me dëmtime në shikim, mbetet e kufizuar. Shumica e materialeve publike, njoftimeve e broshurave institucionale ende nuk prodhohen në formate të qasshme, duke i lënë personat e verbër jashtë rrjedhës së informimit publik dhe jashtë hapësirës përditë e më të frekuentueshme digjitale.
Shumica e webfaqeve të institucioneve publike nuk i përmbushin standardet ndërkombëtare për qasje të barabartë, duke i bërë ato të vështira për t’u përdorur nga personat e verbër. Për më tepër, edhe në fushën e transmetimit audiovizual, përkthimi në gjuhën e shenjave është i rrallë, ndërsa numri i përkthyesve të licencuar mbetet i ulët, duke i kufizuar edhe më tej mundësitë e informimit të barabartë. Kjo tregon qartë se problemi nuk është vetëm te mungesa e infrastrukturës që i plotëson kushtet, por edhe tek mungesa e prioritizimit të sigurimit të qasjes së barabartë në nivel qëndror. Ky boshllëk i lë personat e verbër pa mbështetje sistematike për të marrë informacion publik në formatet që iu përshtaten aftësive të tyre, ndërkaq kjo situatë përforcon margjinalizimin institucional të këtij komuniteti, që vazhdon të mbetet i padukshëm, jo vetëm për syrin publik, por edhe për mekanizmat e informimit shtetëror.
Vegëzat e informimit që sigurohen nga shoqëria civile
Në Kosovë, janë shpesh organizatat e shoqërisë civile ato të cilat avokojnë apo kërkojnë llogaridhënie për realizimin e të drejtave të personave të verbër apo me shikim të dobësuar në Kosovë. Ndonëse të rralla në numër, këto organizata ua mundësojnë atyre lidhjen me botën.
Njëra ndër to është edhe Shoqata e të Verbërve të Kosovës (SHVK), e cila angazhohet për mbrojtjen dhe përfaqësimin e personave të verbër, pa dallim moshe, gjinie, përkatësie etnike apo fetare, qysh nga viti 2003.
Nga viti 2010, SHVK nisi botimin e revistës “Syri ynë”, një revistë informative për anëtarët e shoqatës dhe komunitetin. Në vitin 2010, me mbështetje financiare të Qeverisë së atëhershme të Kosovës, u botuan pesë numra te kësaj reviste, nismë e cila u vlerësua si e arritur historike sepse shënoi herën e parë që në Republikën e Kosovës një revistë po botonte në alfabetin Braille.
Deri në vitin 2021, botimi i kësaj reviste është përkrahur nga donatorë të ndryshëm, mirëpo pa siguruar botim të qëndrueshëm..
Kjo ndryshoi falë mbështetjes që SHVK mori si përfituese e thirrjes së Kosovo 2.0, “Diversifikimi i zërave në gazetari”, gjatë vitit 2023, me mbështetjen e Bashkimit Evropian në kuadër të së cilës janë publikuar plot gjashtë numra të kësaj reviste, në mënyrë periodike, duke përdorur alfabetin Braille, duke ua mundësuar qasjen në informim komunitetit të personave të verbër dhe me shikim të dobësuar në Kosovë.
“Kjo [revistë] konsiderojmë të jetë edhe një kontribut shtesë për ata që janë të interesuar për të lexuar dhe informuar në përgjithësi, që është e mirëseardhur në kohën kur materialet e printuara në shkrimin brajl janë të pakta në Kosovë”, thuhet në fjalët hyrëse të Këshillit Botues të revistës, në numrin e saj të 17-të.
Në numrat e saj të publikuar tashmë, përmbajtja e revistës trajton tema të ndryshme: nga ngjarjet më të fundit, te historitë e suksesit të njerëzve të verbër dhe rrjedhat e jetës së përditshme në komunitet. Një shtyllë e saj mbetet udhërrëfimi ligjor, meqenëse revista po ashtu ofron informacione rreth legjislacionit dhe të drejtat e personave të verbër në Kosovë, duke i trajtuar këto çështje me prioritet dhe ndjeshmëri.
Revista mbërrin tek lexuesit me një gjuhë që preket me gishta – si një letërsi e informacionit që nuk lexohet me sy, por përmes ndjesive. Ajo shpërndahet fizikisht nga anëtarët e shoqatës, duke mbërritur dorë më dorë te përdoruesit e saj.
Çdo numër pajiset edhe me një zë të dytë, i cili publikohet në faqen zyrtare dhe në rrjetet sociale të Shoqatës, duke u shndërruar në tingull për ata që preferojnë të informohen përmes pajisjeve digjitale. Opsioni audio zgjeron mundësinë e qasjes në përmbajtjen e revistës dhe pasuron hapësirën e saj narrative. Por çka është më e rëndësishmja, formati audio e bën revistën më të përballueshme për ata që nuk kanë njohuri të thella të alfabetit Braille.
Për personat e verbër në Kosovë, kjo revistë është urë komunikimi, me anë të së cilës ata mësojnë lajmet më të fundit, njohin zhvillimet në shoqëri dhe bëhen pjesë e debatit publik. Përveç leximit, revista krijon edhe një dialog të drejtpërdrejtë me lexuesit, të cilët shpesh kontaktojnë redaksinë për sqarime apo për të kërkuar më shumë informacione lidhur me temat që atyre u interesojnë. Ky ndërveprim i drejtpërdrejtë është aspekt i rëndësishëm që e bën revistën tonë një hapësirë të gjallë komunikimi.
Prandaj, mbështetja financiare e siguruar nga kjo thirrje shkon përtej thjesht një kontributi ekonomik. Ajo përfaqëson një investim human, për mbrojtjen e dinjitetit dhe të drejtave të komunitetit të të verbërve dhe personave me shikim të dobësuar në Kosovë. Në këtë mënyrë, ky program i diversifikimit të zërave në gazetari, ka përforcuar idenë që gazetaria nuk është vetëm për t’u lexuar nga shumica, por duhet të jetë e qasshme për të gjithë, përfshirë edhe ata që përballen me barriera të veçanta.
Imazhi i ballinës: K2.0
