Megjithëse është rritur vizibiliteti i aktivizimit për të drejtat e personave Lezbikë, Gej, Biseksualë, Transgjinorë dhe Interseks (LGBTI) në Kosovë, por qasjen në të drejtat e barabarta ky komunitet rrallëhere e ndjenë. Raportet dhe aktivistë të ndryshëm që avokojnë për të drejtat e personave LGBTI vazhdimisht kanë theksuar se ky komunitet i ekspozohet dhunës, gjuhës së përhapur të urrejtjes, si dhe diskriminimit në të gjitha sektorët e shoqërisë, si në shëndetësi, arsim, punësim etj.
Liderët e vendit përmendim ‘mbështetjen’ e tyre për një shoqëri gjithpërfshirëse dhe të drejtat e personave LGBTI vetëm në takimet e tyre me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare. Vitin që lamë pas, në një takim me të dërguarin special të Departamentit të Shtetit për të Drejtat e Njeriut dhe personat LGBTI, Randy W. Berry, ishte kryeministri në largim Isa Mustafa ai që tha se: “Kosova është e përkushtuar të krijojë një shoqëri ku të drejtat e njeriut respektohen dhe mundësitë janë të barabarta për të gjithë”.i
Në një takim të ndarë me Berry-n, në vitin 2016, disa fjalë i tha edhe ish-kryeparlamentari Kadri Veseli duke premtuar se “personat LGBTI do të respektohen në Kosovë”. Megjithatë, as Mustafa as Veseli që atëherë nuk i kanë përmendur më këto detyrime që si udhëheqës shtetëror i kanë ndaj personave LGBTI. Për më tepër, në të njëjtin vit, në një nga bisedat telefonike të kryeparlamentarit Kadri Veseli me ish-deputetin e PDK-së Adem Grabovci, e që ishin publikuar në kuadër të aferës së përgjigjeve “Pronto”, Veseli dëgjohet duke e përdorur fyerjen homofobike ‘peder‘ për ta përshkruar liderin e opozitës, Albin Kurtin.
Ai nuk është zyrtari i vetëm i lartë i cili evidentohet ta ketë përdorur këtë fyerje. Ramush Haradinaj, kandidati i tanishëm për Kryeministër i caktuar nga koalicioni parazgjedhor ndërmjet PDK-së, AAK-së dhe Nismës, iu referua kryetarit të Komisionit Shtetëror për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi, Murat Meha, me po këtë fyerje. Aktivistët që mbrojnë të drejtat e personave LGBTI thanë se Haradinaj e kishte rritur stigmatizimin dhe diskriminimin me të cilin ballafaqohet ky komunitet, ndërsa përgjigjia e tij e vetme për deklaratën që kishte dhënë ishte se “i vinte keq nëse dikush ndihej i ofenduar, por fjalorin të cilin ai e përdori nuk ishte fyes ndaj asnjë kategorie njerëzish të komunitetit LGBTI”.
Në Kosovë janë mbajtur tri protesta kundër homofobisë, bifobisë dhe transfobisë, ku morën pjesë disa përfaqësues të lidershipit politik, megjithëse kryesisht më shumë si individë sesa si përfaqësues të partive të tyre. Në 2016 përfshirja politike ishte më e theksuara, derisa edhe vetë Hashim Thaçi, ish-kryetar dhe themelues i PDK-së, ishte në krye të marshit kundër homofobisë.
Megjithatë, deri më sot askush nga partitë politike nuk ka dalë me një qëndrim politik në mbështetje të personave LGBTI. Asnjë dokument politik, qoftë platformë apo manifesto, nga asnjë parti kurrë nuk e ka përmendur komunitetin LGBTI, dhe deputetët kurrë nuk e kanë ngritur këtë çështje publikisht gjatë mandateve të tyre në Kuvend.
Për shkak të kësaj, K2.0 e ka trajtuar këtë çështje zgjedhore pak më ndryshe. Ne i kemi kontaktuar të pesë partitë politike të përfaqësuara në mandatin e kaluar parlamentar, dhe u kemi parashtruar gjashtë pyetje të njëjta, në përpjekje për të kuptuar pozicionin e secilës parti sa i përket të drejtave të komunitetit LGBTI. Këto janë përgjigjet e tyre.
Çfarë veprimesh do të ndërmerrnit për ta rregulluar çështjen e martesës ndërmjet persove të gjinisë së njëjtë?
Kushtetuta e Republikës së Kosovës thotë se secili gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën të krijojë familje në pajtim me ligjin (pa përmendur gjininë), derisa Ligji për Familjen thotë se martesa është bashkim i regjistruar ligjërisht i dy personave të gjinive të ndryshme, që do të thotë se ligji është në kundërshtim me Kushtetutën.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK): Nuk ka përgjigje.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK): Nuk ka përgjigje.
Vetëvendosje: “Të gjitha veprimet e garantuara me Kushtetutë dhe me dokumente ndërkombëtare të të drejtave të njeriut janë drejtpërdrejtë të zbatueshme në Kosovë. Ligjet nuk mund të jenë veçse rrjedhim logjik i Kushtetutës dhe normave përkatëse ndërkombëtare të zbatueshme në Kosovë. Është detyrim i Kuvendit të bëjë harmonizimin e ligjeve me frymën dhe germën e Kushtetutës”.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK): Nuk ka përgjigje.
Iniciativa për Kosovën (Nisma): Nuk ka përgjigje.
Çka do të bënit për ta ndalur diskriminimin dhe dhunën kundër personave LGBTI, për ta ndalur ngacmimin në shkolla të cilin po e bëjnë edhe nxënësit edhe arsimtarët kundër nxënësve LGBTI, dhe për ta ndalur dhunën në familje e cila ndodh si rezultat i orientimin seksual apo identitetit gjinor të një anëtari të familjes?
PDK: Nuk ka përgjigje.
LDK: Nuk ka përgjigje.
Vetëvendosje: “[Vetëvendosja bën] respektimin dhe mbrojtjen e dinjitetit të njeriut, e të drejtave dhe lirive të njeriut me të gjitha mjetet që ka në dispozicion një shoqëri demokratike. Ndalimi i diskriminimit të personave dhe grupeve të cënuara shoqërore nuk është vetëm çështje e kulturës politike dhe ligjore të shoqërisë përkatëse, por është edhe çështje e politikës kulturore që shoqëria në fjalë ndjek dhe kultivon. Ky është veprimi aktiv politik dhe ligjor i një shoqërie demokratike me qytetari aktive. Qytetaria aktive është moto e Lëvizjes Vetëvendosje!”.
AAK: Nuk ka përgjigje.
Nisma: Nuk ka përgjigje.
Çka planifikoni të bëni me propozimin e organizatave të shoqërisë civile për ta ndryshuar Kodin Penal, për ta kriminalizuar gjuhën e urrejtjes dhe krimet nga urrejtja si pasojë e orientimin seksual dhe identitetit gjinor?
Në janar të këtij viti, organizatat për të drejtat e komunitetit LGBTI, bënë një propozim me rekomandime konkrete për ndryshimin e Kodit Penal. Propozimi u mbështet nga një numër organizatash të shoqërisë civile dhe iu dorëzua ish-ministres së drejtësisë, Dhurata Hoxha, dhe grupit punues për amendamentimin e Kodit Penal.
PDK: Nuk ka përgjigje.
LDK: Nuk ka përgjigje.
Vetëvendosje: “Kriminalizimi ligjor i dyfishtë i veprimeve të caktuara në shoqëritë demokratike nuk është i lejueshëm dhe sjell më shumë dëm se dobi. Çështjet e kodifikuara mund të ndryshohen nëse ato nuk përputhen me realitetin e krijuar. Mirëpo, tani për tani duhet të kërkohet me vendosmëri dhe pa përjashtime dhe relativizime respektimi dhe zbatimi i normave ligjore në fuqi kundër diskriminimit, konkretisht i Ligjit kundër diskriminimit. Ky është detyrim ligjor dhe politik i të gjitha institucioneve në Republikën e Kosovës. Shteti i së drejtës është një ndër tri shtyllat e modelit qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje!”.
AAK: Nuk ka përgjigje.
Nisma: Nuk ka përgjigje.
A do të merrnit pjesë në marsh kundër homofobisë, bifobisë dhe transfobisë të organizuar çdo vit nga organizatat e shoqërisë civile?
PDK: Nuk ka përgjigje.
LDK: Nuk ka përgjigje.
Vetëvendosje: “E drejta e protestës është e drejtë e garantuar me Kushtetutë”.
AAK: Nuk ka përgjigje.
Nisma: Nuk ka përgjigje.
Pse, deri më sot, partia juaj ka dështuar të dalë publikisht në mbështetje të të drejtave të komunitetit LGBTI?
PDK: Nuk ka përgjigje.
LDK: Nuk ka përgjigje.
Vetëvendosje: “Ky përgjithësim është vetëm një supozim i hamendësuar”.
AAK: Nuk ka përgjigje.
Nisma: Nuk ka përgjigje.
Si do të reagonte partia juaj ndaj ndonjërit prej anëtarët e saj që shfaq qëndrime diskriminuese ndaj personave LGBTI duke shkelur legjislacionin ekzistues? Çfarë mekanizmash do të shfrytëzonit kundër kësaj dukurie në Kuvend dhe në Qeveri?
PDK: Nuk ka përgjigje.
LDK: Nuk ka përgjigje.
Vetëvendosje: “Është një situatë hipotetike pa ndonjë përmbajtje konkrete. Lëvizja Vetëvendosje! mëton shtetin e së drejtës. Ligji vlen njësoj për të gjithë pa dallim. Këtu nuk lejohet një situatë hipotetike, kur kërkesa dhe vendosmëria për shtetin e së drejtës është e prerë”.
AAK: Nuk ka përgjigje.
Nisma: Nuk ka përgjigje.
Për përgjigjet e kërkuara K2.0 në PDK e kontaktoi deputeten e PDK-së gjatë mandatit të shkuar parlamentar, Mexhide Majku-Topalli, e cila ishte pjesë e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazinë Gjinore Personat e Zhdukur dhe Peticionet. Majku-Topalli nuk iu përgjigj pyetjeve të K2.0.
Në LDK, K2.0 kontaktoi me katër kandidatë për Kuvend: Sokol Havollin, ish-këshilltar i Kryeministrit në largim, Arban Abrashin, ministër i punës dhe mirëqenies sociale gjatë mandatit të kaluar, Lirije Kajtazin, e cila ishte kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazinë Gjinore, Personat e Zhdukur dhe Peticionet, dhe Vlora Dumoshin, e cila ishte shefe e stafit të Zyres së Kryeministrit gjatë mandatit të kaluar parlamentar. Nuk morëm përgjigje nga asnjëri prej kandidatëve.
Në emër të Vetëvendosjes u përgjigj Sami Kurteshi, ish-Avokati i Popullit dhe kandidati i Vetëvendosjes në zgjedhjet e 11-qershorit.
Në AAK, K2.0 kontaktoi me Herolind Zariqin nga zyra për media e kësaj partie. Zariqi nuk dha përgjigje në pyetjet e K2.0.
Në partinë Nisma, K2.0 kontaktoi Valdete Bajramin, e cila ishte shefe e grupit parlamentar gjatë mandatit të kaluar. Nuk morëm kurrfarë përgjigje as nga ajo.K
Për më shumë informata rreth asaj se si qëndrojnë partitë politike, ndiqni videon e K2.0 për ideologjinë, dhe lexoni artikujt e kaluar për çështjet zgjedhore, duke përfshirë punësimin, arsimin, ushtrinë, barazinë gjinore, shëndetësinë dhe sportin.