Është ditë e diel e me shi në Polac të Drenicës. Kumrie Veliu me dy vajzat dhe katër djemtë e saj po përkujdesen që lulet pranë varrit të cilin po e pastrojnë të qëndrojnë në këmbë e me kurorë të kthyer nga qielli. Bashkëshortit të saj Xhaferit, cigaret që ndez një pas një dhe ofshamat e thella që dëgjohen herë pas here, thuajse ia gërryejnë gjoksin sa herë që merr frymë.
“Fshija ujin prej fytyrës”, është lutja që Xhaferi ia bën Kumries.
Për Xhaferin gjithçka që prek faqet e mbetura të njoma të djalit të tij Shyqriut është e tepërt. Ani pse pikat e ujit nuk janë gjë tjetër pos shiut që parakalon në fytyrën e gdhendur të djalit të tij 13-vjeçar, në pllakën e mermertë që gjendet mbi varrin e tij.
“Gjithë kam mendu që kam me gjetë të gjallë”, janë fjalët e burrit i cili i ka kaluar të gjashtëdhjetat, e të plakur më tepër nga lodhja se rrudhat e moshës dhe plagët e marra në vitin 1999. Tri të tilla Xhaferi mban në trup. Dy në krahëror e një në këmbë, si nishan nga lufta e fundit në Kosovë.
18 vite më parë, më 30 prill 1999, Xhaferi dhe djali i tij Shyqriu do të dilnin nga shtëpia e tyre në fshatin Polac të Drenicës, në orët e hershme të mëngjesit, për të mos u kthyer më kurrë bashkë. Ditë të cilën Xhaferi e kujton edhe sot, me memorie të kthelljët, përkundër moshës e sëmundjes së tij.
Ofensivat në Drenicë kishin nisur në marsin e vitit 1999. Më 30 prill të po atij viti, Polaci, Verbovci, Prolluzha, Qirezi, Likoshani, Llamara, Rezalla e shumë fshatra të tjera përreth ishin rrethuar thuajse tërësisht nga forcat ushtarake dhe paramilitare serbe.
“…diku përmbi 12 mijë trupa [ushtarë] kanë qenë”, kujton Xhaferi. “Përmbi 10 mijë të strehuar kanë qenë në këto fshatra në atë kohë”.
Si plot burra e djem të rinj, të cilët ia mësynin që të iknin nga ushtria serbe, Xhaferi ia kishte mësyrë malit me të afërm, përfshirë Shyqriun.
“Nuk do të duhej kurrë ta lëshoja nga duart”, thotë e ëma Kumria me lotë pendimi në sy ngase nuk kishte arritur ta ndalonte djalin që t’i bashkohet babait të tij në rrugën drejt malit.
Por mali nuk ishte vendi ku ai do të humbte jetën. Qirezi do të ishte vendi i fundit ku Xhaferi do të shihej me djalin e tij Shyqriun. Aty forcat ushtarake dhe paramilitare serbe kishin grumbulluar afro 200 veta, kryesisht burra e djem nga fshatrat përreth. Rrugës për në Qirez, Xhaferi kujton se si ishte rrahur deri në vdekje komshiu i tij Agim Prokshi, duke lënë pas nipin po ashtu 13-vjeçar, Betimin, i cili ishte shok i Shyqriut. “Ai mbeti me mua dhe Shyqriun”, thotë Xhaferi.
Vendi ku Xhaferi u nda nga Shyqriu ishte Xhamia e Qirezit, rrënojat e së cilës ekzistojnë edhe sot e kësaj dite, ani pse ishte bombarduar nga ushtria serbe.
Tek xhamia e Qirezit, teksa bën me gisht, Xhaferi tregon vendet ku janë mbajtur peng një natë. Të nesërmen ai tregon se burrat ishin ndarë nga fëmijët dhe ishin bartur me kamiona në drejtime të panjohura për ta, e ku do të pushkatoheshin.
Aty, tek Xhamia e Qirezit, Xhaferi thotë të ketë dëgjuar dhe për herë të parë emrin e komandantit që kishte urdhëruar gjithë atë operacion në zonën e Drenicës. “Komando gjeneralno Ljubisha Dikoviq, e kam dëgju kthjellët kur kanë thënë se është me komandën e tij”, thotë ai.
Destinacioni i kamionit me të cilin bartej Xhaferi dhe grupi i tij prej 32 vetash ishte vendi i quajtur Shavarinat, në fshatin Çikatovë e Vjetër të Drenicës. Njëzet minuta, kujton ai, iu deshën ushtarakëve serbë që t’i pushkatojnë të gjithë burrat përveç atë dhe Bajram Shabanin, të cilët kishin arritur të iknin nëpër male, ani pse kishin pësuar plagosje nga plumbat që ishin gjuajtur në drejtim të tyre.
Kujtimet për krejt këto Xhaferi tashmë i ka të shkruara në një dorëshkrim të tij, të cilin mendon edhe ta publikojë në të ardhmen.
“Janë dëshmi, dhe dikush duhet të merret me to”, thotë burri që edhe sot e kësaj dite kërkon drejtësinë për djalin e tij të vrarë.
Trupi i tij ishte gjetur në vitin 2005, në varrezën masive te “Shavarinat” në Çikatovën e Vjetër, të rajonit të Drenicës, aty ku babai i tij Xhaferi i kishte shpëtuar vdekjes.
“E fundit që mundemi me ba është mos m’i harru”, thotë Xhaferi.
Qetësi, megjthatë, thotë të mos ketë gjetur as pranë eshtrave të djalit të tij të cilat aq shumë i kishte kërkuar nëpër varreza masive.
“Drejtësinë nuk po mundemi me gjetë hala”, thotë me një ofshamë të lehtë Xhaferi i cili, ushtrinë serbe të asaj kohe e quan ushtri të “tmerrit”.
Gjenerali i “ushtrisë së tmerrit”
Drejtësi për viktimat e luftës së fundit në Kosovë tash e sa vite e kërkon edhe njëra prej organizatave më aktive në Serbi dhe Kosovë – Fondi për të Drejtën Humanitare, të themeluar nga aktivistja për të drejtat e njeriut në Beograd, Natasha Kandiq, dhe me zyrë në Prishtinë të udhëhequr nga Bekim Blakaj.
Në vitin 2012 ky Fond kishte publikuar një dokument të titulluar “Dosje Ljubisha Dikoviq”. Fondi dokumentoi përgjegjësinë që kishte gjenerali Dikoviq për zonën e Drenicës si dhe krimet që janë kryer në kohën kur brigada e motorizuar “Brigada Nr. 37” ishte pozicionuar në Drenicë. Fondi akuzoi Dikoviqin direkt se nuk ka penguar krimet e rënda të luftës kundër civilëve në Kosovë, gjatë luftës 1998-1999.
Dikoviq i kishte hedhur poshtë në media këto akuza, duke i konsideruar si sulme mbi ushtrinë serbe, si dhe kishte paditur Natasha Kandiqin në mars të 2012-ës për dëmtim të reputacionit.
Në janar të vitit 2015 Fondi sërish del me një raport për varrezën masive në Rudnicë, afër Rashkës së Serbisë, dhe kazermes së brigadës së motorizuar nr. 37 të udhëhequr nga gjenerali Ljubisha Dikoviq. Në këtë raport Dikoviq dhe brigada e tij akuzohen të jetë përgjegjëse për bartjen e trupave të qindra civilëve të vrarë nga fshatrat e Drenicës, diku 57 nga të cilët ishin gjetur në atë varrezë masive, përfshirë disa civilë të pushkatuar në Çikatovën e Vjetër.
Menjëherë pas këtij publikimi, në shkurt të po atij viti shefi i tanishëm i stafit në Ushtrinë e Serbisë, gjenerali Ljubisha Dikoviq, kishte pranuar urdhrin “Hero Kombëtar” me vendim të Presidentit të atëhershëm serb Tomisllav Nikoliq, urdhrin më të lartë ushtarak të Serbisë.
Gjatë gjykimit, Natasha Kandiq pati deklaruar për media se Fondi ka dëshmi të cilat mbështetin pretendimet që Dikoviq ka qenë i përfshirë në krime të luftës.
Në maj të vitit 2015 ajo pati deklaruar se: “Dosja Dikoviq është e bazuar në disa korespodenca të zyrtarëve të ushtrisë serbe të cilët kanë qenë pjesë e brigadës së motorizuar nr. 37 [e komanduar nga Dikoviq], si dhe në deklarata të atyre që kanë mbijetuar dhe familjarëve të viktimave të vrarë gjatë bombardimeve të NATO-s, kur brigada e motorizuar nr. 37 kishte vënë nën kontrroll territorin e Gllogovcit dhe të Skënderajit në Kosovë [ku edhe janë kryer krimet e përmendura në raportin e FHD-së]”.
Por, në maj të atij viti gjykata serbe kishte vendosur që Kandiq t’i paguajë atij 4.500 euro si dëmshpërblim për dëmtim të reputacionit.
Heshtja e institucioneve të drejtësisë serbe karshi krimeve të shpërfaqura, të kryera nga ushtria serbe, e kishte bërë Fondin të reagojë edhe vite më pas. Më 21 shkurt të vitit 2017, FDH-ja publikoi edhe një dokumentar 23-minutësh, në të cilin sërish shfaqen krimet e brigadës së motorizuar Nr. 37 të Ljubisha Dikoviqit, respektivisht të dhënat nga hulumtimet e kryera nga FHD-ja gjatë punës e saj për dy dosjet “Ljubisha Dikoviq” dhe “Rudnica”, që u publikuan në vitin 2012, respektivisht 2015.
Në dokumentarin e publikuar pretendohet se rreth 1,400 civilë u vranë në vitin 1999 në zonën e Kosovës, e cila ishte nën kontrollin e Brigadës 37 të ushtrisë serbe, e cila në atë kohë drejtohej nga Ljubisha Dikoviq, i cili megjithatë gëzon një mbrojtje shtetërore për të gjitha akuzat me të cilat ngarkohet.
Bekim Blakaj nga FDH-ja në Prishtinë shpjegon për K2.0 se deri tani nuk ka pasur asnjë hetim serioz nga ana e organeve të drejtësisë në Serbi.
“Parmanedojeni brenda 24 orëve pasi publikohet dosja del prokurori për krime lufte në Serbi dhe thotë që s’ka prova për hetimet”, thotë Blakaj për K2.0. “Nuk ndodh askund që diçka e tillë të deklarohet akoma pa nisur hetimi dhe pa pasur një vlerësim të bazuar ligjor. Por shihet edhe në dokumentar nga deklaratat e zyrtarëve shtetëror si nga administrata e kaluar e [Ivica] Daçiq por edhe nga ato të ish-kryeministrit Vuçiq, se gjenerali Ljubisha Dikoviq gëzon mbrojtje nga shtetit serb”.
Edhe vetë publikimi i dokumentarit për Dikoviqin kishte shkaktuar telashe në Serbi. Fondi ishte detyryar ta publikojë atë në kanalin YouTube pasi zyrtarët e kësaj organizate, në ditën e lansimit, kishin treguar se disa kanale televizive në Serbi, përfshirë edhe radiotelevizionin publik “Radio Televizija Srbija” dhe “Radio Televizija Vojvodina” kishin “refuzuar ose nuk i ishin përgjigjur kërkesës për ta transmetuar atë dokumentar”.
Memorandum për krime lufte
Pak punë në drejtim të zbardhjes së krimeve të kyera nga brigada e Dikoviqit, por edhe krimeve të tjera të luftës në Kosovë, duke përfshirë dhunimet, torturat, etj, kanë bërë edhe institucionet e drejtësisë kosovare.
Këto, në fakt, vetëm në vitin 2015 kanë marrë në kompetencë hetimin dhe trajtimin e krimeve të luftës, ngase deri atë vit këto krime kanë qenë ekskluzivisht në kompentencë të Misionit Europian për Sundim të Ligjit në Kosovë – EULEX. Ky mision, në anën tjeter, i ka bartur këto kompetenca në vitin 2008 nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK, i cili megjithatë akoma i ka nën administrim disa raste të krimeve të luftës.
Drita Hajdari është koordinatore e Departamentit për Krime Lufte në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, ku bëjnë pjesë vetëm dy prokurorë, ajo dhe prokurori Elez Blakaj. Treqind raste ka marrë përsipër Departamenti për Krime lufte të cilin ajo udhëeq, ku përfshihen vrasje, dhunime e masakra. Në hetim janë gjithsej 84 lëndë, 49 prej të cilave janë pranuar në vitin 2016, një vit pasi autoriteteve vendore iu bartën kompetencat për krimet e luftës nga EULEX-i. Shumica prej këtyre rasteve, sipas Hajdarit, u dorëzuan nga EULEX afër përfundimit të afatit ligjor për hetim.
Por, vetëm dy aktakuza për krime lufte janë ngritur nga autoritetet vendore në vitin 2016. Por mundësitë për të ngritur aktakuza të reja duken të vogla, si pasojë e mungesës së bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Ne mundemi me ngritë aktakuza kundër personave që janë në Kosovë, e ata janë shqiptarë”, pati thënë ajo në një intervistë ekskluzive për K2.0. “Ndërsa ajo që unë shumë herë e potencoj dhe dua sërish ta potencoj, shumica e madhe e kryesve janë në Serbi. Sikurse edhe Kosova, edhe Serbia refuzon ekstradimin e këtyre. Nuk ka bashkëpunim juridik”.
Si zgjidhje për këto ngecje shihet aplikimi i modelit të Bosnjës dhe Hercegovinës, Kroacisë dhe Malit të Zi që kanë nënshkruar memorandum bashëpunimi ndërmjet prokurorive të tyre me Prokurorinë e Serbisë, ekskluzivisht për krimet e luftës.