S`fundmi | Zgjedhjet2017

Nisin fushatat e Zgjedhjeve Lokale

Nga - 22.09.2017

Pritet të ketë konkurrencë të madhe në disa komuna.

Dje (21 shtator) nisën zyrtarisht fushatat për zgjedhjet lokale që do të mbahen me 22 tetor në të gjitha 38 komunat e Kosovës. Këto zgjedhje do të jenë të tretat prej shpalljes së pavarësisë më 2008.

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka pohuar se në zgjedhje do të garojnë 35 parti politike, 30 nisma qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur, të cilët do të garojnë si kandidatë për kryetar/e komunal/e, ose për t’u bërë deputetë në ndonjë Kuvend Komunal.

KQZ lajmëroi se zgjedhjet do të monitorohen gjithashtu nga organizatat lokale joqeveritare (OJQ) dhe komuniteti ndërkombëtar. Pritet të akreditohen 30 anëtarë të Misionit BE në Kosovë.

Beteja për kryeqytet

Në Prishtinë, kryetari në detyrë, Shpend Ahmeti i Lëvizjes Vetëvendosje, pritet të sfidohet më së shumti nga Arban Abrazhi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Abrashi shpreson ta kthejë kontrollin e kryeqytetit te partia e tij, presidenti i së cilës, Isa Mustafa, i humbi zgjedhjet lokale në balotazh në dhjetor 2013.

Megjithatë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) mund të ketë ndikim gjithashtu. Kandidati i tyre për kryetar komune, Lirak Çelaj, ka deklaruar shpeshherë se fakti që partia e tij e mbështeti Ahmetin në balotazhin e vitit 2013 e shkaktoi fitoren e kryetarit aktual. Po të ketë nevojë përsëri për balotazh do të jetë situatë interesante, meqë tani PDK-ja i ka marrëdhëniet e tensionuara si me LDK-në, ashtu edhe me Lëvizjen Vetëvendosje, e pra nuk dihet se cilën do ta mbështesnin këtë herë.

Në mesin e çështjeve të cilat do ta dominojnë këtë fushatë pritet të jenë mungesa e parkingut në qytet, përfundimi i planit për transport publik, si dhe diskutimet për planifikim urban dhe qeverisje të qytetit. Ahmeti ka lajmëruar se do t’i zbulojë 100 premtime për qytetin gjatë fushatës, nga 10 premtime për 10 fusha të ndryshme. Ndërkohë Abrashi ka premtuar ta ndryshojë mënyrën se si qeveriset qyteti. Ai e hapi fushatën e tij duke e përshkruar mandatin katër vjeçar të Ahmetit si të dështuar.

Gara për Kuvend Komunal me gjasë do të jetë poaq e nxehtë sa gara për kryetar komune. Ahmeti shpeshherë e ka theksuar nevojën për ta kontrolluar Lëvizja Vetëvendosje kuvendin në mënyrë që ta mbështesin kryesinë e tij.

Tri parti hahen për ‘Jerusalemin’ e Kosovës

Në Prizren, qytetin e dytë të Kosovës, pritet një garë e fortë ndërmjet tri partive. PDK-ja, LDK-ja dhe VV-ja kanë treguar se kanë apetit të madh për ta qeverisur këtë qytet që për dhjetë vitet e fundit është kontrolluar nga PDK-ja. Kjo parti e konsideron Prizrenin si “Jerusalemin” e vet. Gara për kryetar komune do të zhvillohet ndërmjet kryetarit në detyrë, Shaqir Totajt, Mytaher Haskukës së VV-së, dhe Hatim Baxhakut të LDK-së – ky i fundit ishte deputet në legjislaturën e fundit të kuvendit të Kosovës.

Mbrëmë (21 ështator) VV-ja e lansoi fushatën e saj kombëtare në Prizren, duke demonstruar interesin e madh që e kanë për këtë qytet historik. Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, e ka vizituar gjithashtu qytetin këto ditë, duke shprehur vendosmërinë e PDK-së për të vazhduar qeverisjen e saj. Në debatet e fushatës me gjasë do të trajtohen industria kulturore e Prizrenit, e cila është gjithnjë në rritje, dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore në këtë qytet, si dhe çështje tjera më tipike infrastrukturore.

Më shumë arritje për Vetëvendosjen?

Prizreni nuk është e vetmja komunë në të cilën pritet të ketë konkurrencë të madhe. Zgjedhjet parlamentare në qershor sollën rezultate shumë të papritura për VV-në në komuna në të cilat më parë kishin përfaqësim të kufizuar në nivel lokal. Për ta shfrytëzuar këtë vrull, VV-ja do t’i inkuadrojë disa prej anëtarëve më të rëndësishëm të saj në garat për Ferizaj, Gjilan dhe Fushë Kosovë, ku kjo parti pritet të merr më shumë vota se tjerat në qershor.

Në Ferizaj, deputeti i Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës, Faton Topalli, do të përpiqet ta largojë kryetarin në detyrë, Muharrem Sfarqën e LDK-së. Ky i fundit do të garojë edhe kundër Agim Aliut të PDK-së, i cili humbi për pak në balotazh ndaj Sfarqës në vitin 2013. Ndërkohë në Gjilan gara do të zhvillohet ndërmjet deputetit aktual të VV-së, Sami Kurteshit, kryetarit aktual të Gjilanit, Lutfi Hazirit të LDK-së, dhe Zenun Pajazitit të PDK-së. Këto dy qytete vuajnë nga problemet që lidhen me ndërtimet e paligjshme, e prandaj ato pritet të jenë temë qendrore.

Fushë Kosova ka qenë bastion i LDK-së prej fundit të luftës. Para katër viteve, VV-ja i fitoi më pak se 11 përqind të votave në zgjedhjet komunale. Megjithatë, ata po shpresojnë se duke e paraqitur si kandidat për kryetar në këtë komunë Avni Zogianin, aktivist shumë i mirënjohur kundër korrupsionit, mund t’i befasojnë të gjithë me fitore.

Arratisja e Mimoza Kusari-Lilës

Edhe zgjedhjet në Gjakovë pritet të jenë interesante. Kryetarja aktuale, Mimoza Kusari-Lila, po kërkon edhe një mandat. Në vitin 2013 Kusari-Lila u zgjodh kryetare kur ishte anëtare e Aleancës Kosova e Re (AKR), por gjatë mandatit të saj ajo u largua nga AKR për të udhëhequr një parti të re, Alternativën.

Kusari-Lila me gjasë nuk do të mbështetet nga ish-partia e saj. Ky fakt e hap derën për kandidatë tjerë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe VV-së. Të dy këto parti po garojnë me kandidatë të spikatur, AAK-ja me ish-Ministrin e Mjedisit, Ardian Gjinin, dhe VV-ja me deputetin aktual të Kuvendit të Kosovës, Driton Çaushin.

Pjesëmarrja në veri

Zgjedhjet lokale të vitit 2013 u njollosen nga disa sulme që ndodhën në vendvotime në Mitrovicë të Veriut. Pjesëmarrja e popullsisë në zgjedhjet e komunave me shumicë serbe në veri të vendit ishte shumë e ulët – veçanërisht në Mitrovicën e Veriut, në Zveçan dhe në Leposaviç – siç ishte edhe në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2014. Megjithatë, pjesëmarrja në këto tri komuna u rrit në mënyrë dramatike për zgjedhjet e përgjithshme në fillim të vitit 2017. Mbetet të shihet se a do të vazhdojë ky trend në zgjedhjet lokale në tetor.

Foto kryesore: Atdhe Mulla/ K2.0.