Gjykata Themelore e Prishtinës ka dënuar me plot 21 vjet e 6 muaj burg aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti duke i shpallur ata fajtor për sulmin me zollë në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, që ndodhi më 4 gusht 2016.
Ata janë shpallur fajtorë nën akuzën për sulm terrorist. Atdhe Arifi është dënuar me 6 vjet burg, Frashër Krasniqi me 8 vjet, Egzon Haliti me 5 vjet e gjysmë ndërsa Adea Batusha me 2 vjet 6 muaj burg.
Në shpalljen e gjykimit nga kryetari i trupit gjykues Beqir Kalludra, të pranishme kanë qenë edhe deputetet e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu e Donika Kadaj, si dhe familjarë të aktivistëve së bashku me aktivistë të tjerë të VV-së.
Të katër të akuzuarit e këtij rasti ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e mbajtur më 28 shkurt të këtij viti ndërsa aktakuzën e kishin quajtur politike. Kërkesat e tyre për hedhje të aktakuzës qysh në fillim të procesit gjyqësor, dhe pushim të procedurës ishin refuzuar nga Gjykata Themelore.
Pjesë e aktakuzës ka qenë edhe Astrit Dehari, i cili në nëntor të vitit 2016 ishte gjetur i vdekur në qelinë e tij në qendrën e paraburgimit në Prizren.
Më 26 tetor të këtij viti, Prokurori i Prokurorisë Speciale, Abdurrahim Islami, ka deklaruar se nuk ka prova që i lidh drejtpërdrejtë aktivistët e VV-së, të akuzuar për sulmin në Kuvendin e Kosovës. Por në fjalën përfundimtare të tij para trupit gjykyes, të martën, ai kishte kërkuar që të akuzuarit të shpallen fajtor.
Menjëherë pas shpalljes së vendimit në një konferencë të jashtëzakonshme për media ka dalë edhe Lëvizja Vetëvendosje. Kryetari i kësaj partie, Visar Ymeri dhe deputeti Dardan Molliqaj, e cilësuan vendimin si të motivuar politkisht. Të dy kanë thënë se besojnë që Apeli do ta vërtetojë që vendimi i sotëm i Themelores është i gabuar.
Tre aktivistët Frashër Krasniqi, Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti tashmë janë dërguar në vuajtje të dënimit ku do të qëndrojnë, deri në vendimin e Apelit. Ndërsa Adea Batusha këtë vendim do ta pres në liri. Nëse Apeli vërteton vendimin e shkallës së parë atëherë të katërtit do të vuajnë dënimin me burg efektiv për terrorizëm, veprën më të rëndë penale.
K2.0 kishte raportuar edhe më parë në lidhje me përmbajtjen e aktakuzës ndaj aktivistëve të VV-së, shkrimin mund ta lexoni këtu.
Foto kryesore nga Lëvizja Vetvendosje.