Çmimi i Bitcoin-it, kriptovalutës më të njohur në botë, ka zënë vend nëpër kryetituj të lajmeve në muajt e fundit, me gjithë ngritjen dhe rënien e tij. Kjo ka nxitur debat edhe në vendin tonë. Shumë prej të konvertuarve flasin për të me sy që i shkëlqejnë nga ai ndriçimi më antik nga të gjithë – premtimin për pasuri pa mund e pa lodhje.
Ndonëse shitja e kriptovalutave me çmime shumë më të larta se çmimi i blerjes së tyre, ose edhe më mirë, shitja e atyre të krijuara nga vetë personi më anë të kompjuterit, kanë ofruar mundësi për t’u pasuruar, disa janë anashkaluar krejtësisht edhe ndërmjetësin. Expedia dhe Microsoft pranojnë disa kriptovaluta, veçanërisht Bitcoin-in, për produktet dhe shërbimet e tyre, ndërsa në Kosovë të paktën tre tregtarë të automjeteve pranojnë Bitcoin, siç pranojnë edhe disa dyqane të kompjuterëve dhe bizneset e tjera të vogla.
K2.0 e hulumtoi këtë fenomen për të kuptuar se si mund të shndrrohet në veturë një kompjuter i mbushur me gjashtë kartela grafike.
Përhapja e ‘lajmit të mirë’ për kriptovaluta
Veton Brahimi është ‘tregtar i përditshëm’, por në vend se të bëjë tregti me aksione, ai punon me kriptovaluta të ndryshme. Ai është gjithashtu njëri prej pronarëve të Satoshi Cafe Bar në Prishtinë, ku një mori kriptovalutash pranohen si valutë e ligjshme.
Brahimi e krahason klimën aktuale të kriptovalutave me ditët e para të internetit. “Po ta pyesje dikë në atë kohë se a ka postë elekronike, do të të kishin përqeshur, dhe nuk do të të kishin kuptuar për çka e ke fjalën”, thotë ai.
Veton Ibrahimi beson se epoka aktuale e kriptovalutave u ofron të rinjve në Kosovë mundësi për t’u pasuruar. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Brahimi beson se gjenerata e ‘milenialëve’ të rinjë është me fat që jeton në këtë kohë, e cila ofron mundësi për t’u vetëdijësuar në lidhje me këtë fenomen, një kohë e cila është e hapur për pjesëmarrje të të gjithë personave, pa marrë parasysh ku jetojnë. Për më tepër, ai e ndjenë si mision të tij përhapjen e këtij lajmi të mirë në mesin e atyre që janë të interesuar.
Metodat e tij për tregtimin me kriptovaluta thotë se janë mjaft të ndryshme dhe shton se “nuk tregtoj gjithçka gjatë ditës, por ka strategji të ndryshme. Disa janë të diversifikuara për afat të gjatë dhe disa mund t’i blesh e t’i shesësh brenda një dite”, thotë ai.
Duke e bërë këtë, ai thotë se sheh “mundësi për të përfituar çdo ditë”, dhe me zemërgjerësi shton: “Pse të mos u tregoj edhe juve? Synim kryesor e kemi ngritjen e nivelit të ndërgjegjësimit [për këtë teknologji] tek të gjithë njerëzit, e nëse bëhen milionerë – edhe më mirë”.
Në Satoshi, biznes që Brahimi e themeloi bashkë me partnerin e tij Milot Mehmeti, jepen këshilla dhe ndihmë për fillestarët që duan ta bëjnë investimin e parë, për t’u ndihmuar njerëzve që të kuptojnë se çfarë janë duke bërë. “Deri më tani ndoshta kemi folur me më shumë se një mijë njerëz”, thotë Brahimi.
Ai shton se nëse dikush njeh gjuhën angleze, aq më mirë sepse të gjitha që duhet t’i dish janë online, por gjithashtu mendon se është e rëndësishme “ta pyesësh dikë në jetën reale, sepse në fund të fundit me para po merremi”.
Ata dy u ndihmojnë njerëzve edhe me përdorimin e bankomatit të kriptovalutave që e kanë në kafenenë e tyre. Ky bankomat nuk është i pari i këtij lloji në Prishtinë. ALBVISION Ltd. e solli të parin më 17 qershor në Pejton. Tani ai bankomat realizon transaksione me më shumë se 10 kriptovaluta.
Ndryshe nga bankomatët e rëndomtë, bankomatët e kriptovalutave funksionojnë ngjashëm me shërbimet e këmbimit: tregtarët pranojnë para të gatshme në këmbim të kriptovalutave, dhe kriptovaluta në kërmbim të parave të gatshme.
Me ALBVISION-in, përdoruesit mund të blejnë kriptovaluta deri në vlerën 2,000 euro nëpërmjet asaj makine. Përdoruesit mund t’i shesin edhe rezervat e kriptovalutave. Tërheqja e parave të gatshme deri në vlerën 2,000 euro është në dispozicion të menjëhershëm. Paratë i siguron ALBVISION-i.
Bankomati i tretë i kriptovalutave në Kosovë erdhi në shtator. Pronari i saj është kompania këshilluese BitSapphire. Njëri prej pronarëve të këtij biznesi, Valmir Hazeri, thotë se ai është model më i përparuar se të tjerët. Hazeri thotë se ofron shërbim 24/7 për të gjithë përdoruesit dhe e kufizon blerjen dhe shitjen e kriptovalutave deri në vlerën 1,000 euro.
Pra, tani është lehtë të investosh në kriptovaluta nga Kosova, por në çka saktësisht je duke i futur paratë? Për të hedhur më shumë dritëmbi këtë çështje, më së miri do të ishte të shjtellojmë vetë historinë e kriptovalutës më të njohur në botë, historinë e Bitcoin-it.
‘Bitcoin’ – matematika dhe teoria prapa këtij trendi financiar
Më 2 nëntor, 2008, në një forum jo fort të njohur të kriptografëve (ata të cilët studiojnë kodifikimin e komunikimit), doli një link që të çonte te një shkrim i titulluar “Bitcoin: A Peer-to-Peer Electronic Cash System” (Bitcoin: Sistemi elektronik i parave të gatshme ndërmjet individëve P2P ) – emri i autorit ishte Satoshi Nakamoto.
Çka aty propozohej nuk ishte e padëgjuar më parë. Krijimi i një valute të internetit kishte qenë një synim i vazhdueshëm që nga ditët e para të internetit. Por përpjekjet dështuan vazhdimisht për shkak se mungonte diçka. Valutës së internetit i nevojitej një përbërës që jo vetëm e bën të pavarur nga kontrolli i palës së tretë, por edhe parandalon hakerët dhe manipulimet e tjera, siç është përdorimi i vazhdueshëm i së njejtës monedhë – CTRL+C, CTRL+V.
Nakamoto (pseudonim, dhe ndonëse identiteti i vërtetë i tij mbetet mister, shumëkush thotë se është Craig Wright) propozoi një zgjidhje të thjeshtë por gjeniale të quajtur blockchain. Teknologjia blockchain garanton që secili transaksion me këtë valutë ruhet në një bazë publikë të dhënash, ngjashëm me një dokument në Google Docs.
Kjo bazë e të dhënave do t’u shpërndahej njerëzve të cilët ia përkushtojnë fuqinë kompjuterike sistemit, dhe nuk do të shtoheshin informata të reja pa u ‘pajtuar’ të gjithë përdoruesit (proces që kryhet automatikisht nga ‘hardware’ i kompjuterit) për ta legjitimuar atë.
Bankomati i kriptovalutave i Valmir Hazerit ku shiten e blihen kriptovalutat. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Procesi i verifikimit të transaksioneve dhe i përpunimit të informatave quhet gërmimi i kriptomonedhave. Të dhënat përpunohen duke zgjidhur enigma qëllimisht të vështira – përdoruesi me fuqinë më të madhe kompjuterike e gërmon një bllok, dhe kështu shpërblehet me Bitcoin-ë. Sa herë që shtohet një bllok i ri në bazën publike të të dhënave, Bitcoin-ë të ri lirohen në treg.
Meqë Bitcoin-i është i kufizuar në 21 milionë monedha, sasia e monedhave të liruara nga secili bllok i gërmuar ka rënë prej 50, kur kishte filluar në vitin 2001, duke u përgjysmuar çdo katër vjet, deri në momentin kur blloqet e fundit do t’i shpërblejnë përdoruesit me 0.00000168 monedha apo 42 Satoshi, cent i Bitcoin-it.
Ky inovacion, të cilin e aprovon dhe në të cilin ka qasje secili përdorues, dhe kështu ndihmon me ndërtimin e mekanizmave të cilat regjistorjnë dhe krijojnë valutën, është baza e të gjitha kriptovalutave. Përdoruesit stimulohen ta ruajnë zinxhirin gjithnjë më të madh të regjistrimeve.
Gërmimi afër Gërmisë në Prishtinë e deri në Mitrovicën e Veriut
Përveç investimeve në kriptovaluta, viteve të fundit është shtuar edhe niveli i gërmimit për shpërblime të kriptovalutave, veçanërisht në Kosovë. Për të gërmuar monedha, në fillim të duhej vetëm një kompjuter, por meqë gjithnjë më shumë njerëz po gërmojnë, enigmat matematikore apo algoritmike janë bërë gjithnjë e më të ndërlikuara dhe kërkojnë shumë më shumë fuqi kompjuterike.
Gent Shabani, i cili jeton në periferi të Prishtinës afër parkut të Gërmisë, aktualisht është duke investuar në gërmimin e kriptovalutës Ethereum, bashkë me një mik i cili jeton në Amerikë. Në shtëpinë e tij ai ka një aparat gërmimi që quhet ‘Rig’ – një sistem të veçantë kompjuterik me gjashtë njësi të procesimit grafik (Graphics Processing Units) të cilat i përdor për të gërmuar monedha.
Gent Shabani ka gërmuar për rreth 12 muaj. Pesë aparate i kanë në tërësi: një në shtëpinë e tij në Kosovë, dhe katër në shtëpinë e mikut të tij në SHBA. Foto: Valmir Mehmetaj / K2.0.
“Jam marrë me gërmim për rreth 12 muaj. I kemi katër Riga të tjera në SHBA, dhe ky është i pesti”, shpjegon Shabani, i cili me Rig-un e tij ka arritur të lirojë nxehtësi të mjaftueshme për ta ngrohur tërë katin e tretë të shtëpisë së tij.
Ndonëse me gërmim fillimisht u morën vetëm ata të cilët ishin të interesuar ta zhvillonin sistemin, tregtia e përhapur e kriptovalutave me para të gatshme ka bërë që shumëkush ta shndrrojë gërmimin në burim të të hyrave.
Shabani thotë se një Rig me pesë ose gjashtë kartela të reja grafike ende mund të gjeneroj një fitim kogja të kënaqshëm, por jo në shifrat që mund të fitoheshin më parë. Vështirësia ndodhet në balancimin e kostos së energjisë elektrike me shpërblimet e kriptovalutave për fuqine kompjuterike të harxhuar – me një fjalë fitimi po bie gati dita-ditës.
“Me një aparat të tillë, i cili i ka rreth 180 megahash fuqi, ka qenë shumë më lehtë të gërmohej kohë më parë, – mund t’i bënim rreth 2,500-3,000 dollarë në muaj”, shpjegon Shabani. “Tani janë shtuar vështirësitë, të hyrat po reduktohen për të gjithë, por ende është biznes fitimprurës”.
Aparatet apo Rigat përdorin shumë energji elektrike. Vlerësohet se gërmimi për kriptovaluta aktualisht shfrytëzon më shumë energji se 159 shtete veç e veç nëpër botë, duke përfshirë këtu Irlandën dhe të gjitha shtetet e kontinentit të Afrikës. Nëse vazhdon kështu, vlerësohet se deri më shkurt të vitit 2020 ky proces do të konsumojë më shumë se totali i konsumimit të energjisë elektrike të gjithë botës.
Shabani shpenzon 35-40 euro në muaj energji elektrike për aparatin e tij. Por në anën tjetër të vendit, në Mitrovicën e Veriut, pronari krenar i një aparati tjetër për gërmim të Ethereum-it, Jovan Arsiç, thotë se shpenzon vetëm 25-30 euro.
Gërmimi i kriptovalutave është përhapur edhe në veriun e Kosovës, në qytetin tradicional të nxjerrjes së xeheve, në Mitrovicë. Foto: Valmir Mehmetaj / K2.0.
“Energjia elektrike që nevojitet për një Rig me gjashtë kartela grafike kushton rreth 30 euro. Këtë muaj ishte 20 euro sepse u ndërpre energjia shumë herë, dhe kur vjen rryma përsëri, aparati nuk mund të ndizet sepse energjia është e dobët”, shpjegon Arsiç. “Me një Rig mund të fitosh rreth 400 euro, por varet sa punon. Duhet të punoj për 30 ditë të plota, pa u ndërprerë energjia elektrike dhe pa u përballur me probleme të tjera”.
Ai thotë se trendi i kriptovalutave po përhapet edhe në Mitrovicën e Veriut dhe se i njeh pesë a gjashtë persona të tjerë të cilët merren me gërmim dhe kanë një apo më shumë Riga.
Në shumë pjesë të botës, njerëzit bëhen bashkë dhe krijojnë të ashtuquajtura ‘ferma të gërmimit’, ku mbedhet fuqia e mijëra Rig-ave. Arsiç dhe disa të tjerë të cilët biseduan me K2.0 kishin dëgjuar se kishte ferma të gërmimit në Prishtinë, por ende nuk e kishin parë një të tillë.
Arsiç beson se në Mitrovicën e Veriut, ku faturat e rrymës shpeshherë krijojnë konflikte, ekziston dëshira për të krijuar fermë, por nuk ekzistojnë burimet. “Të gjithë duan të punojnë me të madhe, por nuk është e mundur”, thotë Arsiç. “Për të hapur një fermë të duhen të paktën 100,000 euro”.
Liria e parasë
Ndonëse për disa që merren me kriptovaluta, margjinat e fitimit me sa duket kanë më së shumti rëndësi, disa të tjerë janë më të dhënë pas filozofisë së kësaj lëvizjeje. Entuziastët e kriptovalutave thonë se përparësia reale e këtij sistemi është mungesa e garantimit të transaksioneve nga pala e tretë (si për shembull banka), si dhe e tatimeve, kushteve apo faturave me të cilat karakterizohen zakonisht këto procese – duke e kaluar kështu “fuqinë e pushtetin tek populli”.
“Ne duhet ta marrim mbi vete përgjegjësinë e bankave, nëse duam t’u tregojmë se nuk kemi më nevojë për to”, thotë Brahimi.
Me gjasë kjo doktrinë shprehet më së miri nga moderatori amerikan Max Keiser, i cili e drejton një program për financa në një kanal shtetëror medial në Rusi. Në një konferencë për epokën e kriptovalutës, të mbajtur në vitin 2015 në Roterdam, të quajtur: “Reinvent Money” (Rishpikja e parasë), Keiser foli për nevojën e krijimit të një valute digjitale për t’iu shmangur kontrollit të bankave dhe qeverive.
“Wall Street është mashtrim. Amerika është mashtrim. Bota është mashtrim. Bankat janë mashtrim. Bankat qendrore janë mashtrim. Jetojmë në një epokë të mashtrimit. Gjithçka është e bazuar në mashtrim dhe ata marrin përqindje nga ai mashtrim – ky është modeli i biznesit. Të sugjerohet se ka ndonjë pikë morali apo etike në gjithçka është duke ndodhu, do të thotë të jesh krejtësisht naiv ndaj faktit se ne jetojmë në një epokë të dominuar nga terroristët financiarë: terroristë, terroristë! Xhihadistë të bankave – janë këtu për t’ju vrarë ju dhe veten! Ata besojnë në një ideologji, jo në Kuran, por në Adam Smith-in [ekonomist skocez i cili konsiderohet si babai i kapitalizmit bashkëkohor], të cilin e kanë keqkuptuar dhe e kanë interpretuar si diçka që justifikon hedhjen e vetes në erë!”
Bitcoin-i dhe kriptovalutat e tjera pohojnë se mund ta ofrojnë këtë pavarësi. “Është aq e decentralizuar saqë nëse je pronar i ndonjë Bitcoin-i, nuk ka asgjë mes teje dhe vetë Bitcoin-it [si markë e regjistruar dhe e zotëruar]”, shpjegon Brahimi.
Përveç përfitimit nga përdorimi i kriptovalutave, Veton Brahimi beson shumë në të mirat që mund të dalin prej tyre. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Ndonëse aktualisht kjo teknologji përdoret nga disa milionë njerëz, Brahimi pyet se çfarë do të ndodhte sikur atë të fillonin ta përdornin 7 miliardë njerëz, e gjithë bota. “Kjo është teknologji e pandalshme, e krijuar për të varfrit, sepse të pasurit nuk kanë nevojë për të”, deklaron ai. “Dhe të varfrit do t’i korrin përfitimet. Është thjesht çështje e edukimit, proces i cili kërkon mbështetje nga të gjithë njerëzit, dhe unë besoj se të gjithë kanë obligim ndaj tij”.
Valmir Hazeri nga BitSapphire beson se kriptovalutat janë vetëm fillimi. Ndonëse ai nuk investon në Bitcoin-ë për shkak të luhajteve të mëdha në çmime, ai sheh potencial të pafund në teknologjinë blockchain, me të cilën ka punuar prej vitit 2014. Kompania e konsultimit të cilën ai e drejton ofron mes tjerash ndihmë me ‘ICO’ apo Initial Coin Offering (Ofrimin fillestar të monedhave), që përdor teknologjinë blockchain për të mbledhur valuta digjitale për kompani të reja, duke garantuar që pjesëmarrësit dhe investitorët të marrin pjesët e tyre të fitimit.
“Është metodë e re e cila të mundëson shitjen e aksioneve në mënyrë digjitale. Më parë ishte IPO [Initial Public Offering (Ofrimi fillestar publik), lansim i tregut të aksioneve], ku një kompani bëhej publike dhe konvertohej në formë të valutës me metoda të dokumentimit dhe komisionerëve e agjentëve”, shpjegon Hazeri. “Tani kjo është digjitalizuar. Teknologjia blockchain është prapa të gjitha këtyre kriptovalutave. Në fakt, teknologjia blockchain po e bën të mundshme ekzistencën e gjithë kësaj shumëllojshmërie”, shton ai.
Hazeri beson se duke punuar në epokën e artë të industrive teknologjike, Kosova mund të ketë të ardhme më të mirë. “Nuk është aq e rëndësishme të përqendrohemi në blerje të monedhave, por duhet të përqendrohemi në zhvillimin e gjërave të tilla”, thotë ai. “Mund ta promovojmë Kosovën në këtë aspekt, si shtet që prodhon teknologj, në vend se të themi që jemi ‘europianët e rinj’. Kujt po ia ndin? Tregoni kreativitet dhe ofroni zgjidhje për problemet e botës”, shton ai, me vendosmërinë e dikujt që beson se e ka ilaçin për gjendjen e vështirë ekonomike të Kosovës.
Hazeri sheh zgjidhje në këtë teknologji, në vend të politikës. “Dikush më tha se patriotizmi i ri është punësimi i njerëzve në Kosovë, jo në ndezjen e luftërave e çirrjeve në Facebook”.
Ana tjetër e (Bit)monedhës
Kur erdhën bankomatët e kriptovalutave në Kosovë, Banka Qendrore e Kosovës paralajmëroi se kriptovalutat nuk janë të regjistruara lokalisht, dhe nëse ndonjë qytetar humb para, askush nuk garanton kthimin e parave. Brahimi, Hazeri dhe persona të tjerë të përfshirë në kompanitë e investimit në kriptovaluta këshillojnë të mos investojmë para të cilat nuk kemi llogari t’i humbim.
Në një përgjigje elektronike për K2.0, zëdhënësi i Bankës Qendrore, Besnik Kada, dërgoi një link që të çonte te kumtesa zyrtare e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila e shprehu paralajmërimin e njëjtë, si dhe një tjetër link që të çonte te paralajmërimi i Autoritetit Euorpian për Veprime Bankare (EBA), që ështe në dispozicion në gjuhën angleze dhe atë shqipe. Paralajmërimet e EBA-s përfshijnë një shpjegim të shkurtër për kriptovalutat dhe një listë të rreziqeve që lidhen me investimin në monedha të tilla.
Edhe ministri i jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka folur për rreziqet e kriptovalutave. Duke promovuar librin e tij “15 Parimet e Suksesit Sipas Behgjet Pacollit”, ai mbajti një fjalim para studentëve, duke u thënë se Bitcoin-i është valutë e cila nuk mund të jetojë gjatë, dhe e cila do të shkatërrohet në momentin kur njerëzit fillojnë ta tregtojnë për para të gatshme.
“Mos lakmoni Bitcoin-ë”, paralajmëroi Pacolli. “Në momentin kur të dalin nga ai sistem dhe fillojnë t’i tërheqin paratë e investuara në të, piramida do të fillojë të rrëzohet”.
Fjalë të zymta, dhe jo të parat prej kur është paraqitur kjo valutë. Kryetari dhe kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes JP Morgan Chace, Jamie Dimon, dikur e kishte quajtur Bitcoin-in “mashtrim”, duke nxitur trazira dhe rënie të çmimit të tij. Më vonë, gjatë një konference të Institutit Ndërkombëtar të Financave, ai tha përsëri se njerëzit të cilët investojnë në kriptovaluta një ditë do të paguajnë për idiotësinë e tyre. “Unë personalisht nuk e kuptoj vlerën e diçkaje që nuk ka vlerë”, shtoi ai.
Dimon ka të drejtë se Bitcoin-i nuk ka vlerë. Çmimi i tij rritet në bazë të furnizimit dhe kërkesës: sa më shumë njerëz duan ta blejnë, aq më i lartë bëhet çmimi; sa më pak njerëz duan ta blejnë dhe sa më shumë që shitet, çmimi bie.
Sipas uebfaqes financiare amerikane, www.howmuch.net, 95 për qind e të gjitha Bitcoin-ëve janë në pronësinë e 4-përqindëshit të adresave që, sipas Aaron Brown-it, drejtuesit të hulumtimeve të tregjeve financaire si pjesë e firmës së investimeve AQR Capital Management, i bie se rreth 40 për qind e kriptovalutave janë në pronësinë e 1,000 njerëzve. Ai tha se është e mundur që ata që kanë më shumë Bitcoin-ë ta orkestrojnë së bashku ndryshimin e çmimeve.
Një prej mënyrave më të realizueshme është tërheqja e papritur e sasive të mëdha të parave. Ky skenar duket i mundshëm kur e marrim parasysh ngritjen në vlerë 1,600 për qind në fund të vitit të kaluar.
Megjithatë, shumë besimtarë të Bitcoin-it kanë thënë se pritet t’i kaplojë frikë bankat, qeveritë dhe institucionet e individët e tjerë të cilët duan kontroll dhe pushtet, në mënyrë që të dëmtohet Bitcoin-i dhe të ulet vlera e tij.
Analisti dhe hulumtuesi i pavarur Ronnie Moas është i bindur se Bitcoin-i do të bëhet “valuta më e vlefshme në botë”, me çmim rreth 300,000 dollarë. Ai e ka mbështetur këtë pretendim me një ‘ju pata thënë’. “Bitcoin-i tashmë është rritur për 500 për qind prej kur e kam rekomanduar në fillim të korrikut, dhe po e parashikoj edhe një rritje 500-përqindëshe në të ardhmen e afërt”, tha në dhjetor.
Valmir Hazeri beson se është mirë që njerëzit, veçanërisht të rinjtë, në Kosovë të përfshihen “sepse është trend në rritje, dhe mund ta zhvillojnë ekspertizën në këmbimin e aksioneve, në luhatjen e vlerave, në shitblerje”.
Valmir Hazeri beson se është e pashmangshme që disa forma të kriptovalutës të bëhen platformë e tregtisë botërore. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Ai beson se një kriptovalutë një ditë do të bëhet platformë e tregtisë botërore, edhe nëse ajo nuk është Bitcoin-i. “Edhe nëse dështon Bitcoin-i si Bitcoin, shumë gjëra të tjera do të vazhdojnë”, parashikon ai. “Kriptovaluta do të vazhdojë të rritet. Ndoshta Bitcoin-i nuk është ’Sendi i madh”, por ndoshta është sendi para Sendit të madh”.
Hazeri premton se nëse rinia e Kosovës arrin të lidhet me Bitcoin-in, dhe veçanërisht teknologjinë blockchain, “do të jenë të lidhur me një tregti botërore, ku nuk do të ketë kufizime për punë”. Për më tepër, ai beson se qeveria jonë duhet të investojë në edukimin e gjeneratave të reja për zgjidhjen e problemeve me teknologjinë blockchain.
Shabani, minator i ri nga Prishtina, e din se ai të paktën nuk dëshiron të mbetet pa investuar në këto monedha. “Kush e di sot se çfarë do të ndodhë një vit më vonë?”, pyet ai. “Ndoshta do të themi, ‘Hej, paramendoje kur Bitcoin-i e pati arritur vlerën 10,000 dollarë, ne menduam se ishte e tepërt dhe se nuk mund të rritet më shumë’. E di se unë e thoja këtë kur e arriti vlerën 1,000, dhe tani e ka arritur vlerën mbi 10,000”.
Shabani tashmë ka plane për investim në të ardhmen. “Nëse Bitcoin-i bie në 1,000, e di që do të kisha qenë i gatshëm për të investuar dhe për t’i blerë 20-30 copa”.K
Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.o.