Blogbox | Feminizmi

VET E KE LYP, TI ME FUNDIN TËND TË SHKURT!

Nga - 10.06.2016

Duhet t’i japim fund kulturës se fajësimit të viktimave dhe ta luftojmë seksizmin shoqëror që ka rrënjë të thella.

Ishte një prej atyre mëngjesëve të nxehtë të verës, prej të cilëve kemi pasur shumë kohëve të fundit, dhe vendosa ta veshi fustanin tim të bardhë. Është shumë i freskët, është i shkurtër dhe ndjehem mirë në të. Kur dola në rrugë, nuk pata nevojë të pres shumë gjatë për komentin e parë seksist, dhe më mundoi shumë. Por çfarë më trembi më së shumti ishte mendimi im i parë: “Eh zemra ime, duhej të vishje tjetër çka”.

“Çka jam duke thënë?” ishte mendimi im i ardhshëm. Po e fajësoja vetën për një koment seksist që ma dha një person i rëndomtë në rrugë. Po mendoja se do ta provokoja një koment seksist me veshjen time. Po mendoja se ishte faji im që ai e dha atë koment.

Sigurisht se nuk është faji im që dikush thotë diçka seksiste, pa marrë parasysh se çfarë veshi unë. Por mendimi im i parë pas këtij incidenti demonstron problem serioz shoqëror, dhe ekziston një term për të: ‘fajësimi i viktimës’. Domethënë, duke e bërë përgjegjës viktimën për atë që ka ndodhur. Fillon kështu “një grua nuk duhet të vishet kurrë me fund të shkurtër nëse nuk ka dëshirë ta shikojnë me lakmi dhe të dëgjojë komente seksiste” dhe përfundon kështu “eh, po të mos vishej me tesha kaq zbuluese dhe po të mos dehej, nuk do ta përdhunonte askush – disi e ka lyp vet”.

Fajësimi i viktimës nënkupton se dhuna seksuale është faji i gruas, për shkak se ajo vishet në një mënyrë të caktuar, për shkak se ajo po zë hapësirë, për shkak se ajo po sillet në një mënyrë të caktuar. Në shoqëritë tona, ka pikëpamje të rrënjosura thellë që kanë të bëjnë me sjelljet e grave në publik, çfarë mund të bëjnë ato e çfarë jo – dhe nëse nuk i respektojnë, atëherë duhet t’i vuajnë pasojat.

Fajësimi i viktimës i përket kontekstit të kulturës së përdhunimit; kulturë ku dhuna seksuale shihet si diçka që ndodh, si diçka normale. Pra gratë duhet ta mbrojnë vetën nëse nuk duan të bëhen viktima të krimit seksual. Dhe nëse bëhen viktima, atëherë, duhet të jenë më të kujdesshme heren tjetër. Në një kulturë ku fajësimi i viktimës është diçka e përhershme, viktimave në përgjithësi nuk iu besohet, fajësohen se janë gënjeshtarë, dhe se e ekzagjerojnë.

Një studim në vitin 2005 nga Amnesty International tregon sa i përhapur është fajësimi i viktimave, edhe në shoqëritë ‘moderne’, ‘perendimore’, e ‘liberale’. Njëzet e pesë përqind të të intervistuarve britanez – duke përfshirë edhe burrat edhe gratë – mendojnë se një grua është pjesërisht ose krejtësisht përgjegjëse nëse ka qenë e veshur me tesha seksi ose zbuluese kur është përdhunuar; 22 përqind kishin pikëpamje të njejtë për një grua që ka pasur shumë partnerë seksual. Gati një e treta e njerëzve të intervistuar (30 përqind) thanë se gruaja është përgjegjëse pjesërisht ose krejtësisht nëse përdhunohet sa është e dehur, dhe më shumë se një e treta (37 përqind) nëse nuk ka thënë ‘jo’ në mënyrë të qartë.

Këto shifra – që në mënyrë të arsyeshme mund të supozohet që janë të ngjashme, nëse jo më të larta, se në shumë vende tjera, edhe një dekadë më vonë – e sqarojnë problemin. Viktimat gra fajësohen se janë sugjeruese, provokative, joshëse; shkurtimisht, ‘e lypin’. Por kjo e zbulon edhe një imazh të caktuar të burrave: Burrat shihen si qenie seksuale të pakontrollueshme, plot epsh, ta paaftë ta mbrojnë vetën kundër një gruaje seksualisht provokative.

Departamenti i Policisë Hungareze e publikoi një video kah fundi i vitit të kaluar, që tregon tre gra të reja duke në një party, duke vallëzuar e flirtuar në klub të natës. Videoja përfundon me sulmin ndaj një gruaje, nga një person i panjohur. Në fund shkruan “Nëse je përgjegjëse, mund të bësh diçka”. Katër ditë pasi që u publikua videoja, po ajo forcë policore lansoinjë paralajmërim me këshilla të sigurisë ku u tha se gratë e reja që flirtojnë nxisin dhunë. Këto dy ‘këshilla’ shkaktuan një stuhi protestash, jo vetëm në Hungari; në vend se të adresohen kundërvajtësit, siç kërkoi Shoqata e Grave Hungareze pasi publikimit të videos, policia i apeloi grave dhe sjelljes së tyre, dhe kjo shkaktoi nëpërkëmbje.

Këto këshilla mund t’i shihni si të mira, si përpjekje për t’i mbrojtur gratë. Por është më shumë se kaq; është për kontroll. Këshillat e tilla nuk i adresohen problemit – një kulturë ku dhuna seksuale kundër grave shihet si normale – por grave, dhe në këtë mënyrë është përpjekje për të ushtruar kontroll. Ata i këshillojnë gratë që të mos dehen, e të mos dalin në klube të natës, e të mos ecin për në shtëpi vet dhe vonë, e të mos njoftohen me njerëz të panjohur, e të mos veshin funda të shkurtër. Dhe nëse gratë e injorojnë këtë këshillë miqësore, rrezikojnë të sulmohen seksualisht. Këshillat e tilla, po u dhanë nga Policia Hungareze ose kushdo tjetër, ua kufizojnë liritë grave.

Sigurisht është më lehtë t’u tregosh grave çfarë të veshin në vend se të trajtohen strukturat e rrënjosura në shoqëri. Por nuk do të ndryshojë asgjë.

Nesër do ta veshi atë fustan përsëri.