Një vajzë e re në të njëzetat ende pa i përfunduar studimet e drejtësisë dhe të ekonomisë të cilat po i ndiqte paralelisht në Universitetin e Prishtinës, do të gjuante për herë të parë me revole në një zonë përreth kullës që i takonte familjes së komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) Adem Jashari, në Drenicën e marsit të vitit 1996.
Qysh me të dalë në hapësirën e gjuajtjes ajo e kuptoi se plumbat e parë të shkrepur nga zjarri do të ishin edhe lajmëtarët për fundin e një jete të së kaluarës dhe fillimit të një jete krejtësisht të re për të. Jetë për të cilën do të betohej të mos e tradhtojë kurrë.
E njëjta revole me të cilën i kishte shkrepur po ata plumba do të vendosej para saj në Kullën e Jasharajve, aty ku edhe do të thoshte fjalët e betimit të saj.
“Si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe bashkimin e tyre, do të jem përherë ushtar besnik, luftëtar i denjë i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i disiplinuar, i gatshëm që më çdo kohë, pa kursyer as jetën time, të luftoj për t’i mbrojtur interesat e shenjta të atdheut”, këto do të ishin vargjet e para që Irfete Spahiun në vitin 1996 do ta bënin ndër të para ushtare të UÇK-së. “Nëse e shkeli këtë betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra të luftës, dhe nëse tradhtoj qoftë i humbur gjaku im. Betohem!”.
Prej këtij betimi ajo do t’i bashkohej deri në fund luftës për “çlirimin dhe mbrojtjen e popullates civile shqiptare në Kosovë që po shtypej e persekutohej nga ushtria Jugosllave”.
Por asokohe Irfete Spahiu nuk e dinte se 6 marsi përherë do të mbetej datë historike për të, por edhe për Kosovën.
Pikërisht më 6 mars të këtij viti, ish-ushtarja e UÇK-së Irfete Spahiu, do ta merrte një detyrë të re ushtarake – atë të Gjenerales së Brigadës – të ushtrisë së ardhshme të Kosovës tashmë të pavarur dhe të lirë, Forcës së Sigurisë së Kosovës, gradë kjo e dhënë për herë të parë për një grua në FSK.
Gradimi i saj në pozitën më të lartë ushtarake në strukturë – atë të Gjenerales – u quajt historik edhe nga vetë Ministri i FSK-së Rrustem Berisha, jo vetëm për gratë në institucionet e sigurisë por për gjithë Kosovën.
Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.
Buqeta lulesh në shenjë urimi për këtë pozitë tashmë kanë zënë vendin kudo në zyrën e Gjenerales Spahiu, aty ku ajo priti edhe ekipin e K2.0 në ditën e parë të saj të punës si Gjenerale Brigade. Ani pse punën e ka nisur në zyrën të cilën e kishte sa ishte në pozitën e zëvendëskomandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjës së FSK-së, pozitë të cilën e mbajti për pesë vite para gradimit të saj si Gjenerale, Gjeneralja Brigade duket të jetë një epitet të cilën Irfete Spahiu ende po mësohet ta dëgjojë, por ka pak rëndësi titulli, sipas saj, ngase si proces gradimi thotë të jetë i natyrshëm të ndodhë pas 22 vitesh sa ajo ka qenë pjesë e shërbimit, dhe sigurisht edhe kontributit që e ka dhënë. Përgjegjësia që vjen bashkë me pozitën është ajo që e preukopon më tepër.
E përgjegjësia e re e saj është ajo që prej shumëkujt do të mund të konsiderohej edhe udhëheqja e formësimit të “trurit” të ushtrisë së ardhshme të Kosovës.
Që prej datës 13 të këtij muaji, Gjeneralja Irfete Spahiu do ta udhëheqë Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjës (KDS) të FSK-së, komandë kjo e vendosur në Ferizaj, në Kazermën “Skënderbeu”, e ku mbahen trajnimet dhe përgatitjet profesionale për të gjithë kadetët, nënoficierët dhe oficierët aktualë dhe të ardhshëm të FSK-së.
Për punën e cila e pret, Spahiu është e vetëdijshme ngase kishte shërbyer si zëvendëse e Komandantit të kaluar Enver Cakiqit i cili ia dorëzoi detyrën në një ceremoni të organizuar nga MFSK-ja gjatë javës së kaluar.
Por kush është Irfete Spahiu?
Në këtë pyetje, gruaja fjalëprerë, ka dy përgjigje të ndara në të cilat lë të nënkuptojë se jeta e saj personale dhe profesionale janë dy jetë krejtësisht të ndara dhe assesi nuk guxojnë të ndërhynë në njëra-tjetrën.
“Irfete Spahiu ëhtë një juriste dhe ekonomiste dhe fëmija i parë i dy prindërve mësues që tashmë janë në pension. Në vitet e ‘90-ta kam jetu si gjithë bashkëmoshatarët e mi…”, përfundon me pak fjalë përshkrimin për veten e saj Spahiu. “A Gjeneralja Irfete Spahiu karrierën e vet e ka fillu, pra koincidon me datën 6 mars 1996, kur kam dhënë edhe betimin e parë në UÇK”, vazhdon ajo.
Angazhimin e saj në UÇK, Gjeneralja Spahiu e arsyeton me nevojat që kishin dalë në vitet e ‘90-ta, si pasojë e shtypjes dhe represionit që po i bëhej popullatës civile shqiptare nga ushtria jugosllave. Këto kishin bërë që ajo të zgjedhte uniformën në vend të strehimit apo ikjes nga vendi, zgjedhje të cilën ishin detyruar ta bënin shumë bashkëmoshatarë të saj asokohe. Të qëndrosh, megjithatë, ajo thotë të mos ketë qenë e lehtë. Ndër kujtimet që edhe sot i vijnë në mendje janë sidomos pritjet e gjata të nënës së saj që për katër vite i kishte pritur fëmiëjt e saj në ballkonin e shtëpisë deri në kthimin e tyre nga studimet për në shtëpi nga frika se mund t’ju ndodhë ndonjë e keqe rrugës për në shkollë dhe mbrapa në shtëpi.
“Kjo dhe shumë arsye të tjera më kanë tregu që nuk kam shumë zgjedhje dhe nuk kam qenë ithtare e largimit nga vendi”, thotë Spahiu e cila është e bindur se kontributi më i madh për vendin bëhet duke qëndruar e jo duke u larguar.
“Po të përsëriteshin edhe njëqind hera të tjera ngjarjet, e unë uroj që kurrë të mos përsëriten si në të ‘90-tat, do ta merrja vendimin e njëjtë”, thotë ajo.
Megjithatë angazhimi i saj për të drejtat e popullatës civile në Kosovë kishte nisur fillimisht në organizatën e parë joqeveritare të Kosovës, të themeluar në dhjetor të vitit 1989 nga intelektualë por edhe qytetarë të cilit kishin vendosur të ndihmonin. Pra në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, si bashkëpunëtore profesionale. Si juriste e re Spahiu kishte ndihmuar KMLDNJ-në të përgatitë edhe dosjen e njohur të Hages e cila pasqyronte krimet e bëra ndaj popullatës civile shqiptare nga ushtria jugosllave.
Pas gjashtë muajve angazhim në këtë organizatë Spahiu do të betohej si ushtare e UÇK-së, ku shërbeu deri në përfundim të luftës.
Në prill të vitit 1998 me organizimin e Zonës Operative të Drenicës, Spahiu do të ishte edhe një ndër pesë eproret e para të kësaj zone, dhe e vetmja grua në këtë pozitë. Në këtë zonë ajo kishte udhëhequr financat, dhe kishte shërbyer me ndihmë në logjistikë dhe çështje administrative. Punë të cilën ajo e kishte kryer deri në demilitarizimin e UÇK-së dhe themelimin e Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK), ku më 29 janar të vitit 2000 do të gradohej edhe si kolonelja e parë dhe e vetmja grua me këtë gradë si dhe do të bëhej një ndër 34 eprorët e parë të TMK-së.
“TMK-ja ka qenë institucioni i parë i organizuar pas luftës, dhe mund të them që merita i takon ndoshta lidershipit të asaj kohe që më caktoi në atë pozitë”, tregon ajo. “Duke e njohur profesionin asokohe i kemi dhënë edhe konturat e para, nëse mund të them, të organizimit dhe nuk them që ka qenë pa sfida. Sfida ndoshta më e madhe në fillim ka qenë mungesa e legjislacionit adekuat. Në atë kohë autoritet ka qenë PSSP-ja (Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë) dhe UNMIK-u dhe ne kemi qenë nën ombrellën, ose zyrën e koordinatorit për TMK-në”.
E vetëdijshme për kompetencat e UNMIK-ut dhe mungesën e organizimit institucional pas luftës, Spahiut iu caktua si detyrë parësore krijimi i bazës së sistemit financiar të TMK-së dhe përgatitja e legjiclacionit me të cilin Trupat Mbrojtëse do të funskiononin. Për ta realzuar këtë detyrë ajo kishte kërkuar profesionistë të fushave të ndryshme nga të gjitha njësitë e TMK-së. “Pata kërku profesionistë prej të gjitha njësive të TMK-së, pjesëtarë pra të përgatitur nga fusha të ndryshme dhe ata e kanë dhënë më të mirën për të vënë kornizat e para legjislative. Kemi fillu prej kurrgjo. Edhe sot më kujtohen ende urdhëresat që i kemi bërë, ku dhe si me u thirr për çështje të caktuara procedurale, etj. Ka qenë shumë problem”, tregon ajo duke mos anashkualuar as ndihmën e partnerëve të Kosovës për tejkalimin e sfidave të cilat i kanë hasur.
Duke u nisur edhe nga fakti se departamenti i financave i TMK-së ka qenë ndër departamentet e para të organizuar në Kosovën e pasluftës, Spahiu dhe ekipi i saj do të bëheshin edhe pjesë e grupeve të ndryshme punuese të Ministrisë së Financave të Kosovës për të ndihmuar në hartimin e legjislacionit të institucioneve të cilat ishin në formim e sipër.
Fokusi i saj, Spahiu thotë të ketë qenë hartimi i bazës ligjore të TMK-së dhe përgatitja e saj për transformimin që pritej dhe ndodhi një vit pas shpalljes së pavarësisë, në vitin 2009, nga trupat mbrojtëse në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Në FSK, Gjeneralja Spahiu ka shërbyer për tre vjet e gjysmë si drejtoreshë e departamentit për personelin dhe njëkohësisht edhe këshilltare e Komandantit dhe ministrit të FSK-së për çështje të personelit, detyrë të cilën do ta mbante deri më 15 maj të vitit 2012 kur do të merrte pastaj detyrën e zëvendëskomandantit të FSK-së. Një ndër përgjegjësitë si drejtoreshë e personelit ka qenë edhe udhëheqja e procesit të rekrutimit të pjesëtarëve të ri të FSK-së.
Ushtaraket e Kosovës
Gjeneralja Irfete Spahiu kujton që gjatë detyrës së saj si drejtoreshë e personelit sfidë ka qenë sidomos rekrutimi i vajzave dhe i grave në FSK. Nga 2 mijë e pesëqind pjesëtarë sa numëron rëndom forca, asokohe vetëm 1.2 për qind të pjesëtarëve ishin gra.
Ajo nuk heziton të kujtojë as paragjykimet që kanë ekzistuar në shoqërinë kosovare patriarkale mbi gruan në uniformë.
“Grua në sektorin e sigurisë unë e kam përjetu në shpatullat e mia se çka do të thotë… Nuk është e lehtë”, thotë ajo. “Ka pasur paragjykime se gratë në uniformë nuk bëjnë, dhe ato [paragjykime] unë tash s’dua me i përmend dhe me i sforcu sepse i dimë të gjithë çfare kanë qenë, por mund të them se vetë përfshirja e sa më shumë grave dhe forma e trajtimit të tyre në FSK ka shërby për me i motivu gratë dhe vajzat e reja dhe sot numri i grave në FSK është rritur”.
Diku 8.2 për qind e pjesëtarëvë të FSK-së sot janë gra.
Kjo për Gjeneralen Irfete Spahiu, sado që mund të duket pak nga jashtë, është sukses. “Dikujt i duket ndoshta pak por unë e di se çka do të thotë me ardhë deri te kjo përqindje në shërbim ushtarak. Ka pasë të atilla që e kanë provu, i kanë pa sfidat dhe e kanë lëshu”, tregon ajo.
Gjeneralja beson se kadetët megjithatë e kanë mundësinë që të përgatiten për atë që i pret në shërbim qysh në kursin bazik nëntëjavor që mbajnë në FSK. Megjithatë, ajo pohon se ka raste kur gratë vendosin ta lënë shërbimin për shkak të martesave apo obligimeve familjare, por për të cilat nuk pajtohet se do të duhej të ishin arsye për ta lënë shërbimin nëse gratë me të vërtetë duan të jenë pjesë e shërbimit.
“Në kohën e rekrutimit u kemi parapri këtyre proceseve dhe u kemi tregu që është e mundshme me qenë grua, motër, nënë dhe me qenë në shërbim, por duhet me e bind veten. Pjesën e familjes e organizon ti por këto dhe këto janë ato që kërkohen prej teje në shërbim dhe është një program i kursit bazik, nëse tash kthehemi të kampanja, që i selekton dhe ju tregon pak a shumë ku qëndrojnë dhe çka ju pret”, tregon ajo.
“Ka pas ndoshta të interesum por për me apliku por, nuk e di nuk mundemi me i ik ndoshta asaj që edhe mentaliteti [në shoqërinë tonë] e bën të vetën dhe faktin që për gratë në uniformë ka pasë paragjykime. Por tash besoj se ato nuk janë më, ose kështu mendoj unë”, thotë Gjeneralja.
Spahiu njihet për qëndrimet e saj pro avancimit të gruas, sidomos në sektorin e sigurisë. Megjithatë e ka një parim të cilin thotë se nuk e shkel për askë dhe asgjë.
Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.
“Në kushte të barabarta unë jam për gra”, thotë Gjeneralja Irfete Shpahiu duke ngritur dorën në shenjë vote për gratë.
Por megjithatë thotë se nuk është pro kuotës ngase është e bindur se pozita dhe detyra duhet të merren me arritje dhe merita e jo për faktin se ndokush është grua.
“Përpara e kanë kërku profesionalizmin dhe jo kuotën gjinore… Ky këtu [në FSK] është shërbim 24 orë, mos të harrojmë këtë. Kur del prej nëntë jave në kursin bazik ke me qenë fillimisht në gardë, pra roje. Ke me marrë detyra të ushtarit, është një periudhë kohe e shërbimit e karrierës së nënoficierit dhe me vazhdu më tutje dhe këtë dua të them që duhet me bart informacionin mirë për të gjithë që me u përgatit mirë për atë që të pret brenda”, thotë Gjeneralja Spahiu e cila refuzon çdo pozitë për të cilën dikush mund të konsiderojë se ajo e ka fituar vetëm pse është grua.
“Gjithmonë u them njerëzve që i takoj për herë të parë, nëse ndokush ma ka dhënë këtë pozitë që kam, apo cilëndo që kam pasur më herët, vetëm pse jam grua atëherë unë nuk e dua atë pozitë. Refuzoj ta pranoj sepse konsideroj se këtu jam vetëm për shkak të përgatitjes sime profesionale dhe punës e kontributit të vazhdueshëm. Ndryshe këto pozita nuk më duhen”, thotë ajo në formë të prerë.
Meritat kryesore ndërkaq për përfshirjen e saj në sektorin e sigurisë Spahiu ia atribuon prindërve të saj, duke elaboruar rolin që familja ka në përkrahjen e vajzave dhe grave më shoqërinë patriarkale të Kosovës ku pak gjen gra në pozita, sidomos ato vendimmarrëse në sektorin e sigurisë.
Spahiu është Gjeneralja e vetme në FSK, derisa dy grada më të ulëta se ajo i kanë vetëm dy gra të tjera, nënkolonelja e Komandave të Forcave Tokësore si dhe nënkolonelja e Kompanisë Mjekësorë në FSK.
“E lindur dhe e rritur në një familje prej dy prindërve si i kam pasë unë ndryshe nuk kishte me pasë rezultat puna ime. Une jam fëmija i parë dhe ne jemi pesë fëmijë, tre djem dhe dy vajza. Por kurrë, asnjëherë baba nuk ka thënë që ka dy vajza e tre djem”, tregon ajo. “Edhe sot kur e pyet babën tem i cili ka 75 vjet dhe mama 70 vjet, se sa fëmijë i kanë thonë Fetën [nofka e Irfetes] dhe katër të tjerë”, vazhdon Spahiu.
Nga aspekti gjinor thotë të mos ketë pasur asnjëherë probleme në familjen e saj e cila UÇK-së ia dha dy vajzat e saj. Motra më e re e Spahiut iu bashkua asaj në luftë në prill të vitit 1998. Spahiu thotë se në UÇK gratë gjetën hapësirën për të treguar se mund t’ia dalë me punën që i ishte caktuar.
Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.
“Gjatë gjithë asaj periudhe nuk jam ndje asnjëhrë si grua e vetme në ushtri. Jo, jam ndje si qenie njerëzore e vendosur për të arritur qëllimin që kishim mbrojtjen e njerëzve dhe vendit tonë nga shtypja dhe represioni”, thotë Spahiu e cila megjithatë nuk është e kënaqur me faktin se roli i gruas në luftën e çlirimit të Kosovës nuk është vënë në pah sa duhet.
“Ato që kanë bërë gratë në UÇK, dhe për luftën në Kosovë, është një vlerë që ende duhet me e çmu dhe ende ka nevojë me e vendos në vendin meritor dhe nuk është fjala me pasë vetëm armën në dorë por mbështetjen që e kanë dhënë me logjistikë dhe me të gjitha veprimet e tjera si përgatitjen e ushqimit, medikamentet dhe trajtimin e të lënduarve”, tregon ajo.
“Po ju them që në ato vende ku ka qenë UÇK-ja e shtrirë pa rolin dhe kontributin e grave, nënave dhe vajzave tona, ne nuk kishim arritë me qenë ata që kemi qenë. Dhe kemi ende shumë punë për të bërë për ta vënë në dritë këtë”, thotë Irfete Spahiu.
Shërbimi ushtarak për Irfete Spahiun nuk është thjesht një vend pune por kontribut i përhershëm, të cilin çdokush që mëton se mund ta bëjë për vendin e tij është i mirëseardhur ta bëjë bashkërisht me të në FSK. Megjithatë thotë se ka edhe sfidat e veta dhe prandaj çdoherë tenton që këtë t’ua transmetojë të gjithëve.
“U kam thënë vajzave edhe atyre nga shumica, edhe minoriteteve dhe të gjithëve se këto janë kushtet për me qenë në FSK. Nëse doni me hy për një rrogë dhe me mbet aty në një pozitë, ju keni me hy ndoshta dhe keni me pasë sukses por për me vazhdu për me mbetë aty keni me pasë probleme”.
Përgatitja e duhur dhe vendosmëria për të qenë pjesë në shërbim thotë se janë ato që kërkohen pikësëpari. “Tash i kemi shtatë vajza të minoriteteve, boshnjake dhe serbe të pjesës veriore të Kosovës, që janë në kursin bazik dhe nëse gjithçka shkon mirë dhe arrijnë të përfundojnë kursin me sukses atëhërë ato do të jenë pjesë të FSK-së”.
Sukseset në trajnime dhe shkollime jashtë shtetit të vajzave në FSK, arritjet e tyre në garat ndërkombëtare, këto janë ato që e bëjnë Gjeneralen Spahiu të mburret dhe të kujtojë të kaluarën e të bëjë krahasimin me të gjithë ata që thonin se “uniforma është vetëm për burra”.
“Personalisht nuk pretendoj me e thanë si maksimë që e du vendin më shumë se ti, por nuk ta lejoj as ty me thanë që e do vendin më shumë se unë”, thotë gruaja fjalëprerë që ndryshoi përgjithmonë historinë e gruas në institucionet kosovare të sigurisë, duke hapur rrugën për të gjitha gratë që synojnë të marrin lidershipin në dorë e të tregojnë se profesioni dhe puna nuk njohin gjini”.K
Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0
Redaktuar nga Jack Robinson.