13 maj 2018, drekë
“Liria! Për këtë bëhet fjalë!”, një zë i thellë por miqësor më drejtohet fill pasi aleatë dhe aktivistë të komunitetit LGBT+ kanë përfunduar fjalimet në sheshin Skënderbej në Tiranë.
Tashmë, në skenë janë ngjitur këngëtari Bojken Lako me artistë të tjerë të cilët kanë zgjedhur jo vetëm ta përkrahin publikisht komunitetin, por të kontribuojnë duke ofruar një koncert motivues që i bashkon njerëzit nëpërmjet dhe rreth muzikës, pavarësisht identiteteve të tyre gjinore, orientimit seksual, etnisë, besimit fetar, etj.
Krijimi i një atmosfere të munguar dhe të hareshme na kujton, se në sfidat dhe përpjekjen sistematike për barazi dhe drejtësi shoqërore – festa për lirinë do të ketë edhe ajo, gjithmonë, vendin e merituar teksa shton radhët mes bashkëpunëtorëve.
Burri që më është drejtuar duket t’i përkasë një brezi të matur në moshë. Flokët e tij të bardhë dhe buzëqeshja babaxhane tërheqin të gjithë vëmendjen time. Duket se atë paradite me diell, rruga i ka rënë rastësisht në qendër ku dhe ka hasur grumbullin e të rinjve dhe vetë komunitetin.
Në një shoqëri të dhunshme dhe kaq homofobike sa ajo shqiptare, instinkti i parë ndaj tjetrit së jashtmi, i cili zgjedh të marrë pjesë në paradë, është fillimisht dyshimi e pastaj mbrojtja.
Pa u ndërtuar ende një urë komunikimi mes palëve, gjasat janë që biseda të nis me drojë dhe me një vëzhgim të mprehtë, në mos zhbirilues ndaj tjetrit, i cili mund të qëllojë të jetë një burrë i çfarëdoshëm si zotëria që me kërshëri dhe ndërgjegjje vendosi t’i bashkohet protestës , sikurse një aktivist transgjinor (për rastin ndryshe) në një mjedis thellësisht heteronormativ. E dallueshme mbetet qasja jonë ndaj tjetrit, jo tjetri në vetvete.
“Nuk më besohet që më në fund po flasim për këtë gjë!”, e thyen zotëria heshtjen buzagaz. “Bëhet fjalë për lirinë! Nuk ka asgjë më të shenjtë se liria dhe dinjiteti njerëzor!”.
I ngazëllyer dhe me habinë karakteristike që të shkaktojnë ngjarje të mira, vazhdon të më flasë. Unë nga ana tjetër kam mbetur pa fjalë. Teksa burrit s’i besohet që edhe Shqipëria po e shtron tashmë rrugën e duhur drejt zhvillimit social dhe kulturor, mua ende s’më besohet që ky zhvillim po gjen më në fund përkrahje tek ato shtresa shoqërore, që vetëm disa vite më herët ngjallnin pasigurinë se në mos në një çast, në një tjetër, dikush do të ushtronte dhunë apo diçka e pakëndshme mund të ndodhte gjatë pedalimit.
Së paku, më pëlqen të besoj, se qëndrimi i këtij zotërie më konfirmon pikërisht këtë gjë, po aq sa vargu i dasmorëve në makinat e rreshtuara njëra pas tjetrës krahas çiklistëve të paradës, që nisën të përshëndesin me gaz duke i rënë borive e brohoritur.
Në shtatë vite protesta, manifestime, takime, debate, shkrime dhe çdo lloj forme shprehjeje demokratike apo kundërshtimi, parada e këtij viti, veçanërisht pjesëmarrja dhe reagimet e qytetarëve në rrugët e Tiranës, lanë të kuptohet se në Shqipëri mundësia për integrimin e komunitetit LGBT+ në të gjitha sferat shoqërore, mund të jetë më e shpejtë dhe e suksesshme nga sa kemi besuar.
Nuk e di nëse mjafton vetëm vullneti dhe puna për t’i ndryshuar gjërat, por di të them që kjo është një pikënisje e mbarë.
Atë ditë, ndonjë orë më herët
Lola, një grua e re përfaqësuese dhe aktiviste e komunitetit transgjinor në Shqipëri, me një guxim të respektueshëm, i drejtohet nga podiumi i vogëlth një publiku të larmishëm mes të cilëve studentë, aktivistë, ambasadorë, politikanë, prindër me vogëlushët e tyre, ndonjë gjyshe dhe disa fëmijë të komunitetit rom që janë bashkuar dhe presin të dëgjojnë me kërshëri.
“Si një vajzë e re trans e cila u detyrua të ndërpriste shkollimin për shkak të dhunës sistematike, të qenurit sot përpara jush do të thotë shumë për mua, jo vetëm për t’i dhënë zë problemit të bullizmit në shkolla për personat LGBT+, por sidomos për të sjellë në vëmendje të gjithë personat trans në Shqipëri.
Ne ekzistojmë! Kemi ekzistuar gjithmonë dhe do vazhdojmë të ekzistojmë!
Ne gëzojmë të drejta të barabarta si të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë dhe nuk pranojmë që këto të drejta të na mohohen! Ndaj, nuk do të fshihemi më, as do të heshtim deri sa këto të drejta dhe liri të na garantohen realisht!
Unë do të doja të isha e fundit vajzë e komunitet trans në Shqipëri që ka lënë shkollën për shkak të dhunës. Unë e dua dijen, e dua jetën dhe lirinë! Dhe nuk kërkoj asgjë më shumë se vendin tim në shoqërinë tonë!”
Lola nuk ka frikë. Apo më saktë, Lola nuk ka më frikë pasi ka zgjedhur ta sfidojë realitetin e deritanishëm dhe të marrë frenat e jetës së saj në dorë. Por mbi të gjitha, ngaqë s’mund të ketë më vend për frikën në shoqërinë në të cilën duam të përkasim.
Lola flet me zë të lartë, të fuqishëm dhe fjalët e saj janë dëshmi shprese dhe nxitje, jo vetëm për vajzat dhe gratë e komunitetit transgjinor në Shqipëri, por për të gjitha ne që lindëm në një shoqëri kaq patriarkale dhe nuk e pranuam dot kurrë atë.
Vetë ekzistenca publike e Lolës është manifestim revolte dhe thirrje për veprim. E ajo ia del më së miri, si një grua e zonja dhe e guximshme që është, për t’ia lënë radhën shoqes së saj të betejave, Serafinës, një tjetër grua e re transgjinore dhe aktiviste e komunitetit.
Lolën dhe Serafinën nuk i bashkon vetëm identiteti gjinor nën thundrën e sistemit patriarkal, por gjithashtu eksperienca e përbashkët e braktisjes së shkollës për shkak të dështimit të qeverisë dhe shoqërisë sonë, për ta shndërruar këtë institucion në një strehë të sigurt që mirëpret diversitetin gjinor dhe seksual dhe e përkthen atë në kapitalin më të çmuar të një shoqërie demokratike dhe të lirë.
Serafina e ka lënë shkollën por jo guximin për të na edukuar mbi dinjitetin njerëzor:
“Unë nuk doja ta lija gjimnazin! Doja ta vazhdoja atë normalisht si të gjitha shoqet dhe shokët e mi. Dhe më pas, të vazhdoja studimet e larta, të zgjidhja një fushë ku mund të kontribuoja dhe të bëhesha dikushi brenda asaj fushe PA E FSHEHUR IDENTITETIN TIM SI GRUA! Unë jam grua dhe krenare për këtë fakt! Dhe nuk dua të më mohohen të drejtat që i gëzoj si grua dhe person transgjinor pse shumëkush mund të dëshirojë një identitet gjinor tjetër për mua.
Ndaj zgjodha që të bëhem aktiviste për të drejtat trans dhe të luftoj për lirinë time dhe të të gjithë personave si puna ime. Sot protestoj për t’i bërë jehonë dashurisë dhe tolerancës. Por dashuria dhe toleranca nuk vijnë në jetë pa bashkëpunimin tonë me njëri-tjetrin. Unë nuk jam këtu për t’iu kompromentuar identitetin tuaj por thjesht për t’iu kërkuar që ju të mos kompromentoni timin!
Njerëzit janë të ndryshëm, ata ndihen ndryshe dhe dashurojnë ndryshe! Ne s’duhet të na shqetësojë ky fakt por mungesa e dashurisë dhe urrejtja.
Unë dua të jetoj në një shoqëri ku s’ka vend për urrejtjen dhe ku të gjithë e respektojnë njëri-tjetrin pasi bota na përket të gjithëve dhe kam besimin se bashkë mund t’ia dalim që shoqëria jonë të jetë më tolerante dhe e drejtë!”
Shkolla jo vetëm që duhet të jetë e hapur për të gjithë, por ajo është baza e ndryshimeve radikale shoqërore, e ndryshimit të politikave të padrejta dhe mendësive të vdekura. Tashmë komuniteti LGBT+ në Shqipëri së bashku me aleatët, e ka konkretizuar vetëdijësimin mbi rëndësinë që mbart edukimi, ndaj dhe baneri udhëheqës i protestës thërriste kundër bullizmit në shkolla.
Nuk mund të flasim për llojin e edukimit që shkollat përçojnë te brezat, nëse nuk garantohet mundësia e barabartë për ndjekjen e këtij edukimi. Si mund të flasim për gjithëpërfshirje nëse disa prej nesh s’mund të ulen njëlloj në bankat e shkollës si më të privilegjuarit ndërmjet të paprivilegjuarve?
Çdo i ri ose e re që braktis shkollimin është një këmbanë alarmi për gjithsecilin prej nesh, aq më tepër kur ky vendim merret në kushte mbijetese sepse siguria fizike e një pjese të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë nuk është e garantuar, pikërisht aty ku do të duhej mbjellë toleranca, respekti dhe vlerat më bazike njerëzore.
Kjo gjendje alarmante nuk është, megjithatë, fenomen shqiptar pavarësisht formës me të cilën është mbrujtur në këtë hapësirë. Dhuna është fenomen njerëzor, ashtu si dhe zgjedhja për ta refuzuar atë. Janë jo të paktë personat LGBT+ në Ballkan, që detyrohen njëlloj si Serafina dhe Lola të braktisin në mos shkollën, punën ose familjen.
Prandaj, parada në pastë vetëm një meritë përveç dhënies së hapësirës së merituar publike personave LGBT+, ky është marshimi krah për krah i serbëve, kosovarëve, maqedonasve, grekëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve. Parada është mbi të gjitha një ndërgjegjësim për faktin se përpara se të identifikohemi me kombësitë përkatëse, ne jemi njerëz brenda një realiteti të përbashkët, me dallim të vetëm marrëdhënien me pushtetin – të gjitha llojet e pushteteve, brenda shteteve ku bëjmë pjesë.
Armiku i një serbi dhe një shqiptari apo një serbi dhe një boshnjaku apo një maqedonasi dhe një greku, nuk janë sho-shoqi por politikat përçarëse dhe shtypëse të qeverive po të këtilla, të cilat mund t’i rrëzojmë, ndryshojmë dhe sjellim në brazdë vetëm duke mos e shkëputur këtë lidhje të shëndoshë që ka zënë jetë në rrugë.
E ardhmja është femërore
“Unë jam vajzë dhe më pëlqejnë vajzat! Më kanë pëlqyer gjithmonë! Unë dua të dal me të dashurën time, njëlloj si ty! Të eci për dore me të, ta puth dhe përqafoj në mes të rrugës, në lokale, në teatër dhe kinema; t’i them se e dua me zë të lartë, pa patur frikën se dikush do më pështyjë, shajë apo godasë për këtë gjë.
Dashuria nuk prodhon frikë, as dhunë. Injoranca prodhon dhunë, mbyllja, mungesa e komunikimit…
Ti mund të mos kesh takuar kurrë një homoseksual në jetën tënde por unë jam këtu. Më pyet për gjithçka që nuk kupton. Të premtoj se do të të përgjigjem!
Mos ma ceno dashurinë, mos ma ceno lirinë për të dashur dhe për të jetuar; mos ma ceno të drejtën për punë, mos ma ceno jetën, sikurse unë s’të cënoj ty! Mos më shty tutje por më jep një dorë nëse dikush tjetër se bën. Së bashku mund ta ndryshojmë shoqërinë tonë, ta bëjmë atë më pak të dhunshme dhe më shumë miqësore! Ajo më përket mua, po aq sa edhe ty!”
Kejda Jahja, flet si përfaqësuese dhe aktiviste për të drejtat e vajzave dhe grave lesbike. Ajo është e shkolluar por shkollimi i saj, eksperienca dhe aftësitë brenda fushës profesionale dhe akademike ku përket, nuk mjaftojnë për mbajtjen e një posti pune për një kohë të gjatë sepse në këtë mjedis ajo diskriminohet dyfish, për shkak të orientimit seksual (lesbike) dhe identitetit gjinor (grua).
Kjo grua e re që zakonisht mund të tërheqë vëmendjen me sjelljen introverte, pedalon në krye të protestës me flamurin e ylbertë në dorë, sepse e drejta për punë dhe e drejta në punë janë të drejtat më themeltare njerëzore nga të cilat vajzat lesbike e bashkë me to djemtë gay, nuk do të lejojmë të përjashtohen.
Fjalët e Kejdës sjellin në pah komunitetin e lesbikeve në Shqipëri, po aq sa në tërësi – gjendjen e shtypur të gruas këtu. Ato janë paralajmërim për rritjen e përpjekjes fisnike për përfshirje dhe trajtim të barabartë të të gjitha grave.
Turp dhe dinjitet (mëngjes, përpara fillimit të paradës)
Ç’do të thotë të jesh aleat i komunitetit LGBT+? Në një bllok të shkarravitur fund e krye dhe e ulur në bordurën e trotuarit në bulevardin kryesor të Tiranës, mundohem t’i jap një përgjigje korrekte dhe konçize pyetjes, për ta folur atë me zë të lartë orë më vonë, përpara të gjithë të pranishëmve që do të vijnë në protestë.
Është tepër herët. Mikesha dhe kolegia ime Xheni Karaj, figura emblematike e lëvizjes LGBT+ në Shqipëri, ia doli të më zgjonte në kohë – në kohën e saj për të qenë më e saktë.
“Aktivisti duhet të jetë në vendgjarje jo një, as dy por plot tri orë më herët, madje edhe më herët se aq”, kujdeset të më bëjë të ditur Xheni, në merak që gjithçka të shkojë sipas planit dhe me shpresën se këtë vit do t’ia dalim mbanë më mirë se një vit më herët.
Mpreh lapsin dhe nis të shkruaj por papritur një grua më kanoset duke më bërtitur: “S’ju vjen turp? Ndyrësira! Po e shkatërroni këtë vend!”. Kujtohem që nuk kam pirë ende kafe dhe ia them këtë informacion pa interes gruas, teksa përpiqem t’i shpjegoj se dashuria nuk është e shpifur dhe as turp.
Sharjet nga ana tjetër dhe dhunimi i dikujt në punë të vet, janë të këtilla. Nëse ky vend është shkatërruar prej diçkaje, kjo është dhuna patriarkale dhe sistemike. Ajo refuzon të më dëgjojë më tej dhe largohet pa e ndalur lumin e fjalëve karshi meje dhe shokëve e shoqeve të mia.
Kemi ende shumë punë për të bërë: ky është veçse fillimi! Ja pse është e rëndësishme për t’u bashkuar me komunitetin LGBT+ edhe pa pasur prirje homoseksuale apo pa u identifikuar me një gjini tjetër nga aktualja.
Nuk mund të mos kuptojmë që e vetmja siguri për mirëqenien tonë është garantimi i barabartë i mirëqenies së tjetrit dhe nëse ky i fundit cenohet në të drejtat më themeltare të tij, ekziston rreziku që herët ose vonë të pësojmë të njëjtën gjë unë dhe ti.
Nuk mund të ketë harmoni në shoqëri thellësisht të ndara dhe agresive. Një shoqëri e mirë dhe e drejtë është një shoqëri që i lejon të gjithë anëtarët e saj të bashkëjetojnë në paqe, pavarësisht se sa të ndryshëm janë. Harmonia dhe liria fitohen duke bashkëpunuar në të gjitha rastet kur e kërkon nevoja. Drejtësia vlen për të gjitha palët, jo vetëm për një pjesë, ndaj ajo mbart statusin më të lartë për të cilin rezultojmë të aftë si qenie politike.
Kemi një nevojë urgjente për t’i bërë vend dashurisë dhe tolerancës mes nesh. Mbi të gjitha, dhuna ndaj nesh si qytetarë, pavarësisht orientimeve tona seksuale, bindjeve politike, besimit fetar apo etnisë, na ushtrohet fillimisht prej këtij sistemi shtypës.
Lufta për të drejtat LGBT+ është një hap përpara në përpjekjen tonë të përbashkët shoqërore, kundër të gjitha formave të shtypjes. Çështja LGBT është çështje e të gjithë shoqërisë, jo vetëm e komunitetit. K
Foto kryesore: Loreta Cuka.