Pikëpamje | Drejtësi

VRASËS ME POZITA TË LARTA PUBLIKE

Nga - 13.06.2016

Liderët institucional përgjegjës për vdekjen e tre vjeçares në Prizren duhet të akuzohen për vrasje.

Instinkti fillestar i një vrasësi në të shumtën e rasteve është mohimi i autorësisë së krimit. Për të forcuar pretendimin e tij, vrasësi rëndom shkon edhe më tej duke e fajësuar tjetrin për krimin e kryer. Me këto veprime, sado i vetëdijshëm që është i pashpresë, vrasësi e përdor kartën e fundit për të shpëtuar veten nga përgjegjësia për aktin më makabër të mundshëm, të privuarit e tjetrit nga jeta.

Javën e kaluar, një vajzë tre vjeçare humbi jetën në Prizren si pasojë e shembjes së një shtëpie të vjetër. Pak orë pas tragjëdisë, si zyrtarët e komunës së Prizrenit ashtu edhe ata të Ministrisë së Kulturës u distancuan nga përgjegjësia dhe e fajësuan njëri-tjetrin. Për ta, një jetë e humbur kishte më pak rëndësi se distancimi nga përgjegjësia. Para se të shprehnin çfarëdo keqardhje për tragjedinë, ata nxituan të shfajësojnë veten nga ky krim.

Qendra Historike e Prizrenit është zona më e degraduar në gjithë shtetin e Kosovës, përkundër një numri të madh mekanizmash ligjor e institucional për mbrojtjen e saj. Me vite të tëra, raporte të shumta vendore e ndërkombëtare rregullisht kanë apeluar për veprim të autoriteteve përgjegjëse në ndaljen e degradimit. Madje, gjatë dy viteve të fundit edhe raportet e vetë komunës dhe ministrisë kishin konstatuar dinamikë në rritje të degradimit. Në veçanti, zyrtarët e shtetit kishin konstatuar degradimin e shtëpive të vjetra në rrugën Marin Barleti, aty ku ndodhi tragjedia e javës së kaluar. Megjithatë, nuk ndërmorën asnjë veprim.

killers-01

Komuna e Prizrenit vetë kishte konstatuar humbjen e qëndrueshmërisë fizike të këtyre shtëpive duke i konsideruar si rrezik permanent për jetën e qytetarëve. As nuk siguruan banim alternativ e të sigurt për familjet e varfëra që jetonin përkohsisht në ato shtëpi dhe as nuk vendosën mbrojtje fizike përreth për t’i mbajtur banorët tjerë të lagjes dhe kalimtarët e rastit në distancën e duhur të sigurisë. Fundja, pjesë të murit dhe kulmit të shtëpisë u shembën mbi fëmijët të cilët po luanin jashtë, në rrugë. Aty në atë moment mund të ishin fëmijët e secilit prej nesh, thjesht duke kaluar rastësisht andej.

Në anën tjetër, Ministria e Kulturës vetë i kishte evidentuar këto shtëpi si prona të rrezikuara të trashëgimisë kulturore, që kanë nevojë për masa parandaluese përmes intervenimeve emergjente. Asnjë cent nuk kanë investuar në sanimin e gjendjes së këyre shtëpive që janë pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore. Saktësisht një muaj më parë, në të njëjtën rrugë, 20 metra larg këtij rasti ishte shembur një shtëpi tjetër, ku vetëm fati i mirë i kishte shpëtuar qytetarët që po ecnin asaj rruge. Por as ky “paralajmërim” i fundit nuk prodhoi veprim të autoriteteve.

Përgjegjësia në këtë rast është shumë e qartë. Komuna e Prizrenit dhe Ministria e Kulturës, bashkë edhe me Ministrinë e Planifikimit Hapësinor si përgjegjëse kryesore për Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit, si rezultat i mosveprimit të tyre kanë shkaktuar tragjedinë e javës së kaluar. Neglizhenca e tyre ka prodhuar pasoja fatale dhe për këtë arsye bartësit e këtyre institucioneve duhet të ndiqen penalisht. Akuza që duhet të rëndojë mbi ta është vepra penale e vrasjes. Neni 8 i Kodit Penal të Kosovës saktëson se vepra penale mund të kryhet me veprim ose me mosveprim. Më tej, ky nen saktëson se vepra penale kryhet me mosveprim kur kryesi nuk e ndërmerr veprimin të cilin ka qenë i obliguar ta ndërmerr.

Këtë tragjedi duhet ta quajmë me emrin e vet të saktë: vrasje. Më e pakta që obligohen moralisht bartësit e këtyre institucioneve është ofrimi i dorëheqjes. Ndërsa ata duhet të marrin dënimin e merituar për vrasjen e tre vjeçares si pasojë e mosveprimit të tyre, duke i neglizhuar të gjitha paralajmërimet dhe konstatimet e dukshme. Ky do të ishte i vetmi kompensim moral për familjen e vajzës dhe e vetmja mundësi për të parandaluar tragjedi të reja.

Hajrulla Çeku është drejtor i OJQ për trashëgimi, Ec Ma Ndryshe.

 

KOMENTO